ELIAKIMI
[Perëndia im ngre].
1. Bir i Hilkiahut; kryeadministrator i shtëpisë së Hezekisë, mbretit të Judës, në kohën kur Senakeribi, mbreti asirian, pushtoi Judën në vitin 732 p.e.s.
Ndërkohë që Shebna ishte ende ‘kujdestar i shtëpisë’, profeti Isaia paratha se ai do ta humbte këtë post dhe do të zëvendësohej nga Eliakimi, të cilin Jehovai e quajti ‘shërbëtorin e tij’. Kalimi i detyrës duhej bërë duke i veshur Eliakimit rrobën zyrtare të Shebnës dhe duke i vënë rripin e tij. Gjithashtu, Eliakimit do t’i vihej në sup ‘çelësi i shtëpisë së Davidit’; kjo mund të nënkuptonte se atij do t’i besohej mbikëqyrja e dhomave të mbretit dhe autoriteti për të vendosur kush pranohej për t’i shërbyer mbretit.—Is 22:15-24.
Në cilësinë e kësaj detyre zyrtare, Eliakimi, sekretari Shebna dhe Joahu, që me sa duket ishte regjistruesi, shkuan të flisnin me rabshakehun që kishte vajtur në Jerusalem me një ushtri të madhe për të kërkuar dorëzimin e qytetit pa kushte. Pastaj, me rroba të shqyera, të tre i treguan mbretit Hezekia fjalët e zëdhënësit të Senakeribit. Atëherë Hezekia dërgoi Eliakimin, Shebnën dhe priftërinjtë e moshuar tek Isaia që të pyeste Jehovain.—Is 36:11, 22; 37:1, 2; 2Mb 18:17, 18, 26, 36, 37; 19:1, 2.
2. Mbret i Judës (628-618 p.e.s.) që e vuri në fron faraoni Neko, pasi ia ndryshoi emrin në Jehojakim. Eliakimi ishte biri i mbretit Josia.—2Mb 23:34; shih JEHOJAKIMI.
3. Një nga priftërinjtë levitë që u binin trumbetave në procesionin e organizuar nga Nehemia me rastin e përurimit të murit të rindërtuar të Jerusalemit.—Ne 12:31, 41.
4. Paraardhës i Jozefit, babait birësues të Jezuit.—Mt 1:13.
5. Paraardhës i Marisë, nënës së Jezuit.—Lu 3:30.