Kapitulli 6
Jezu Krishti—I dërguar nga Perëndia?
1, 2. (a) Çfarë provash kemi se Jezu Krishti ishte një njeri i vërtetë? (b) Çfarë pyetjesh lindin në lidhje me Jezuin?
GATI ÇDO NJERI sot ka dëgjuar për Jezu Krishtin. Ndikimi i tij në histori ka qenë më i madh se i çdo njeriu tjetër. Në të vërtetë, kalendari që përdoret në shumë pjesë të botës, bazohet në vitin kur ai mendohet të ketë lindur. The World Book Encyclopedia thotë: «Datat përpara atij viti shënohen P.K., ose para Krishtit. Datat pas këtij viti shënohen A.D., ose anno Domini (në vitin e Zotërisë tonë).»
2 Kështu, pra, Jezui nuk është një njeri imagjinar. Ai me të vërtetë jetoi si një njeri mbi tokë. «Në kohërat e vjetra edhe vetë kundërshtarët e krishterimit, nuk dyshuan kurrë në [ekzistencën reale] të Jezuit»,—shënon Encyclopedia Britannica. Kush ishte, pra, Jezui? A ishte ai vërtetë i dërguar nga Perëndia? Përse është i njohur kaq mirë?
AI JETONTE EDHE MË PARË
3. (a) Sipas fjalëve të engjëllit, birin e kujt duhej të lindte Maria? (b) Si mundi Maria e virgjër ta lindte Jezuin?
3 Si asnjeri tjetër, Jezui lindi nga një virgjëreshë. Emri i saj ishte Mari. Një engjëll i tha asaj për fëmijën: «Ai do të jetë i madh dhe do të quhet Bir i Më të Lartit.» (Luka 1:28-33; Mateu 1:20-25) Por si mund të kishte fëmi, një grua që nuk kishte pasur kurrë marrëdhënie seksuale me një burrë? Kjo ndodhi nëpërmjet frymës së shenjtë të Perëndisë. Jehovai e mbarti jetën e Birit të tij të fuqishëm frymor nga qielli në mitrën e virgjëreshës Mari. Ishte një mrekulli! Sigurisht, ai që e krijoi gruan e parë me aftësinë e mrekullueshme të lindjes së fëmijëve, mund të bënte që një grua të kishte fëmijë pa një baba njerëzor. Bibla shpjegon: «Kur mbërriti kufiri i plotë i kohës, Perëndia dërgoi Birin e tij, që lindi prej një gruaje.»—Galatasve 4:4.
4. (a) Çfarë jete ka gëzuar Jezui para se të lindte si një fëmijë? (b) Çfarë tha Jezui për të treguar se më parë kishte jetuar në qiell?
4 Kështu, para se të lindte në tokë si njeri, Jezui ka qenë në qiell si një person i fuqishëm frymor. Ka pasur një trup frymor të padukshëm për njerëzit, ashtu si e ka edhe Perëndia. (Gjoni 4:24) Vetë Jezui foli disa herë mbi pozitën e lartë që kishte në qiell. Njëherë u lut: «E tani, O Atë, më lavdëro para teje me atë lavdi që e kisha tek ti para se filloi të ishte bota.» (Gjoni 17:5, DSF) Veç kësaj dëgjuesve të tij u tha: «Ju jeni nga kjo botë e unë nuk jam nga kjo botë.» «E ta shikoni Birin e njeriut se si ngrihet ku ka qenë më parë?» «Para se të ishte Abrahami, unë isha.»—Gjoni 8:23; 6:62; 8:58; 3:13; 6:51, St.
5. (a) Përse Jezui quhej edhe «Fjala», «i Parëlindur» dhe «i Vetëmlindur»? (b) Në çfarë punësh kishte marrë pjesë Jezui me Perëndinë?
