Kapitulli trembëdhjetë
Një shumicë e madhe përpara fronit të Jehovait
1. (a) Çfarë duhet të provojnë shërbëtorët e Perëndisë të kohëve para krishterimit, si edhe të 144.000-t, para se të marrin shpërblimin e tyre? (b) Çfarë mundësie do të ketë një ‘shumicë e madhe’ që po jeton në këtë kohë?
SHËRBËTORËT besnikë të Perëndisë, që nga Abeli e deri te Gjon Pagëzori, vunë në vend të parë në jetën e tyre kryerjen e vullnetit të Perëndisë. Megjithatë që të gjithë vdiqën, duke pritur ringjalljen për të jetuar në tokë, në botën e re të Perëndisë. Edhe 144.000 personat që do të sundojnë me Krishtin në Mbretërinë qiellore të Perëndisë duhet të vdesin e pastaj të marrin shpërblimin e tyre. Mirëpo, te Zbulesa 7:9 tregohet se në këto ditë të fundit, do të kishte një ‘shumicë të madhe’ nga të gjitha kombet, që nuk do të provonin vdekjen, por do të kishin shpresën për të jetuar përgjithmonë në tokë. A je mes tyre?
Identifikimi i shumicës së madhe
2. Çfarë çoi në një kuptueshmëri të qartë për identitetin e shumicës së madhe të Zbulesës 7:9?
2 Në vitin 1923, shërbëtorët e Jehovait dalluan se «delet» e shëmbëlltyrës së Jezuit, që e gjejmë te Mateu 25:31-46, dhe ‘delet e tjera’ për të cilat ai foli te Gjoni 10:16 janë njerëz që do të kenë mundësinë të jetojnë përgjithmonë në tokë. Në vitin 1931 u kuptua se edhe ata që përshkruheshin tek Ezekieli 9:1-11 si të shënuar në ballë ishin njerëz me shpresë tokësore. Pastaj, në vitin 1935, u mësua se shumica e madhe përbën një pjesë të klasës së deleve të tjera për të cilën foli Jezui. Sot, kjo shumicë e madhe e privilegjuar numëron me miliona njerëz.
3. Përse shprehja «qëndronte përpara fronit» nuk bën fjalë për një klasë qiellore?
3 Te Zbulesa 7:9, shumica e madhe nuk shihet sikur të jetë në qiell. Fakti që ‘qëndrojnë përpara fronit’ të Perëndisë nuk kërkon që ata të jenë në qiell. Ata janë thjesht para syve të Perëndisë. (Psalmi 11:4) Që shumica e madhe, «të cilën askush nuk ishte në gjendje ta numëronte», nuk është klasë qiellore, tregohet duke krahasuar numrin e saj të papërcaktuar me atë që shkruhet te Zbulesa 7:4-8 dhe te Zbulesa 14:1-4. Aty zbulohet se numri i atyre që janë marrë nga toka për në qiell është 144.000.
4. (a) Çfarë është ‘shtrëngimi i madh’ në të cilin shumica e madhe do të mbijetojë? (b) Cilët e vëzhgojnë shumicën e madhe dhe marrin pjesë me të në adhurim, siç thuhet te Zbulesa 7:11, 12?
4 Zbulesa 7:14 thotë për shumicën e madhe: «Këta janë ata që vijnë nga shtrëngimi i madh.» Ata mbijetojnë në trazirën më të keqe që ka pasur ndonjëherë në historinë njerëzore. (Mateu 24:21) Kur me mirënjohje do t’ia japin meritën për shpëtimin Perëndisë dhe Krishtit, atëherë të gjitha krijesat besnike në qiell do të bashkohen me ta duke thënë: «Amin! Bekimi, lavdia, mençuria, dhënia e falënderimeve, nderimi, fuqia dhe forca i qofshin Perëndisë tonë në jetë të jetëve! Amin.»—Zbulesa 7:11, 12.
