NADABI
[i gatshëm; fisnik; bujar].
1. Djali i parëlindur i Aaronit dhe i Elishebës. (Da 6:23; 1Kr 6:3) Nadabi lindi në Egjipt dhe përjetoi bashkë me izraelitët e tjerë ngjarjen e madhe, Daljen nga Egjipti. Ai bashkë me vëllanë e tij më të vogël, Abihun, dhe 70 izraelitë të tjerë u ftuan të ngjiteshin me Aaronin dhe Moisiun në malin e Sinait, ku panë Jehovain në vegim. (Da 24:1, 9-11) Nadabi dhe tre vëllezërit e tij u caktuan priftërinj bashkë me të atin. (Da 28:1; 40:12-16) Megjithatë, me sa duket, pa mbaruar ende dita, Nadabi dhe Abihu shpërdoruan pozitën duke paraqitur zjarr të palejueshëm. Nuk është saktësuar pse zjarri ishte i palejueshëm, por ka mundësi që arsyeja të ketë qenë më e rëndë se thjesht dehja (siç lë të kuptohet ndalimi që iu vu priftërinjve menjëherë pas kësaj ndodhie për të mos pirë verë ose pije dehëse kur kryenin shërbimin). Megjithatë, gjendja e dehur mund të ketë kontribuar në shkeljen e tyre. Jehovai i vrau me zjarr ata që bënë këtë shkelje dhe kufomat e tyre i nxorën jashtë kampit. (Le 10:1-11; Nu 26:60, 61) Nadabi dhe Abihu vdiqën para se t’u lindnin bij, kështu që u mbeti vëllezërve të tyre, Eleazarit dhe Ithamarit, të themelonin dy shtëpitë priftërore.—Nu 3:2, 4; 1Kr 24:1, 2.
2. Pasardhës i Judës në linjën e Jerahmelit; djali i Shamait dhe i ati i Seledit dhe i Apaimit.—1Kr 2:3, 25, 26, 28, 30.
3. Një nga bijtë e Jejelit nga fisi i Beniaminit.—1Kr 8:1, 29, 30; 9:35, 36.
4. Djali i Jeroboamit dhe mbreti i dytë i mbretërisë veriore të Izraelit që formohej nga dhjetë fise. Gjatë mbretërimit të tij që zgjati gati dy vjet, (duke filluar rreth vitit 976 p.e.s.), Nadabi vazhdoi adhurimin e viçit të vendosur nga i ati. Nadabi u vra nga Baasha gjatë rrethimit të Gibetonit, një ish-qytet levit (Js 21:20, 23) që e kishin shtënë në dorë filistinët; më pas, ky shfarosi të gjithë pjesëtarët e tjerë të shtëpisë së Jeroboamit që të siguronte fronin.—1Mb 14:20; 15:25-31.