AKOJA
Qytet-port i njohur edhe me emrat Akho, Akre dhe Ptolemaidë. Ndodhet në skajin verior të gjirit të hapët gjysmëhënor të Akos (ose gjirit të Haifës [Mifraz-Hefa]). Ky gji është formuar nga skaji i malit Karmel që zgjatet në detin Mesdhe rreth 13 km më në jug.
Në periudhën e gjykatësve, qyteti kananit ndodhej në një bregore që mendohet të jetë Tell-el-Fukhari (Tel-ʽAkoja), rreth 1 km nga gjiri dhe 1,8 km në lindje të mureve të sotme të Qytetit të Vjetër. Gjatë periudhës persiane, nga shekulli i 6-të p.e.s., qyteti u shtri për nga perëndimi, drejt gadishullit, që përbën skajin verior të gjirit të Haifës ku, qysh atëherë, gjendet porti i qytetit. Kur filloi epoka e krishterë, qyteti kishte përfshirë gadishullin dhe bënte pjesë në zonën e ʽAkos së sotme.
Akoja ndodhej rreth 39 km në jug të Tirit dhe ishte qyteti-port më i rëndësishëm i bregdetit palestinez, që s’kishte shumë limane, deri kur Herodi i Madh ndërtoi portin artificial të Cezaresë. Akoja as që matej me portet fenikase në veri dhe mbronte fare pak nga erërat e detit. Megjithatë, kishte një pozicion strategjik afër hyrjes për në rrafshinën pjellore të Jezreelit (Esdraelonit), si edhe disa rrugë tregtare që e lidhnin portin me Galilenë, luginën e Jordanit dhe vende të tjera në lindje. Përmes Akos eksportoheshin artikuj artistikë, lëndë druri dhe drithë.
Akoja bënte pjesë në ndarjen territoriale që i ishte caktuar Asherit në Tokën e Premtuar, por Asheri nuk i dëboi dot kananitët që në atë kohë banonin atje. (Gjy 1:31, 32) Në Shkrimet Hebraike qyteti përmendet vetëm një herë, kurse në dokumentet jobiblike përmendet më shpesh. Emri i tij shfaqet disa herë në Pllakat e Amarnës. Në dokumente të tjera tregohet se e nënshtruan mbretërit asirianë Senakerib dhe Ashurbanipal. Qyteti përmendet në librat apokrifë si vatër kryengritjeje gjatë sundimit të Makabenjve. (1 Makabenjve 5:15, 22, 55; 12:45-48; 13:12) Në atë kohë i ishte vënë emri Ptolemaidë, që e ka origjinën nga Ptolemeu II Filadelf i Egjiptit.
Nën perandorin Klaud, qyteti i Ptolemaidës (Akoja) u bë koloni romake, dhe në kohën e apostujve atje kishte një grup të krishterësh. Kur po kthehej nga udhëtimi i tretë misionar, anija e Pavlit u ndal në Ako (në atë kohë quhej Ptolemaidë) dhe atë ditë ai qëndroi me vëllezërit atje para se të vazhdonte udhën për në Cezare e Jerusalem.—Ve 21:7.
Sot rëndësia e ʽAkos është zbehur nga qyteti modern i Haifës, që ndodhet matanë gjirit.
[Figura në botimin e shtypur]
Akoja (më vonë i quajtur Ptolemaidë). Apostulli Pavël ndaloi në këtë qytet-port gjatë udhëtimit të tij të fundit për në Jerusalem