5 Para se të vinte mbi tokë, Jezui quhej Fjala e Perëndisë. Ky titull tregon se ai ka shërbyer në qiell si zëdhënës i Perëndisë. Është quajtur edhe si Bir i «Parëlindur» dhe i «Vetëmlindur» i Perëndisë. (Gjoni 1:14; 3:16; Hebrenjve 1:6) Kjo do të thotë se ai u krijua para gjithë bijve të tjerë frymorë të Perëndisë dhe se është i vetmi që është krijuar drejtpërdrejt nga Perëndia. Bibla shpjegon se ky Bir i «parëlindur» mori pjesë me Jehovain në krijimin e gjithë gjërave të tjera. (Kolosianëve 1:15, 16) Prandaj, kur Perëndia tha, «Ta bëjmë njeriun sipas pamjes tonë», ishte duke i folur këtij Biri. Po, pikërisht ai që erdhi më vonë mbi tokë dhe lindi prej një gruaje, kishte marrë pjesë në krijimin e çdo gjëje! Kishte jetuar tashmë në qiell me të Atin, për një numër të pacaktuar vitesh.—Zanafilla 1:26; Proverbat 8:22, 30; Gjoni 1:3.
JETA E TIJ MBI TOKË
6. (a) Çfarë ndodhi pak para dhe pas lindjes së Jezuit? (b) Ku lindi dhe ku u rrit Jezui?
6 Maria ishte premtuar për martesë me Jozefin. Por kur mësoi se ajo ishte shtatzënë, ai mendoi se ajo kishte pasur marrëdhënie seksuale me dikë tjetër dhe vendosi të mos martohej me të. Më vonë, kur Jehovai i tha se fëmija ishte prej frymës së Tij të shenjtë, Jozefi e mori Marien për grua. (Mateu 1:18-20, 24, 25) Më pas, ndërsa gjendeshin në Betlehem, Jezui lindi. (Luka 2:1-7; Mikea 5:2) Kur Jezui ishte akoma një foshnjë, mbreti Herod kërkoi ta vriste. Por Jehovai e lajmëroi Jozefin, kështu që ky mori familjen dhe iku në Egjipt. Mbas vdekjes së mbretit Herod, Jozefi dhe Maria u kthyen me Jezuin në qytetin Nazaret në Galile. Aty ai u rrit.—Mateu 2:13-15, 19-23.
7. (a) Çfarë ndodhi kur Jezui ishte 12 vjeç? (b) Çfarë zanati mësoi Jezui ndërsa rritej?
7 Në moshën 12-vjeçare Jezui shkoi së bashku me familjen në Jeruzalem për të marrë pjesë në një festë të veçantë, Pashkët. Ndërsa ishte atje, kaloi tri ditë në tempull, duke dëgjuar mësuesit dhe duke u bërë atyre pyetje. Të gjithë sa e dëgjonin, shtangeshin nga dituria e tij. (Luka 2:41-52) Ndërsa rritej në Nazaret, Jezui mësoi zanatin e zdrukthëtarit. Pa dyshim mësoi nga babai i tij i supozuar Jozefi, që ishte vetë një zdrukthëtar.—Marku 6:3; Mateu 13:55.
8. Çfarë ndodhi kur Jezui ishte 30 vjeç?
8 Në moshën 30-vjeçare në jetën e Jezuit ndodhi një ndryshim i madh. Shkoi te Gjon Pagëzuesi dhe i kërkoi atij të pagëzohej, të zhytej plotësisht në ujërat e lumit Jordan. Bibla tregon: «Kur Jezui u pagëzua, doli menjëherë nga uji. Papritmas u hapën qiejt dhe ai pa frymën e Perëndisë, të zbresë si një pëllumb dhe u lëshua mbi të. Dhe zëri nga qielli tha: ‘Ky është biri im, i dashuri im, që e kam zgjedhur!’» (Mateu 3:16, 17, St) Gjoni nuk kishte asnjë dyshim për Jezuin si i dërguar nga Perëndia.
9. (a) Kur u bë Jezui në fakt Krisht dhe përse atëherë? (b) Me pagëzimin e tij Jezui u paraqit për të bërë çfarë?
