LAZARI
[ka të ngjarë të ketë qenë forma greke e emrit hebraik Eleazar që do të thotë «Perëndia ka ndihmuar»].
1. Vëllai i Martës dhe i Marisë; ringjallja e tij ishte një nga mrekullitë e jashtëzakonshme që kreu Jezu Krishti. (Gjo 11:1, 2) Jezui e donte shumë këtë familje që jetonte në Betani, «rreth tre kilometra larg» Jerusalemit, në rrugën për në Jeriko. (Gjo 11:5, 18, shën., NW) Ndoshta ata e kishin mikpritur shpesh në shtëpinë e tyre.—Lu 10:38-42.
Dy motrat i çuan fjalë Jezuit, që në atë kohë gjendej matanë lumit Jordan, se Lazari, vëllai i tyre, ishte shumë sëmurë. Pa dyshim ato shpresonin që Jezui ta shëronte. (Gjo 11:3, 21, 32) Megjithatë, në vend që të shkonte menjëherë në Betani ose ta shëronte Lazarin nga larg siç kishte bërë me shërbyesin e një centurioni (Mt 8:5-13), Jezui qëndroi edhe dy ditë të tjera atje ku ishte. Kur arriti afër Betanisë, Marta e më pas Maria dolën për ta takuar. Lazari kishte katër ditë që kishte vdekur.—Gjo 11:6, 17, 20, 30-32.
Tek fliste me Martën, Jezui përfitoi nga rasti të nxirrte në pah ringjalljen. (Gjo 11:23-27) Së shpejti, fjalët e tij do të kishin më shumë domethënie. Kur mbërriti te varri ose shpella ku ishte varrosur Lazari, Krishti urdhëroi që të hiqej guri që ishte vënë te hyrja. Pastaj, me lutjen që i drejtoi Atit të tij qiellor, Jezui tregoi se një arsye pse po ndodhte gjithë kjo ishte që të pranishmit ‘të besonin se e kishte dërguar’ Perëndia. (Gjo 11:38-42) Jezui e thirri Lazarin e vdekur të dilte nga varri. Ai doli dhe pa dyshim i mahniti e i gëzoi të gjithë ata që ishin aty.—Gjo 11:43, 44.
Kjo mrekulli bëri që shumë të besonin te Jezui, por gjithashtu i nxiti krerët e priftërinjve dhe farisenjtë të kurdisnin vdekjen e tij. Krerët e priftërinjve u zemëruan edhe më shumë kur një turmë e madhe judenjsh shkuan për të parë jo vetëm Jezuin, por edhe Lazarin e ringjallur. Falë Lazarit, shumë judenj po besonin te Jezui, ndaj krerët e priftërinjve u këshilluan që të vrisnin edhe atë. (Gjo 11:45-53; 12:1-11) Megjithatë, në Bibël nuk ka asnjë provë që tregon se këta armiq fetarë arritën t’i realizonin planet e tyre të liga kundër Lazarit.
Disa kritikë të Biblës e sulmojnë tregimin e Gjonit për ringjalljen e Lazarit. Ata tërheqin vëmendjen te fakti që ungjijtë e tjerë nuk e përmendin këtë ndodhi. Megjithatë, kur shqyrton Ungjijtë del se as shkrimtarët e ungjijve që ngjasojnë me njëri-tjetrin nuk treguan çdo vepër të Jezuit. Për shembull, vetëm Luka flet për ringjalljen e birit të vejushës nga Naini. (Lu 7:11-15) Në përgjithësi, Gjoni nuk ka përsëritur atë që kanë treguar të tjerët dhe ringjallja e Lazarit është një shembull i dukshëm.
Mrekullia e ringjalljes së Lazarit ishte një aspekt i rëndësishëm i shërbimit të Jezuit. Ajo ilustroi fuqinë e Birit të Perëndisë dhe rriti besimin e njerëzve tek ai dhe te ringjallja. (Gjo 11:4, 41, 42) Me sa duket ajo ndodhi aty nga fillimi i vitit 33 të e.s. Në Shkrime nuk thuhet asgjë për rrethanat, vendin ose kohën kur vdiq Lazari pasi u ringjall.—Shih RINGJALLJA (Ringjalljet para se të sigurohej shpërblesa).
