Datat
Përkufizimi: Datat shënojnë kohën kur ndodhin ngjarjet. Bibla i shpreh datat në lidhje me periudhën kur kanë jetuar disa individë, me periudha gjatë të cilave ishin në pushtet disa sundimtarë ose në lidhje me ngjarje të tjera domethënëse. Ajo përmban të vetmen kronologji të plotë, që shkon pas, deri në kohën e krijimit të Adamit. Gjithashtu, kronologjia biblike ka përcaktuar që më parë kohën kur do të ndodhnin disa ngjarje të rëndësishme për përmbushjen e qëllimit të Perëndisë. Kalendari gregorian, që njihet tani në pjesën më të madhe të botës, nisi të përdorej vetëm në vitin 1582. Burimet shekullare kanë shumë mospërputhje për sa u takon datave të dhëna për ngjarjet e historisë së lashtë. Gjithsesi, disa data kyçe, si 539 p.e.s., rënia e Babilonisë, dhe 537 p.e.s., kthimi i judenjve nga robëria, janë të përcaktuara qartë. (Ezd. 1:1-3) Përdorimi i këtyre datave si pikënisje, bën të mundur që ngjarjet e lashta biblike të shprehen në termat e kalendarëve të sotëm.
A kanë provuar shkencëtarët se njerëzit kanë ekzistuar në tokë për miliona vjet, dhe jo vetëm për disa mijëra vjet, sikurse tregon Bibla?
Metodat e datimit që përdorin shkencëtarët, janë ngritur mbi hamendje, të cilat mund të jenë të dobishme, por që shpesh sjellin rezultate mjaft kontradiktore. Për këtë arsye, datat që ata paraqesin, rishikohen vazhdimisht.
Ja çfarë thuhej në raportin e një reviste: «‘Më vjen çudi që vetëm një vit më parë të kem bërë ato deklarata që bëra.’ Kështu u shpreh të premten e shkuar Riçard Liki përpara një audience të zgjedhur në Institutin Mbretëror, gjatë një fjalimi në mbrëmje. Ai kishte vajtur të bënte të njohur se pikëpamja e pranuar deri atëherë si e vërtetë, të cilën kohët e fundit ai e kishte mbështetur në serialin e tij The Making of Mankind, në televizionin BBC, ishte ‘mbase e gabuar në disa fusha kyçe’. Në veçanti, ai tani mendon që paraardhësi më i vjetër i njeriut mund të jetë shumë më i ri se ato 15 a 20 milionë vjet, për të cilat kishte folur në televizion.»—New Scientist, 18 mars 1982, f. 695.
Herë pas here zhvillohen metoda të reja të datimit. Sa të besueshme janë? Në lidhje me një prej tyre, të njohur si termolumineshenca, një enciklopedi (The New Encyclopædia Britannica, 1976, Makropedia, vëll. 5, f. 509) thotë: «Tani për tani, statusi i datimit me anë të termolumineshencës karakterizohet më shumë nga shpresa se nga përmbushja.» Një tjetër revistë (Science, 28 gusht 1981, f. 1003) raportonte se një skelet, i cili dukej se kishte një moshë 70.000-vjeçare sipas racemizimit me aminoacide, ishte vetëm 8.300 ose 9.000-vjeçar sipas datimit radioaktiv.
Një revistë (Popular Science, nëntor 1979, f. 81) raporton se fizikani Robert Gentri «beson që të gjitha datat e përcaktuara me anë të shpërbërjes radioaktive, mund të jenë të gabuara, dhe jo vetëm me disa vjet, po me shkallë madhësie». Artikulli theksonte që zbulimet e tij do të çonin në përfundimin se «njeriu, në vend që të ketë ecur mbi tokë për 3,6 milionë vjet, mund të ketë ardhur në ekzistencë vetëm disa mijëra vjet më parë».
Sidoqoftë, duhet vërejtur që shkencëtarët besojnë që mosha e tokës është shumë më e madhe se mosha e njeriut. Bibla nuk është në kundërshtim me këtë.
A ishin vitet me të cilat llogaritej mosha e njerëzve përpara Përmbytjes, sikurse pohon Bibla, njësoj me vitet që përdorim ne sot?
Po të arsyetonim që ato «vite» ishin të barasvlershme me muajt tanë, atëherë i bie që Enosi të jetë bërë baba në moshën shtatëvjeçare, kurse Kenanit i bie që të jetë bërë me djalë kur ishte vetëm pesë vjeç. (Zan. 5:9, 12) Qartë, një gjë e tillë është e pamundur.
