Kapitulli 35
Ekzekutimi i Babilonisë së Madhe
1. Si e përshkroi engjëlli bishën me ngjyrë të kuqe të ndezur dhe ç’lloj mençurie nevojitet për të kuptuar simbolet e Zbulesës?
DUKE vazhduar me përshkrimin e bishës me ngjyrë të kuqe të ndezur të Zbulesës 17:3, engjëlli i tha Gjonit: «Këtu duhet zgjuarsi dhe mençuri: shtatë kokat përfaqësojnë shtatë male, sipër të cilave ulet gruaja. Mbretërit janë shtatë: pesë kanë rënë, njëri është, e tjetri nuk ka mbërritur ende, por kur të mbërrijë, do të mbetet për pak kohë.» (Zbulesa 17:9, 10) Këtu engjëlli po përçonte mençurinë nga lart, të vetmen mençuri që mund të na ndihmojë të kuptojmë simbolet e Zbulesës. (Jakovi 3:17) Pikërisht kjo mençuri e ka ndihmuar klasën e Gjonit dhe shokët e saj të kuptojnë rëndësinë e kohës në të cilën jetojmë. Ajo shton në zemrat me përkushtim mirënjohjen për gjykimet e Jehovait që do të ekzekutohen së shpejti dhe na ngulit frikën e shëndoshë që duhet të kemi ndaj Tij. Proverbat 9:10 thotë: «Të kesh frikë nga Jehovai është hapi i parë drejt mençurisë dhe njohuria për Më të Shenjtin është kuptueshmëri.» Atëherë, çfarë na zbulon mençuria hyjnore për bishën?
2. Ç’përfaqësojnë shtatë kokat e bishës me ngjyrë të kuqe të ndezur dhe në ç’kuptim ‘pesë kishin rënë, njëri ishte’?
2 Shtatë kokat e bishës së egër përfaqësojnë shtatë «male» ose shtatë «mbretërit». Në Shkrime këto dy terma përdoren kur bëhet fjalë për fuqi qeverisëse. (Jeremia 51:24, 25; Danieli 2:34, 35, 44, 45) Bibla përmend gjashtë fuqi botërore që kanë ndikuar fuqishëm tek vepra e popullit të Perëndisë: Egjipti, Asiria, Babilonia, Medo-Persia, Greqia dhe Roma. Deri në kohën kur Gjoni mori Zbulesën, pesë prej këtyre kishin ardhur e kishin shkuar, kurse Roma ende ishte një fuqi e madhe botërore. Kjo përkonte mirë me fjalët «pesë kanë rënë, njëri është». Por, cila ishte ‘tjetra’ që duhej të vinte?
3. (a) Si përfundoi e ndarë Perandoria Romake? (b) Ç’zhvillime ndodhën në Perandorinë Perëndimore? (c) Si duhet konsideruar Perandoria e Shenjtë Romake?
3 Perandoria Romake pati jetë të gjatë, madje, pas kohës kur jetoi Gjoni, vazhdoi të zgjerohej për shekuj me radhë. Në vitin 330 të e.s. perandori Kostandin e shpërnguli kryeqytetin nga Roma në Bizant, qytet të cilit i vuri një emër të ri, Kostandinopojë. Në vitin 395 të e.s., Perandoria Romake u nda në dy pjesë: Perandoria Lindore dhe ajo Perëndimore. Në vitin 410 të e.s., Roma ra në duart e Alarikut, mbretit të visigotëve (një fis gjermanik që ishte kthyer në një lloj «krishterimi» arian). Fise gjermanike (po ashtu «të krishtere») pushtuan Spanjën dhe një pjesë të mirë të territoreve romake në Afrikën e Veriut. Për shekuj të tërë në Evropë pati trazira, paqëndrueshmëri dhe ndryshime. Në Perandorinë Perëndimore dolën perandorë që bënë emër, si Karli i Madh, që lidhi aleancë me papa Leonin III në shekullin e 9-të, dhe Frederiku II, që mbretëroi në shekullin e 13-të. Por, edhe pse territori i tyre u quajt Perandoria e Shenjtë Romake, ai ishte shumë më i vogël se Perandoria Romake në kulmin e shkëlqimit të vet. Ishte më shumë një rimëkëmbje ose një vazhdim i kësaj fuqie të lashtë, sesa një perandori e re.
