Feja
Përkufizimi: Një formë adhurimi që përfshin një tërësi qëndrimesh, bindjesh dhe praktikash fetare, të cilat mund të përkrahen personalisht ose nga një organizatë. Zakonisht, me fjalën «fe» nënkuptojmë besimin te Perëndia ose te disa perëndi. Nganjëherë ajo i konsideron njerëzit, objektet, dëshirat ose forcat si objekte adhurimi. Shumë fe bazohen në studimin që i bën njeriu natyrës, por ka edhe nga ato fe të ashtuquajtura ‘të zbuluara’. Ekziston feja e vërtetë dhe ajo e rreme.
Pse ekzistojnë kaq shumë fe?
Sipas një përllogaritjeje ekzistojnë 10 fe kryesore dhe rreth 10.000 sekte. Nga këto, rreth 6.000 janë në Afrikë, 1.200 në Shtetet e Bashkuara dhe disa qindra në vende të tjera.
Në zhvillimin e grupeve të reja fetare kanë kontribuar shumë faktorë. Disa janë të mendimit se fetë e ndryshme janë thjesht mënyra të ndryshme për të paraqitur të vërtetën fetare. Por, nëse mësimet dhe praktikat e tyre krahasohen me Biblën, del se kjo shumëllojshmëri fesh ka ardhur, sepse njerëzit kanë ndjekur njerëzit dhe jo Perëndinë. Vlen të përmendet se pjesa më e madhe e doktrinave që ato kanë të përbashkëta, por që bien ndesh me Biblën, e kanë zanafillën në Babiloninë e lashtë. (Shih faqet 45, 46, te tema «Babilonia e Madhe».)
Kush është nxitësi i këtij pështjellimi fetar? Bibla identifikon si ‘perëndi të kësaj bote’ Satana Djallin. (2 Kor. 4:4) Ajo na paralajmëron se «gjërat që flijojnë kombet, ua flijojnë demonëve dhe jo Perëndisë». (1 Kor. 10:20) Prandaj, është thelbësore të sigurohemi se po adhurojmë Perëndinë e vërtetë, Krijuesin e qiellit dhe të tokës, dhe se adhurimi ynë i pëlqen Atij!
A i pranon Perëndia të gjitha fetë?
Gjyk. 10:6, 7: «Bijtë e Izraelit bënë përsëri ç’ishte e keqe në sytë e Jehovait. Ata zunë t’u shërbenin Baalëve, shëmbëlltyrave të Ashtorethit, perëndive të Sirisë, perëndive të Sidonit, perëndive të Moabit, perëndive të bijve të Amonit dhe perëndive të filistinëve. Kështu e lanë Jehovain dhe nuk i shërbyen më. Atëherë Jehovait iu ndez zemërimi kundër Izraelit.» (Nëse një person adhuron ndonjë gjë ose ndonjë njeri, dhe jo Perëndinë e vërtetë, Krijuesin e qiellit dhe të tokës, është më se e qartë se Jehovai nuk e pranon këtë lloj adhurimi.)
Mar. 7:6, 7: «Ai [Jezui] iu përgjigj [farisenjve dhe skribëve judenj]: ‘Mirë profetizoi Isaia për ju, hipokritë: “Ky popull më nderon me buzë, por zemra e tyre është larguar shumë nga unë. Më kot vazhdojnë të më adhurojnë, sepse mësimet e tyre janë thjesht urdhërime njerëzish.”’» (Nëse besimtarët e një grupi u përmbahen urdhërimeve të njerëzve dhe jo Fjalës së frymëzuar të Perëndisë, adhurimi i tyre është i kotë, pavarësisht se kë pretendojnë se adhurojnë.)
Rom. 10:2, 3: «Unë dëshmoj për ta se kanë zell për Perëndinë, por jo sipas njohurisë së saktë. Meqë nuk e njohin drejtësinë e Perëndisë, por kërkojnë të vendosin të vetën, ata nuk iu nënshtruan drejtësisë së Perëndisë.» (Njerëzit mund ta kenë Fjalën e shkruar të Perëndisë, por nuk njohin saktë përmbajtjen e saj, sepse nuk janë mësuar siç duhet. Ndoshta mendojnë se janë të zellshëm për Perëndinë, por ka të ngjarë të mos e zbatojnë atë që kërkon ai. A mund t’i pëlqejë adhurimi i tyre Perëndisë?)