9 Duke derdhur mbi Jezuin frymën e Tij të shenjtë, Jehovai e mirosi apo e emëroi atë mbret të mbretërisë së tij të ardhshme. Duke u mirosur në këtë mënyrë me frymën, Jezui u bë «Mesia» apo «Krishti», fjalë që në hebraisht dhe greqisht do të thonë «i Mirosur». Kështu ai u bë, në fakt, Jezu Krishti ose Jezui i Mirosur. Apostulli Pjetër tha për të se «Perëndia, Jezuin nga Nazareti, e mirosi me frymën e shenjtë dhe me fuqi.» (Veprat 10:38, St) Duke u pagëzuar me ujë, Jezui iu paraqit Perëndisë për të kryer punën, për të cilën Perëndia e dërgoi mbi tokë. Cila ishte kjo punë e rëndësishme?
PËRSE ERDHI MBI TOKË
10. Cilat të vërteta duhet t’i bënte të ditura Jezui mbi Tokë?
10 Duke shpjeguar se përse kishte ardhur mbi tokë, Jezui i tha guvernatorit romak Ponc Pilatit: «Unë për këtë kam lindur dhe kam ardhur mbi tokë, për të dëshmuar të vërtetën.» (Gjoni 18:37, St) Por, cilat të vërteta të veçanta duhet t’i bënte të ditura Jezui mbi tokë? Së pari të vërtetat mbi Atin e tij qiellor. Ai i mësoi ithtarët e tij të luteshin që emri i Atit të tij «të shenjtërohet». (Mateu 6:9) Dhe u lut: «Unë ua lajmërova emrin tënd njerëzve që m’i ke dhënë nga bota.» (Gjoni 17:6, St) Tha gjithashtu: «Më duhet t’u sjell lajmin e mirë mbi Mbretërinë e Perëndisë edhe qyteteve të tjera, sepse për këtë edhe jam dërguar.»—Luka 4:43, St.
11. (a) Përse Jezui e konsideronte punën e tij kaq të rëndësishme? (b) Për çfarë nuk u kursye kurrë Jezui? Çfarë duhet të bëjmë ne, pra?
11 Sa e rëndësishme ishte për Jezuin kjo punë e lajmërimit të emrit dhe mbretërisë së Atit të tij? Ai u tha dishepujve të tij: «Ushqimi im është të zbatoj vullnetin e atij që më dërgoi, ta kryej veprën e tij.» (Gjoni 4:34, DSF) Përse puna e Perëndisë ishte për Jezuin aq e rëndësishme, sa edhe ushqimi? Sepse Mbretëria është mjeti me anë të të cilit Perëndia do të përmbushë qëllimet e tij të mrekullueshme për njerëzimin. Kjo mbretëri do të shkatërrojë të gjithë ligësinë dhe do ta pastrojë emrin e Jehovait nga turpi që i është shkaktuar. (Danieli 2:44; Zbulesa 21:3, 4) Prandaj, Jezui nuk u kursye kurrë së shpalluri emrin dhe mbretërinë e Perëndisë. (Mateu 4:17; Luka 8:1; Gjoni 17:26; Hebrenjve 2:12) Ai gjithmonë u tha të vërtetën pa marrë parasysh nëse njerëzit e dëgjonin apo jo. Na la kështu një shembull, të cilin duhet ta ndjekim, nëse dëshirojmë t’i pëlqejmë Perëndisë.—1. Pjetrit 2:21.
12. Për çfarë arsye tjetër të rëndësishme Jezui erdhi mbi tokë?
12 Për të fituar jetën e përhershme nën qeverinë e mbretërisë së Perëndisë, duhej që Jezui të derdhte gjakun e tij në vdekje. Dy nga apostujt e tij thanë: «Tani, ne jemi të shfajësuar me anë të gjakut të tij.» «Gjaku i Birit të Tij [Perëndisë], Jezuit, pastron nga çdo mëkat.» (Romakëve 5:9, DSF; 1. Gjonit 1:7, St) Pra, një nga arsyet e rëndësishme, për të cilat Jezui erdhi mbi tokë ishte të vdiste për ne. Ai tha: «Biri i njeriut nuk erdhi për të qenë i shërbyer, por për të shërbyer dhe për të dhënë shpirtin [apo, jetën] e tij si shpërblerje në shkëmbim për shumicën.» (Mateu 20:28) Por ç’do të thotë se Jezui e dha jetën e tij si «shpërblerje»? Përse ishte e nevojshme që për të na shpëtuar ne, ai të derdhte gjakun e tij?