4. Cilat fitore korri Perandoria Romake Lindore, por çfarë ndodhi me pjesën më të madhe të atyre që dikur kishin qenë territore të Romës së lashtë në Afrikën e Veriut, në Spanjë dhe në Siri?
4 Perandoria Romake Lindore me epiqendër në Kostandinopojë, kishte lidhje disi të tendosura me Perandorinë Romake Perëndimore. Në shekullin e 6-të, perandori i Perandorisë Lindore, Justiniani I, arriti të rifitonte një pjesë të mirë të territoreve në Afrikën e Veriut, dhe, gjithashtu, ndërhyri me trupat e tij në Spanjë dhe Itali. Në shekullin e 7-të, Justiniani II, rimori territoret e perandorisë që shtriheshin në Maqedoni, të pushtuara nga fiset sllave. Mirëpo, në shekullin e 8-të, një pjesë e mirë e atyre që dikur kishin qenë territore të Romës së lashtë në Afrikën e Veriut, në Spanjë dhe në Siri, i kaluan një perandorie të re, asaj islamike, e kështu nuk i kishte më nën kontroll as Kostandinopoja, as Roma.
5. Pse u desh të kalonin shumë shekuj derisa të zhdukej nga skena botërore çdo gjurmë e Perandorisë Romake, megjithëse qyteti i Romës ra në vitin 410 të e.s.?
5 Vetë qyteti i Kostandinopojës rezistoi pak më shumë. Ai u mbijetoi sulmeve të shpeshta të persëve, arabëve, bullgarëve dhe rusëve, derisa në vitin 1203 ra përfundimisht, vetëm se jo në duart e myslimanëve, por të kryqëzatësve nga Perëndimi. Megjithatë, në vitin 1453, këtë qytet e shtiu në dorë sulltan Mehmeti II dhe shpejt u bë kryeqyteti i Perandorisë Otomane ose Turke. Pra, megjithëse qyteti i Romës ra në vitin 410 të e.s., u desh të kalonin shumë shekuj derisa të zhdukej nga skena botërore çdo gjurmë e Perandorisë Romake. Edhe atëherë, ndikimi i saj ende ndihej dukshëm te perandoritë fetare që u themeluan mbi papatin e Romës dhe Kishat Ortodokse të Lindjes.
6. Cilat perandori krejt të reja dolën në dritë dhe cila korri fitoret më të mëdha?
6 Mirëpo në shekullin e 15-të, në disa vende po formoheshin perandori krejt të reja. Ndonëse disa nga këto fuqi të reja perandorake gjendeshin në territorin e kolonive të hershme romake, ato nuk ishin vazhdimësi e Perandorisë Romake. Portugalia, Spanja, Franca dhe Holanda u bënë të gjitha seli të perandorive me shtrirje të gjerë. Por ajo që korri fitoret më të mëdha ishte Britania, e cila u vu në krye të një perandorie të paanë, ku ‘dielli nuk perëndonte kurrë’. Në epoka të ndryshme të historisë, kjo perandori u zgjerua në një pjesë të mirë të Amerikës së Veriut, Afrikës, Indisë, Azisë Juglindore, si edhe në Paqësorin Jugor.
7. Si erdhi në jetë një lloj fuqie botërore dyshe, dhe, sipas fjalëve të Gjonit, për sa kohë do të vazhdonte ‘koka’ ose fuqia botërore e shtatë?
7 Në shekullin e 19-të, disa nga kolonitë britanike në Amerikën e Veriut u shkëputën nga Britania për të formuar një komb të pavarur, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për njëfarë kohe pati konflikte politike mes këtij kombi të ri dhe tokës mëmë. Megjithatë, Lufta I Botërore i detyroi të dyja vendet të pranonin se kishin interesa të përbashkëta dhe të farkëtonin një lidhje të veçantë mes tyre. Në këtë mënyrë erdhi në jetë një lloj fuqie botërore dyshe, e përbërë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tani kombi më i pasur në botë, dhe Britania e Madhe, çerdhja e perandorisë më të madhe të botës. Ja ku doli edhe ‘koka’ ose fuqia botërore e shtatë, që do të vazhdonte deri në kohën e fundit. Pikërisht në territoret e saj, nisën veprën e tyre Dëshmitarët e Jehovait të ditëve tona. Ndryshe nga koka e gjashtë që mbretëroi për një kohë të gjatë, e shtata do të mbetet vetëm «për pak kohë», derisa Mbretëria e Perëndisë të shkatërrojë të gjitha qeveritë e kombeve.
