MËSIMI 38
Jehovai e bëri Samsonin të fortë
Shumë izraelitë iu kthyen përsëri adhurimit të idhujve, prandaj Jehovai lejoi që filistinët ta shtinin në dorë Izraelin. Por kishte edhe disa izraelitë që e donin Jehovain. Një prej tyre ishte Manoahu. Ai dhe gruaja e tij nuk kishin fëmijë. Një ditë Jehovai dërgoi një engjëll te gruaja e Manoahut. Engjëlli i tha: «Ti do të lindësh një djalë, i cili do të shpëtojë Izraelin nga filistinët. Ai do të jetë nazire.» A e di çfarë ishin nazirejtë? Ishin shërbëtorë të veçantë të Jehovait. Nazirejve nuk u lejohej të prisnin flokët.
Pas disa kohësh, djali i Manoahut lindi dhe e quajtën Samson. Kur u rrit, Jehovai e bëri shumë të fortë. Samsoni mund të vriste një luan vetëm me duar. Në një rast, Samsoni vrau i vetëm 30 filistinë. Filistinët e urrenin dhe po kërkonin mënyra për ta vrarë. Një natë, kur Samsoni ishte duke fjetur në Gazë, ata shkuan te porta e qytetit dhe pritën atje që ta vritnin në mëngjes. Por Samsoni u ngrit në mes të natës, shkoi te porta e qytetit dhe e shkuli nga muri. Ai e mbajti portën mbi shpatulla gjatë gjithë rrugës deri në majën e një mali afër Hebronit.
Më pas, filistinët shkuan te Delila, e dashura e Samsonit, dhe i thanë: «Do të të japim 5.500 monedha argjendi nëse zbulon pse është kaq i fortë Samsoni. Duam ta kapim dhe ta futim në burg.» Delila ra dakord ngaqë donte t’i kishte ato para. Në fillim, Samsoni nuk pranoi t’ia thoshte pse ishte kaq i fortë. Por ajo nuk e linte rehat, derisa ai u dorëzua dhe ia zbuloi sekretin. «Nuk i kam prerë kurrë flokët, sepse jam nazire,—i tha.—Nëse i pres, e humbas fuqinë.» Samsoni bëri shumë gabim që ia tha, apo jo?
Delila u tha menjëherë filistinëve: «E gjeta sekretin!» Ajo e vuri Samsonin të flinte në prehrin e saj dhe i tha dikujt që t’i priste flokët. Delila bërtiti: «Samson kanë ardhur filistinët!» Samsoni u zgjua, por fuqia i kishte ikur. Filistinët e kapën, e verbuan dhe e futën në burg.
Një ditë, mijëra filistinë u mblodhën në tempullin e perëndisë së tyre Dagon, e bërtisnin: «Perëndia ynë na e dha në dorë Samsonin! Silleni këtu që të tallemi pak me të.» E vunë në mes të dy kolonave dhe filluan të talleshin me të. Samsoni thirri: «O Jehova, të lutem, më jep forcë edhe një herë.» Tashmë, flokët i ishin rritur prapë. Ai i shtyu kolonat e tempullit me sa fuqi kishte. E gjithë ndërtesa u shemb dhe vrau tërë njerëzit që ishin në tempull. Vdiq edhe vetë Samsoni.
«Për çdo gjë kam forcë falë atij që më jep fuqi.»—Filipianëve 4:13