E DHA JETËN E TIJ SI SHPËRBLERJE
13. (a) Çfarë është një shpërblim? (b) Çfarë pagoi Jezui për të na liruar nga mëkati dhe vdekja?
13 Fjala «shpërblim» përdoret shpesh në lidhje me rrëmbimin e personave. Rrëmbyesit, në përgjithësi, ofrojnë lirimin e personit në shkëmbim të pagesës së një «shpërblerje» në para. Shpërblerja, pra, është diçka që shërben për të liruar një njeri të mbajtur rob. Paguhet me qëllim që njeriu të mos humbë jetën. Jeta e përsosur njerëzore e Jezuit u ofrua për të liruar racën njerëzore nga skllavëria e mëkatit dhe vdekjes. (1. Pjetrit 1:18, 19; Efesianëve 1:7) Përse ishte i nevojshëm një lirim i tillë?
14. Përse ishte e nevojshme shpërblerja e përkujdesur prej Jezuit?
14 Ishte i nevojshëm sepse Adami, paraardhësi ynë i përbashkët, u rebelua kundër Perëndisë. Veprimi i tij i paligjshëm e bëri atë mëkatar, pasi Bibla shpjegon se «mëkati është paligjshmëri.» (1. Gjonit 3:4; 5:17) Për pasojë, ai nuk ishte i denjë të merrte nga Perëndia dhuratën e jetës së përhershme. (Romakëve 6:23) Kështu që Adami e humbi vetë jetën e përsosur njerëzore mbi një tokë parajsore. E humbi këtë të ardhme të shkëlqyer edhe për të gjithë fëmijët që do të lindte. Por ti mund të pyesësh: «Nëse ishte Adami ai që mëkatoi përse duhet të vdesin të gjithë bijtë e tij?»
15. Pasi ishte Adami ai që mëkatoi, përse fëmijët e tij duhet të vuajnë e të vdesin?
15 Sepse Adami, kur u bë një mëkatar, ia transmetoi mëkatin dhe vdekjen fëmijëve të tij, duke përfshirë të gjithë njerëzit që tani jetojnë. (Jobi 14:4; Romakëve 5:12) Bibla thotë: «Sepse të gjithë mëkatuam dhe u përjashtuam nga lumturia e Hyut [Perëndisë].» (Romakëve 3:23, DSF; 1. Mbretërit 8:46) Madje edhe Davidi i përshpirtshëm tha: «Në gabim erdha në dritë me dhimbje lindje, dhe në mëkat ime më mbeti shtatzënë në mua.» (Psalmi 51:5) Prandaj, njerëzit vdesin për shkak të mëkatit të Adamit. Por, si mund t’i lirojë të gjithë sakrifica e jetës së Jezuit nga skllavëria e mëkatit dhe e vdekjes?
16. (a) Duke përkujdesur shpërblerjen, si tregoi Perëndia se e respektonte ligjin e vet që kërkonte «jetën për jetë»? (b) Përse Jezui ishte i vetmi njeri që mund ta paguante shpërblerjen?
16 Aty është përfshirë një parim ligjor që e përmban ligji të cilin Perëndia ia dha kombit të Izraelit. Sipas tij «duhej të jepej jeta për jetë.» (Të Dalët 21:23; Ligji i përtërirë 19:21) Për shkak të mosbindjes së tij, njeriu i përsosur Adami, e humbi jetën e përsosur në një tokë parajsore për vete dhe për gjithë fëmijët e tij. Jezu Krishti e dha jetën e vet të përsosur për të riblerë atë që Adami kishte humbur. Po, Jezui «e dha veten si shpërblerje përkatëse për të gjithë.» (1. Timoteut 2:5, 6) Ngaqë ishte një njeri i përsosur, si edhe Adami, Jezui u quajt «Adami i fundit». (1. Korintasve 15:45) Asnjë njeri tjetër përveç Jezuit, nuk mund ta paguante shpërblerjen. Kjo sepse Jezui ishte njeriu i vetëm që ka jetuar ndonjëherë i barabartë me Adamin si bir i përsosur njerëzor i Perëndisë.—Psalmi 49:7; Luka 1:32; 3:38.
