FESTI
[nga lat., festiv; i gëzueshëm].
Guvernator i provincës romake të Judesë pasi Feliksin e thirrën në Romë. (Ve 24:27) Nuk dihet me siguri viti kur ndodhi ky ndryshim. Burimet e vetme historike janë Bibla dhe Jozef Flavi, dhe në asnjë prej tyre nuk tregohet se kur e bëri Neroni këtë emërim. Kritikët janë të ndarë mes dy mendimeve. Njëra palë thotë se Porc Festi arriti në Jude që në vitin 54 të e.s., kurse pala tjetër thotë se arriti jo më vonë se viti 61 i e.s. Nga ana tjetër, historianët priren të mendojnë se kjo ka ndodhur ndërmjet vitit 58 dhe 61 të e.s. Sipas Robert Jongut, ka më shumë mundësi që Festi ta ketë nisur mandatin e tij si guvernator i Judesë në vitin 58 të e.s.—Analytical Concordance to the Bible, f. 342.
Tri ditë pasi arriti në Cezare, Festi shkoi në Jerusalem, me sa duket për t’u familjarizuar me problemet e popullit që do të drejtonte. Pavli gjendej në Cezare ku ishte lënë i burgosur nga administrata e Feliksit. Pa humbur kohë, krerët e priftërinjve dhe të parët e judenjve kërkuan që Pavli të sillej në Jerusalem, pasi kishin menduar t’i zinin pritë e ta vrisnin rrugës. Mirëpo Festi vendosi që Pavli të gjykohej sërish dhe i urdhëroi paditësit të paraqiteshin para fronit të tij të gjykimit në Cezare. Si mbaroi «gjyqi», Festi u bind se Pavli ishte i pafajshëm dhe, më vonë, i tha mbretit Agripa II: «Kuptova se ai nuk kishte kryer asnjë gjë që meriton vdekjen.» (Ve 25:25) Para kësaj, Festi, «që donte të fitonte pëlqimin e judenjve», e kishte pyetur Pavlin në ishte gati që të shkonte me dëshirën e vet në Jerusalem për t’u gjykuar. (Ve 25:9) Por Pavli ia ktheu: «Askush nuk mund të më dorëzojë tek ata për t’u bërë qejfin. Unë i apelohem Cezarit!»—Ve 25:11.
Mirëpo kjo e vuri Festin para një vështirësie të re. Duke i shpjeguar Agripës se këtë të burgosur duhej ta niste në Romë, ndërkohë që nuk kishte asnjë akuzë kundër tij, Festi tha: «Se më duket e paarsyeshme të dërgoj një të burgosur, pa treguar edhe akuzat kundër tij.» (Ve 25:27) Agripa pranoi ta dëgjonte Pavlin për të gjetur një zgjidhje. Në mbrojtje të çështjes së tij, Pavli mbajti një ligjëratë aq bindëse e prekëse, sa Festi bërtiti: «Po luan mendsh, Pavël! Mësimet e shumta po të bëjnë të luash mendsh!» (Ve 26:24) Atëherë Pavli iu drejtua Agripës me një thirrje të fuqishme, që ngjalli tek ai këtë reagim: «Brenda pak kohe do të ma mbushje mendjen të bëhesha i krishterë.» (Ve 26:28) Më vonë, Agripa i tha Festit: «Po të mos i ishte apeluar Cezarit, ky njeri mund të lirohej.» Vendimi i tyre për çështjen e Pavlit ishte sipas drejtimit të Perëndisë, pasi Zotëria i kishte thënë më parë Pavlit: «Merr zemër, sepse . . . do të japësh [dëshmi] edhe në Romë.»—Ve 23:11; 26:32.
Në krahasim me administratën shtypëse të Feliksit, ajo e Festit në përgjithësi konsiderohet e mirë. Ai eliminoi banditët gjakësorë që njiheshin si burrat me kamë (sikarët), dhe u përpoq në mënyra të tjera të arrinte zbatimin e ligjit romak. Megjithatë, një nga vendimet e tij u apelua në Romë. Agripa kishte ndërtuar një sallë ngrënieje me pamje nga zona e shenjtë e tempullit, kështu judenjtë ndërtuan një mur për të penguar shikimin. Festi urdhëroi që muri të shembej se gjoja u bllokonte shikimin ushtarëve, por, kur çështja iu paraqit apelit, Roma u dha të drejtë judenjve. Festi vdiq ndërsa ishte ende në detyrë dhe e pasoi Albini.