ABEDNEGOJA
[ka të ngjarë: shërbëtor i Nebos (një perëndie babilonase)].
Emri që i vunë Azariahut, njërit prej të rinjve judenj fisnikë ose me gjak mbretëror që mori rob Nabukodonosori në vitin 617 p.e.s.—Dn 1:3, 4, 7.
Disa studiues mendojnë se «Nego» është një deformim i fjalës «Nebo», emri i një perëndie babilonase, i bërë qëllimisht për të mos fyer Azariahun. (Shih NEBOJA nr. 4.) Emri Azariah do të thotë «Jehovai ka ndihmuar» dhe duket se me njëri-tjetrin këta hebrenj vazhduan të përdornin emrat e vet. (Dn 2:17) Kur ishte në Babiloni, Azariahu me Danielin, Hananiahun e Mishaelin kaloi shkëlqyeshëm një kurs 3-vjeçar dhe një provim para vetë mbretit Nabukodonosor. Gjatë gjithë kësaj kohe ai kishte mbajtur integritetin për sa i përket ushqimit dhe pijeve. (Dn 1:4, 5, 8-20) Më vonë, me kërkesë të Danielit, mbreti e vuri Azariahun dhe dy shokët e tij në krye të administratës së provincës së Babilonisë.—Dn 2:49.
Kohë më pas, disa kaldeas akuzuan para mbretit Abednegon (Azariahun) dhe dy shokët e tij hebrenj, ngaqë nuk pranuan të përkuleshin para shëmbëlltyrës prej ari të mbretit pas një sinjali muzikor. (Dn 3:5, 8, 12) Mbreti i tërbuar i mori në pyetje. Duke parë vendosmërinë e tyre për të mos dhunuar ndërgjegjen dhe besimin te Jehovai, mbreti urdhëroi t’i hidhnin në një furrë të tejnxehur. Ata shpëtuan ngaqë një përfaqësues engjëllor i Perëndisë i mbrojti me anë të një mrekullie. I shtangur, mbreti i liroi dhe oborrtarët panë se tre burrat ishin shëndoshë e mirë. Që të tre fituan përsëri pëlqimin e mbretit.—Dn 3:15-30; shih MESHAKU; SHADRAKU.