A është vërtetë se çdo fe ka të mirat e veta?
Shumica e feve mësojnë se nuk duhet të gënjesh, të vjedhësh, e kështu me radhë. Por, a mjafton vetëm kaq? A do të pranonit të pinit një gotë me ujë të helmuar, vetëm sepse dikush ju thotë se, pjesa më e madhe e asaj që do të pini, është ujë?
2 Kor. 11:14, 15: «Vetë Satanai vazhdon të shndërrohet në engjëll drite. Nuk është, pra, ndonjë gjë e madhe nëse edhe shërbëtorët e tij vazhdojnë të shndërrohen në shërbëtorë drejtësie.» (Ky shkrim na tërheq vëmendjen se jo çdo gjë që vjen nga Satanai, mund të duket e shëmtuar. Një nga metodat e tij kryesore për të mashtruar njerëzit, ka qenë feja e rreme e të gjitha llojeve, disa aspekte të të cilave ai i bën të duken të drejta.)
2 Tim. 3:2, 5: «Njerëzit do të . . . duket sikur kanë një formë të përkushtimit hyjnor, por në jetën e tyre nuk ndikohen nga fuqia e tij. Nga këta largohu.» (Bibla këshillon që ta ndërpritni shoqërinë me shokët tuaj të besimit, nëse nuk e zbatojnë Fjalën e tij në jetë, pavarësisht se thonë që e duan Perëndinë.)
A është e drejtë të lihet feja që kemi trashëguar nga prindërit?
Nëse ajo që na kanë mësuar prindërit, është vërtet nga Bibla, ne duhet të vazhdojmë ta ndjekim. Edhe nëse mësojmë se bindjet dhe praktikat e tyre fetare nuk përputhen me Fjalën e Perëndisë, prindërit e meritojnë respektin tonë. Por, ç’do të bënit nëse do të mësonit që një zakon i prindërve tuaj është i dëmshëm për shëndetin dhe mund të arrijë deri aty sa t’ju shkurtojë jetën? A do të bënit si ata? A do t’i nxitnit edhe fëmijët tuaj të vepronin po njësoj? Apo do t’u flisnit me respekt për atë që keni mësuar? Po kështu, edhe njohja e të vërtetave të Biblës sjell përgjegjësi. Nëse është e mundur, ne duhet të flasim me familjarët tanë për atë që po mësojmë. Për të bërë një zgjedhje, duhet të pyesim veten: a e duam vërtet Perëndinë? A duam vërtet t’i bindemi Birit të Perëndisë? Për këtë mund të jetë e nevojshme të lëmë fenë e prindërve dhe të nisim adhurimin e vërtetë. A do të ishte mirë të lejonim t’u përkushtoheshim më shumë prindërve, se të donim Perëndinë dhe Krishtin? Jezui tha: «Ai që ka për zemër babanë ose nënën më shumë se mua, nuk është i denjë për mua, dhe ai që ka për zemër djalin ose vajzën më shumë se mua, nuk është i denjë për mua.»—Mat. 10:37.
Jos. 24:14: «Frikësojuni Jehovait dhe shërbejini atij në mënyrë të patëmetë e me besnikëri. Hiqni perënditë, të cilave u shërbyen paraardhësit tuaj matanë Lumit dhe në Egjipt, e shërbejini Jehovait.» (A nuk do të thoshte kjo për izraelitët që të linin fenë e etërve të tyre? Për t’i shërbyer Jehovait në mënyrë të pranueshme, ata duhej të hiqnin të gjitha shëmbëlltyrat që përdoreshin në atë fe dhe të fshinin nga zemra çdo dëshirë për t’i pasur.)
1 Pjet. 1:18, 19: «Ju e dini se u çliruat nga mënyra e pafryt e sjelljes që ju lanë paraardhësit me anë të traditës, jo me gjëra të prishshme, me argjend ose ar, por me gjak të çmuar, si ai i një qengji të patëmetë dhe të panjollë, po, të Krishtit.» (Pra, të krishterët e hershëm i lanë traditat e etërve të tyre, të cilat nuk do t’u jepnin kurrë jetën e përhershme. Mirënjohja për flijimin e Krishtit u shtoi dëshirën për të lënë gjithçka që do ta bënte jetën e tyre të pafrytshme dhe pa kuptim, ngaqë nuk e nderuan Perëndinë. A nuk duhet të kemi edhe ne të njëjtin qëndrim?)
