Kapitulli 93
Kur zbulohet identiteti i Birit të Njeriut
NDËRSA Jezui është akoma në veri (ose në Samari, ose në Galile), farisenjtë e pyesin në lidhje me ardhjen e Mbretërisë. Ata besojnë se ajo do të vijë me shumë ceremoni dhe pompozitet, por Jezui u thotë: «Mbretëria e Perëndisë nuk vjen në një mënyrë që bie në sy, as njerëzit nuk do të thonë: ‘Ja, këtu’, ose: ‘Atje!’ Sepse, ja, mbretëria e Perëndisë është në mes tuaj.»—BR.
Fjalët e Jezuit, «në mes tuaj», janë përkthyer ndonjëherë «brenda jush». Prandaj, disa kanë menduar se Jezui donte të thoshte që Mbretëria e Perëndisë mbretëron në zemrat e shërbëtorëve të tij. Por, siç mund të kuptohet lehtë, Mbretëria e Perëndisë nuk është brenda zemrave të këtyre farisenjve pa besim, të cilëve po u flet Jezui. Megjithatë, ajo është në mes tyre, përderisa mbreti i caktuar i Mbretërisë së Perëndisë, Jezu Krishti, është pikërisht midis tyre.
Me sa duket, pas largimit të farisenjve, Jezui u flet më tej dishepujve të tij mbi ardhjen e Mbretërisë. Në mënyrë të veçantë, ai ka ndër mend praninë e tij të ardhshme në pushtetin e Mbretërisë, kur paralajmëron: «Do t’ju thonë: ‘Ja, është këtu’ ose: ‘Ja, është atje’, por ju mos shkoni dhe mos i ndiqni [këta Mesi të rremë]. Sepse ashtu si rrufeja, që vetëtin nga njëri skaj i qiellit te tjetri e ndriçon, kështu do të jetë edhe Biri i njeriut.» Në këtë mënyrë, Jezui po tregon se ashtu si vetëtima që shihet në një zonë të gjerë, prova e pranisë së tij në pushtetin e Mbretërisë, do të jetë qartësisht e dukshme për të gjithë ata që duan ta shohin.
Më pas, Jezui bën krahasime me ngjarje të së kaluarës, për të treguar se çfarë qëndrimi do të shfaqin njerëzit gjatë pranisë së tij të ardhshme. Ai shpjegon: «Përveç kësaj, ashtu siç ndodhi në ditët e Noes, kështu do të jetë edhe në ditët e Birit të njeriut . . . Ngjashëm, ashtu siç ndodhi në ditët e Lotit: ata hanin, pinin, blinin, shitnin, mbillnin, ndërtonin. Por ditën që Loti doli nga Sodoma, nga qielli ra zjarr e squfur dhe i shkatërroi të gjithë ata. Në të njëjtën mënyrë do të ndodhë atë ditë, kur Biri i njeriut do të duhet të zbulohet.»—BR.
Jezui nuk po thotë se njerëzit në kohën e Noes apo të Lotit u shkatërruan thjesht sepse vazhdonin aktivitete normale si ngrënia, pirja, blerja, shitja, mbjellja dhe ndërtimi. Edhe Noeja dhe Loti me familjet e tyre bënë gjëra të tilla. Por të tjerët u zhytën në këto aktivitete të përditshme, pa ia vënë veshin aspak vullnetit të Perëndisë dhe ishte kjo arsyeja për të cilën ata u shkatërruan. Për të njëjtën arsye, njerëzit do të shkatërrohen, kur Krishti të zbulohet gjatë mjerimit të madh që do të bjerë mbi këtë sistem gjërash.
Duke theksuar rëndësinë e reagimit të menjëhershëm ndaj provës së pranisë së tij të ardhshme në pushtetin e Mbretërisë, Jezui shton: «Në atë ditë, ai që ndodhet mbi çatinë e shtëpisë të mos zbresë në shtëpi për të marrë gjërat e tij; e po kështu ai që ndodhet në ara, të mos kthehet prapa. Kujtoni gruan e Lotit.»
Kur prova e pranisë së Krishtit të bëhet e dukshme, njerëzit nuk mund të lejojnë që dashuria për zotërimet materiale, t’i pengojë nga ndërmarrja e veprimeve të menjëhershme. Rrugës, duke dalë nga Sodoma, gruaja e Lotit pa mbrapa, me sa duket me mall për gjërat që kishte lënë pas dhe si pasojë u shndërrua në një shtyllë kripe.
Duke vazhduar përshkrimin e situatës që do të ekzistojë gjatë pranisë së tij të ardhshme, Jezui u thotë dishepujve: «Atë natë dy veta do të jenë në një shtrat; njëri do të merret dhe tjetri do të lihet. Dy gra do të bluajnë bashkë; njëra do të merret e tjetra do të lihet.»
Marrja, i korrespondon hyrjes së Noes dhe familjes së tij në arkë dhe nxjerrjes së Lotit bashkë me familjen nga Sodoma, me anë të engjëjve. Ajo do të thotë shpëtim. Nga ana tjetër, lënia do të thotë shkatërrim.
Në këtë pikë të bisedës, dishepujt pyesin: «Ku, o Zot?»
«Ku të jetë trupi, atje do të mblidhen shqiponjat»,—përgjigjet Jezui. Ata që ‘merren’ për shpëtim janë ngjashëm shqiponjave që shohin së largu, në kuptimin që mblidhen ku është «trupi». Trupi, i referohet Krishtit të vërtetë gjatë pranisë së tij të padukshme në pushtetin e Mbretërisë dhe banketit frymor që siguron Jehovai. Luka 17:20-37; Zanafilla 19:26.
▪ Në ç’kuptim Mbretëria ishte në mes të farisenjve?
▪ Në ç’mënyrë prania e Krishtit është ngjashëm vetëtimës?
▪ Përse do të shkatërrohen njerëzit për veprimet e tyre, gjatë pranisë së Krishtit?
▪ Ç’kuptim ka të merresh dhe të lihesh?