Të tregojnë se janë të denjë
5. Si mund ta përcaktojmë se çfarë kërkohet për të qenë pjesë e shumicës së madhe?
5 Mbrojtja e shumicës së madhe në shtrëngimin e madh bëhet në harmoni me normat e drejta të Jehovait. Tiparet identifikuese të atyre që do të çlirohen trajtohen me qartësi në Bibël. Në këtë mënyrë, ata që e duan drejtësinë kanë mundësi të veprojnë që tani, për të treguar se janë të denjë për të mbijetuar. Çfarë duhet të bëjnë?
6. Përse shumica e madhe mund të krahasohet në mënyrë të përshtatshme me delet?
6 Delet janë me natyrë të butë dhe të nënshtruara. Prandaj, kur Jezui tha se kishte dele të tjera që nuk ishin të klasës qiellore, kishte ndër mend njerëz që jo vetëm do të dëshironin të jetonin përgjithmonë në tokë, por edhe që do të ishin të nënshtruar ndaj mësimeve të tij. Ai tha: «Delet e mia e dëgjojnë zërin tim dhe unë i njoh e ato më ndjekin.» (Gjoni 10:16, 27 ) Këta janë njerëz që e dëgjojnë vërtet Jezuin dhe bëjnë atë që thotë ai, duke u bërë dishepuj të tij.
7. Çfarë cilësish duhet të zhvillojnë ithtarët e Jezuit?
7 Çfarë cilësish të tjera duhet të zhvillojë secili nga këta ithtarë të Jezuit? Fjala e Perëndisë përgjigjet: «Ju [duhet] të flakni tej personalitetin e vjetër që është në përputhje me mënyrën e mëparshme të sjelljes suaj dhe . . . të vishni personalitetin e ri, i cili u krijua sipas vullnetit të Perëndisë në drejtësi dhe besnikëri të vërtetë.» (Efesianëve 4:22-24) Ata zhvillojnë cilësi që rritin unitetin e shërbëtorëve të Perëndisë. Këto cilësi janë «dashuria, gëzimi, paqja, shpirtgjerësia, mirëdashja, mirësia, besimi, butësia, vetëkontrolli».—Galatasve 5:22, 23.
8. Çfarë do të hasë shumica e madhe duke mbështetur mbetjen?
8 Shumica e madhe mbështet numrin e vogël të atyre me shpresë qiellore, të cilët marrin drejtimin në veprën e predikimit. (Mateu 24:14; 25:40) Delet e tjera e japin këtë mbështetje edhe pse e dinë se do të hasin kundërshtim, pasi në fillimin e këtyre ditëve të fundit Krishti Jezu dhe engjëjt e tij e hodhën Satanain dhe demonët e tij nga qielli. Kjo nënkuptoi ‘mjerim për tokën . . . sepse Djalli zbriti ndër ju, duke pasur zemërim të madh, duke e ditur se ka një periudhë të shkurtër kohe’. (Zbulesa 12:7-12) Kështu, Satanai e intensifikon kundërshtimin ndaj shërbëtorëve të Perëndisë dora-dorës që fundi i këtij sistemi afrohet.
9. Sa të suksesshëm janë shërbëtorët e Perëndisë në predikimin e lajmit të mirë dhe përse?
9 Me gjithë përndjekjen e ashpër, vepra e predikimit vazhdon të përparojë. Nga vetëm disa mijëra predikues të Mbretërisë që ishin në fund të Luftës I Botërore, tani janë bërë me miliona, sepse Jehovai premtoi: «Asnjë armë e sajuar kundër teje nuk do të ketë sukses.» (Isaia 54:17 ) Edhe një anëtar i gjykatës së lartë judaike e pranoi se vepra e Perëndisë nuk mund të mposhtej. Ai u tha farisenjve në shekullin e parë për dishepujt: «Lërini rehat (sepse nëse ky plan ose kjo vepër është nga njerëzit, do të mposhtet; por nëse është nga Perëndia, ju nuk do të jeni në gjendje t’i mposhtni;) përndryshe, ka të ngjarë të gjendeni duke luftuar faktikisht kundër Perëndisë.»—Veprat 5:38, 39.