Kronologjia e hollësishme që kemi në lidhje me Përmbytjen, na tregon gjatësinë e muajve dhe të viteve asokohe. Krahasimi i Zanafillës 7:11, 24 dhe 8:3, 4 tregon që pesë muaj (që nga dita e 17-të e muajit të 2-të deri ditën e 17-të të muajit të 7-të) ishin baras me 150 ditë, ose ndryshe pesë muaj 30-ditorë. Flitet në mënyrë specifike për «muajin e dhjetë», dhe për periudha të mëtejshme pas kësaj, para ardhjes së vitit tjetër. (Zan. 8:5, 6, 8, 10, 12-14) Me sa duket, vitet e tyre përbëheshin nga 12 muaj 30-ditorë. Në kohë shumë më të hershme, kalendari tërësisht hënor rregullohej periodikisht sipas gjatësisë së vitit diellor, sikurse duket nga fakti që izraelitët i mbanin festat sezonale të mbledhjes në data specifike. Në këtë mënyrë, binin vazhdimisht në stinët e duhura.—Lev. 23:39.
Të mos harrojmë që Perëndia e bëri njeriun që të jetonte përgjithmonë. Vdekja erdhi nga mëkati i Adamit. (Zan. 2:17; 3:17-19; Rom. 5:12) Njerëzit që jetonin përpara Përmbytjes, ishin më pranë përsosmërisë nga sa jemi ne sot, prandaj jetonin më gjatë. Gjithsesi, të gjithë vdisnin brenda një mijë vjetëve.
Përse Dëshmitarët e Jehovait thonë që Mbretëria e Perëndisë u vendos në vitin 1914?
Dy linja dëshmish të çojnë në atë vit: (1) kronologjia e Biblës dhe (2) ngjarjet që nga viti 1914, të cilat përmbushin profecinë. Në këtë pjesë do të trajtojmë kronologjinë. Në lidhje me përmbushjen e profecive, shih temën «Ditët e fundit».
Lexojmë Danielin 4:1-17. Vargjet 20-37 tregojnë që kjo profeci pati një përmbushje në lidhje me Nabukodonosorin. Por, ajo ka edhe një përmbushje më të gjerë. Nga e dimë këtë? Vargjet 3 dhe 17 tregojnë se ëndrra që Perëndia i dha mbretit Nabukodonosor, kishte të bënte me Mbretërinë e Perëndisë dhe me premtimin e Tij për t’ia dhënë këtë mbretëri ‘kujt të dojë . . . edhe më të përvuajturit të njerëzve’. E tërë Bibla tregon se qëllimi i Jehovait është që Biri i tij, Jezu Krishti, të sundojë si përfaqësues i tij mbi njerëzimin. (Psal. 2:1-8; Dan. 7:13, 14; 1 Kor. 15:23-25; Zbul. 11:15; 12:10) Nga përshkrimi që Bibla i bën Jezuit, duket që ai ishte në të vërtetë ‘më i përvuajturi i njerëzve’. (Filip. 2:7, 8; Mat. 11:28-30) Kështu që ëndrra profetike të drejton në kohën kur Jehovai do t’i jepte Birit të vet sundimin mbi njerëzimin.
Ç’do të ndodhte ndërkohë? Sundimi mbi njerëzimin, sikurse përfaqësohet nga pema dhe nga kërcuri, do të kishte ‘zemrën e një kafshe’. (Dan. 4:16) Historia e njerëzimit do të zotërohej nga qeveri që do të shfaqnin karakteristikat e kafshëve të egra. Në kohët e sotme, shqiponja përdoret zakonisht për të përfaqësuar Shtetet e Bashkuara; luani, Britaninë; dragoi, Kinën. Edhe Bibla përdor kafshë të egra si simbole të qeverive botërore dhe, në tërësi, të sistemit global të sundimit njerëzor nën ndikimin e Satanait. (Dan. 7:2-8, 17, 23; 8:20-22; Zbul. 13:1, 2) Siç tregoi Jezui në profecinë e tij për përfundimin e këtij sistemi, Jerusalemin ‘do ta shkelnin kombet, derisa të përmbusheshin kohët e caktuara të kombeve’. (Luka 21:24) «Jerusalemi» përfaqësonte Mbretërinë e Perëndisë, sepse për mbretërit e tij thuhej që uleshin «në fronin e mbretërisë së Jehovait». (1 Kron. 28:4, 5; Mat. 5:34, 35) Prandaj, qeveritë pagane, të paraqitura nga kafshët e egra, ‘do të shkelnin’ të drejtën e Mbretërisë së Perëndisë për të drejtuar çështjet njerëzore, dhe ato vetë do të sundonin nën kontrollin e Satanait.—Krahaso Lukën 4:5, 6.