17. Kur iu pagua shpërblerja Perëndisë?
17 Jezui vdiq në moshën 33-vjeç e gjysëm. Por ditën e tretë pas vdekjes, ai u ringjall në jetë. Dyzet ditë më vonë u kthye në qiell. (Veprat 1:3, 9-11) Atje, sërish si një person frymor, ai u paraqit që «të ndërmjetësojë për ne, para fytyrës së Perëndisë», duke pasur vlerën e sakrificës së tij të shpërblerjes. (Hebrenjve 9:12, 24, St) Në atë kohë iu pagua shpërblerja Perëndisë në qiell. Tani njerëzimi mund të ishte i lirë. Po kur do të realizohet përfitimi prej saj?
18. (a) Si mund të na vlejë qysh tani shpërblerja? (b) Çfarë do të bëjë të mundur në të ardhmen shpërblesa?
18 Sakrifica e shpërblerjes së Jezuit mund të na vlejë qysh tani. Si? Duke besuar në të, ne mund të gëzojmë një qëndrim të pastër para Perëndisë e të jemi në kujdesin e tij të dashur. (Zbulesa 7:9, 10, 13-15) Para se ta njihnim Perëndinë, shumë prej nesh kemi bërë mëkate të tmerrshme. Edhe tani bëjmë gabime, ndonjëherë madje shumë serioze. Por, në bazë të shpërblerjes ne mund t’i kërkojmë lirisht falje Perëndisë, të bindur se ai na dëgjon. (1. Gjonit 2:1, 2; 1. Korintasve 6:9-11) Veç kësaj, në ditët e ardhshme, shpërblesa do të na hapë rrugën për të marrë nga Perëndia dhuratën e jetës së përhershme në botën e tij të re e të drejtë. (2. Pjetrit 3:13) Në atë kohë të gjithë që besojnë te shpërblerja do të lirohen plotësisht prej skllavërisë së mëkatit dhe vdekjes. Mund të jetojnë përgjithmonë në përsosmëri!
19. (a) Çfarë ndikimi ka mbi ty përgatitja e shpërblerjes? (b) Sipas apostullit Pavël, si duhet ta tregojmë mirënjohjen tonë për shpërblerjen?
19 Si ndihesh tani, pasi ke mësuar mbi shpërblerjen? A nuk është mirënjohëse zemra jote ndaj Perëndisë Jehova, duke ditur se ai aq shumë kujdeset për ty, saqë edhe Birin e tij të dashur e ka dhënë për të mirën tënde? (Gjoni 3:16; 1. Gjoni 4:9, 10) Por mendo edhe për dashurinë e Krishtit. Vullnetarisht ai erdhi në tokë që të vdesë për ne. A nuk duhet t’i jemi mirënjohës? Apostulli Pavël, duke shpjeguar se si duhet ta tregojmë mirënjohjen tonë, tha: «Ndërsa ai vdiq në vend të të gjithëve, që të gjallët të mos jetojnë më për vete, por për atë që vdiq dhe u ringjall për ta.» (2. Korintasve 5:14, 15, St) A do të tregosh mirënjohjen tënde, duke e përdorur jetën tënde në shërbim të Perëndisë dhe Birit të tij Jezu Krishtit?
PËRSE JEZUI BËNTE MREKULLIRA
20. Çfarë mësojmë për Jezuin nga shërimi që ai i bëri të lebrosurit?
20 Jezui është shumë i njohur për mrekullitë e kryera. Ai kishte ndjenja të thella për njerëzit që gjendeshin në vështirësi dhe me gjithë zemër dëshironte t’i ndihmonte ata, duke përdorur fuqitë që Perëndia i kishte dhënë. Për shembull, një njeri me një sëmundje të tmerrshme, lebër, iu afrua dhe i tha: «Nëse dëshiron, mund të më pastrosh.» «Jezui ndjeu dhembshuri, shtriu dorën e preku dhe i tha: ‘Po, dua! Pastrohu!’» Dhe i sëmuri u shërua!—Marku 1:40-42, St.
