KAPITULLI 1
Të organizuar për të bërë vullnetin e Jehovait
NË GJITHË botën ka një mori organizatash fetare, politike, tregtare dhe shoqërore, të cilat kanë karakteristika, qëllime, pikëpamje dhe filozofi të ndryshme. Por ka një organizatë që është krejt ndryshe nga gjithë të tjerat. Fjala e Perëndisë e identifikon qartësisht atë si Dëshmitarët e Jehovait.
2 Sa bukur që je bashkuar me organizatën e Jehovait! Pasi e ke vërtetuar cili është vullneti i Perëndisë, tani po e bën vullnetin e tij. (Psal. 143:10; Rom. 12:2) Po i shërben aktivisht Perëndisë bashkë me një vëllazëri të dashur mbarëbotërore. (2 Kor. 6:4; 1 Pjet. 2:17; 5:9) Siç premton Fjala e Perëndisë, kjo të sjell shumë bekime e lumturi. (Prov. 10:22; Mar. 10:30) Duke bërë me besnikëri vullnetin e Jehovait që tani, po përgatitesh për një të ardhme të përhershme e të lavdishme.—1 Tim. 6:18, 19; 1 Gjon. 2:17.
3 Krijuesi ynë i Madh ka një organizatë unike mbarëbotërore që drejtohet në mënyrë teokratike. Kjo do të thotë se drejtohet nga Jehovai, i cili është Kreu i gjithçkaje. Tek ai kemi siguri të plotë. Ai është Gjykatësi, Ligjdhënësi dhe Mbreti ynë. (Isa. 33:22) Meqë është Perëndi i rregullit, i ka koordinuar gjërat në mënyrë që të bashkëpunojmë me të për qëllimin e tij.—2 Kor. 6:1, 2.
4 Ndërsa fundi i sistemit të tanishëm afrohet gjithnjë e më tepër, ne ecim përpara nën udhëheqjen e Mbretit të emëruar, Krishtit Jezu. (Isa. 55:4; Zbul. 6:2; 11:15) Vetë Jezui paratha se dishepujt e tij do të bënin vepra më të mëdha se ato që kreu ai gjatë shërbimit në tokë. (Gjoni 14:12) Kjo sepse dishepujt e Jezuit do të mbulonin një territor gjithnjë e më të madh, pasi do të predikonin për një kohë më të gjatë dhe do të ishin më të shumtë në numër. Do ta shpallnin lajmin e mirë për Mbretërinë deri në skajet e tokës.—Mat. 24:14; 28:19, 20; Vep. 1:8.
5 Kjo ka ndodhur tashmë. Megjithatë, siç e tha qartë Jezui, vepra e shpalljes së lajmit të mirë do të përfundojë në kohën që ka caktuar Jehovai. Të gjitha dëshmitë në Fjalën profetike të Perëndisë tregojnë se dita e madhe dhe e frikshme e Jehovait është afruar.—Joe. 2:31; Sof. 1:14-18; 2:2, 3; 1 Pjet. 4:7.
Duhet t’i shtojmë përpjekjet për të bërë atë që kërkon Perëndia nga ne. Për këtë, duhet të njohim mirë mënyrën si funksionon organizata e Perëndisë
6 Ndërsa kuptojmë cili është vullneti i Jehovait në këtë orë të fundit të sistemit, duhet t’i shtojmë përpjekjet për të bërë atë që kërkon Perëndia. Për këtë, duhet të njohim mirë mënyrën si funksionon organizata e Perëndisë dhe të bashkëpunojmë plotësisht me të. Funksionimi i organizatës bazohet në Fjalën e frymëzuar të Perëndisë, ku përfshihen parimet, urdhërimet, ligjet, rregullat dhe mësimet e saj.—Psal. 19:7-9.