Cila është pikëpamja e Biblës për bashkimin e feve (ekumenizmin)?
Ç’mendonte Jezui për krerët fetarë që thoshin se ishin të drejtë, por nuk e respektonin Perëndinë? «Jezui u tha: ‘Po të ishte Perëndia Ati juaj, ju do të më donit, sepse nga Perëndia dola dhe jam këtu. Nuk erdha me nismën time, por Ai më dërgoi. . . . Ju jeni nga ati juaj, Djalli, dhe doni të bëni dëshirat e atit tuaj. Ai ishte vrasës që nga fillimi dhe nuk qëndroi i vendosur në të vërtetën, sepse e vërteta nuk është në të. Kur thotë gënjeshtra, i thotë se ashtu e ka natyrën, sepse ai është gënjeshtar dhe ati i gënjeshtrës. Kurse mua që them të vërtetën, nuk më besoni. . . . Prandaj ju nuk dëgjoni, sepse nuk jeni nga Perëndia.’»—Gjoni 8:42-47.
A do të ishte besnikëri ndaj Perëndisë dhe ndaj parimeve të tij të drejta, nëse shërbëtorët e tij do të bashkoheshin në një vëllazëri fetare me ata që praktikojnë gjëra të cilat Perëndia i dënon ose që i përkrahin praktika të tilla? «Të mos përziheni më në shoqëri me këdo që quhet vëlla, por që është kurvar, lakmitar, idhujtar, sharës, pijanec ose zhvatës, madje as të mos hani me një njeri të tillë. . . . As kurvarë, as idhujtarë, as kurorëshkelës, as burra që mbahen për qëllime të panatyrshme seksuale, as burra që shkojnë me burra, as hajdutë, as lakmitarë, as pijanecë, as sharës, as zhvatës nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.» (1 Kor. 5:11; 6:9, 10) «Kush dëshiron të jetë mik i botës, bëhet armik i Perëndisë.» (Jak. 4:4) «Ju që doni Jehovain, urreni të keqen. Ai e ruan shpirtin e besnikëve të tij.»—Psal. 97:10.
2 Kor. 6:14-17: «Mos u futni nën të njëjtën zgjedhë me jobesimtarët. Sepse ç’lidhje ka drejtësia me paligjshmërinë? Apo ç’pjesë ka drita me errësirën? Ç’harmoni ka mes Krishtit dhe Belialit? Apo ç’pjesë ka një besimtar me një jobesimtar? Ç’marrëveshje ka tempulli i Perëndisë me idhujt? . . . ‘Prandaj, dilni nga mesi i tyre dhe ndahuni,—thotë Jehovai,—dhe mjaft e prekët gjënë e papastër’, ‘dhe unë do t’ju pranoj’.»
Zbul. 18:4, 5: «Dëgjova një zë tjetër nga qielli, që tha: ‘Dilni prej saj, o populli im, nëse nuk doni të merrni pjesë me të në mëkatet e saj dhe nëse nuk doni të merrni nga plagët e saj. Sepse mëkatet e saj janë grumbulluar e kanë arritur deri në qiell, dhe Perëndia solli ndër mend veprat e saj të padrejtësisë.’» (Për hollësi të tjera shih temën «Babilonia e Madhe».)
A është e nevojshme të bësh pjesë në një fe të organizuar?
Shumica e organizatave fetare kanë dhënë fryte të këqija. Të jesh i organizuar, në vetvete nuk është gabim, vetëm se shumë grupe fetare nuk u kanë siguruar drejtim frymor të vërtetë anëtarëve të tyre, përkundrazi, kanë përkrahur disa forma adhurimi që bazohen në mësime të rreme dhe kryesisht në rituale. Këto organizata janë keqpërdorur për të mbajtur nën kontroll jetën e njerëzve për synime egoiste. Janë përqendruar së tepërmi në mbledhjen e parave dhe në stolisjen e vendeve të adhurimit, në vend se në ndërtimin e vlerave frymore. Shpeshherë, anëtarët e tyre janë hipokritë. Është e qartë se ai që do drejtësinë, nuk do të donte të bënte pjesë në një organizatë të tillë. Nga ana tjetër, feja e vërtetë është burim freskimi dhe dallon nga e gjithë kjo. Megjithatë, për të përmbushur kërkesat e Biblës, ajo duhet të jetë e organizuar.
