EFRAIMI
[dyfish pjellor].
1. Biri i Jozefit dhe i gruas së tij, Asenatës, që ishte e bija e Potiferait, priftit të Onit. Efraimi, vëllai i vogël i Manaseut, lindi në Egjipt para se të fillonin shtatë vitet e zisë së bukës. Emrin Efraim ia vuri i ati, «sepse, siç thoshte [Jozefi]: ‘Perëndia më ka bërë të frytshëm në vendin e brengës sime.’ »—Zn 41:50-52.
Kur ishte në shtratin e vdekjes, siç duket nga fjalët e tij, Jakobi i birësoi nipërit, Efraimin dhe Manaseun, e i bëri trashëgimtarë njësoj si të ishin bijtë e vet. (Zn 48:5) Babai i tyre, Jozefi, që kishte marrë të drejtën e të parëlindurit mes bijve të Jakobit, mori dy pjesë nga trashëgimia e të atit nëpërmjet trashëgimisë që morën fisi i Efraimit dhe ai i Manaseut. (1Kr 5:1; krahaso Zn 48:21, 22; Lp 21:17; Js 14:4.) Kur bekoi Efraimin dhe Manaseun, patriarku Jakob e vuri Efraimin para Manaseut dhe tregoi në mënyrë profetike se ai do të bëhej më i madh.—Zn 48:13-20.
Libri i Parë i Kronikave 7:20-27 përmban listën gjenealogjike të bijve të Efraimit dhe të pasardhësve të mëvonshëm deri te Josiu, që u priu izraelitëve drejt Tokës së Premtuar. Ezerin dhe Eleadin, që ka shumë mundësi të kenë qenë bij të Efraimit, i vranë burrat e Gathit. Pak kohë pas vdekjes së këtyre dy djemve, Efraimit i lindi Beriahu.
2. Emri Efraim i referohet edhe fisit që erdhi prej tij. Rreth një vit pas Daljes nga Egjipti, luftëtarët e Efraimit nga mosha 20 vjeç e lart ishin 40.500, domethënë 8.300 më shumë se burrat e Manaseut. (Nu 1:1-3, 32-35) Megjithatë, në fund të 40 vjetëve që endeshin nëpër shkretëtirë, meshkujt e regjistruar të Efraimit ishin vetëm 32.500, domethënë 20.200 më pak se ata të Manaseut. (Nu 26:34, 37) Gjithsesi, ishte parathënë që Efraimi do të bëhej më i madhi. Kur bekoi izraelitët, Moisiu foli në mënyrë profetike për «dhjetëra mijët e Efraimit» dhe vetëm për «mijërat e Manaseut».—Lp 33:17.
Kur ishin në shkretëtirë, efraimitët me prijës Elishamin ishin caktuar të fushonin në perëndim të tabernakullit bashkë me fisin e Manaseut dhe të Beniaminit. Kjo ndarje trifisëshe ishte e treta në radhë kur niseshin për marshim.—Nu 2:18-24.
Territori i fisit. Territori që iu caktua këtij fisi zinte pjesën qendrore të Kanaanit, në perëndim të Jordanit. Fisi i Efraimit kishte edhe disa qytete brenda territorit të Manaseut. Në veri, Efraimi kufizohej me Manaseun dhe në jug me Beniaminin dhe Danin. (Js 16:1-9) Megjithëse kodrinore dhe malore, kjo zonë ka tokë të pasur e pjellore, dhe në lashtësi ka qenë shumë e pyllëzuar. (Js 17:15, 17, 18) Prijësi Kemuel shërbeu si përfaqësuesi i Efraimit i emëruar nga Perëndia kur çdo fis mori trashëgimin e vet në Tokën e Premtuar.—Nu 34:18, 24.
Në Shiloh, që binte në pjesën e Efraimit, ishte ngritur tabernakulli. (Js 18:1) Përveç Sikemit, që ishte qytet strehimi, në territorin e Efraimit gjendeshin edhe disa qytete të tjera levite. (Js 21:20-22; 1Kr 6:66-69) Efraimitët nuk i dëbuan kananitët që banonin në Gezer, një nga qytetet levite, por i detyruan të punonin si skllevër.—Js 16:10; Gjy 1:29.
