KORNELI
Centurion i kohortës italike të përbërë nga 100 ushtarë. (Shih CENTURION.) Garnizoni i tij ishte në Cezare ku kishte edhe shtëpinë. Emri i tij romak lë të nënkuptohet se vinte nga një familje fisnikësh në qytetin perandorak të Romës. Ishte «njeri i përkushtuar» që «i jepte popullit shumë lëmoshë dhe i përgjërohej Perëndisë vazhdimisht», ‘njeri i drejtë dhe me frikë Perëndie, për të cilin tërë kombi jude fliste mirë’. Në vjeshtë të vitit 36 të e.s., Kornelit iu shfaq në vegim një engjëll që i tha: «Lutjet dhe lëmoshat e tua janë ngjitur te Perëndia, dhe falë tyre do të kujtohesh para tij.» Gjithashtu engjëlli i tha të dërgonte njerëz në Jopë për të thirrur Pjetrin.—Ve 10:1-22.
Kur arriti Pjetri, Korneli, që kishte mbledhur «farefisin e miqtë e tij të ngushtë», i tha apostullit: «Të gjithë jemi këtu para Perëndisë për të dëgjuar gjithçka që Jehovai të ka urdhëruar të thuash.» (Ve 10:24, 33) «Ndërsa Pjetri po fliste ende . . . fryma e shenjtë zbriti mbi të gjithë ata që dëgjonin fjalën.» Kështu këta njerëz, ndër të cilët përmendet me emër Korneli, më i mirënjohuri, ishin të parët nga kombet ose jojudenjtë e parrethprerë që morën ‘frymën e shenjtë, dhuratën falas të Perëndisë’. (Ve 10:44, 45) Menjëherë pas kësaj, ata u pagëzuan në ujë. Më pas, nuk dihet më asgjë për jetën dhe aktivitetin e Kornelit.
Pse kthimi i Kornelit në besim ishte një ngjarje me rëndësi të veçantë?
Ndryshe nga ç’mendojnë disa, Korneli nuk ishte prozelit nga komuniteti jude, megjithëse i njihte shkrimet e profetëve, u jepte lëmoshë judenjve, i frikësohej Perëndisë, lutej vazhdimisht dhe përdorte emrin e Jehovait. Në Shkrime tregohet qartë se ky centurion ishte në kuptimin e plotë të fjalës një i parrethprerë nga kombet. Po të kishte qenë prozelit, Pjetri nuk do të kishte thënë se ishte e paligjshme për të si jude të shoqërohej me «një njeri të një race tjetër», nisur nga ajo që thuhej në Ligj për të ardhurit. (Le 19:33, 34; Ve 10:28) Po të kishte qenë prozelit, gjashtë judenjtë e tjerë me Pjetrin nuk ‘do të ishin mahnitur’ kur panë frymën e shenjtë të derdhej «mbi njerëz nga kombet». (Ve 10:45; 11:12) Veç kësaj, nëse ishte prozelit, pse «përkrahësit e rrethprerjes» u grindën me Pjetrin për këtë çështje?—Ve 11:2.
Në të vërtetë, Korneli ishte i pari nga jojudenjtë e parrethprerë që u bë i krishterë. Kjo tregonte se nga ky moment, për t’u pranuar në gjirin e kongregacionit të krishterë, s’kishte më nevojë që jojudenjtë të bëheshin prozelitë si eunuku etiopas. Në këtë rast historik Pjetri tha: «Tani e kuptoj fare qartë se Perëndia nuk është i anshëm, por në çdo komb njeriu që i frikësohet atij dhe praktikon drejtësinë, është i pranuar nga ai.» (Ve 10:34, 35) Ashtu si në festën e Ditës së Pesëdhjetë Pjetri qe i pari që u çeli Udhën judenjve, edhe këtë herë ai qe i pari që u çoi jojudenjve të parrethprerë lajmin e mirë për shpëtimin. Edhe Jakovi e pranoi se ishte ‘hera e parë’ që Perëndia e drejtoi vëmendjen nga «kombet».—Ve 15:7, 14.