PJESA 11
Këngë të frymëzuara që na ngushëllojnë e na mësojnë
Davidi dhe të tjerë kompozojnë këngë që do të përdoren në adhurim. Në librin e Psalmeve janë dokumentuar tekstet e 150 këngëve të tilla
LIBRI më i gjatë i Biblës është një përmbledhje këngësh të shenjta. Gjithsej përfshin një periudhë kohore prej 1.000 vjetësh. Libri i Psalmeve përmban disa nga shprehjet më të thella e më prekëse të besimit që janë shkruar ndonjëherë. Aty shpalosen një shumëllojshmëri ndjenjash njerëzore, që nga gëzimi, lëvdimi dhe falënderimi e deri te pikëllimi, trishtimi e pendimi. Duket qartë se psalmistët kishin një marrëdhënie të fortë e të ngushtë me Perëndinë. Shqyrto disa nga temat e trajtuara në këto pjesë lirike.
Jehovai është Sovrani legjitim që meriton adhurimin dhe lëvdimin tonë. Te Psalmi 83:18 lexojmë: «Vetëm ti, që e ke emrin Jehova, je Më i Larti në tërë dheun.» Në disa psalme Jehovai lëvdohet për veprat e krijimit, si qiejt plot yje, mrekullitë e jetës në tokë dhe të trupit njerëzor. (Psalmet 8, 19, 139, 148) Në psalme të tjera i thuret lavdi Jehovait si Perëndia që vepron për të mbrojtur e shpëtuar ata që i qëndrojnë besnikë. (Psalmet 18, 97, 138) Në të tjera akoma ai lartësohet si Perëndia i drejtësisë, që u sjell çlirim të shtypurve dhe ndëshkim të ligjve.—Psalmet 11, 68, 146.
Jehovai ndihmon e ngushëllon ata që e duan. Ndoshta psalmi më i famshëm është Psalmi 23, ku Davidi e përshkruan Jehovain si një Bari të dashur, që u prin deleve të tij, i mbron dhe kujdeset për to. Psalmi 65:2 u kujton adhuruesve të Perëndisë se ai është «Dëgjues i lutjes». Shumë veta që kanë bërë gabime të rënda, janë ngushëlluar nga Psalmet 39 dhe 51, ku Davidi shpreh me fjalë të ndiera pendimin për gabimet e rënda që kishte bërë dhe shfaq besimin te falja e Jehovait. Te Psalmi 55:22 gjejmë nxitjen që t’i besojmë Jehovait dhe t’ia hedhim atij të gjitha barrët tona.
Jehovai do ta ndryshojë botën me anë të Mbretërisë së Mesisë. Disa pjesë të Psalmeve zbatohen drejtpërdrejt për Mesinë, Mbretin e parathënë. Te Psalmi 2 profetizohet se ky Mbret do të shkatërrojë kombet e liga, që e kundërshtojnë. Psalmi 72 zbulon se ky Mbret do t’u japë fund urisë, padrejtësive dhe shtypjes. Sipas Psalmit 46:9, nëpërmjet Mbretërisë së Mesisë, Perëndia do të pushojë luftërat e madje do të shkatërrojë të gjitha armët e luftës. Te Psalmi 37 lexojmë se të ligjtë do të zhduken, kurse të drejtët do të jetojnë përgjithmonë në tokë, në paqe dhe harmoni globale.
—Bazuar në librin e Psalmeve.