MËSIMI 59
Katër djem që iu bindën Jehovait
Kur Nabukodonosori mori princat e Judës në Babiloni, vuri si mbikëqyrës të tyre një zyrtar oborri të quajtur Ashpenaz. Nabukodonosori i tha Ashpenazit që mes tyre të gjente djemtë më të shëndetshëm dhe më të zgjuar. Do t’i trajnonin për tre vjet. Trajnimi do t’i përgatiste për t’u bërë zyrtarë të rëndësishëm në Babiloni. Djemtë duhej të mësonin të lexonin, të shkruanin dhe të flitnin gjuhën e Babilonisë që quhej akadiane. Gjithashtu duhej të hanin të njëjtin ushqim që hante mbreti dhe oborri mbretëror. Mes tyre ishin Danieli, Hananiahu, Mishaeli dhe Azariahu. Ashpenazi u vuri emra të rinj babilonas: Belteshazar, Shadrak, Meshak dhe Abednego. A do t’i pengonte ky arsimim që të mos i shërbenin më Jehovait?
Këta katër djem ishin të vendosur t’i bindeshin Jehovait. E dinin se nuk duhej të hanin nga ushqimi i mbretit, ngaqë Ligji i Jehovait e ndalonte të hanin disa kafshë. Prandaj i thanë Ashpenazit: «Të lutemi, mos na detyro të hamë nga ushqimi i mbretit.» Ashpenazi ua ktheu: «Nëse nuk e hani dhe mbretit i dukeni të sëmurë, ai do të më vrasë!»
Danieli kishte një ide dhe i tha rojtarit të tyre: «Të lutem, na jep vetëm perime dhe ujë për dhjetë ditë. Pastaj na krahaso me djemtë që hanë nga ushqimi i mbretit.» Rojtari pranoi.
Pas provës dhjetëditore, Danieli dhe tre shokët e tij dukeshin më të shëndetshëm se gjithë djemtë e tjerë. Jehovai ishte i kënaqur që iu bindën. Madje, Ai i dha Danielit mençuri për të kuptuar vegimet dhe ëndrrat.
Kur trajnimi mbaroi, Ashpenazi i çoi djemtë te Nabukodonosori. Mbreti foli me ta dhe pa se Danieli, Hananiahu, Mishaeli dhe Azariahu ishin më inteligjentë dhe më të shkathët se gjithë djemtë e tjerë. Ai zgjodhi këta të katër që të punonin në oborrin e tij mbretëror. Mbreti do t’u kërkonte shpesh këshilla për çështje të rëndësishme. Jehovai i bëri më të mençur se gjithë burrat e mençur të mbretit dhe magjistarët.
Edhe pse në një vend të huaj, Danieli, Hananiahu, Mishaeli dhe Azariahu nuk e harruan se ishin shërbëtorë të Jehovait. A do ta kujtosh gjithmonë Jehovain edhe kur prindërit nuk janë me ty?
«Askush të mos e përçmojë rininë tënde. Përkundrazi, bëhu shembull për të besueshmit në të folur, në sjellje, në dashuri, në besim dhe në dëlirësi.»—1 Timoteut 4:12