7 Kur shërbëtorët e Jehovait i binden plotësisht këtij drejtimi të bazuar në Bibël, jetojnë e bashkëpunojnë në paqe dhe unitet. (Psal. 133:1; Isa. 60:17; Rom. 14:19) Çfarë i forcon lidhjet mes vëllezërve tanë anembanë botës? Dashuria. Ne motivohemi nga dashuria dhe vishemi me dashuri. (Gjoni 13:34, 35; Kolos. 3:14) Në këtë mënyrë që i pëlqen Perëndisë, ecim në një hap me pjesën qiellore të organizatës së tij.
PJESA QIELLORE E ORGANIZATËS SË JEHOVAIT
8 Profetët Isaia, Ezekiel dhe Daniel panë vegime të pjesës qiellore të organizatës së Jehovait. (Isa., kap. 6; Ezek., kap. 1; Dan. 7:9, 10) Edhe apostullit Gjon iu tregua në një vegim si ishin organizuar gjërat në qiell, dhe në librin e Zbulesës na dha një pamje të pjesshme të tyre. Gjoni pa Jehovain në një fron të lavdishëm, të shoqëruar nga krijesa engjëllore që shpallin: «I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Perëndia Jehova, i Plotfuqishmi, i cili ishte, është dhe po vjen.» (Zbul. 4:8) Ai pa edhe ‘një qengj që qëndronte afër fronit’, Qengjin e Perëndisë, Jezu Krishtin.—Zbul. 5:6, 13, 14; Gjoni 1:29.
9 Ky vegim i Jehovait ulur në fron tregon se ai është Kreu i kësaj organizate. Ja çfarë thuhet te 1 Kronikave 29:11, 12 për të dhe për pozitën e tij të lartë: «Të tuat, o Jehova, janë madhështia, fuqia, bukuria, shkëlqimi dhe lavdia, sepse çdo gjë në qiej dhe në tokë është jotja. Jotja është mbretëria, o Jehova. Ti lartësohesh si krye mbi gjithçka. Pasuritë dhe lavdia vijnë falë teje; ti je Sovran mbi çdo gjë. Në dorën tënde është fuqia dhe pushteti, me dorën tënde e bën dikë të madh dhe u jep forcë të gjithëve.»
10 Si bashkëpunëtor i Jehovait, Jezu Krishti ka një pozitë të lartë në qiej, dhe i është dhënë shumë autoritet. Faktikisht, Perëndia «nënshtroi çdo gjë nën këmbët e tij dhe e bëri atë krye mbi gjithçka në kongregacion». (Efes. 1:22) Apostulli Pavël tha për Jezuin: «Perëndia e ngriti në një pozitë më të lartë e me zemërmirësi i dha emrin që është mbi çdo emër, në mënyrë që, në emër të Jezuit, të gjunjëzohet kushdo—ata në qiell, ata mbi tokë e ata nën tokë—dhe çdo gjuhë të pranojë hapur se Jezu Krishti është Zotëri në lavdi të Perëndisë, Atit.» (Filip. 2:9-11) Prandaj mund të kemi siguri të plotë tek udhëheqja e drejtë e Jezu Krishtit.
11 Profeti Daniel pa në vegim të Lashtin e Ditëve, të ulur në fronin e Tij qiellor, dhe engjëjt, «një mijë mijëra [që] i shërbenin dhe dhjetë mijë herë dhjetë mijë [që] qëndronin përpara tij». (Dan. 7:10) Për këtë ushtri me engjëj, Bibla thotë se janë «krijesa qiellore që kryejnë shërbim të shenjtë, të dërguar për t’u shërbyer atyre që do të trashëgojnë shpëtimin». (Hebr. 1:14) Të gjitha këto krijesa të padukshme janë organizuar në «frone, sundime, qeveri [dhe] autoritete».—Kolos. 1:16.
12 Kur lëmë kohë për të medituar rreth këtyre aspekteve të pjesës qiellore të organizatës së Jehovait, mund ta kuptojmë reagimin e Isaisë kur në një vegim ‘pa Jehovain të ulur në një fron të lartë e të madhërishëm’ dhe «mbi të qëndronin serafinë». Ai tha: «I mjeri unë! Tani mora fund, sepse jam njeri me buzë të papastra dhe banoj mes një populli me buzë të papastra; sepse sytë e mi panë Mbretin, vetë Jehovain e ushtrive!» Po, kur kuptoi sa e madhe është organizata e Jehovait, Isaia u mrekullua dhe u ndie i papërfillshëm. Kjo ngjarje ndikoi kaq thellë tek ai, saqë, kur u bë një thirrje nga qielli për një vepër të veçantë që të shpalleshin gjykimet e Jehovait, Isaia tha: «Ja ku jam! Më dërgo mua!»—Isa. 6:1-5, 8.
