IJËT
Në Bibël përdoren fjalët hebraike ħalacájim (ijë) dhe mothnájim (mes) për të treguar pjesën e barkut dhe atë rreth mesit. (Is 5:27; 2Mb 4:29) Fjala greke osfís është përdorur në kuptimin e zakonshëm për të treguar se Gjon Pagëzori mbante rreth ijëve një brez lëkure.—Mt 3:4.
Pjesa e trupit që në shqip është përkthyer «ijë» përfshin pjesën ku ndodhen organet e riprodhimit. Prandaj në Shkrime thuhet se pasardhësit ‘dalin nga ijët’ ose ‘barku’. (Zn 35:11; 1Mb 8:19; Ve 2:30) Pavli e përdor këtë fakt për të treguar se priftëria e Jezuit sipas mënyrës së Melkisedekut është më e lartë se priftëria e Aaronit, përderisa Levi, paraardhësi i Aaronit, ishte në ijët e Abrahamit, dhe në këtë kuptim i pagoi të dhjetat Melkisedekut. (He 7:5-10; Zn 14:18-20) Gjithashtu, Pavli arsyetoi në mënyrë të ngjashme te Romakëve 7:9, duke thënë: «Dikur unë [judeu Pavël, në ijët e paraardhësve të tij para se të jepej Ligji] isha gjallë pa ligjin, por kur mbërriti urdhërimi, mëkati u kthye sërish në jetë, kurse unë vdiqa.»
Të ngjeshësh ijët do të thotë të përgatitesh për të vënë në përdorim forcën, si për shembull në një luftë. (Na 2:1) Për gruan e mirë thuhet se i ngjesh ijët me fuqi dhe i luan duart kur merret me aktivitetet e shumta për të mirën e familjes. (Pr 31:17) T’u zgjidhësh ijët mbretërve do të thotë t’u heqësh fuqinë.—Is 45:1.
‘Të ngjishje ijët’ do të thoshte të mblidhje fundin e rrobës e ta ngecje te rripi për të lëvizur lirshëm. Më pas, ajo mori kuptimin e përgatitjes për një aktivitet energjik mendor ose frymor dhe nganjëherë jepte idenë e forcimit.—Lu 12:35; krahaso 1Pj 1:13, «Mblidhni forcat mendore [fjalë për fjalë ‘ngjishni ijët e mendjes’] për aktivitet.»
Tek Efesianëve 6:14, të krishterët nxiten ‘të ngjeshin ijët me të vërtetën’, domethënë të forcohen nga e vërteta e Fjalës së Perëndisë që është një mbështetje e domosdoshme, ashtu si një rrip i shtrënguar fort mbron ijët nga dëmet që sjell një mbingarkesë fizike.
Jehovai paratha dhembjen dhe brengën e Jerusalemit duke e paraqitur me një gjuhë të figurshme «çdo burrë me duart në ijë, si një femër që po lind».—Jr 30:6.
Fjala hebraike ĥésel që po ashtu përkthehet «ijë» del disa herë te Levitiku 3:4-15 dhe përdoret për flijimet në bashkësi. Gjithashtu, ajo del edhe te Jobi 15:27 dhe Psalmi 38:7.