JEREMIA
[ndoshta: Jehovai lartëson; ose Jehovai zgjidh (ka të ngjarë nga barku)].
1. Beniaminit që u bashkua me Davidin kur ky ishte në Ziklag. Ishte një nga burrat e fuqishëm të Davidit.—1Kr 12:1-4.
2. Një nga bijtë e Gadit që u mblodhën rreth Davidit «në shkretëtirë, në vendin ku ishte e vështirë të arrije» kur ky ia mbathi nga Sauli. Ai ishte i pesti nga ‘burrat trima e të fuqishëm . . . fytyrat e të cilëve ishin si ato të luanëve, dhe ishin të shpejtë si gazelat në male’. Për këta gaditë, krerë të ushtrisë së Davidit, thuhej: «Më i vogli ishte i barabartë me njëqind dhe më i madhi me një mijë.» Ata «kaluan Jordanin muajin e parë, kur ai dilte jashtë nga shtrati, dhe i dëbuan pastaj të gjithë ata të ultësirave, në lindje e në perëndim».—1Kr 12:8-15.
3. I dhjeti nga krerët gaditë në ushtrinë e Davidit; një nga ata që përshkruhen te Jeremia nr. 2.—1Kr 12:13, 14.
4. Një nga krerët e shtëpive atërore të fisit të Manaseut në lindje të Jordanit gjatë kohës së mbretërve. Rubenitët, gaditët dhe gjysma e fisit të Manaseut në lindje të Jordanit (mes të cilëve ishin edhe pasardhësit e këtij Jeremie) «filluan të vepronin me pabesi kundrejt Perëndisë së paraardhësve të tyre dhe u kurvëruan me perënditë e popujve të vendit, të cilët Perëndia i kishte shfarosur para tyre. Për këtë arsye Perëndia i Izraelit zgjoi frymën e Pulit, mbretit të Asirisë, pra frymën e Tilgath-Pilneserit, mbretit të Asirisë, kështu [në kohën e Pekahut, mbretit të Izraelit] ai i çoi në mërgim rubenitët, gaditët dhe gjysmën e fisit të Manaseut e i çoi në Halah, në Habor, në Hara dhe në lumin Gozan».—1Kr 5:23-26; 2Mb 15:29.
5. Një burrë nga qyteti i Libnahut, një qytet priftëror. Ai ishte i ati i Hamutalës, gruas së mbretit Josia, e cila ishte e ëma e mbretërve Jehoahaz dhe Zedekia (Mataniah).—2Mb 23:30, 31; 24:18; Jr 52:1; Js 21:13; 1Kr 6:57.
6. Profet, bir i Hilkiahut, një prifti në Anatoth, qytet priftëror në territorin e Beniaminit, më pak se 5 km në veri-verilindje të Malit të Tempullit në Jerusalem. (Jr 1:1; Js 21:13, 17, 18) Hilkiahu, i ati i Jeremisë, nuk ishte kryeprifti Hilkiah që vinte nga pasardhësit e Eleazarit, por ka shumë të ngjarë të ketë qenë pasardhës i Ithamarit, mbase nga Abiatari, prifti të cilin Solomoni e shkarkoi nga shërbimi priftëror.—1Mb 2:26, 27.
Merr detyrën e profetit. Jeremia e mori detyrën e profetit në moshë shumë të re, në vitin 647 p.e.s., vitin e 13-të të mbretërimit të Josisë, mbretit të Judës (659-629 p.e.s.). Jehovai i tha: «Që para se të të formoja në bark të nënës, të njihja, dhe që para se të dilje nga barku, të shenjtërova. Unë të bëra profet të kombeve.» (Jr 1:2-5) Pra, Jeremia ishte nga të paktët, për lindjen e të cilëve e mori përgjegjësinë vetë Jehovai—duke ndërhyrë me anë të një mrekullie ose duke i drejtuar gjërat në mënyrë hyjnore—që t’i shërbenin në një caktim të veçantë. Ndër ta ishte Isaku, Samsoni, Samueli, Gjon Pagëzori dhe Jezui.—Shih PARANJOHJA, PARAVENDOSJA.
Kur i foli Jehovai, Jeremia tregoi mosbesim te vetja duke thënë: «Oh, Zotëri Sovran Jehova! Unë nuk di të flas, sepse s’jam veçse një djalosh.» (Jr 1:6) Kur i krahasojmë këto fjalë me guximin dhe palëkundshmërinë që tregoi gjatë shërbimit si profet, kuptojmë që këtë forcë të pazakontë nuk e kishte të lindur, por i erdhi ngaqë u mbështet plotësisht te Jehovai. Jehovai ishte vërtet me të «si një i fuqishëm dhe i tmerrshëm», e pikërisht Jehovai e bëri Jereminë «si një qytet të fortifikuar, si një shtyllë hekuri dhe si mure prej bakri kundër tërë vendit». (Jr 20:11; 1:18, 19) Ai u bë kaq i njohur për guximin dhe vendosmërinë që tregoi, sa Jezuin e morën si Jereminë e kthyer në jetë gjatë shërbimit të tij tokësor.—Mt 16:13, 14.
