MIZRAIMI
I dyti në listën e bijve të Kamit. (Zn 10:6) Mizraimi ishte paraardhësi i fiseve egjiptiane (si dhe i disa fiseve joegjiptiane) dhe emri i tij u bë sinonimi i Egjiptit. (Zn 10:13, 14; 50:11) Kështu, fjala «Egjipt» në Biblat shqipe është përkthim i fjalës hebraike Micrájim (ose Macóhr në disa raste: 2Mb 19:24; Is 19:6; 37:25; Mi 7:12). Pllakat e Amarnës të shkruara në gjysmën e parë të mijëvjeçarit të dytë p.e.s., i referohen Egjiptit si Misri, njësoj si emri arab modern (Misr).
Shumë studiues mendojnë se Mizraim është një formë gramatikore e shumësit që tregon se Egjipti kishte dy pjesë (d.m.th., Egjipti i Sipërm dhe i Poshtëm), por kjo është thjesht hamendje. (Shih EGJIPTI, EGJIPTIANËT.) Me sa duket, emrat e pasardhësve të Mizraimit janë në shumës: Ludim, Anamim, Lehabim, Naftuhim, Patrusim, Kasluhim dhe Kaftorim. (Zn 10:13, 14; 1Kr 1:11, 12) Ja përse, në përgjithësi, thuhet se ata përfaqësojnë emrat e fiseve dhe jo të secilit prej bijve. Ndonëse ka mundësi të jetë kështu, duhet vërejtur se ka edhe emra të tjerë, si Efraim, Apaim, Diblaim dhe Meshilemot (Zn 41:52; 1Kr 2:30, 31; Ho 1:3; 2Kr 28:12), që shfaqen në formën gramatikore të shumësit që tregon dy elemente ose në shumës, por që është e dukshme se bëjnë fjalë vetëm për një person.