Përse thirret një mbret i tetë?
8, 9. Si e quajti engjëlli bishën me ngjyrë të kuqe të ndezur dhe në ç’kuptim ajo erdhi nga «të shtatët»?
8 Engjëlli vazhdoi t’i shpjegonte Gjonit: «Bisha që ishte, por që nuk është, është edhe ajo një mbret i tetë, por vjen nga të shtatët dhe e pret shkatërrimi.» (Zbulesa 17:11) Bisha me ngjyrë të kuqe të ndezur «vjen» nga shtatë kokat, domethënë, ka ardhur në jetë ose ia detyron ekzistencën kokave të ‘bishës që dilte nga deti’; madje kjo bishë me ngjyrë të kuqe të ndezur është shëmbëlltyrë e saj. Në ç’kuptim? Në vitin 1919, koka që binte më shumë në sy ishte fuqia anglo-amerikane. Gjashtë kokat e mëparshme kishin rënë dhe pozita si fuqi botërore mbizotëruese i kishte kaluar kësaj koke, ose fuqie dyshe, që tani ishte përqendruar e tëra aty. Koka e shtatë, si përfaqësuesja më e fundit e linjës së fuqive botërore, ishte forca që nxiti krijimin e Lidhjes së Kombeve dhe vazhdon të jetë përkrahësja dhe mbështetësja financiare më e madhe e Kombeve të Bashkuara. Pra, në këtë kuptim simbolik, bisha me ngjyrë të kuqe të ndezur—mbreti i tetë—«vjen» nga shtatë kokat e para. Nga ky këndvështrim, deklarata se ajo vjen nga «të shtatët» përkon mirë me zbulesën e mëparshme, që thoshte se bisha me dy brirë si të qengjit (fuqia botërore anglo-amerikane, koka e shtatë e bishës së parë) nxiti bërjen e shëmbëlltyrës e i dha jetë.—Zbulesa 13:1, 11, 14, 15.
9 Nga ana tjetër, mes anëtarëve të parë të Lidhjes së Kombeve, bashkë me Britaninë e Madhe, ishin edhe shtete që sundonin në ato territore që dikur kishin qenë seli të disa kokave të mëparshme, domethënë, të Greqisë, Iranit (Persisë) dhe Italisë (Romës). Me kohë, shtetet që sundonin në territoret e gjashtë fuqive të mëparshme botërore, nisën të mbështetnin shëmbëlltyrën e bishës. Edhe në këtë kuptim mund të thuhet se bisha me ngjyrë të kuqe të ndezur erdhi nga shtatë fuqitë botërore.
10. (a) Në ç’kuptim mund të thuhet se bisha me ngjyrë të kuqe të ndezur «është edhe ajo një mbret i tetë»? (b) Si e shprehu mbështetjen e tij për OKB-në një udhëheqës i ish-Bashkimit Sovjetik?
10 A të ra në sy se bisha me ngjyrë të kuqe të ndezur «është edhe ajo një mbret i tetë»? Pra, Organizata e Kombeve të Bashkuara sot është organizuar në mënyrë të tillë që të duket si qeveri mbarëbotërore. Madje nganjëherë ajo ka vepruar si e tillë, duke dërguar trupa ushtarake për të zgjidhur konflikte ndërkombëtare, si në Kore, në gadishullin e Sinait, në disa vende afrikane dhe në Liban. Por ajo është veçse shëmbëlltyra e një mbreti. Njësoj si shëmbëlltyrat fetare, ajo s’ka ndikim ose fuqi të vërtetë, përveç asaj që i kanë dhënë ata që e sollën në jetë dhe e adhurojnë. Nganjëherë kjo «bishë» është dukur e dobët; gjithsesi ajo nuk e ka provuar kurrë braktisjen e plotë të anëtarëve të saj me prirje diktatoriale që e rrokullisën Lidhjen e Kombeve në humnerë. (Zbulesa 17:8) Në vitin 1987, një udhëheqës i njohur i ish-Bashkimit Sovjetik u bashkua me papët e Romës për të shprehur mbështetjen e tij për OKB-në, ndonëse kishin opinione krejt të kundërta në fusha të tjera. Madje, ai bëri thirrje për «një sistem gjithëpërfshirës të sigurisë ndërkombëtare» të bazuar tek OKB-ja. Siç e mësoi shpejt edhe Gjoni, do të vijë koha kur OKB-ja do të ketë një autoritet të konsiderueshëm. Pas kësaj, edhe atë «e pret shkatërrimi».
