MËSIMI 6
Davidi nuk kishte frikë
Çfarë bën ti kur ke frikë? . . . Ndoshta shkon me vrap për ndihmë te mami e babi. Por është edhe dikush tjetër që mund të të ndihmojë. Ai është më i fortë se të gjithë. A e di kush është? . . . Po, është Jehovai. Të flasim pak për një djalë në Bibël me emrin David. Ai e dinte se Jehovai do ta ndihmonte gjithmonë, prandaj nuk kishte frikë.
Që kur ishte bebe, prindërit e mësuan Davidin ta donte Jehovain. Kjo e ndihmoi të mos kishte frikë, edhe kur i ndodhën disa gjëra të frikshme. E dinte se Jehovai ishte Miku i tij dhe se Ai do ta ndihmonte. Një herë, kur Davidi po kujdesej për ca dele, erdhi një luan i madh dhe rrëmbeu një prej tyre. A e di çfarë bëri Davidi? E ndoqi luanin dhe, me sa duket, e vrau me duart e veta. Më vonë, kur një ari iu vërsul deleve, Davidi e vrau edhe atë. Si mendon, kush e ndihmoi Davidin? . . . E gjete, ishte Jehovai.
Në një rast tjetër, Davidi u tregua edhe më trim. Izraelitët po luftonin kundër popullit filistin. Një nga ushtarët filistinë ishte shumë, shumë i gjatë, gjigant. E kishte emrin Goliad. Ky tallej me ushtarët izraelitë dhe me Jehovain. Duke u hequr si i fortë, ai u thoshte ushtarëve izraelitë që të shkonin e të luftonin kundër tij. Por, të gjithë izraelitët kishin shumë frikë. Kur Davidi mori vesh për këtë, i tha Goliadit: ‘Do të luftoj unë me ty! Jehovai do të më ndihmojë dhe unë do të fitoj!’ A mendon se ishte trim Davidi? . . . Po, ishte shumë trim. A do të dish çfarë ndodhi më pas?
Davidi mori hobenë e tij me pesë gurë të lëmuar dhe shkoi të luftonte me gjigantin. Kur Goliadi pa sa i vogël ishte Davidi, u tall me të. Por Davidi i tha: ‘Ti po vjen me shpatë në dorë, kurse unë po vij në emër të Jehovait.’ Pastaj vuri një gur në hobe, vrapoi drejt Goliadit dhe e gjuajti drejt tij. Guri e goditi Goliadin mu në ballë. Gjiganti u përplas përtokë i vdekur. Filistinët u frikësuan aq shumë sa ia mbathën të gjithë. Si arriti një djalosh si Davidi të mundte një gjigant? . . . Jehovai e ndihmoi, dhe Jehovai ishte shumë më i fortë se ai gjigant.
Çfarë mëson nga tregimi për Davidin? . . . Jehovai është më i fortë se të gjithë. Për më tepër, ai është edhe Miku yt. Prandaj, herën tjetër kur të kesh frikë, mos harro se Jehovai mund të të ndihmojë të bëhesh trim.