Efraimi nga Josiu deri te Davidi. Territori i Efraimit ka qenë arena e disa ngjarjeve të rëndësishme. Në Sikem, pasuesi i Moisiut, Josiu që ishte efraimit, mblodhi fiset e Izraelit dhe u bëri thirrje t’i shërbenin Jehovait me besnikëri. (Js 24:1, 14, 15) Po në Sikem, u varrosën përfundimisht eshtrat e Jozefit. Josiu dhe Eleazari, biri i Aaronit, u varrosën në rajonin malor të Efraimit. (Js 24:29-33) Më vonë, gjykatësi Ehud, që ishte beniaminit, i mblodhi izraelitët në rajonin malor të Efraimit për të luftuar kundër moabitëve. (Gjy 3:26-30) Pas vdekjes së Ehudit, profetesha Debora, që jetonte në rajonin malor të Efraimit, i dërgoi fjalë Barakut që të vinte, pasi Jehovai e kishte caktuar të çlironte Izraelin nga shtypja e mbretit Jabin. Efraimi është fisi i parë që përmendet në këngën e fitores që kënduan Baraku dhe Debora. (Gjy 4:1-7; 5:14) Më vonë, Tola nga fisi i Isakarit, gjykoi Izraelin për 23 vjet, gjatë kohës që banonte në Shamir, në rajonin malor të Efraimit. (Gjy 10:1, 2) Profeti Samuel, nga fisi i Levit, lindi në Ramah, në rajonin malor të Efraimit, dhe kur u rrit, shkoi të banonte atje.—1Sa 1:1, 2, 19, 20; 7:15-17.
Krenaria dhe një dëshirë jashtëzakonisht e madhe për famë u sollën vështirësi të mëdha efraimitëve në marrëdhëniet me fiset e tjera. Ky tipar i tyre u shfaq që në kohën e gjykatësve. Për shembull, efraimitët kërkuan të grindeshin me Gideonin që nuk i kishte thirrur më parë për të luftuar kundër Midianit. Megjithatë, takti që tregoi Gideoni në atë rast, bëri që të shmangej një përplasje. (Gjy 8:1-3) Kohë më vonë, megjithëse fillimisht nuk kishin pranuar ta ndihmonin Jefteun, efraimitët u ndien të shpërfillur kur ai nuk i thirri për të luftuar kundër amonitëve. Ata u ngritën në luftë kundër Jefteut dhe pësuan një disfatë poshtëruese. Mijëra u vranë në vaun e Jordanit; ata njiheshin se ishin efraimitë, sepse në vend të «Shiboleth» thoshin «Siboleth».—Gjy 12:1-6; shih edhe 2Kr 25:10.
Pas vdekjes së mbretit Saul, mes atyre që shkuan në Hebron për t’ia lënë në dorë mbretërinë Davidit, ishin 20.800 burra nga Efraimi.—1Kr 12:23, 30.
Fisi më me ndikim i mbretërisë veriore. Duke nisur nga koha kur u nda mbretëria, gjatë mbretërimit të Rehoboamit, Efraimi si fisi më i rëndësishëm dhe më me ndikim i mbretërisë veriore, i bëri një emër të keq vetes. (Ho 13:1) Mbreti i parë, efraimiti Jeroboam, ngriti adhurimin e viçit në Dan dhe në Bethel. (1Mb 11:26; 12:25-30) Kjo kredhje në idhujtari qe e pakthyeshme.
