HERODIADA
Gruaja e Herod Antipës. Në vitin 32 të e.s., nëpërmjet së bijës, Salomës, ajo kërkoi kokën e Gjon Pagëzorit dhe ia arriti qëllimit. (Mr 6:22-28) I ati, Aristobuli (bir i Herodit të Madh dhe i gruas së tij të dytë, Mariamnës I) dhe e ëma ishin kushërinj të parë. I vëllai ishte Herod Agripa I që vrau apostullin Jakov, vëllanë e Gjonit.—Ve 12:1, 2.
Në fillim Herodiada u martua me xhaxhanë e saj ose më saktë me gjysmëvëllanë e të atit, një tjetër bir të Herodit të Madh (me gruan e tij të tretë, Mariamnën II). Zakonisht e thërritnin Herod Filipi për ta dalluar nga Filipi, qeveritari i krahinës së Ituresë dhe Trakonitidës. (Lu 3:1) Me Herod Filipin, njëherazi xhaxhai dhe burri i saj, Herodiada lindi Salomën, me sa duket fëmijën e saj të vetëm. Megjithatë, Herodiada u divorcua nga ai dhe u martua me Herod Antipën, gjysmëvëllanë e ish-burrit të saj, që ishte edhe bir i gjyshit të saj, Herodit të Madh, me Maltaken, gruan e tij të katërt. Edhe Herod Antipa, asokohe qeveritar krahine (domethënë «tetrark»), të cilin Jezu Krishti e kishte quajtur ‘dhelpër’ (Lu 13:31, 32), për t’u martuar me Herodiadën, u divorcua nga gruaja e tij e parë, bija e mbretit nabateas, Areta i Arabisë.
Pra, Gjon Pagëzori kishte arsye ta dënonte martesën e Herodiadës me Herod Antipën, pasi sipas ligjit judaik ishte e paligjshme dhe imorale. Por kjo i kushtoi lirinë dhe, më vonë, kokën. Duke e dënuar me guxim dhe me të drejtë këtë lidhje, Gjoni ngjalli urrejtjen e hidhur të Herodiadës e cila, që në rastin e parë, shfrytëzoi mundësinë për ta vrarë.—Mt 14:1-11; Mr 6:16-28; Lu 3:19, 20; 9:9.
Vëllai i Herodiadës, Herod Agripa I, u kthye nga Roma në vitin 38 të e.s., pas kurorëzimit të tij mbret. Kjo e mërziti shumë Herodiadën, pasi i shoqi, megjithëse ishte bir mbreti, mbeti thjesht qeveritar krahine. Prandaj, ajo i bënte vazhdimisht presion të shoqit derisa ai shkoi në Romë me shpresën që të kurorëzohej mbret. Jozef Flavi thotë se Agripa, vëllai i Herodiadës, i dërgoi fshehurazi letra perandorit Kaligula, me anë të të cilave e akuzonte Antipën se po komplotonte me partët. Kështu, Antipa përfundoi i syrgjynosur në Gali i shoqëruar nga Herodiada.—Antikitete judaike, XVIII, 240-256 (vii, 1, 2); Lufta judaike, II, 181-183 (ix, 6).