MËSIMI 49
Si të kesh një familje të lumtur?—Pjesa 1
Dy të sapomartuar shpresojnë që lumturia që provuan ditën e dasmës, të zgjatë përgjithmonë. Dhe kjo është e mundur. Çiftet e martuara prej kohësh, që adhurojnë Jehovain dhe bëjnë çmos të zbatojnë këshillat e Biblës, e dinë mirë këtë.
1. Çfarë këshille u jep Bibla burrave?
Jehovai ka caktuar burrin si kreun e familjes. (Lexo Efesianëve 5:23.) Ndaj pret që ai të marrë vendime për të mirën e saj. Bibla u jep këtë këshillë burrave: «Vazhdoni t’i doni gratë tuaja.» (Efesianëve 5:25) Çfarë do të thotë kjo? Një burrë i dashur e trajton gruan me përzemërsi, qoftë kur janë vetëm, qoftë kur janë me të tjerë. Ai e mbron atë dhe bën të pamundurën të kujdeset për nevojat e saj fizike dhe emocionale. (1 Timoteut 5:8) Ç’është më e rëndësishmja, kujdeset që ajo të ketë një miqësi të fortë me Jehovain. (Mateu 4:4) Për shembull, ai lutet dhe lexon Biblën me bashkëshorten. Kur një burrë kujdeset me dashuri për të shoqen, ruan miqësinë me Jehovain.—Lexo 1 Pjetrit 3:7.
2. Çfarë këshille u jep Bibla grave?
Fjala e Perëndisë thotë se gruaja «duhet të ketë respekt të thellë për burrin». (Efesianëve 5:33) Si mund ta tregojë këtë? Ajo tregon se ka respekt për burrin kur mendon për cilësitë e tij të mira dhe për përpjekjet që ai bën për t’u kujdesur për të dhe fëmijët. Gjithashtu, edhe nëse burri nuk e adhuron Jehovain, gruaja tregon respekt duke e mbështetur në vendimet që ai merr dhe duke i folur me përzemërsi. Përveç kësaj, flet mirë për të para të tjerëve.
3. Si mund ta forcojë një çift martesën?
Bibla thotë se, kur një burrë e një grua martohen, «të dy do të jenë një mish i vetëm». (Mateu 19:5) Kjo do të thotë se nuk duhet të lejojnë asgjë t’i ndajë nga njëri-tjetri. Prandaj duhet të kalojnë kohë rregullisht së bashku dhe të flasin hapur e me përzemërsi për mendimet e ndjenjat e tyre. Ata nuk lejojnë asgjë dhe askënd—përveç Jehovait—të bëhet më i rëndësishëm se burri a gruaja. Ja pse bëjnë shumë kujdes që të mos zhvillojnë lidhje të papërshtatshme me dikë tjetër.
SHQYRTO MË TEJ
Shiko disa parime nga Bibla që mund ta forcojnë martesën.
4. Burra—duajini dhe kujdesuni për gratë tuaja
Bibla thotë se «burrat duhet t’i duan gratë e tyre si vetë trupat e tyre». (Efesianëve 5:28, 29) Çfarë do të thotë kjo? Shihni VIDEON dhe më pas diskutoni për pyetjen që vijon.
Si mund ta tregojë një burrë se e do gruan dhe kujdeset për të?
Lexoni Kolosianëve 3:12 dhe më pas diskutoni për këtë pyetje:
Si mund t’i shfaqë këto cilësi në martesë një burrë?
5. Gra—duajini burrat tuaj dhe tregoni respekt për ta
Bibla i nxit gratë të tregojnë respekt për burrat e tyre, pavarësisht nëse ata i shërbejnë Jehovait apo jo. Lexoni 1 Pjetrit 3:1, 2 dhe më pas diskutoni për pyetjet që vijojnë:
Nëse burri nuk ka të njëjtin besim me ty, pa dyshim ke dëshirë që edhe ai ta adhurojë Jehovain. Çfarë mendon se është më e efektshme: t’i predikosh orë e çast, apo të jesh një grua e mirë, e përzemërt dhe që tregon respekt? Pse?
Burrat dhe gratë mund të marrin vendime të mençura së bashku. Por, ndonjëherë gruaja mund të mos jetë dakord me burrin. Në këto raste, ajo mund t’i shprehë me qetësi dhe respekt çfarë mendon. Ama duhet të pranojë se Jehovai ia ka dhënë burrit përgjegjësinë për të vendosur çfarë është më e mira për familjen. Ndaj duhet të përpiqet fort t’i mbështetë vendimet e tij. Në këtë mënyrë ndihmon që e gjithë familja të jetë e lumtur. Lexoni 1 Pjetrit 3:3-5 dhe më pas diskutoni për këtë pyetje:
Si ndihet Jehovai kur gruaja tregon respekt për burrin?
6. Mund t’i zgjidhni problemet në martesë
Asnjë martesë nuk është e përsosur. Ndaj çifti duhet të bashkëpunojë për t’i përballuar vështirësitë. Shihni VIDEON dhe më pas diskutoni për pyetjet që vijojnë.
Sipas asaj që pe në video, cilat shenja tregonin se marrëdhënia në çift po ftohej?
Çfarë hapash morën për të forcuar martesën?
Lexoni 1 Korintasve 10:24 dhe Kolosianëve 3:13. Pas çdo shkrimi, diskutoni për këtë pyetje:
Si bëhet më e fortë martesa kur zbatohet ky shkrim?
Bibla thotë se duhet ta nderojmë njëri-tjetrin. Të nderosh dikë përfshin ta trajtosh me përzemërsi dhe respekt. Lexoni Romakëve 12:10 dhe më pas diskutoni për këto pyetje:
A duhet të presë burri ose gruaja që tjetri ta nderojë i pari? Pse mendon kështu?
DISA THONË: «S’jemi më aq të lidhur si çift.»
Si do t’u tregoje që Bibla mund t’i ndihmojë?
PËRMBLEDHJE
Një çift i martuar mund të jetë i lumtur kur të dy e duan, e respektojnë njëri-tjetrin dhe zbatojnë parimet e Biblës.
Si do të përgjigjeshe?
Ç’mund të bëjë burri që martesa të jetë e lumtur?
Ç’mund të bëjë gruaja që martesa të jetë e lumtur?
Nëse je i martuar, cili parim nga Bibla mund të ta forcojë martesën?
EKSPLORO
Shiko disa sugjerime praktike që mund t’ju ndihmojnë të keni një familje të lumtur.
Shiko një video muzikore që nxjerr në pah bekimet që vijnë kur zbaton këshillat e Perëndisë në martesë.
Shqyrto çfarë do të thotë që një grua t’i nënshtrohet burrit.
«Gra, pse t’i nënshtroheni kryesisë?» (Kulla e Rojës, 15 maj 2010)
Si i kapërceu një çift problemet serioze në martesë, përfshirë divorcin?