KAPITULLI 18
Si ta përballoj stresin në shkollë?
«Kisha kaq shumë stres në shkollë, saqë shpesh më vinte të qaja e të ulërija në të njëjtën kohë.»—Sharoni.
«Stresi në shkollë nuk pakësohet kur rritesh, thjesht ndryshojnë shkaqet.»—Xhejmsi.
A TË duket se prindërit nuk e kuptojnë sa shumë stres ke në shkollë? Ata mund të të thonë se nuk ke ndonjë kredi për të shlyer, një familje për të mbajtur a ndonjë punëdhënës që duhet t’i shkosh pas avazit. Megjithatë, mbase mendon se edhe ti kalon në shkollë po aq stres sa edhe prindërit, në mos më shumë.
Edhe vetë rruga vajtje-ardhje për në shkollë mund të jetë stresuese. «Në autobusin e shkollës shpesh plaste sherri,—thotë Tara që jeton në Shtetet e Bashkuara.—Shoferi ndalonte dhe na zbriste të gjithëve. Kështu, vonoheshim gjysmë ore a më shumë.»
A merr fund stresi kur arrin në shkollë? Vështirë. Ndoshta edhe ti has problemet e mëposhtme.
● Stresi nga mësuesit.
«Mësuesit duan që të jem ‘as’ dhe të marr nota të larta. Ndihem nën presion që t’u pëlqej atyre.»—Sandra.
«Mësuesit i nxitin nxënësit të shkëlqejnë në mësime, sidomos nëse nxënësi ka ndonjë prirje.»—Aprila.
«Edhe po të kesh synime që ia vlejnë në jetë, ca mësues të bëjnë të ndihesh sikur je fundërrinë nëse nuk ndjek ato synime arsimimi që duhet të ndjekësh sipas tyre.»a—Naomi.
Si ndikon te ti stresi nga mësuesit?
․․․․․
● Stresi nga moshatarët.
«Në shkollë të mesme, nxënësit kanë më shumë liri e janë më rebelë. Në rast se nuk bashkohesh me grupin, nuk ta varin.»—Kevini.
«Përditë has tundime për të pirë alkool e për të bërë seks. Nganjëherë e kam të vështirë t’i rezistoj dëshirës që të bëj si të tjerët.»—Arjoni.
«Tani që jam 12 vjeçe, ajo që më streson më shumë, është presioni për t’u lidhur me dikë. Të gjithë në shkollë më thonë: ‘Hë, kur do të gjesh edhe ti ndonjë?’»—Aleksandra.
«Më bënin presion të dilja me një djalë. Kur nuk pranova, më vunë vulën si lezbike. Dhe imagjino që kjo ndodhi kur isha vetëm dhjetë vjeçe.»—Krista.
Si ndikon te ti stresi nga moshatarët?
․․․․․
● Shkaqe të tjera stresi. Vër një shenjë ✔ te shkaku që ndikon më shumë te ti ose shkruaj ndonjë shkak tjetër.
□ Provimet
□ Detyrat e shtëpisë
□ Kërkesat e larta të prindërve
□ Kërkesat e larta që ke ndaj vetes
□ Të bien në qafë ose të ngacmojnë seksualisht
□ Tjetër ․․․․․
Katër hapa për të pakësuar stresin
Për të qenë realistë, s’mund të presësh që vitet e shkollës t’i kalosh pa pikë stresi. Dihet, stresi i tepërt është shtypës. Mbreti i mençur Solomon shkroi: «Shtypja mund ta bëjë të mençurin të veprojë çmendurisht.» (Eklisiastiu 7:7) Por nuk duhet ta lësh stresin të të çojë deri në këtë pikë. Çelësi është të mësosh ta mbash nën kontroll.
Përballimi i stresit është si ngritja e peshave. Që t’ia dalë mbanë, një peshëngritës duhet të parapërgatitet siç duhet. Ai nuk ngre pesha tepër të rënda për të dhe i ngre në mënyrën e duhur. Nëse ai ndjek këta hapa, forcon muskujt pa e dëmtuar trupin. Nga ana tjetër, në qoftë se nuk vepron kështu, ai mund të këputë mish ose të thyejë ndonjë kockë.
Edhe ti mund t’i përballosh streset që has dhe t’i kryesh detyrat që duhet të bësh pa e dëmtuar veten. Si? Ndiq hapat e mëposhtëm:
1. Përcakto shkaqet e stresit. «Mendjehollë është ai që e sheh të keqen dhe fshihet»,—thotë një proverb i mençur. (Proverbat 22:3) Por nuk mund t’i fshihesh stresit shtypës nëse nuk përcakton më parë shkakun e tij. Prandaj, hidhi edhe një sy shkakut ku vure shenjën ✔ në faqen e mëparshme. Cili nga shkaqet ndikon më shumë te ti këto kohë?