Nuk ka asnjë deklaratë në Bibël dhe asnjë arsye për ta lidhur personazhin historik të Lazarit me lypësin në ilustrimin e Jezuit për të pasurin dhe Lazarin.
2. Emri i lypësit në ilustrimin e Jezuit që njihet si shëmbëlltyra e të pasurit dhe Lazarit. (Lu 16:19-31) Në Vulgatën latine fjala «i pasur» është përkthyer me mbiemrin dives, që disa e marrin gabimisht si emrin e përveçëm të të pasurit. Megjithatë, emri Lazar ishte i zakonshëm mes hebrenjve në kohët e lashta, siç dëshmojnë mbishkrimet nëpër eshtërore.
Sipas shëmbëlltyrës, Lazarin, lypësin plot ulcera, e çonin te porta e të pasurit që të ngopej me ato që binin nga tryeza e bollshme e të pasurit. Më pas, Lazari vdiq dhe engjëjt e çuan në gji të Abrahamit (vend që në lashtësi krahasohej me atë që zinte i ftuari kur shtrohej përballë një tjetri në të njëjtin divan gjatë një vakti). Abrahami pati një bisedë me të pasurin që gjithashtu kishte vdekur, ishte varrosur dhe ishte në Hades, duke u torturuar. Të pasurin e ndante nga Abrahami dhe Lazari «një hendek i madh». I pasuri i kërkoi Abrahamit të dërgonte Lazarin te pesë vëllezërit e tij ‘që t’u dëshmonte atyre plotësisht’, me shpresë që të mos e pësonin si ai. Abrahami nuk pranoi duke i thënë se ata kishin «Moisiun dhe Profetët» e, nëse nuk donin të dëgjonin ata, ‘s’do të bindeshin as po të ngrihej ndonjë nga të vdekurit’.—Shih ILUSTRIMET.
A u bazua Jezui te bindjet rabinike për të vdekurit kur tha ilustrimin për të pasurin dhe Lazarin?
Në disa raste, profesorë e studiues që merren me krahasimin e feve kanë sugjeruar se kur bëri këtë ilustrim, Jezu Krishti u bazua në koncepte e mësime të lashta rabinike për botën e nëndheshme. Jozef Flavi jep të dhënat e mëposhtme për pikëpamjen e farisenjve të asaj kohe: «Ata besojnë se shpirti ka fuqi të mbijetojë pas vdekjes dhe se ata që kanë bërë një jetë me virtyte ose me vese i presin shpërblime ose ndëshkime të nëndheshme: për shpirtrat e ligj burgim të përjetshëm, kurse për shpirtrat e mirë kalim më të lehtë në një jetë të re.» (Antikitete judaike, XVIII, 14 [i, 3]) Megjithatë, Jezui i kundërshtoi kategorikisht mësimet e rreme, përfshirë edhe ato të farisenjve. (Mt 23) Pra, do të kishte qenë kontradiktore nga ana e tij ta formulonte ilustrimin për të pasurin dhe Lazarin sipas koncepteve të rreme rabinike për botën e nëndheshme. Kështu, duhet menduar se Jezui kishte në mendje përmbushjen e ilustrimit dhe i kishte formuluar hollësitë e zhvillimin në përputhje me faktet e përmbushjes, dhe jo sipas ndonjë doktrine jobiblike.
Konteksti dhe formulimi tregojnë qartë se bëhet fjalë për një shëmbëlltyrë dhe jo për një tregim të vërtetë historik. Aty nuk ngrihet në qiell varfëria dhe nuk dënohet pasuria, përkundrazi del në pah sjellja, shpërblimet e fundit dhe ndryshimi i situatës ose i gjendjes frymore të atyre që përfaqësojnë Lazari dhe i pasuri. Fakti që vëllezërit e të pasurit hodhën poshtë Moisiun dhe profetët, tregon, gjithashtu, se ilustrimi kishte një kuptim dhe qëllim më të thellë se thjesht të vinte përballë njëra-tjetrës varfërinë dhe pasurinë.