MËSIMI 67
Muret e Jerusalemit
Tani le të kthehemi disa vite pas. Nehemia, një shërbëtor i mbretit Artakserks, ishte një izraelit që jetonte në qytetin pers të Shushanit. Vëllai i Nehemisë erdhi nga Juda me lajme të këqija: ‘Njerëzit që janë kthyer në Jerusalem janë në rrezik. Muret dhe portat që babilonasit shkatërruan, nuk janë rindërtuar fare.’ Nehemia u mërzit. Ai donte të shkonte në Jerusalem që të ndihmonte popullin, prandaj iu lut Perëndisë që mbreti ta linte të shkonte.
Një ditë, mbreti vuri re se Nehemia dukej i trishtuar. Ai i tha: ‘S’të kam parë kurrë kështu. Çfarë ke?’ Nehemia iu përgjigj: ‘Si të mos jem i trishtuar kur qyteti im, Jerusalemi, është i shkatërruar?’ Mbreti e pyeti: ‘Çfarë do që të bëj për ty?’ Menjëherë Nehemia u lut në heshtje. Pastaj i tha: ‘Të lutem, më lër të shkoj në Jerusalem e të rindërtoj muret.’ Mbreti Artakserks i tha Nehemisë se mund të shkonte dhe mori masa që të mos i ndodhte gjë në udhëtimin e gjatë. Gjithashtu mbreti e bëri Neheminë guvernator të Judës dhe i dha drurë për të ndërtuar portat e qytetit.
Kur Nehemia arriti në Jerusalem, vëzhgoi muret e qytetit. Pastaj mblodhi priftërinjtë dhe zyrtarët e u tha: ‘Situata është si mos më keq. Duhet t’i futemi punës.’ Populli ra dakord dhe filloi të rindërtonte muret.
Por disa armiq të izraelitëve i përqeshnin dhe thoshin: ‘Edhe një dhelpër mund ta shembë murin që po ndërtoni!’ Punëtorët nuk ua vinin veshin talljeve dhe vazhdonin punën. Muri sa vinte ngrihej më shumë e ishte më i fortë.
Armiqtë vendosën të sulmonin papritur Jerusalemin nga drejtime të ndryshme. Kur judenjtë dëgjuan për planin, u frikësuan. Por Nehemia u tha: ‘Mos kini frikë. Jehovai është me ne.’ Ai vuri roje që të mbronin punëtorët, kështu që armiqtë nuk arritën të sulmonin.
Muret dhe portat përfunduan për vetëm 52 ditë. Nehemia mblodhi në Jerusalem gjithë levitët për të festuar përfundimin e punimeve. Ai i organizoi në dy grupe këngëtarësh. Pasi u ngjitën në mur, ata marshuan në drejtime të kundërta përreth qytetit. U ranë trumbetave, cimbaleve, harpave dhe i kënduan Jehovait. Ezdra shkoi me njërin grup, kurse Nehemia me tjetrin, derisa u takuan në tempull. I gjithë populli—burra, gra dhe fëmijë—i bënë flijime Jehovait dhe festuan. Tingujt e zërave të gëzuar mund të dëgjoheshin nga shumë larg.
«Asnjë armë e sajuar kundër teje nuk do të ketë sukses.»—Isaia 54:17