Dhjetë mbretër për një orë
11. Çfarë tha engjëlli i Jehovait për dhjetë brirët e bishës me ngjyrë të kuqe të ndezur?
11 Kapitulli i mëparshëm i Zbulesës fliste për engjëllin e gjashtë dhe të shtatë që derdhën kupat e zemërimit të Perëndisë. Gjithashtu, mësuam se mbretërit e tokës do të mblidheshin për luftën e Perëndisë në Harmagedon dhe se ‘Perëndisë do t’i kujtohej Babilonia e Madhe’. (Zbulesa 16:1, 14, 19) Tani do të mësojmë disa hollësi më shumë se si do t’i ekzekutojë Perëndia gjykimet e tij mbi ta. Të dëgjojmë përsëri çfarë i tha engjëlli i Jehovait Gjonit: «Kurse dhjetë brirët që pe, përfaqësojnë dhjetë mbretër, të cilët ende nuk kanë marrë ndonjë mbretëri, por do të marrin autoritet si mbretër vetëm për një orë bashkë me bishën. Këta kanë një mendim, e kështu fuqinë dhe autoritetin e tyre ia japin bishës. Këta do të luftojnë me Qengjin, por, meqë është Zotëri i zotërinjve dhe Mbret i mbretërve, Qengji do t’i mundë, e po kështu edhe të thirrurit, të zgjedhurit dhe të besueshmit që janë me të.»—Zbulesa 17:12-14.
12. (a) Ç’përfaqësojnë dhjetë brirët? (b) Pse mund të thuhet se dhjetë brirët ‘nuk kishin marrë ende ndonjë mbretëri’? (c) Në ç’kuptim dhjetë brirët tani kanë një «mbretëri» dhe për sa kohë?
12 Dhjetë brirët përfaqësojnë të gjitha fuqitë politike që mbizotërojnë sot për sot në skenën botërore dhe që përkrahin shëmbëlltyrën e bishës. Në kohën e Gjonit njiheshin shumë pak nga shtetet që ekzistojnë sot. Ato që ekzistonin në atë kohë, si Egjipti dhe Persia (Irani), sot kanë një strukturë politike krejtësisht të ndryshme. Ja pse në shekullin e parë, ‘dhjetë brirët nuk kishin marrë ende ndonjë mbretëri’. Kurse tani në ditën e Zotërisë, ato e kanë një «mbretëri» ose autoritet politik. Me përmbysjen e perandorive të mëdha kolonialiste, sidomos që nga Lufta II Botërore, kanë lindur shumë shtete të reja. Këto si edhe fuqitë më të hershme, duhet të sundojnë bashkë me bishën për një kohë të shkurtër—vetëm për «një orë»—para se Jehovai t’u japë fund të gjitha fuqive politike të botës në Harmagedon.
13. Cili është ‘mendimi’ i vetëm që kanë dhjetë brirët dhe cili do të jetë me siguri qëndrimi i tyre kundrejt Qengjit?
13 Në ditët tona, nacionalizmi është një nga forcat më të mëdha që vë në veprim këta dhjetë brirë. Ata kanë «një mendim» të vetëm: të ruajnë sovranitetin e tyre kombëtar në vend që t’i nënshtrohen Mbretërisë së Perëndisë. Synimi kryesor që i nxiti të bëheshin anëtarë të Lidhjes së Kombeve dhe të Kombeve të Bashkuara ka qenë: të ruajnë paqen ndërkombëtare dhe si pasojë të mbrojnë ekzistencën e tyre. Ky qëndrim na siguron se brirët do t’i kundërvihen Qengjit, ‘Zotërisë së zotërinjve dhe Mbretit të mbretërve’, sepse qëllimi i Jehovait është që Mbretëria e tij, të cilën ia ka besuar Krishtit, së shpejti t’ua zërë vendin të gjitha këtyre mbretërive.—Danieli 7:13, 14; Mateu 24:30; 25:31-33, 46.