10. (a) Çfarë nënkupton «shenja» që kanë pjesëtarët e shumicës së madhe? (b) Si i binden ‘zërit nga qielli’ shërbëtorët e Perëndisë?
10 Ata që janë pjesë e shumicës së madhe paraqiten sikur janë shënuar për të mbijetuar. (Ezekieli 9:4-6) «Shenja» është dëshmia se i janë kushtuar Jehovait, janë pagëzuar si dishepuj të Jezuit dhe po përpiqen të kultivojnë një personalitet ngjashëm Krishtit. I binden ‘zërit nga qielli’ që thotë për perandorinë botërore të fesë së rreme që i përket Satanait: «Dilni prej saj, o populli im, nëse nuk doni të merrni pjesë me të në mëkatet e saj dhe nëse nuk doni të merrni nga plagët e saj.»—Zbulesa 18:1-5.
11. Në ç’mënyrë të rëndësishme e tregojnë pjesëtarët e shumicës së madhe se janë shërbëtorë të Jehovait?
11 Gjithashtu, Jezui u tha ithtarëve të tij: «Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri mes jush.» (Gjoni 13:35) Në dallim me këtë, anëtarët e feve të kësaj bote vrasin njëri-tjetrin në luftë, shpesh vetëm sepse u përkasin kombësive të ndryshme. Fjala e Perëndisë thotë: «Nga kjo duken fëmijët e Perëndisë dhe f ëmijët e Djallit: kushdo që nuk praktikon drejtësinë nuk vjen nga Perëndia, dhe as ai që nuk e do vëllanë e tij. . . . Duhet të kemi dashuri për njëri-tjetrin; jo si Kaini që vinte nga i ligu dhe vrau vëllanë e tij.»—1 Gjonit 3:10-12.
12. Çfarë do të bëjë Jehovai në shtrëngimin e madh me ‘pemët’ fetare që japin fryt të pavlefshëm?
12 Jezui tha: «Çdo pemë e mirë prodhon fryt të shkëlqyer, kurse çdo pemë e kalbur prodhon fryt të pavlefshëm; një pemë e mirë nuk mund të japë fryt të pavlefshëm, as një pemë e kalbur nuk mund të prodhojë fryt të shkëlqyer. Çdo pemë që nuk prodhon fryt të shkëlqyer pritet dhe hidhet në zjarr. Vërtet, pra, do t’i njihni ata njerëz prej fryteve të tyre.» (Mateu 7:17-20) Frytet që kanë prodhuar fetë e kësaj bote i identifikojnë ato si «pemë» të kalbura, të cilat do të shkatërrohen së shpejti nga Jehovai në shtrëngimin e madh.—Zbulesa 17:16.
13. Si e tregon shumica e madhe se ‘qëndron përpara fronit’ të Jehovait në unitet?
13 Zbulesa 7:9-15 e tërheq vëmendjen te faktorët që çojnë në mbrojtjen e shumicës së madhe. Aty tregohet se në unitet ata ‘qëndrojnë përpara fronit’ të Jehovait, duke mbështetur sovranitetin e tij universal. I kanë «larë petkat e tyre të gjata dhe i kanë zbardhur në gjakun e Qengjit», veprim që tregon se e pranojnë flijimin mëkatshlyes të Jezuit. (Gjoni 1:29) I janë kushtuar Perëndisë dhe e kanë simbolizuar këtë me pagëzimin në ujë. Prandaj kanë një qëndrim të pastër përpara Perëndisë, qëndrim që përshkruhet nga petkat e gjata të bardha, dhe i bëjnë atij «shërbim të shenjtë ditë e natë». A sheh ndonjë mënyrë se si mund ta vësh jetën më shumë në harmoni me atë që përshkruhet këtu?
