ABINADABI
[ati është i gatshëm (fisnik; bujar)].
1. Banor i qytetit të Kiriat-Jearimit në territorin e Judës, rreth 14 km në perëndim-veriperëndim të Jerusalemit. Në shtëpinë e tij u mbajt për njëfarë kohe arka e besëlidhjes.
Arka e shenjtë u mor nga Beth-Shemeshi, pasi kishte qëndruar shtatë muaj mes filistinëve dhe u kishte sjellë veç rrënim, e u çua në shtëpinë e Abinadabit. Eleazari, i biri, u shenjtërua për ta ruajtur. Arka qëndroi në atë shtëpi për rreth 70 vjet, derisa Davidi mori masat që ta çonte në Jerusalem. Gjatë udhëtimit, Jehovait iu ndez zemërimi kundër Uzahut, njërit prej djemve të Abinadabit, i cili vdiq sepse preku Arkën duke mos përfillur urdhërimin që kishte dhënë Jehovai te Numrat 4:15.—1Sa 6:20–7:1; 2Sa 6:1-7; 1Kr 13:6-10.
2. Djali i dytë i Jeseut dhe një nga tre vëllezërit më të mëdhenj të Davidit, që u nis në luftë me Saulin kundër filistinëve.—1Sa 16:8; 17:13.
3. Një nga bijtë e mbretit Saul, të cilin filistinët e vranë në malin e Gilboas.—1Sa 31:2; 1Kr 9:39.
4. I ati i njërit prej 12 nëpunësve që i siguronin ushqimin mbretit Solomon. Ky nëpunës, «biri i Abinadabit», i quajtur edhe Ben-Abinadab, u martua me Tafatën, të bijën e Solomonit; një muaj në vit, ai duhej të siguronte ushqim për shtëpinë e Solomonit nga gjithë kreshta e malit të Dorit.—1Mb 4:7, 11.