14. Si mund të luftojnë krerët e botës me Qengjin dhe si do të përfundojë kjo përballje?
14 Sigurisht, krerët e kësaj bote s’mund të bëjnë asgjë kundër vetë Jezuit, pasi ai është në qiell, ku ata s’e arrijnë dot. Kurse vëllezërit e Jezuit, mbetja e farës së gruas, janë ende në tokë dhe në dukje më pak të mbrojtur. (Zbulesa 12:17) Shumë nga brirët kanë shfaqur tashmë armiqësi të hidhur ndaj tyre, dhe në këtë mënyrë kanë luftuar me Qengjin. (Mateu 25:40, 45) Por, së shpejti, do të vijë koha kur Mbretëria e Perëndisë «do të thërrmojë dhe do t’u japë fund të gjitha këtyre mbretërive». (Danieli 2:44) Pastaj mbretërit e tokës do të luftojnë deri në fund me Qengjin, siç do ta shohim së shpejti. (Zbulesa 19:11-21) Megjithatë, fjalët e engjëllit mjaftojnë për të kuptuar se kombet nuk do të fitojnë. Megjithëse ato dhe bisha me ngjyrë të kuqe të ndezur me emrin «Kombet e Bashkuara» kanë «një mendim» të vetëm, ata s’mund të mposhtin as të madhin ‘Zotëri të zotërinjve dhe Mbret të mbretërve’, as «të thirrurit, të zgjedhurit dhe të besueshmit që janë me të», ku bëjnë pjesë edhe dishepujt e tij të mirosur që jetojnë ende në tokë. Edhe ata do të kenë fituar nga ana e tyre, duke mbajtur integritetin përballë akuzave të poshtra të Satanait.—Romakëve 8:37-39; Zbulesa 12:10, 11.
Shkretimi i prostitutës
15. Çfarë tha engjëlli për prostitutën, si dhe për qëndrimin dhe veprimet kundrejt saj të dhjetë brirëve dhe të bishës?
15 Shërbëtorët e Perëndisë nuk do të jenë të vetmit që do të përballen me armiqësinë e dhjetë brirëve. Engjëlli ia tërhoqi sërish vëmendjen Gjonit te prostituta. «Ai më tha: ‘Ujërat që pe, ku rri ulur prostituta, përfaqësojnë popuj, turma, kombe dhe gjuhë. Dhjetë brirët që pe dhe bisha, do ta urrejnë prostitutën. Ata do ta shkretojnë e do ta lënë lakuriq. Do të hanë mishrat e saj e do ta djegin krejtësisht me zjarr.’»—Zbulesa 17:15, 16.
16. Pse Babilonia e Madhe nuk do të mund të mbështetet te ujërat e saj për mbrojtje e mbështetje kur t’i vërsulen qeveritë politike?
16 Ashtu si Babilonia e lashtë u besonte ujërave të Eufratit për mbrojtje, Babilonia e Madhe sot i beson mbështetjes së anëtarëve të saj të panumërt nga «popuj, turma, kombe dhe gjuhë». Me të drejtë engjëlli na e drejtoi vëmendjen tek ata para se të na fliste për një ngjarje tronditëse: qeveritë politike të tokës do t’i vërsulen Babilonisë së Madhe. Ç’do të bëjnë atëherë ata «popuj, turma, kombe dhe gjuhë»? Shërbëtorët e Perëndisë po e lajmërojnë tashmë Babiloninë e Madhe se ujërat e lumit Eufrat do të thahen. (Zbulesa 16:12) Madje do të shterin fare. Ato nuk do të mund t’i japin kësaj prostitute plakë e të neveritshme asnjë mbështetje për të qenë kur të ketë më shumë nevojë.—Isaia 44:27; Jeremia 50:38; 51:36, 37.
17. (a) Pse s’do ta shpëtojë pasuria Babiloninë e Madhe? (b) Në ç’kuptim fundi i Babilonisë së Madhe s’do të jetë aspak i denjë? (c) Veç dhjetë brirëve, ose secilit komb më vete, kush tjetër do t’i vërsulet Babilonisë së Madhe?
