LIBNAHU
[nga rrënja e fjalës që do të thotë «i bardhë»; ose ndoshta «pemë stiraksi»].
1. Vendfushim i izraelitëve në shkretëtirë. Vendndodhja nuk dihet.—Nu 33:20, 21.
2. Qytet mbretëror kananit që Josiu e pushtoi para Lakishit. (Js 10:29-32, 39; 12:15) Libnahu ishte një nga qytetet në territorin e Judës që iu dhanë «bijve të Aaronit». (Js 15:21, 42; 21:13; 1Kr 6:57) Qindra vjet më vonë atje banoi vjehrri i mbretit Josia.—2Mb 23:31; 24:18; Jr 52:1.
Kur ngritën krye edomitët, në shekullin e 10-të p.e.s., edhe Libnahu u rebelua kundër Jehoramit, mbretit të Judës. (2Mb 8:22; 2Kr 21:10) Në vitin 732 p.e.s., ushtria e Senakeribit, mbretit të Asirisë, shkoi nga Lakishi në Libnah. Nga Lakishi ai kishte dërguar forca ushtarake për të kërcënuar Jerusalemin. Ndërsa ishin në Libnah, asirianët morën vesh se Tirhakahu, mbreti i Etiopisë, kishte dalë të luftonte kundër tyre. Prandaj, që ta nxiste Jerusalemin të dorëzohej, Senakeribi dërgoi për herë të dytë lajmëtarë me letra kërcënuese për Hezekinë, mbretin e Judës. Më pas engjëlli i Jehovait vrau 185.000 ushtarë asirianë, me sa duket që fushonin ende afër Libnahut.—2Mb 19:8-35; Is 37:8-36.
Është hedhur ideja se Tell-es-Safi është një vendndodhje e mundshme e Libnahut të lashtë. Mirëpo, meqë dëshmitë ekzistuese duket se tregojnë që Tell-es-Safi është Gathi, studiuesit e sotëm priren ta lidhin Libnahun me Tell-Bornatin (Tel-Burenën), rreth 8 km në veri-verilindje të Lakishit.