Kapitulli 69
Çështja e atësisë
GJATË festës, diskutimi mes Jezuit dhe krerëve judenj bëhet më i zjarrtë. «Unë e di se jeni pasardhës të Abrahamit,—pranon Jezui,—por ju kërkoni të më vritni, sepse fjala ime nuk gjen vend në ju. Unë flas për ç’kam parë tek Ati im dhe ju bëni gjërat që keni parë tek ati juaj.»
Edhe pse nuk e identifikon atin e tyre, Jezui e bën të qartë se ati i tyre nuk është i njëjtë me atin e tij. Duke mos e ditur se cilin ka ndër mend Jezui, krerët judenj përgjigjen: «Ati ynë është Abrahami.» Ata mendojnë se kanë të njëjtin besim që kishte Abrahami, i cili ishte miku i Perëndisë.
Megjithatë, Jezui i trondit me përgjigjen e tij: «Po të ishit bij të Abrahamit, do të bënit veprat e Abrahamit.» Në fakt, një bir i vërtetë e imiton të atin. «Por ju kërkoni të më vrisni mua,—thotë Jezui,—që ju kam folur të vërtetën që kam dëgjuar nga Perëndia; Abrahami këtë nuk e bëri.» Prandaj Jezui u thotë përsëri: «Ju bëni veprat e atit tuaj.»
Megjithatë, ata nuk e kuptojnë akoma se për kë e ka fjalën Jezui. Ata ngulin këmbë se janë bij të ligjshëm të Abrahamit, duke thënë: «Ne nuk lindëm nga kurvërimi.» Prandaj, duke pretenduar se janë adhurues të vërtetë si Abrahami, pohojnë: «Ne kemi një Atë të vetëm; Perëndinë.»
Por a është Perëndia me të vërtetë Ati i tyre? «Nëse Perëndia do të ishte Ati juaj,—përgjigjet Jezui,—ju do të më donit, sepse nga Perëndia unë kam ardhur dhe jam këtu. Dhe nuk kam ardhur aspak me iniciativën time, por Ai më ka dërguar. Përse nuk e dini atë që po them?»—BR.
Jezui është përpjekur t’u tregojë këtyre krerëve fetarë, rrjedhimet që vijnë duke hedhur poshtë atë. Por tani ai u thotë troç: «Ju jeni nga djalli, që është ati juaj dhe doni të bëni dëshirat e atit tuaj.» Ç’lloj ati është Djalli? Jezui e identifikon atë si vrasës dhe, gjithashtu, thotë: «[Ai] është gënjeshtar dhe ati i rrenës.» Kështu, Jezui përfundon: «Kush është prej Perëndisë i dëgjon fjalët e Perëndisë; prandaj ju nuk dëgjoni sepse nuk jeni prej Perëndisë.»
Të inatosur nga dënimi që ka shprehur Jezui, judenjtë përgjigjen: «A nuk themi me të drejtë se ti je samaritan dhe se ke një demon?» Termi «samaritan» përdoret për të shprehur përçmim dhe sharje, meqenëse samaritanët janë një popull që urrehet nga judenjtë.
Duke e shpërfillur fyerjen përçmuese, e cila e cilëson si samaritan, Jezui përgjigjet: «Unë s’kam një demon, por nderoj atin tim; ju përkundrazi më çnderoni.» Pastaj vazhdon, duke bërë këtë premtim befasues: «Ai që zbaton fjalën time, nuk do ta shohë kurrë vdekjen, përjetë.» Sigurisht, Jezui nuk do të thotë se të gjithë ata që e ndjekin, nuk do të shohin kurrë vdekje, në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës. Në vend të kësaj, ai do të thotë se ata nuk do ta shohin kurrë shkatërrimin e përhershëm apo ‘vdekjen e dytë’, prej së cilës nuk ka ringjallje.
Por, farisenjtë i marrin fjalët e Jezuit në kuptimin e drejtpërdrejtë. Prandaj i thonë: «Tani njohim se ti ke një demon. Abrahami dhe profetët kanë vdekur, kurse ti thua: ‘Kur njëri zbaton fjalën time, nuk do ta shijojë kurrë vdekjen, përjetë.’ Ti qenke më i madh se ati ynë Abraham, i cili ka vdekur? Edhe profetët kanë vdekur; kush pretendon se je?»
Në gjithë këtë diskutim, është e dukshme se Jezui po e drejton vëmendjen e këtyre burrave, ndaj faktit që ai është Mesia i premtuar. Por në vend se t’i përgjigjet drejtpërdrejt pyetjes së tyre mbi identitetin e tij, Jezui u thotë: «Nëqoftëse unë e përlëvdoj veten, lavdia ime s’është asgjë. Është Ati im ai që më përlëvdon, për të cilin ju thoni se është Perëndia juaj. Por ju ende s’e keni njohur, kurse unë e njoh dhe po të thoja se nuk e njoh, do të isha një gënjeshtar si ju.»
Duke vazhduar më tej, Jezui i referohet përsëri Abrahamit besnik, duke thënë: «Abrahami, ati juaj, ngazëllohej në shpresën për të parë ditën time; [dhe] e pa dhe u gëzua.» Po, me sytë e besimit, Abrahami priste me padurim ardhjen e Mesisë së premtuar. Duke shfaqur mosbesim, judenjtë përgjigjen: «Ti ende nuk je pesëdhjetë vjeç dhe e paske parë Abrahamin?»
«Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them,—thotë Jezui,—para se Abrahami të vinte në ekzistencë, unë kam qenë.» (BR) Pa dyshim, këtu, Jezui i referohet ekzistencës së tij paranjerëzore në qiell, si një person i fuqishëm frymor.
Të tërbuar nga inati, për shkak të pohimit të Jezuit se ka ekzistuar para Abrahamit, judenjtë marrin gurë për ta goditur. Por ai fshihet dhe del jashtë tempullit, shëndoshë e mirë. Gjoni 8:37-59; Zbulesa 3:14; 21:8.
▪ Si e tregon Jezui se ai dhe armiqtë e tij nuk kanë të njëjtin atë?
▪ Çfarë nënkuptojnë judenjtë kur e quajnë Jezuin samaritan?
▪ Në ç’kuptim thotë Jezui se ithtarët e tij nuk do të shohin kurrë vdekje?