BOZRAHU
[vend i paarritshëm].
1. Qytet i shquar i Edomit, vendlindja e babait të Jobabit, një mbreti edomit të mijëvjeçarit të dytë p.e.s. (Zn 36:31, 33; 1Kr 1:44) Ky qytet ishte i rëndësishëm, pasi profetët Isaia, Jeremia dhe Amos u frymëzuan ta përmendnin si përfaqësues të mbarë Edomit, që e priste shkretimi.—Is 34:5, 6; 63:1-4; Jr 49:12, 13, 17, 22; Am 1:11, 12.
Bozrahu është Buzera e sotme, rreth 50 km në veri-verilindje të Petrës, pranë rrugës së lashtë të quajtur Rruga e Mbretit. Pra, ndodhej pak a shumë në qendër të mbretërisë së Edomit dhe mbikëqyrte rrugët që çonin për te minierat e bakrit të Arabahut. Rrënojat e lashtësisë në Buzerë tregojnë se Bozrahu ishte qytet i fortifikuar, i ndërtuar në një rrip toke që del nga mali Jebel-esh-Sheraʼ, me vade ose lugina të thella në të dyja anët.
Në përkthimin King James, te Mikea 2:12 gjendet emri «Bozrah»; mirëpo, sipas shumicës së përkthimeve të sotme, në këtë rast nuk bëhet fjalë për një qytet, por për një vathë delesh.
2. Në profecinë kundër Moabit, Jeremia 48:24 e përfshin Bozrahun mes qyteteve «të Moabit». Përmendet ndër qytetet e rrafshnaltës ose të ‘vendit të sheshtë’ (Jr 48:21) dhe, meqë në rastin e Bezerit përdoret e njëjta shprehje hebraike (Lp 4:43), disa studiues mendojnë se bëhet fjalë për të njëjtin vend.—Shih BEZERI nr. 2.