ETAMI
Emra hebraikë me shqiptim dhe kuptim të ndryshëm që transliterohen në të njëjtën mënyrë në shqip.
[2-4: vend i zogjve grabitqarë.]
1. Vendfushimi i dytë që rendit Moisiu pasi Izraeli doli nga Egjipti. (Da 13:20; Nu 33:3-7) Në Etam, «buzë shkretëtirës», izraelitët ndryshuan drejtim, «u kthyen» drejt Pihahirotit dhe atje kaluan detin. (Nu 33:7, 8) Kjo tregon që, nëse Perëndia nuk do të kishte urdhëruar të ndryshonin drejtim, Etami do të kishte qenë për ta pika e daljes nga Egjipti.
Ngaqë izraelitët u kthyen mbrapsht, faraoni mendoi se ‘po bridhnin të hutuar në shkretëtirë’ dhe kjo e nxiti t’u vihej pas. Si pasojë, në Detin e Kuq Perëndia ekzekutoi gjykimin ndaj egjiptianëve.—Da 14:1-4.
Disa studiues përpiqen të tregojnë se Etami ndodhej në skajin lindor të Vadi-Tumilatit, në veri të Liqeneve të Hidhura. Por, kjo vjen ngaqë e lidhin fjalën hebraike Etam (ʼEthám ) me fjalën e vjetër egjiptiane për fortesë (htm). Edhe sikur lidhja të jetë e saktë, kishte disa vende me këtë emër egjiptian. Meqë Etami nuk ishte përgjatë rrugës veriore që të nxirrte nga Egjipti, e cila të çonte «në udhën për në vendin e filistinëve» (Da 13:17), mund të thuhet vetëm se duhet të ketë qenë diku në veri të Detit të Kuq dhe në kufi të zonës shkretinore që përbën pjesën veriperëndimore të gadishullit të Sinait.
Nga krahasimi i Numrave 33:8 me Daljen 15:22 duket se zona shkretinore pranë Etamit përkon me ‘shkretëtirën e Shurit’. Ose, nëse nuk ishin dy emra të së njëjtës shkretëtirë, shkretëtira e Etamit mund të përfshinte atë të Shurit a anasjelltas, në varësi të faktit se cila nga të dyja ishte më e madhe.—Shih SHURI.
2. Vendbanim i simeonitëve brenda territorit të Judës. (1Kr 4:24, 32) Vendndodhja nuk dihet me siguri, por disa e lidhin me Tell-ʽEitumin (Tel-ʽAitunin), që është në qendër të territorit të Judës, rreth 44 km në perëndim të En-Gedit dhe po aq larg nga Jerusalemi, në jugperëndim të tij.
3. Shkrepi i Etamit ku jetoi Samsoni pasi u vuri zjarrin arave të filistinëve. Kur ai pranoi ta lidhnin, 3.000 burra të Judës e nxorën nga shkrepi dhe ia dorëzuan filistinëve. (Gjy 15:8-13) Edhe pse vendndodhja e shkrepit të Etamit nuk mund të përcaktohet me saktësi, nuk përjashtohet mundësia që të kishte lidhje me qytetin e Etamit (nr. 4 poshtë). Megjithatë, vetëm 4 km në lindje-juglindje të vendndodhjes së mundshme të Zorahut, qytetit të lindjes të Samsonit (Gjy 13:2), gjendet ʽArak-Ismaʽini, një shkrep i vetmuar me një shpellë të lartë, prej nga shihet si në pëllëmbë të dorës Shefelahu poshtë. Në përputhje me kuptimin e emrit, ndoshta ky është vendi ku ndodhej shkrepi i Etamit.
4. Qytet i Judës që ka të ngjarë të ishte në Kirbet-el-Khokh, mbi një kodër rreth 2,5 km në jugperëndim të Betlehemit. Me sa duket, ata që themeluan Etamin dhe Betlehemin ishin farefis i afërt. (1Kr 4:3, 4; shih ATROTH-BETH-JOABI.) Sipas historianit Jozef, mbreti Solomon shpesh përshkonte në mëngjes me karrocë 13 kilometrat nga Jerusalemi deri në Etan (Etam), ku kishte kopshte e përrenj. (Antikitete judaike, VIII, 186 [vii, 3]) Rehoboami, pasuesi i Solomonit, e rindërtoi dhe e fortifikoi Etamin. (2Kr 11:5, 6) Sipas Talmudit, një ujësjellës e lidhte Jerusalemin me një burim në perëndim të Etamit.—Talmudi babilonas, Yoma 31a; Talmudi palestinez (i Jerusalemit), Yoma 41a.