13 Kuptueshmëria për organizatën e Jehovait dhe çmueshmëria për të, e motivojnë popullin e Tij njësoj si Isainë. Ndërkohë që organizata ecën përpara, ne përpiqemi fort të ecim në një hap me të. Gjithashtu bëjmë çmos ta tregojmë me vepra besimin që kemi te kjo organizatë.
ORGANIZATA E JEHOVAIT NË LËVIZJE
14 Në kapitullin e parë të profecisë së Ezekielit, Jehovai paraqitet sikur nget një karrocë qiellore gjigante. Kjo karrocë vezulluese përfaqëson pjesën e padukshme të organizatës së Jehovait. Ai e nget këtë karrocë në kuptimin që me dashamirësi e drejton dhe e përdor sipas qëllimit të tij.—Psal. 103:20.
15 Në këtë karrocë, secila nga rrotat ka të futur në mes të saj një rrotë tjetër me të njëjtin diametër dhe, atje ku këto takohen, formojnë kënde të drejta. Ja pse vetëm kështu mund të thuhet për rrotat se ‘shkojnë në cilindo nga të katër drejtimet’. (Ezek. 1:17) Ato mund ta ndryshojnë në çast drejtimin. Megjithatë, kjo karrocë nuk është lënë pa kontroll ose pa mbikëqyrje. Jehovai nuk e lë organizatën e tij të shkojë në çfarëdo drejtimi ku mund të priret. Tek Ezekieli 1:20 thuhet se ato «shkonin ku t’i drejtonte fryma». Pra, është Jehovai që, me anë të frymës së tij, e drejton organizatën të shkojë kudo që të dëshirojë. Duhet të pyesim veten: «A po eci në një hap me organizatën?»
16 Të ecim në një hap me organizatën e Jehovait, nuk nënkupton vetëm të ndjekim mbledhjet dhe të marrim pjesë në shërbim. Kryesisht, ecja në një hap me të, ka të bëjë me përparimin tonë dhe me forcimin e miqësisë me Perëndinë. Ne ‘sigurohemi për gjërat më të rëndësishme’ dhe qëndrojmë të përditësuar me ushqimin që jep skllavi. (Filip. 1:10; 4:8, 9; Gjoni 17:3) Gjithashtu s’duhet të harrojmë se aty ku ka organizim, ka koordinim dhe bashkëpunim të mirë. Prandaj duhet të kuptojmë se është tejet e rëndësishme t’i përdorim sa më mirë të mirat materiale dhe çdo gjë që na ka besuar Perëndia për të kryer veprën e Tij. Ndërsa ecim në një hap me karrocën qiellore të Jehovait, jetojmë në përputhje me mesazhin që shpallim.
17 Me ndihmën e organizatës së Jehovait, po ecim përpara duke bërë vullnetin e tij. Të mos harrojmë se Ai që e drejton këtë karrocë qiellore, është vetë Jehovai. Prandaj, nëse ecim në një hap me karrocën e tij, tregojmë se kemi respekt për Jehovain dhe siguri te Shkëmbi ynë. (Psal. 18:31) Bibla premton: «Jehovai do t’i japë forcë popullit të tij. Jehovai do ta bekojë popullin e tij me paqe.» (Psal. 29:11) Sot, duke qenë pjesë e organizatës së Jehovait, marrim forcë nga ai dhe gëzojmë paqen me të cilën bekon popullin e tij të organizuar. Po, s’ka asnjë dyshim se do të vazhdojmë të kemi bekime të shumta, ndërsa bëjmë vullnetin e Jehovait tani e përgjithmonë.