Shkrimet. Përveçse profet, Jeremia ishte edhe hulumtues e historian. Ai shkroi librin që mban emrin e tij dhe në përgjithësi mendohet se shkroi Librin e Parë dhe të Dytë të Mbretërve, që flasin për historinë e dy mbretërive (Judës dhe Izraelit) nga aty ku mbarojnë librat e Samuelit (domethënë, nga pjesa e fundit e mbretërimit të Davidit mbi gjithë Izraelin) deri në fund të të dyja mbretërive. Kronologjia e tij për periudhën e mbretërve, ku ka përdorur metodën e krahasimit ose të ballafaqimit të mbretërve të Judës dhe të Izraelit, na ndihmon të përcaktojmë me saktësi datat e disa ngjarjeve. Pas rënies së Jerusalemit, Jeremia shkroi librin e Vajtimeve.
Mesazh i fuqishëm dënimi. Jeremia nuk ishte tip ankues. Përkundrazi, ishte i dashur, i kujdesshëm dhe i dhembshur. Ai e zotëronte veten mirë dhe tregoi një qëndrueshmëri të admirueshme. Sjellja e bashkatdhetarëve të tij dhe gjykimi që morën e trishtuan shumë.—Jr 8:21.
Ai që u ankua kundër Judës ishte Jehovai, e me të drejtë, dhe Jeremia kishte për detyrë ta shpallte këtë gjë pareshtur, ashtu siç edhe bëri. Gjithashtu, nuk duhet harruar se Izraeli ishte kombi i Perëndisë, i lidhur me Të nëpërmjet një besëlidhjeje dhe nën ligjin e Tij, të cilin po e shkelte paturpësisht. Për të shpjeguar dhe për t’u dhënë peshë shpalljeve të Jeremisë, Jehovai përmendi shpesh Ligjin, duke nënvizuar përgjegjësinë e princave e të popullit dhe duke treguar ku e kishin shkelur Ligjin. Shpeshherë Jehovai ua drejtoi vëmendjen tek ato që, nëpërmjet Moisiut, i kishte paralajmëruar se do t’u ndodhnin nëse nuk ia dëgjonin fjalën dhe thyenin besëlidhjen e tij.—Le 26; Lp 28.
Guxim, qëndrueshmëri, dashuri. Guximi dhe qëndrueshmëria e Jeremisë gërshetoheshin me dashurinë për popullin e tij. Ai duhej të shpallte dënime të ashpra dhe gjykime të frikshme sidomos në adresë të priftërinjve, profetëve, të parëve të vendit dhe atyre që kishin marrë ‘udhën që ndiqte shumica’ e nuk e linin ‘pabesinë’. (Jr 8:5, 6) Megjithatë e kuptonte se detyra e tij ishte edhe ‘të ndërtonte e të mbillte’. (Jr 1:10) Ai qau për gjëmën që do t’i binte Jerusalemit. (Jr 8:21, 22; 9:1) Libri i Vajtimeve është provë e dashurisë dhe e merakut të tij për popullin dhe emrin e Jehovait. Pavarësisht nga pabesia që tregoi kundër tij Zedekia, një mbret frikacak e i lëkundur, Jeremia iu lut që t’i bindej zërit të Jehovait dhe të vazhdonte të jetonte. (Jr 38:4, 5, 19-23) Veç kësaj, Jeremia nuk e mbante veten për të drejtë, por, kur pranoi se kombi ishte treguar i lig, përfshiu edhe veten. (Jr 14:20, 21) Pasi Nebuzaradani i dha lirinë, Jeremia ngurroi të kthehej e t’i linte ata që ishin të mërguar në Babiloni. Mbase mendonte se duhej të kishte një short me ta ose dëshironte t’u shërbente edhe më shumë interesave të tyre frymore.—Jr 40:5.
Gjatë karrierës së tij të gjatë, nganjëherë Jeremia u shkurajua dhe pati nevojë që Jehovai ta siguronte, megjithatë, edhe në vështirësi ai kërkoi pareshtur ndihmën e Jehovait.—Jr 20.