Dobitë e tanishme
14. Cilat janë disa dobi të pakrahasueshme që u vijnë që tani shërbëtorëve të Jehovait?
14 Ka të ngjarë t’i kesh vërejtur dobitë e pashoqe që përjetojnë që tani ata të cilët i shërbejnë Jehovait. Për shembull, kur mësove për qëllimet e drejta të Jehovait, e kuptove se ka një shpresë të mrekullueshme për të ardhmen. Pra tani ke një qëllim të vërtetë në jetë: t’i shërbesh Perëndisë së vërtetë me shpresën e gëzueshme të jetës së përhershme në një tokë parajsore. Po, Mbreti Jezu Krisht ‘do ta drejtojë [shumicën e madhe] për te burimet e ujërave të jetës’.—Zbulesa 7:17.
15. Si nxjerrin dobi Dëshmitarët e Jehovait duke iu përmbajtur parimeve biblike për sa u përket çështjeve politike dhe morale?
15 Një nga dobitë e mrekullueshme që ka shumica e madhe është dashuria, uniteti dhe harmonia që gjendet midis shërbëtorëve të Jehovait në mbarë tokën. Duke qenë se të gjithë ushqehemi me të njëjtin ushqim frymor, të gjithë u bindemi të njëjtave ligje dhe parime që gjenden në Fjalën e Perëndisë. Ja përse nuk jemi të përçarë nga ideologjitë politike ose kombëtare. Gjithashtu, mbajmë normat e larta morale që kërkon Perëndia nga populli i tij. (1 Korintasve 6:9-11) Kështu, në vend që të vuajë nga grindjet, përçarja dhe imoraliteti që mbizotëron në botë, populli i Jehovait gëzon atë që mund të quhet parajsë frymore. Vër re se si përshkruhet kjo te Isaia 65:13, 14.
16. Me gjithë problemet që janë të zakonshme në jetë, cilën shpresë kanë pjesëtarët e shumicës së madhe?
16 Kuptohet që shërbëtorët njerëzorë të Jehovait nuk janë të përsosur. Ata preken nga probleme që janë normale për jetën në këtë botë, si vështirësitë e ndryshme që hasin ose mund të bëhen viktima të pafajshme të luftërave të kombeve. Hasin edhe sëmundje, vuajtje dhe vdekje. Por kanë besim se në botën e re, Perëndia «do të thajë çdo lot nga sytë e tyre dhe vdekje nuk do të ketë më, as vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më».—Zbulesa 21:4.
17. Pavarësisht nga ajo që mund të na ndodhë tani, cila e ardhme e mrekullueshme i pret ata që adhurojnë Perëndinë e vërtetë?
17 Edhe sikur të ndodhë që të humbasësh jetën tani për shkak të moshës së shkuar, të sëmundjeve, të një aksidenti ose të përndjekjes, Jehovai do të të ringjallë në jetën në Parajsë. (Veprat 24:15) Atëherë do të vazhdosh të gëzosh gostinë frymore gjatë Mbretërimit mijëvjeçar të Krishtit. Dashuria jote për Perëndinë do të thellohet kur të shohësh se qëllimet e tij do të plotësohen në mënyrë të lavdishme. Gjithashtu, bekimet fizike që do të sigurojë Jehovai në atë kohë, do të ta thellojnë edhe më tej dashurinë për të. (Isaia 25:6-9) Sa e mrekullueshme është e ardhmja që e pret popullin e Perëndisë!
Pyetje për rishikim
• Me cilën ngjarje të jashtëzakonshme e lidh Bibla shumicën e madhe?
• Çfarë duhet të bëjmë tani, nëse me të vërtetë dëshirojmë të përfshihemi në këtë shumicë të madhe që ka pëlqimin hyjnor?
• Sa të rëndësishme janë për ty bekimet që gëzon shumica e madhe tani dhe që do të gëzojë në botën e re të Perëndisë?
[Figura në faqen 123]
Miliona personat që përbëjnë shumicën e madhe e adhurojnë të bashkuar Perëndinë e vërtetë