17 Babiloninë e Madhe s’ka për ta shpëtuar pasuria e saj përrallore. Përkundrazi, do t’ia afrojë shkatërrimin, pasi vegimi tregon se kur bisha dhe dhjetë brirët të shfryjnë urrejtjen mbi të, do t’ia marrin veshjen mbretërore dhe tërë stolitë. Do t’ia plaçkitin pasuritë. «Do ta lënë lakuriq» e do ta turpërojnë, duke nxjerrë në shesh fytyrën e saj të vërtetë. Çfarë shkatërrimi! Ajo do të ketë një fund aspak të denjë. Kombet do ta shkatërrojnë, «do të hanë mishrat e saj» e do t’i lënë vetëm kockat. Në fund, «do ta djegin krejtësisht me zjarr». Ajo do të digjet e do të bëhet hi, si t’i kish rënë flama, dhe as do të ketë një varrim të denjë. Prostitutën e madhe s’do ta shkatërrojnë vetëm kombet, që paraqiten nga dhjetë brirët. Kundër saj do të vërsulet edhe «bisha», domethënë vetë OKB-ja. Ajo do të votojë pro shkatërrimit të fesë së rreme. Shumë nga më tepër se 190 kombet anëtare të OKB-së, kanë treguar tashmë me votat e tyre armiqësi kundrejt fesë, sidomos kundër «krishterimit».
18. (a) Ç’gjë ka treguar deri tani se kombet kanë potencialin t’i vërsulen fesë me origjinë babilonase? (b) Cila do të jetë arsyeja bazë për sulmin e përgjithshëm mbi prostitutën e madhe?
18 Pse kombet do ta trajtojnë dashnoren e tyre të vjetër kaq mizorisht? Historia e kohëve të fundit na ka treguar se ato kanë potencialin t’i vërsulen fesë me origjinë babilonase. Kundërshtimi nga shteti ia ka ulur në mënyrë të jashtëzakonshme ndikimin fesë në vende si ish-Bashkimi Sovjetik dhe Kina. Në vendet protestante të Evropës, përhapja e indiferencës dhe e dyshimit i ka boshatisur kishat, aq sa feja është si e vdekur. Perandoria e gjerë katolike është copëtuar nga rebelimi dhe mosmarrëveshjet, që krerët e saj s’kanë mundur t’i qetësojnë. Megjithatë, të mos harrojmë se sulmi i përgjithshëm dhe përfundimtar mbi Babiloninë e Madhe do të vijë si shprehje e gjykimit të pakthyeshëm të Perëndisë mbi prostitutën e madhe.
Përmbushin mendimin e tij
19. (a) Si e ilustron ekzekutimi i gjykimit të Jehovait mbi Jerusalemin apostat në vitin 607 p.e.s., gjykimin e tij kundër prostitutës së madhe? (b) Ç’tregon për kohën tonë gjendja e shkretë dhe pa këmbë njeriu e Jerusalemit pas viti 607 p.e.s.?
19 Si do ta ekzekutojë Jehovai këtë gjykim? Mund ta ilustrojmë me mënyrën si veproi Jehovai me popullin e tij apostat në kohët e lashta. Ai tha: «Kam parë gjëra të llahtarshme te profetët e Jerusalemit, ata kryejnë kurorëshkelje dhe ecin në udhën e gënjeshtrës. U japin zemër keqbërësve, që të mos kthehen secili nga ligësia e vet. Për mua, të gjithë ata janë si Sodoma, dhe banorët e qytetit janë si Gomorra.» (Jeremia 23:14) Në vitin 607 p.e.s., Jehovai përdori Nabukodonosorin ‘për t’i hequr rrobat, për t’i marrë gjërat e bukura dhe për ta lënë lakuriq’ atë qytet që kishte kryer kurvëri frymore. (Ezekieli 23:4, 26, 29) Jerusalemi i asaj kohe përfaqëson krishterimin apostat në kohën tonë, dhe siç e pa edhe Gjoni në vegimet e mëparshme, Jehovai do ta ndëshkojë në të njëjtën mënyrë krishterimin apostat dhe pjesën tjetër të fesë së rreme. Jerusalemi i shkretuar dhe ku s’kishte mbetur më këmbë njeriu pas vitit 607 p.e.s., tregon si do të jetë krishterimi apostat pasi t’i zhvaten pasuritë dhe të dalë në shesh turpi i tij. Edhe pjesa tjetër e Babilonisë së Madhe s’do t’ia hedhë paq.
20. (a) Si tregoi Gjoni se Jehovai do të përdorë përsëri qeveritarët për të ekzekutuar gjykimin e tij? (b) Cili është ‘mendimi’ i Perëndisë? (c) Në ç’mënyrë do ta përmbushin kombet «mendimin e tyre», por mendimin e kujt do të jenë duke përmbushur në të vërtetë?