Hebr. 10:24, 25: «Le të interesohemi për njëri-tjetrin, që të nxitemi për dashuri dhe vepra të shkëlqyera, pa braktisur mbledhjet tona, siç e kanë zakon disa, por duke inkurajuar njëri-tjetrin e aq më tepër tani, që e shihni se dita po afrohet.» (Për të zbatuar këtë urdhër biblik, duhet të organizohen mbledhje të krishtere, në të cilat duhet të marrim pjesë rregullisht. Këto mbledhje na inkurajojnë që të shprehim dashuri kundrejt njëri-tjetrit dhe të mos merakosemi vetëm për veten.)
1 Kor. 1:10: «Tani ju nxit, vëllezër, nëpërmjet emrit të Zotërisë tonë Jezu Krisht, të flitni të gjithë në harmoni e mes jush të mos ketë përçarje, por të jeni të bashkuar si duhet në të njëjtën mendje dhe në të njëjtën vijë mendimi.» (Një unitet i tillë s’do të arrihej kurrë, nëse të krishterët nuk do të mblidheshin së bashku, që të përfitonin nga i njëjti program ushqimi frymor dhe të respektonin mjetin nëpërmjet të cilit sigurohet ky mësim. Shih edhe Gjonin 17:20, 21.)
1 Pjet. 2:17: «Kini dashuri për gjithë vëllazërinë.» (Mos vallë këtu flitet vetëm për ata që mund të takohen së bashku për të adhuruar në një vend të veçantë? Aspak! Bëhet fjalë për të gjithë vëllazërinë ndërkombëtare siç tregohet në Galatasve 2:8, 9 dhe 1 Korintasve 16:19.)
Mat. 24:14: «Ky lajm i mirë për mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet, dhe atëherë do të vijë fundi.» (Që këtë lajm të mirë ta dëgjojnë të gjitha kombet, predikimi duhet të bëhet me rregull dhe nën mbikëqyrjen e duhur. Dashuria për Perëndinë dhe për njerëzit ka bërë që individë anekënd botës, t’i bashkojnë përpjekjet e tyre për të kryer këtë vepër.)
Shih edhe temën «Organizata».
A nuk mjafton vetëm të duam të afërmin?
S’ka dyshim që kjo lloj dashurie është e rëndësishme. (Rom. 13:8-10) Por, të jesh i krishterë përfshin më shumë se thjesht të jesh i mirë me të tjerët. Jezui tha se dishepujt e tij të vërtetë do të dalloheshin qartë nga dashuria e tyre për njëri-tjetrin, pra, për bashkëbesimtarët. (Gjoni 13:35) Rëndësia e kësaj, theksohet herë pas here në Bibël. (Gal. 6:10; 1 Pjet. 4:8; 1 Gjon. 3:14, 16, 17) Megjithatë, Jezui tregoi se dashuria për Perëndinë është edhe më e rëndësishme. Kjo dashuri tregohet duke iu bindur urdhërimeve të tij. (Mat. 22:35-38; 1 Gjon. 5:3) Që të tregojmë një dashuri të tillë, ne duhet të studiojmë e të zbatojmë Fjalën e Perëndisë, si edhe të mblidhemi me shërbëtorët e tjerë të Perëndisë për ta adhuruar.
A nuk mjafton vetëm të kesh një marrëdhënie personale me Perëndinë?
Patjetër, kjo është e domosdoshme. Vetëm pjesëmarrja formale në shërbimet fetare nuk mund të zërë vendin e marrëdhënies personale me Perëndinë. Megjithatë, duhet të bëjmë kujdes. Pse? Sepse në shekullin e parë, kishte disa njerëz që mendonin se gëzonin një marrëdhënie të mirë me Perëndinë, por që Jezui u tha se e kishin shumë gabim. (Gjoni 8:41-44) Edhe apostulli Pavël shkroi për disa që, me sa duket, tregonin zell për besimin e tyre dhe mendonin se kështu gëzonin një marrëdhënie të mirë me Perëndinë, por që nuk e kuptonin se ç’duhej të bënin për të pasur miratimin e Perëndisë.—Rom. 10:2-4.
A mund të gëzojmë një marrëdhënie të mirë personale me Perëndinë, nëse i quajmë të parëndësishme urdhërimet e tij? Një prej tyre është që të mblidhemi rregullisht me bashkëbesimtarët.—Hebr. 10:24, 25.
A nuk mjafton ta lexojmë Biblën vetë?