21. Si e ndihmoi Jezui popullin?
21 Le të shqyrtojmë një tjetër skenë biblike e të imagjinojmë se çfarë ndiente Jezui për njerëzit e përshkruar: «Iu afrua turmë e madhe e popullit që sillte me vete të shqepët, të verbër, dorëcungë, memecë e shumë të tjerë. I ulën para tij dhe ai i shëroi. Populli u mrekullua duke parë se si memecat flisnin, dorëcungët u shëruan, të shqeptit ecnin drejt, të verbërit shihnin dhe i dha lavdi Hyut të Izraelit.»—Mateu 15:30, 31, DSF.
22. Ç’tregon se Jezui interesohej me të vërtetë për njerëzit që shëronte?
22 Se Jezui interesohej me të vërtetë për njerëzit që vuanin dhe se donte vërtetë t’i ndihmonte, është e dukshme nga ajo që ai u tha më pas dishepujve të tij: «Më vjen keq për popullin. Ka tri ditë që janë me mua e nuk kanë se ç’të hanë. Nuk mund t’i lë të uritur, që të bien në rrugë.» Atëherë Jezui, vetëm me shtatë bukë e disa peshq, ushqeu «katër mijë njerëz, duke mos numëruar gratë dhe fëmijët.»—Mateu 15:32-38, St.
23. Ç’e shtyu Jezuin të ringjallte birin e vdekur të një vejushe?
23 Në një rast tjetër, Jezui takoi një korte të përmortshëm që po dilte prej qytetit të Nainit. Bibla e përshkruan kështu atë episod: «Po nxirrnin jashtë një të vdekur, birin e vetëm të nënës. Veç kësaj, ajo ishte një e ve. . . . Dhe kur Zotëria e vërejti, ndjeu dhembshuri për të.» Ai e ndjeu thellë pikëllimin e saj. Kështu, duke iu drejtuar trupit të vdekur, urdhëroi: «Djalosh, ty po të them, çohu!» Dhe mrekulli e mrekullive! «I vdekuri u ngrit dhe filloi të flasë dhe ai ia dha atë së ëmës.» Merre me mend se si duhet të jetë ndier e ëma! Si do të ndiheshe ti? Lajmi i kësaj ngjarjeje të mrekullueshme u përhap kudo. Nuk është aspak për t’u çuditur, se përse Jezui është kaq shumë i njohur.—Luka 7:11-17.
24. Çfarë tregojnë për të ardhmen mrekullitë e Jezuit?
24 Megjithatë, mrekullitë e kryera prej Jezuit patën vetëm përfitim të përkohshëm. Me kalimin e kohës, njerëzit e shëruar prej tij u sëmurën sërish. Dhe ata që i ringjalli, vdiqën përsëri. Por mrekullitë e kryera prej Jezuit treguan se ai ishte i dërguar i Perëndisë dhe se ishte me të vërtetë Bir i Perëndisë. Ato provuan edhe se me fuqinë e Perëndisë mund të zgjidhen të gjitha problemet e njeriut. Po, ato treguan në një shkallë të vogël se ç’do të ndodhë mbi tokë nën mbretërinë e Perëndisë. Në atë kohë të uriturit do të ngopen, të sëmurët do të shërohen dhe të vdekurit do të ringjallen! Sëmundjet, vdekja apo halle të tjera kurrë më nuk do të shkaktojnë mjerim. Çfarë bekimi do të jetë ky!—Zbulesa 21:3, 4; Mateu 11:4, 5.
QEVERITAR I MBRETËRISË SË PERËNDISË
25. Cilat janë tri pjesët në të cilat mund ta ndajmë jetën e Jezuit?
25 Jeta e Birit të Perëndisë ndahet në tri periudha. Së pari, një numër të pacaktuar vitesh ai e kaloi me Atin e tij në qiell, para se të bëhej njeri. Më vonë, pas lindjes, ai kaloi 33 vjet e gjysëm në Tokë. Dhe tani jeton sërish në qiell si një person frymor. Cila është pozita e tij në qiell, pas vdekjes?
