BETH-PEORI
[shtëpi e Peorit].
Vitin e fundit të udhëtimit në shkretëtirë, kombi i Izraelit po fushonte «në luginën që gjendet përballë Beth-Peorit». (Lp 3:29) Beth-Peori mund të ketë qenë një qytet në shpatet e Peorit. Si mali ashtu edhe qyteti fare mirë mund të kenë pasur lidhje me kultin e ‘Baalit të Peorit’. Siç tregohet te Numrat 25:1-9, izraelitët ranë në kurthin e riteve imorale që përfshinte ky kult.—Shih BAALI I PEORIT.
Në rrafshinat e Moabit, në rajonin e Jordanit, Moisiu i përsëriti Ligjin Izraelit, dhe pastaj e varrosën «në luginën e Moabit, përballë Beth-Peorit». Pra, me sa duket, Beth-Peori ishte në «Moab», domethënë në vendin ku banonin moabitët, por në territorin ku sundoi më vonë Sihoni, mbreti i amoritëve, derisa e mundi kombi i Izraelit. (Lp 4:46; 34:6) Pastaj qyteti iu caktua fisit të Rubenit dhe përmendet bashkë me ‘shpatet e Pisgahut e Beth-Jeshimotin’.—Js 13:15, 20.
Të gjitha këto vargje tregojnë se ky vend gjendej afër skajit verilindor të Detit të Vdekur, përballë rrafshinave të Moabit. Vendndodhja e saktë nuk dihet. Megjithatë, Eusebi përmend një vend të tillë rreth 6 milje romake (9 km) në lindje të Livias (Tell-er-Ramehut të sotëm). (Onomastika, 48, 3-5) Në bazë të kësaj, disa mendojnë se vendndodhja është Kirbet-esh-Sheik-Jajili, rreth 5 km në perëndim-veriperëndim të malit që, sipas traditës, përkon me malin e Nebos. Ky vend është në shpatin e një çuke që mund të ketë qenë «Peori», vendi i fundit ku e çuan Balaamin për të mallkuar Izraelin. Nëse kjo vendndodhje është e saktë, atëherë ‘lugina përballë Beth-Peorit’ ka të ngjarë të jetë Vadi-Husbani.—Nu 23:28; Lp 4:46; shih PEORI.