Është e vërtetë se shumë njerëz mund të përfitojnë mjaft duke e lexuar Biblën vetë. Nëse e bëjnë këtë se duan të mësojnë të vërtetën për Perëndinë dhe për qëllimet e tij, meritojnë të lavdërohen. (Vep. 17:11) Por, të jemi të ndershëm me veten, a do ta kuptojmë plotësisht atë pa ndihmën e dikujt? Bibla flet për një njeri me pozitë, i cili me shumë përulësi e pranoi se kishte nevojë për drejtimin e dikujt që të kuptonte profecitë e Biblës, dhe ndihmën e mori nga një pjesëtar i kongregacionit të krishterë.—Vep. 8:26-38; krahaso referime të tjera për Filipin te Veprat 6:1-6; 8:5-17.
Pa dyshim, nëse një njeri e lexon Biblën, por nuk e zbaton në jetën e tij, ajo nuk do t’i sjellë ndonjë dobi të madhe. Nëse vërtet e beson dhe vepron në përputhje me të, ai do të shoqërohet me shërbëtorët e Perëndisë në mbledhjet që mban rregullisht kongregacioni. (Hebr. 10:24, 25) Gjithashtu, do të bashkohet me ta për t’u dhënë «lajmin e mirë» të tjerëve.—1 Kor. 9:16; Mar. 13:10; Mat. 28:19, 20.
Si mund ta dimë se cila është feja e vërtetë?
(1) Ku bazohen mësimet e saj? Mësimet e saj vijnë nga Perëndia apo kryesisht nga njerëzit? (2 Tim. 3:16; Mar. 7:7) Për shembull, pyet: ku tregon Bibla se Perëndia është Trinitet? Ku thotë se shpirti i njeriut është i pavdekshëm?
(2) A e bën të njohur emrin e Perëndisë? Jezui i tha në lutje Perëndisë: «Unë ua kam shfaqur emrin tënd njerëzve që më dhe nga bota.» (Gjoni 17:6) Ai tha: «Jehovain, Perëndinë tënd, adhuro dhe vetëm atij bëji shërbim të shenjtë.» (Mat. 4:10) A ju ka mësuar feja juaj se vetëm ‘Jehovain duhet të adhuroni’? A e keni njohur Personin që identifikohet me këtë emër, duke përfshirë qëllimet, veprat dhe cilësitë e tij, sa të ndjeni se mund t’i afroheni me besim?
(3) A tregohet besim i vërtetë te Jezu Krishti? Kjo përfshin çmueshmëri për vlerën e flijimit të jetës njerëzore të Jezuit dhe të pozitës që ka sot si Mbret në qiell. (Gjoni 3:36; Psal. 2:6-8) Kjo çmueshmëri tregohet duke iu bindur Jezuit, domethënë, duke marrë pjesë me zell në veprën që u caktoi ithtarëve të tij. Feja e vërtetë karakterizohet nga ky lloj besimi i shoqëruar me vepra.—Jak. 2:26.
(4) A është formale, e bazuar kryesisht në rite, apo është një mënyrë jetese? Perëndia e dënon me forcë fenë që është thjesht një formalitet. (Isa. 1:15-17) Feja e vërtetë u përmbahet normave të Biblës për moralin dhe të folurit e pastër dhe nuk jepet me dobësi pas prirjeve të botës. (1 Kor. 5:9-13; Efes. 5:3-5) Anëtarët e saj pasqyrojnë frytet e frymës së Perëndisë në jetën e tyre. (Gal. 5:22, 23) Pra, ata që ndjekin adhurimin e vërtetë, mund të identifikohen, sepse përpiqen sinqerisht të zbatojnë normat e Biblës në jetën e tyre jo vetëm në vendet ku mblidhen, por edhe në familje, në punë, në shkollë dhe kur zbaviten.
(5) A e duan vërtet njëri-tjetrin anëtarët e saj? Jezui tha: «Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.» (Gjoni 13:35) Kjo dashuri i kapërcen kufijtë racorë, shoqërorë e kombëtarë dhe i bashkon njerëzit në një vëllazëri të vërtetë. Është kaq e fortë, sa i dallon vërtet si të ndryshëm. Kur kombet hyjnë në luftë, cilët kanë aq dashuri për vëllezërit e krishterë në vende të tjera, sa të mos pranojnë të marrin armët për t’i vrarë? Këtë bënë të krishterët e parë.