20 Jehovai do të përdorë përsëri qeveritarët për të ekzekutuar gjykimin e tij. «Sepse Perëndia u shtiu në zemër, që ata të përmbushin mendimin e tij, madje edhe mendimin e tyre, duke i dhënë bishës mbretërinë e tyre, derisa të plotësohen fjalët e Perëndisë.» (Zbulesa 17:17) Cili është ‘mendimi’ i Perëndisë? Të bashkojë ekzekutuesit e Babilonisë së Madhe, që ta shkatërrojnë atë plotësisht. Sigurisht, qeveritarët do ta sulmojnë që të përmbushin «mendimin e tyre». Ata kujtojnë se hedhja mbi prostitutën e madhe, u shërben interesave të tyre kombëtare. Ndoshta do ta shohin ekzistencën e vazhdueshme të fesë tradicionale në territoret e tyre si kërcënim për sovranitetin e tyre. Por, në të vërtetë, do të jetë Jehovai ai që do t’i drejtojë ngjarjet. Ata do të përmbushin mendimin e Tij, duke shkatërruar me një goditje të vetme armiken e vjetër e të përdalë!—Krahaso Jereminë 7:8-11, 34.
21. Çfarë do të bëjnë me sa duket kombet për bishën me ngjyrë të kuqe të ndezur, Kombet e Bashkuara, përderisa do të përdoret për të shkatërruar Babiloninë e Madhe?
21 Po, kombet do të përdorin bishën me ngjyrë të kuqe të ndezur, Kombet e Bashkuara, për të shkatërruar Babiloninë e Madhe. Ato nuk do të veprojnë duke u nisur nga mendimi i tyre, sepse është Jehovai ai që u shtie në zemër «të përmbushin . . . madje edhe mendimin e tyre, duke i dhënë bishës mbretërinë e tyre». Kur të vijë kjo kohë, me sa duket kombet do të shohin nevojën që të forcojnë Kombet e Bashkuara. Ato do t’i japin «dhëmbë», domethënë të gjithë autoritetin dhe fuqinë që kanë, që OKB-ja t’i vërsulet fesë së rreme dhe ta mposhtë «derisa të plotësohen fjalët e Perëndisë». Kështu, prostituta e vjetër do të marrë fund një herë e mirë dhe do t’i themi «udha e mbarë»!
22. (a) Çfarë nënkupton mënyra si e përfundoi engjëlli dëshminë e tij te Zbulesa 17:18? (b) Çfarë bëjnë Dëshmitarët e Jehovait tani që misteri është zbuluar?
22 Si për të theksuar se gjykimi i Jehovait mbi perandorinë botërore të fesë së rreme do të ekzekutohet me siguri, engjëlli e mbylli dëshminë e tij me fjalët: «Kurse gruaja që pe, përfaqëson qytetin e madh, që mbretëron mbi mbretërit e tokës.» (Zbulesa 17:18) Njësoj si Babilonia e kohës së Belshazarit, Babilonia e Madhe ‘është peshuar në kandar dhe ka dalë mangët’. (Danieli 5:27) Ekzekutimi i saj do të jetë i shpejtë dhe përfundimtar. Çfarë bëjnë Dëshmitarët e Jehovait tani që misteri i prostitutës së madhe dhe bishës me ngjyrë të kuqe të ndezur është zbuluar? Shpallin me zell ditën e gjykimit të Jehovait, duke iu përgjigjur «me hir» atyre që e kërkojnë sinqerisht të vërtetën. (Kolosianëve 4:5, 6; Zbulesa 17:3, 7) Siç do ta shohim në kapitullin vijues, të gjithë ata që dëshirojnë të mbijetojnë ditën kur të ekzekutohet prostituta e madhe, duhet të veprojnë, dhe madje shpejt.
[Figurat në faqen 252]
Shtatë fuqitë botërore
EGJIPTI
ASIRIA
BABILONIA
MEDO-PERSIA
GREQIA
ROMA
PERANDORIA ANGLO-AMERIKANE
[Figurat në faqen 254]
«Është edhe ajo një mbret i tetë»
[Figura në faqen 255]
I kthejnë krahët Qengjit, «e kështu fuqinë dhe autoritetin e tyre ia japin bishës»
[Figura në faqen 257]
Krishterimi apostat, pjesa kryesore e Babilonisë së Madhe, do të përfundojë si Jerusalemi i lashtë: i rrënuar krejt