Për sa kohë do të lejoheshin këto qeveri të ushtronin këtë kontroll, para se Jehovai t’i jepte Mbretërinë Jezu Krishtit? Danieli 4:16 thotë për «shtatë kohë» («shtatë vjet», versioni ECM). Bibla tregon që, për llogaritjen e kohëve profetike, një ditë llogaritet si një vit. (Ezek. 4:6; Num. 14:34) Atëherë, për sa «ditë» po flasim këtu? Zbulesa 11:2, 3 pohon qartësisht që 42 muaj (3 vjet e gjysmë) në atë profeci llogariten si 1.260 ditë. Kështu që shtatë vjet do të ishin dyfishi ose 2.520 ditë. Duke zbatuar rregullën «një ditë për një vit», do të kishim 2.520 vjet.
Kur filloi numërimi i «shtatë kohëve»? Pasi Zedekia, mbreti i fundit i mbretërisë që tipizonte Mbretërinë e Perëndisë, u hoq nga froni i Jerusalemit nga babilonasit. (Ezek. 21:25-27) Së fundi, në fillim të tetorit të vitit 607 p.e.s., u zhduk edhe gjurma e fundit e sovranitetit të judenjve. Në atë kohë, Gedaliahu, guvernatori jude që u vu në atë detyrë nga babilonasit, ishte vrarë, dhe judenjtë që mbetën, ia kishin mbathur në Egjipt. (Jeremia, kapitujt 40-43) Kronologjia e besueshme biblike tregon se kjo ndodhi 70 vjet para vitit 537 p.e.s., vit në të cilin judenjtë u kthyen nga robëria; domethënë, në fillim të tetorit të vitit 607 p.e.s. (Jer. 29:10; Dan. 9:2; për hollësi të mëtejshme, shih librin «Ardhtë Mbretëria jote», faqe 186-189, angl.)
Si llogaritet koha deri në vitin 1914? Duke llogaritur 2.520 vjet që nga fillimi i tetorit të vitit 607 p.e.s., vijmë në fillim të muajit tetor të vitit 1914 e.s., si tregon tabela.
LLOGARITJA E «SHTATË KOHËVE»
«Shtatë kohë» = 7 X 360 = 2.520 vjet
Një «kohë» biblike ose vit = 12 X 30 ditë = 360. (Zbul. 11:2, 3; 12:6, 14)
Në përmbushjen e «shtatë kohëve» çdo ditë është baras me një vit. (Ezek. 4:6; Num. 14:34)
Fillimi i tetorit të vitit 607 p.e.s. deri 31 dhjetor 607 p.e.s. = 1/4 e vitit.
1 janar 606 p.e.s. deri 31 dhjetor 1 p.e.s. = 606 vjet
1 janar 1 e.s. deri 31 dhjetor 1913 = 1.913 vjet
1 janar 1914 deri në fillim të tetorit të 1914-s= 3/4 e vitit
Gjithsej: 2.520 vjet
Ç’ndodhi në atë kohë? Jehovai ia besoi sundimin e njerëzimit Birit të vet, Jezu Krishtit, të cilit iu dha lavdi në qiell.—Dan. 7:13, 14.
Përse atëherë në tokë ka ende kaq shumë ligësi? Pas hipjes në fron të Krishtit, Satanai dhe demonët e tij u hodhën nga qielli poshtë në tokë. (Zbul. 12:12) Në pozitën e Mbretit, Krishti nuk filloi menjëherë të shkatërronte të gjithë ata që s’pranuan të njihnin sovranitetin e Jehovait dhe atë vetë si Mesinë. Përkundrazi, si kishte parathënë, së pari duhej bërë një vepër predikimi globale. (Mat. 24:14) Kjo do të shkaktojë një ndarje të njerëzve të të gjitha kombeve; të drejtët do të marrin jetën e përhershme, kurse të ligjtë shkatërrimin e përhershëm në vdekje. (Mat. 25:31-46) Ndërkohë, do të mbizotëronin kushtet e vështira që ishin parathënë për «ditët e fundit». Sikurse tregohet te tema «Ditët e fundit», ato ngjarje janë parë qartësisht që nga viti 1914. Të gjitha gjërat e parathëna nga Jezui, do të ndodhin, duke përfshirë edhe «shtrëngimin e madh», në të cilin do të përfundojë kjo botë e ligë.—Mat. 24:21, 22.
Kur do të vijë fundi i kësaj bote të ligë?
Jezui u përgjigj: «Atë ditë dhe atë orë s’e di askush, as engjëjt e qiejve, as Biri, por vetëm Ati.» Megjithatë shtoi: «Vërtet po ju them se ky brez nuk do të kalojë kurrsesi, gjersa të ndodhin të gjitha këto gjëra.»—Mat. 24:36, 34
Po ashtu, pasi flet për ngjarjet që do të ndodhnin pas vendosjes së Mbretërisë në duart e Jezu Krishtit në vitin 1914, Zbulesa 12:12 shton: «Gëzoni, o qiej, dhe ju që banoni në ta! Mjerë ti tokë e ti det, sepse Djalli zbriti ndër ju me zemërim të madh, ngaqë e di se ka një periudhë kohe të shkurtër!»