(6) A është vërtet e ndarë nga bota? Jezui tha se ithtarët e tij të vërtetë ‘nuk do të ishin pjesë e botës’. (Gjoni 15:19) Nëse duam që adhurimi ynë të pranohet nga Perëndia, duhet të mbetemi «të panjollë nga bota». (Jak. 1:27) A mund të thuhet kjo për fetë, kleri dhe anëtarët e të cilave përfshihen në politikë ose për ata jeta e të cilëve vërtitet rreth dëshirave materialiste dhe mishore?—1 Gjon. 2:15-17.
(7) A janë anëtarët e saj dëshmitarë aktivë të Mbretërisë së Perëndisë? Jezui paralajmëroi: «Ky lajm i mirë për mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet, dhe atëherë do të vijë fundi.» (Mat. 24:14) Cila fe shpall me të vërtetë se Mbretëria e Perëndisë është shpresa e vetme për njerëzimin, dhe nuk i inkurajon njerëzit t’i mbajnë shpresat te qeveritë njerëzore për zgjidhjen e problemeve të tyre? A ju ka pajisur feja juaj për të marrë pjesë në këtë aktivitet dhe për ta bërë atë nga shtëpia në shtëpi, siç i mësoi Jezui apostujt e tij?—Mat. 10:7, 11-13; Vep. 5:42; 20:20.
A besojnë Dëshmitarët e Jehovait se vetëm ata kanë fenë e vërtetë?
Shih faqet 74, 75, në temën «Dëshmitarët e Jehovait».
Pse disa njerëz kanë besim, kurse të tjerë jo?
Shih temën «Besimi».
Nëse dikush thotë:
‘Nuk më intereson feja’
Mund të përgjigjesh: ‘Kjo nuk më habit. Shumë njerëz mendojnë si ju. A mund t’ju pyes: Gjithmonë keni menduar kështu?’ Pastaj mund të shtosh: ‘Më ka bërë shumë përshtypje kur kuptova se gati të gjitha doktrinat kryesore që mësojnë kishat sot, nuk gjenden në Bibël. (Ndoshta mund të përdorësh materialin në faqet 74, 75, në temën «Dëshmitarët e Jehovait», duke nxjerrë në pah më shumë Mbretërinë. Për të bërë dallimin, thekso se çfarë besojnë Dëshmitarët e Jehovait, siç tregohen në faqet 70, 72.)’
Shih edhe faqen 16.
‘Fetë kanë shumë hipokrizi’
Mund të përgjigjesh: ‘Po, jam dakord me ju. Shumë nuk jetojnë në përputhje me atë që predikojnë. Por më thoni, ju lutem: ç’mendoni për Biblën? (Psal. 19:7-10)’
‘Unë jetoj me ndershmëri. Nuk u bëj keq të tjerëve. Pra, jam në rregull’
Mund të përgjigjesh: ‘Ju thoni se jetoni me ndershmëri. Kjo do të thotë që padyshim e çmoni jetën, apo jo? . . . A do t’ju pëlqente të jetonit në kushtet që përshkruhen këtu te Zbulesa 21:4? . . . Ja çfarë duhet të bëjmë që t’i fitojmë ato sipas Gjonit 17:3.’
Shih edhe faqen 120.
‘Nuk më intereson të bëj pjesë në një organizatë fetare. Mendoj se një marrëdhënie personale me Perëndinë ka më shumë rëndësi’
Mund të përgjigjesh: ‘Kjo që thoni është interesante. Gjithmonë keni qenë i këtij mendimi? . . . A jeni shoqëruar me ndonjë grup fetar në të kaluarën? . . . (Pastaj mund të përdorësh materialin në faqet 118-121.)’
