AHITHOFELI
Një burrë nga Gilohu në kodrat e Judës (2Sa 15:12), i ati i Eliamit, njërit prej burrave të fuqishëm të Davidit dhe ndoshta gjyshi i Betshebës. (2Sa 11:3; 23:34) Davidi i vlerësonte këshillat e mençura të Ahithofelit, këshilltarit të vet, si të ishin fjalë që vinin nga vetë Jehovai. (2Sa 16:23) Më vonë, ky mik dikur shumë i ngushtë e tradhtoi dhe u bashkua me djalin e Davidit, Absalomin, në një komplot kundër mbretit. Si një nga kryerebelët, ai e këshilloi Absalomin që të dhunonte konkubinat e Davidit dhe i kërkoi leje të mblidhte një ushtri me 12.000 luftëtarë për t’u vënë menjëherë në ndjekje të Davidit që ta vriste ndërkohë që ishte i dobët e i paorganizuar. (2Sa 15:31; 16:15, 21; 17:1-4) Kur Jehovai e prishi këtë plan të guximshëm dhe bëri të ndiqej këshilla e Hushait, Ahithofeli duhet ta ketë kuptuar se revolta e Absalomit do të dështonte. (2Sa 15:32-34; 17:5-14) Ai vrau veten dhe e varrosën me paraardhësit e tij. (2Sa 17:23) Vetëvrasja e Ahithofelit është i vetmi rast i përmendur në Shkrimet Hebraike, përveç atyre që janë bërë në kohë lufte. Tradhtia e tij me sa duket kujtohet në Psalmin 55:12-14.