KAPITULLI 25
A mund të ndryshojnë ata që bëjnë të këqija?
A S’DO të ishte e mrekullueshme sikur të gjithë njerëzit të bënin gjëra të mira? . . . Por, asnjeri nuk bën gjithnjë vetëm gjëra të mira. Përse të gjithë ne bëjmë nganjëherë gjëra të këqija, edhe pse duam të bëjmë të mira, a e di? . . . Sepse të gjithë kemi lindur me mëkat. Por disa njerëz bëjnë shumë gjëra që janë tepër të këqija. Ata i urrejnë njerëzit e tjerë dhe me dashje u shkaktojnë vuajtje të ndryshme. A mund të ndryshojnë ata dhe të mësojnë të bëjnë gjëra të mira, si mendon ti? . . .
Shikoje atë burrin në figurë, që po ruan rrobat e atyre që po i hedhin gurë Stefanit. Emrin hebre e ka Saul, kurse emrin romak Pavël. Ai është i kënaqur që po e vrasin Stefanin, i cili është dishepull i Mësuesit të Madh. Le të shohim përse Sauli bën gjëra të tilla të këqija.
Sauli i përket një grupi fetar jude të quajtur farisenj. Farisenjtë e kanë Fjalën e Perëndisë, por u kushtojnë më shumë vëmendje mësimeve të disa udhëheqësve të tyre fetarë. Prandaj bën gjëra të këqija Sauli.
Sauli është i pranishëm kur Stefanin e arrestojnë në Jerusalem. Stefanin e çojnë në gjyq, ku disa gjykatës janë farisenj. Edhe pse për Stefanin thuhen gjëra të këqija, ai nuk ka frikë. Menjëherë merr guximin të flasë dhe u jep gjykatësve një dëshmi të mirë për Perëndinë Jehova dhe për Jezuin.
Por atyre gjykatësve nuk u pëlqen ajo që dëgjojnë. Ata dinë tashmë shumë gjëra për Jezuin. Në të vërtetë, vetëm pak kohë më parë ata bënë që Jezui të vdiste! Por pas kësaj, Jehovai e mori prapë Jezuin në qiell. Tani, në vend që të ndryshojnë sjelljen e tyre, gjykatësit luftojnë kundër dishepujve të Jezuit.
Gjykatësit e kapin Stefanin dhe e çojnë jashtë qytetit. E qëllojnë fort, aq sa bie përtokë dhe pastaj i gjuajnë me gurë. Siç mund ta shohësh në figurë, Sauli po rri atje duke parë. Ai mendon se është e drejtë që të vritet Stefani.
Përse Sauli mendonte kështu, e di? . . . Gjithë jetën e tij Sauli kishte qenë farise dhe besonte se mësimet e farisenjve ishin të drejta. I shihte ata burra si shembull, prandaj i imitonte.—Veprat 7:54-60.
Çfarë bën Sauli, pasi vrasin Stefanin? . . . Ai bën çmos që t’i vrasë të gjithë dishepujt e Jezuit! U shkon në shtëpi dhe i nxjerr jashtë, burra e gra. Pastaj i çon në burg. Shumë dishepuj detyrohen të ikin nga Jerusalemi, por nuk pushojnë së predikuari për Jezuin.—Veprat 8:1-4.
Kjo e bën Saulin që t’i urrejë edhe më shumë dishepujt e Jezuit. Prandaj, ai shkon te kryeprifti Kajafa dhe merr miratimin e tij për të arrestuar të krishterët në qytetin e Damaskut. Sauli do që t’i sjellë si të burgosur në Jerusalem për t’i ndëshkuar. Por, rrugës për në Damask ndodh një gjë e jashtëzakonshme.
Një dritë ndriçon nga qielli dhe një zë thotë: ‘Saul, Saul, pse po më përndjek?’ Është Jezui që po flet nga qielli! Drita është kaq e fortë, saqë Sauli verbohet dhe njerëzit që ishin me të detyrohen ta shoqërojnë për në Damask.
Tri ditë më vonë, Jezui i del në vegim Ananias, njërit prej dishepujve të tij në Damask. Jezui i thotë Ananias që të shkojë te Sauli, t’i kthejë shikimin dhe t’i flasë. Kur Anania flet me Saulin, ky e pranon të vërtetën për Jezuin. Pastaj i kthehet shikimi. E gjithë jeta e tij ndryshon dhe ai tani bëhet një shërbëtor besnik i Perëndisë.—Veprat 9:1-22.