‘S’jam dakord me të gjitha ato që mëson kisha ime, megjithatë, nuk e shoh të nevojshme të ndryshoj fe. Në vend të kësaj, do të punoja për të përmirësuar veten time’
Mund të përgjigjesh: ‘Më vjen mirë që më treguat pikëpamjen tuaj. Me siguri edhe ju pajtoheni me mendimin se është vërtet e rëndësishme të kemi miratimin e Perëndisë, apo jo?’ Pastaj mund të shtosh: (1) ‘Te Zbulesa 18:4, 5, Perëndia na jep një paralajmërim për të cilin të gjithë duhet të mendojmë seriozisht. . . . Edhe nëse ne vetë nuk praktikojmë gjëra të gabuara, Bibla tregon se do të mbajmë faj edhe ne, nëse i mbështetim këto organizata. (Shih edhe temën «Babilonia e Madhe».)’ (2) (Mund të përdorësh edhe materialin në faqet 121, 122.) (3) ‘Perëndia kërkon njerëz që e duan të vërtetën, dhe po i mbledh ata që ta adhurojnë të bashkuar. (Gjoni 4:23, 24)’
‘Të gjitha fetë janë të mira. Ti ke fenë tënde, unë kam timen’
Mund të përgjigjesh: ‘Është e qartë se jeni njeri me mendje të hapur. Megjithatë, a nuk mendoni se të gjithë kemi nevojë për drejtimin e Fjalës së Perëndisë? Në fund të fundit, pikërisht për këtë arsye bëni pjesë në një fe, apo jo?’ Pastaj mund të shtosh: ‘Shihni çfarë drejtimi të vlefshëm japin fjalët e Jezuit te Mateu 7:13, 14. (Lexoje.) . . . Si mendoni, pse mund të ekzistojë kjo?’
Shih edhe faqet 115, 116.
‘Mjafton të besosh te Jezui, pastaj nuk ka rëndësi se cilës kishë i përket’
Mund të përgjigjesh: ‘Pa dyshim, është e domosdoshme të besojmë te Jezui. Me këtë doni të thoni se e pranoni gjithçka që ai mësoi. Ju mund të keni vënë re, ashtu si edhe unë, se shumë nga ata që thonë se janë të krishterë, në të vërtetë nuk jetojnë në lartësinë e emrit që përfaqësojnë.’ Pastaj mund të shtosh: (1) ‘Shihni çfarë tha Jezui te Mateu 7:21-23.’ (2) ‘Ata që duan të kuptojnë vullnetin e Perëndisë dhe pastaj ta zbatojnë atë, i pret një e ardhme e mrekullueshme. (Psal. 37:10, 11; Zbul. 21:4)’
‘Pse mendoni se vetëm një fe është e vërtetë?’
Mund të përgjigjesh: ‘Pa dyshim, ka njerëz të sinqertë pothuajse në çdo fe. Por ajo që ka më shumë rëndësi është se ç’pikëpamje ka Fjala e Perëndisë për këtë pyetje. Sa fe të vërteta ka, sipas jush? Shihni se çfarë shkruhet këtu tek Efesianëve 4:4, 5.’ Pastaj mund të shtosh: (1) ‘Kjo është në përputhje edhe me atë që thonë edhe fragmente të tjera të Biblës. (Mat. 7:13, 14, 21; Gjoni 10:16; 17:20, 21)’ (2) ‘Prandaj, vështirësia qëndron në identifikimin e asaj feje. Si mund ta bëjmë? (Mund të përdorësh materialin në faqet 121, 122.)’ (3) (Shih edhe materialin në faqet 70-72, te tema «Dëshmitarët e Jehovait».)
‘Për mua mjafton ta lexoj Biblën vetë në shtëpi dhe t’i lutem Perëndisë që ta kuptoj’
Mund të përgjigjesh: ‘A keni arritur ta lexoni të gjithë Biblën?’ Pastaj mund të shtosh: ‘Gjatë leximit do të gjeni diçka shumë interesante te Mateu 28:19, 20. . . . Ky shkrim është i rëndësishëm, sepse tregon që Krishti përdor njerëz të tjerë për të na ndihmuar të kuptojmë se çfarë do të thotë të jesh i krishterë i vërtetë. Në përputhje me këtë shkrim, Dëshmitarët e Jehovait i vizitojnë njerëzit në shtëpinë e tyre, pak a shumë për një orë çdo javë, pa pagesë, për të diskutuar rreth Biblës. A mund t’ju tregojmë në pak minuta se si e bëjmë këtë?’
Shih edhe faqet 120, 121.
‘Për mua, feja është një çështje personale’
Mund të përgjigjesh: ‘Kjo është një pikëpamje e përhapur sot, dhe kur njerëzve nuk u intereson mesazhi i Biblës, ne nuk këmbëngulim, por kalojmë në derën tjetër. Megjithatë, a e dini se arsyeja pse kam ardhur, është për të bërë atë që Jezui udhëzoi të bënin dishepujt e tij? . . . (Mat. 24:14; 28:19, 20; 10:40)’