26. Për ç’gjë u tregua i denjë Jezui me besnikërinë e tij mbi tokë?
26 Është e qartë se Jezui duhej të bëhej mbret. Vetë engjëlli ia kishte shpallur Maries: «Ai do të mbretërojë përgjithmonë . . . dhe mbretëria e tij s’do të ketë mbarim.» (Luka 1:33, DSF) Gjatë shërbimit të tij tokësor, ai gjithmonë foli mbi mbretërinë e Perëndisë. I mësoi ithtarët e tij të luten: «Le të vijë mbretëria jote! Të bëhet vullneti yt si në qiell, ashtu edhe në tokë.» I nxiti ata që «së pari të kërkojnë mbretërinë e Perëndisë.» (Mateu 6:10, 33, St) Me besnikërinë e tij mbi tokë, Jezui provoi se ishte i denjë për të qenë mbret i mbretërisë së Perëndisë. Por a filloi ai të qeveriste si mbret, sapo u kthye në qiell?
27. (a) Çfarë bëri Jezui pasi u kthye në qiell? (b) Cili qe veprimi i parë i Jezuit si mbret i mbretërisë së Perëndisë?
27 Jo, nuk ishte ashtu. Duke iu referuar Psalmit 110:1, apostulli Pavël shpjegon: «Ai [Jezui] përkundrazi, pasi ka dhënë vetëm një flijim për mëkate, ‘i është ulur në anë të djathtë’ përgjithmonë, ku në të ardhmen pret ‘derisa armiqtë e tij të vendosen nën këmbët e tij.’» (Hebrenjve 10:12, 13, St) Kur erdhi koha, ai filloi t’i pastrojë qiejt nga Satanai dhe engjëjt e tij. Rezultati i asaj lufte në qiell është përshkruar me këto fjalë: «Ja, tani koha e shëlbimit, e pushtetit dhe e mbretërisë së Hyut tonë dhe e sundimit të Krishtit [të Mirosurit, St] të tij! Sepse u hodh poshtë paditësi i vëllezërve tanë, që ditë e natë i padiste para Hyut tonë.» (Zbulesa 12:10, DSF) Siç kemi parë në një kapitull të mëparshëm të këtij libri, faktet tregojnë se tashmë kjo luftë në qiell ka ndodhur dhe tani Jezu Krishti mbretëron në mes të armiqve të tij.
28. (a) Çfarë do të bëjë Jezui shumë shpejt? (b) Çfarë duhet të bëjmë për t’iu gëzuar mbrojtjes së tij?
28 Shumë shpejt, Krishti dhe engjëjt e tij qiellorë, do të ndërmarrin aksionin për të eliminuar nga toka të gjitha qeveritë e sotme njerëzore. (Danieli 2:44; Zbulesa 17:14) Bibla thotë se ai ka «një shpatë të mprehtë, për të vrarë me të paganët.» «Ai do të mbretërojë mbi ta me skeptër të hekurt.» (Zbulesa 19:11-16) Që të jemi të denjë për mbrojtje gjatë këtij shkatërrimi që po afrohet, ne duhet të ushtrojmë besim te Jezu Krishti. (Gjoni 3:36) Duhet të bëhemi dishepuj të tij dhe t’i nënshtrohemi si Mbretit tonë qiellor. A do ta bësh këtë?
[Figura në faqen 58]
Jezui e la zanatin e tij të zdrukthëtarit për t’u pagëzuar e për t’u bërë i mirosur i Jehovait
[Figura në faqen 63]
Jezui ishte ekuivalenti i njeriut të përsosur Adamit
[Figurat në faqen 64]
I prekur nga mëshira, Jezui i ndihmoi të sëmurët dhe të uriturit
[Figura në faqen 67]
Duke ringjallur të vdekurin, Jezui tregoi se çfarë do të bëjë në përmasa më të mëdha nën qeverinë e mbretërisë së Perëndisë