Shoqëritë. Gjatë më shumë se 40 vjetëve të shërbimit të tij si profet, Jehovai nuk e braktisi asnjëherë Jereminë. Ai ishte me të dhe e çliroi nga armiqtë. (Jr 1:19) Jeremia gjente ëndje në fjalën e Jehovait. (Jr 15:16) U rrinte larg atyre që nuk e respektonin Perëndinë. (Jr 15:17) Gjeti miq të mirë (rekabitët, Ebed-Melekun dhe Barukun) mes të cilëve mundi ‘të ndërtonte’. (Jr 1:10) Pikërisht këta e ndihmuan dhe e çliruan nga thonjtë e vdekjes. Veç kësaj, Jehovai i tregoi më shumë se një herë forcën e vet mbrojtëse.—Jr 26:7-24; 35:1-19; 36:19-26; 38:7-13; 39:11-14; 40:1-5.
Ilustrime simbolike. Me disa skena, Jeremia paraqiti në mënyrë simbolike gjendjen e Jerusalemit dhe gjëmën që do të binte mbi të. Për shembull, vizita e tij në shtëpinë e poçarit (Jr 18:1-11) dhe episodi me rripin e prishur. (Jr 13:1-11) Jeremia mori urdhër të mos martohej; ky shërbeu si paralajmërim për ‘sëmundjet vdekjeprurëse’ të fëmijëve që do të lindnin gjatë ditëve të fundit të Jerusalemit. (Jr 16:1-4) Ai theu një poç para pleqve të Jerusalemit si simbol të shkatërrimit të pashmangshëm të qytetit. (Jr 19:1, 2, 10, 11) Gjithashtu bleu një arë nga Hanameli, djali i xhaxhait të tij, për të paraqitur rivendosjen që do të ndodhte pas 70 viteve të mërgimit, kur në Judë të bliheshin sërish ara. (Jr 32:8-15, 44) Në Tafnes, në Egjipt, fshehu gurë të mëdhenj në verandën me tulla në hyrje të shtëpisë së faraonit, duke profetizuar se Nabukodonosori do të vinte fronin e tij pikërisht në atë vend.—Jr 43:8-10.
Profet i vërtetë. Danieli e pranoi Jereminë si profetin e vërtetë të Perëndisë. Studimi i fjalëve të Jeremisë për mërgimin 70-vjeçar, i dha mundësi të forconte dhe të inkurajonte judenjtë duke u treguar se çlirimi ishte shumë afër. (Dn 9:1, 2; Jr 29:10) Ezdra tërhoqi vëmendjen te përmbushja e fjalëve të tij. (Ezd 1:1; shih edhe 2Kr 36:20, 21.) Apostulli Mate tregoi përmbushjen e njërës prej profecive të Jeremisë kur Jezui ishte foshnjë. (Mt 2:17, 18; Jr 31:15) Apostulli Pavël foli për profetët, ku përmendi edhe Jereminë, nga shkrimet e të cilit citoi te Hebrenjve 8:8-12. (Jr 31:31-34) Ai tha edhe se «bota nuk ishte e denjë për ta» dhe se për këta burra «ishte dhënë dëshmi nëpërmjet besimit të tyre».—He 11:32, 38, 39.
7. Biri i Habaziniahut dhe i ati i Jazaniahut; Jazaniahu ishte udhëheqës i rekabitëve, integritetin e të cilëve Jeremia e vuri në provë duke u ofruar verë, të cilën ata nuk e pranuan.—Jr 35:1-10, 19.
8. Prift (ose përfaqësues i një shtëpie priftërore me të njëjtin emër) që u kthye nga mërgimi në Babiloni në vitin 537 p.e.s. me guvernatorin Zorobabel dhe me kryepriftin Jeshua.—Ne 12:1.
9. Prift (ose përfaqësues i një familjeje me të njëjtin emër); një ndër ata që vulosën ‘marrëveshjen e denjë për besim’ që bënë Nehemia, princat, priftërinjtë dhe levitët para Jehovait për të ecur në ligjin e Tij. Nëse emri përfaqëson një familje dhe jo një individ, mund të ketë qenë Jeremia nr. 8.—Ne 9:38; 10:1, 2, 29.
10. Prift (ose shtëpi priftërore) që bënte pjesë në një nga koret e falënderimit që ecte mbi murin e Jerusalemit nga Porta e Togjeve të Hirit në të djathtë drejt Portës së Ujërave, dhe u takua me korin tjetër në tempull. (Ne 12:31-37) Në kohën e Jojakimit, kreu i shtëpisë atërore të Jeremisë ishte Hananiahu. (Ne 12:12) Nëse emri Jeremia në këtë rast përfaqëson një familje dhe jo një individ, mund të ketë qenë Jeremia nr. 8.