Si fisi më me ndikim i mbretërisë veriore, Efraimi mori rolin e përfaqësuesit të gjithë mbretërisë dhjetëfisëshe. (2Kr 25:7; Jr 7:15) Kjo shpjegon pse profetët Hozea dhe Isaia shpallën dënime të rënda kundër Efraimit. Hozea e dënoi Efraimin ngaqë përzihej me kombet, bënte veprat e tyre dhe u shërbente idhujve të tyre. Ai e krahasoi Efraimin me një kulaç të pakthyer nga ana tjetër, të pjekur ose edhe të djegur nga poshtë, por të pabërë nga sipër. (Ho 7:8; krahaso Ps 106:35, 36; Ho 4:17; 12:14.) Megjithëse të panjohurit ia kishin shterur fuqitë, Efraimi nuk u kthye te Jehovai, por i kërkoi ndihmë Egjiptit dhe bëri besëlidhje me Asirinë. Pra, ishte si një pëllumb mendjelehtë që pa dyshim do të ngecte në rrjetë.—Ho 7:9-12; 8:9; krahaso 2Mb 17:4; Ho 12:1.
Profeti Isaia iu drejtua ‘pijanecëve krenarë të Efraimit’. Pavarësia nga mbretëria e Judës dhe aleancat me Sirinë e kombe të tjera kishin pasur të njëjtin ndikim tek ata si pija dehëse. Mirëpo, mbi ta do të binte katastrofa.—Is 7:1, 2, 5-9, 17; 9:9-12; 17:3; 28:1-3.
Megjithatë, profetët e Jehovait parathanë, gjithashtu, se fryma e xhelozisë dhe e armiqësisë që ekzistonte mes Efraimit (mbretërisë dhjetëfisëshe) dhe Judës (mbretërisë dyfisëshe) do të zhdukej. (Is 11:13; Jr 31:6) Juda dhe Efraimi do të bashkoheshin dhe Efraimi do të fitonte përsëri miratimin hyjnor.—Jr 31:18-20; 50:19; Ezk 37:16-19; Za 10:7.
Megjithëse, Efraimi si fis kishte lënë një nam të keq, disa individë të tij ndoqën drejtimin e duhur. Për shembull, gjatë mbretërimit të Asës, mbretit të Judës, shumë efraimitë dezertuan dhe vajtën tek ai kur panë se Jehovai ishte me të. (2Kr 15:9) Më vonë, mes atyre që kremtuan Pashkën në Jerusalem vitin e parë të mbretërimit të Hezekisë dhe pastaj morën pjesë në shkatërrimin e gjithçkaje që kishte lidhje me idhujtarinë, kishte edhe efraimitë. (2Kr 30:18; 31:1) Megjithatë, kur Hezekia i ftoi izraelitët e veriut të mblidheshin bashkë për Pashkën, shumë banorë të Efraimit, të Manaseut dhe të Zabulonit i shpotitën dhe i përqeshën vrapuesit që kalonin qytet më qytet. Krenaria nuk i la të përuleshin e të shkonin në Jerusalem për të kremtuar Pashkën.—2Kr 30:10, 11.
3. Një qytet që në përgjithësi mendohet se ishte i njëjtë me Efrainin, qytet që Abijahu, mbreti i Judës, ia mori Jeroboamit, mbretit të Izraelit. (2Kr 13:19) Në shekullin e parë të e.s., kur krerët fetarë u këshilluan që ta vritnin, Jezu Krishti dhe dishepujt e tij shkuan në Efraim, në zonën afër shkretëtirës. (Gjo 11:53, 54) Në përgjithësi mendohet se vendndodhja e këtij qyteti është fshati Et Tajiba, rreth 6 km në lindje-verilindje të Bethelit dhe 3 km në lindje-juglindje të vendit ku mendohet se ka qenë Baal-Hazori. (2Sa 13:23) Sipas Jozefit, një historiani jude, gjenerali i trupave romake, Vespasiani, e shtiu në dorë Efraimin gjatë marshimit për të pushtuar Jerusalemin.—Lufta judaike, IV, 551 (ix, 9).
4. ‘Pylli i Efraimit’ ishte një zonë në lindje të lumit Jordan, ku ushtria e mbretit David luftoi me trupat e djalit të tij rebel, Absalomit. (2Sa 18:6-8) Vendi i saktë se ku gjendej pylli i Efraimit në vendin e Galaadit nuk dihet, por ka shumë mundësi të ketë qenë afër Mahanaimit.—2Sa 17:22, 24, 26.