A e kupton tani përse Sauli bënte të këqija? . . . Vepronte kështu sepse të tjerët i kishin mësuar gjëra të gabuara. Ai ndiqte njerëz që nuk ishin besnikë ndaj Perëndisë. I takonte një grupi njerëzish që u jepnin më shumë rëndësi mendimeve të njerëzve sesa Fjalës së Perëndisë. Por, pse e ndryshon Sauli jetën e tij dhe fillon të veprojë mirë, edhe pse farisenjtë e tjerë vazhdojnë të luftojnë kundër Perëndisë? . . . Sauli ndryshon, sepse në fakt ai nuk e urren të vërtetën. Prandaj kur i thuhet se çfarë është e drejtë, është i gatshëm ta bëjë.
Cili bëhet më vonë Sauli, e di? . . . Po, më vonë njihet si apostulli Pavël, një apostull i Jezuit. Duhet të dish edhe që Pavli shkroi më shumë libra të Biblës se çdo njeri tjetër.
Si Sauli ka edhe shumë njerëz të tjerë që mund të ndryshojnë. Por nuk është e lehtë, sepse dikush po përpiqet shumë që t’i shtyjë njerëzit të bëjnë të këqija. Kush është ky, si thua? . . . Jezui foli për të, kur iu shfaq Saulit rrugës për në Damask. Atje, Jezui i foli nga qielli Saulit dhe i tha: ‘Po të dërgoj t’u hapësh sytë njerëzve, t’i kthesh nga errësira në dritë dhe nga autoriteti i Satanait te Perëndia.’—Veprat 26:17, 18.
Po, Satana Djalli është ai që po përpiqet shumë t’i shtyjë të gjithë të bëjnë të këqija. A e ke të vështirë nganjëherë të bësh gjëra të drejta? . . . Të gjithë e kemi të vështirë. Satanai na e bën të vështirë. Por ka edhe një arsye tjetër pse nuk e kemi gjithnjë të lehtë të bëjmë gjëra të drejta. Cila është kjo arsye? . . . Është se kemi lindur me mëkat.
Ky mëkat shpesh na e bën më të lehtë që të bëjmë gjëra të gabuara sesa të bëjmë gjëra të mira. Prandaj, çfarë duhet të bëjmë? . . . Po, duhet të përpiqemi fort për të bërë atë që është e drejtë. Kur veprojmë kështu, mund të jemi të sigurt se Jezui, i cili na do, do të na ndihmojë.
Kur ishte në tokë, Jezui tregoi se i donte njerëzit që më parë kishin bërë të këqija, por kishin ndryshuar. Ai e dinte se sa e vështirë ishte për ta që të ndryshonin. Për shembull, kishte gra që kishin pasur marrëdhënie seksuale me shumë burra. Sigurisht që kjo është e gabuar. Këto gra Bibla i quan prostituta.
Një herë, një gruaje i pëlqeu ajo që dëgjoi për Jezuin, prandaj shkoi atje ku po rrinte ai, te shtëpia e një fariseu. Ajo hodhi vaj në këmbët e Jezuit dhe i fshiu me flokët e saj lotët që derdhi mbi këmbët e tij. Asaj i vinte shumë keq për mëkatet që kishte bërë, prandaj Jezui e fali. Por farisenjtë nuk mendonin se ajo duhej falur.—Luka 7:36-50.
A e di se çfarë u tha Jezui disa farisenjve? . . . Ai u tha: «Prostitutat po shkojnë përpara jush në mbretërinë e Perëndisë.» (Mateu 21:31) Jezui e tha këtë sepse ato prostituta besuan tek ai dhe e ndryshuan sjelljen e tyre të keqe. Kurse farisenjtë vazhduan t’u bënin gjëra të këqija dishepujve të Jezuit.
Prandaj, kur Bibla tregon se ajo që po bëjmë ne është e keqe, duhet të jemi të gatshëm për të ndryshuar. E kur mësojmë se çfarë do Jehovai që të bëjmë, duhet të dëshirojmë fort ta bëjmë atë. Atëherë Jehovai do të jetë i kënaqur me ne dhe do të na japë jetën e përhershme.
Si një ndihmë që të mos bëjmë gjëra të këqija, le të lexojmë bashkë Psalmin 119:9-11; Proverbat 3:5-7 dhe 12:15.