2. Bëj kërkime. Për shembull, nëse ke një mal me detyra shtëpie që të stresojnë, shih sugjerimet në kapitullin 13 të vëllimit 2. Në rast se ndihesh nën presion për të kryer imoralitet me ndonjë nga klasa, do të gjesh këshilla praktike në kapitujt 2, 5 dhe 15 të atij vëllimi.
3. Mos i zvarrit gjërat. S’para ndodh që problemet të zhduken duke i shpërfillur. Përkundrazi, zakonisht rëndohen, e kështu të shtojnë stresin. Kur të kesh vendosur si ta zgjidhësh një problem që të streson, mos e zvarrit. Vepro menjëherë. Për shembull, nëse je Dëshmitar i Jehovait dhe po përpiqesh të jetosh sipas normave morale të Biblës, bëjua të ditur të tjerëve sa më shpejt të jetë e mundur. Kjo mund të të pakësojë stresin. Marsha, që tani është 20 vjeçe, thotë: «Me të filluar viti i ri shkollor, hapja bisedë rreth ndonjë teme që e dija se do të më jepte mundësi të shpjegoja normat e mia të bazuara në Bibël. Pashë që, sa më shumë e shtyja për t’u identifikuar si Dëshmitare, aq më të vështirë e kisha. Ishte vërtet një ndihmë kur ua thosha që në fillim bindjet e mia dhe pastaj jetoja sipas tyre gjatë gjithë vitit.»
4. Kërko ndihmë. Edhe peshëngritësi më i fortë ka kufizimet e veta. Po kështu edhe ti. Por nuk ke pse e mban vetëm barrën. (Galatasve 6:2) Përse të mos bisedosh me prindërit ose me një bashkëbesimtar tjetër të pjekur? Tregoju përgjigjet që shkrove më sipër në këtë kapitull. Kërkoju sugjerime.
Stres i mirë
Mbase e ke të vështirë ta besosh, por fakti që ke njëfarë stresi është gjë e mirë. Pse? Tregon se je syçelë dhe se ndërgjegjja jote nuk po fle. Vër re si e përshkruan Bibla njeriun që dukej se nuk kishte kurrfarë stresi: «Deri kur do të rrish shtrirë, o përtac? Kur do të çohesh nga gjumi? Fli edhe pak, dremit edhe pak, rri edhe pak me duart kryq për të pushuar, dhe varfëria jote ka për të ardhur si një kusar bredhacak dhe skamja jote si një njeri i armatosur.»—Proverbat 6:9-11.
Hajdi 16-vjeçare e thotë bukur me dy fjalë: «Shkolla mund të duket një vend i tmerrshëm, por presionet që ke atje, janë po ato që do të kesh kur të hysh në punë.» Vërtet, nuk është e lehtë ta përballosh stresin. Gjithsesi, po ta bësh këtë siç duhet, nuk do të të dëmtojë. Përkundrazi, mund të të bëjë njeri më të fortë.
A do të merrnin fund problemet e tua po ta lije shkollën?
[Shënimi]
a Për më shumë informacion, shih kapitullin 20 të këtij libri.
SHKRIMI KYÇ
«Hidhni gjithë ankthin tuaj mbi [Perëndinë], sepse ai interesohet për ju.»—1 Pjetrit 5:7.
KËSHILLË
Ndaji në dy kategori problemet që të shkaktojnë stres. Në të parën shëno ato probleme që mund t’i zgjidhësh dhe në të dytën ato probleme për të cilat s’ke çfarë bën. Në fillim, merru me problemet që mund t’i zgjidhësh. Pastaj, kur të gjitha këto t’i kesh zgjidhur, nëse vjen ndonjëherë ajo ditë, do të kesh mjaft kohë të vrasësh mendjen për problemet që s’mund t’i zgjidhësh.
A E DIJE . . . ?
Fjetja mjaftueshëm çdo natë, të paktën tetë orë, jo vetëm të ndihmon të përballosh stresin, por edhe të forcon kujtesën.
HAPAT QË DUA TË BËJ . . .
Që ta përballoj më mirë stresin, kam vendosur që, kur të jetë e mundur, të shkoj në shtrat në orën ․․․․․
Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․
ÇFARË MENDON?
● Pse mania për përsosmëri vetëm sa e shton stresin?
● Me kë mund të flasësh nëse je tepër i stresuar?
[Diçitura në faqen 132]
«Çdo ditë, babi lutej me mua para se të më çonte në shkollë. Kjo gjithnjë më jepte siguri.»—Liza
[Figura në faqen 131]
Po t’i ngresh peshat në mënyrën e duhur, forcohesh fizikisht. Po kështu, po ta përballosh stresin në mënyrën e duhur, forcohesh emocionalisht