FILIPIA
Në kohën kur apostulli Pavël bëri udhëtimin e dytë misionar, ishte «qyteti kryesor [ose i parë] i krahinës së Maqedonisë», por me sa duket jo kryeqyteti. Ndodhej në pjesën lindore të krahinës, në skajin verior të detit Egje, jo larg krahinës së Trakës. Pavli erdhi me anije nga Troada, zbriti në Neapoli, qytet-port i Filipisë, dhe udhëtoi rreth 15 km në veriperëndim përgjatë Rrugës Egnatia, rrugë e rëndësishme tregtare dhe ushtarake që lidhte Azinë me Romën. Kjo rrugë zbriste në rrafshinën e Filipisë pasi kalonte një qafë mali rreth 500 m mbi nivelin e detit.—Ve 16:11, 12.
Qyteti ndodhej në një kodër që ngrihej mbi këtë rrafshinë, pranë lumit Gangit. Në jug kishte një moçal me shtrirje të gjerë. Akropoli i Filipisë gjendej mbi një formacion të madh shkëmbor në verilindje të qytetit. Gërmimet arkeologjike tregojnë se Rruga Egnatia kalonte përmes qytetit dhe anash saj ndodhej një forum me përmasa mbresëlënëse. Pasi iku nga Filipia, Pavli shkoi në Amfipoli, rreth 50 km në jugperëndim, që me sa duket ishte kryeqytet i krahinës. Nga Amfipoli, udhëtoi afro 35 km drejt Apolonisë në jugperëndim. Nga Apolonia shkoi në Selanik, rreth 45 km në perëndim, ku qëndroi gati tri javë, para se të nisej në jugperëndim, në Bere, që të merrte anijen për në Athinë.
Historia. Në fillim Filipia quhej Krenid. Filipi II i Maqedonisë (babai i Aleksandrit të Madh) ua mori qytetin trakëve nga mesi i shekullit të katërt p.e.s. dhe i vuri emrin e vet. Atje kishte miniera të pasura me ar dhe u prenë monedha ari me emrin e Filipit. Rreth vitit 168 p.e.s., konsulli romak Luc Emil Pauli mundi Perseun, mbretin e fundit të Maqedonisë, dhe mori Filipinë e territorin përreth saj. Në vitin 146 p.e.s., e gjithë Maqedonia u bë një provincë e vetme romake. Në rrafshinën e Filipisë, në vitin 42 p.e.s., ndodhi beteja ku Oktaviani dhe Mark Antoni mundën ushtritë e Brutit dhe të Gaj Kas Longinit, vrasësit e Jul Cezarit. Më pas, në kujtim të fitores së tij madhështore, Oktaviani e bëri Filipinë «koloni» romake. (Ve 16:12) Disa vjet më vonë, kur Oktaviani u emërua nga senati i Romës Cezar August, e quajti qytetin Colonia Augusta Julia Philippensis.
Si koloni romake, banorëve të qytetit iu hoqën taksa e iu dhanë privilegje të tjera dhe ndoshta iu dha një formë dytësore e qytetarisë romake. Për këto arsye qytetarët tregonin besnikëri dhe përkushtim të fortë ndaj Romës. Kjo mund të shpjegojë pse zotërinjtë e vajzës, së cilës apostulli Pavël i dëboi një demon falli, theksuan se ishin «romakë» para administruesve kur akuzuan Pavlin e Silën.. (Ve 16:16-24) Për të krishterët filipianë ishte shumë e lehtë të kuptonin Pavlin kur i nxiti duke u shkruar më vonë «silluni si qytetarë» të denjë për lajmin e mirë të Krishtit, dhe kur i kujtoi se ‘qytetaria e tyre gjendej në qiej’, pasi qytetaria në tokë, ajo romake, çmohej shumë në Filipi, madje me të mburreshin.—Fi 1:27; 3:20, Int.
Vizita e Pavlit. Filipia ishte qyteti i parë në Evropë që pati privilegjin të dëgjonte lajmin e mirë që predikoi Pavli rreth vitit 50 të e.s., gjatë udhëtimit të dytë misionar. Ai shkoi atje, sepse veproi në përputhje me një vegim nate në Troadë, Azi e Vogël, ku një maqedon iu përgjërua: «Kalo në Maqedoni dhe na ndihmo!» (Ve 16:8-10) Pavli dhe shokët e tij, siç duket edhe historiani Lukë, qëndruan atje disa ditë dhe në sabat dolën «jashtë portës së qytetit, buzë një lumi» ku, sipas tregimit të Lukës, ‘mendonin se kishte një vend për t’u lutur’. Disa mendojnë se në Filipi nuk kishte sinagogë, ngaqë ishte koloni ushtarake dhe judenjve atje mund t’ua kishin ndaluar të mblidheshin për të adhuruar brenda qytetit. Sidoqoftë, Pavli foli me gratë që ishin mbledhur buzë lumit dhe gjeti Lidian, adhuruese e Perëndisë, së cilës Jehovai «ia hapi plotësisht zemrën, që t’i pranonte gjërat që po thoshte Pavli». Ajo u pagëzua bashkë me ata të shtëpisë dhe ishte kaq mirënjohëse e mikpritëse sa ‘i detyroi [Pavlin dhe shokët e tij] të venin’ në shtëpinë e saj.—Ve 16:11-15.
Mirëpo, pasi iu përgjigj thirrjes për të shkuar në Maqedoni, Pavli hasi përndjekje që në qytetin e parë, por këtë herë jo nga judenjtë, si kishte ndodhur në Galati. Administruesit e qytetit vepruan sipas akuzave të rreme që bënë zotërinjtë e një të demonizuare. Ata kishin humbur të ardhurat, sepse ajo nuk e praktikonte dot më zanatin e parashikimit, nga i cili kishin nxjerrë shumë fitime. Pavlin dhe Silën i rrahën me thupër, i futën në burg dhe ua vunë këmbët në fallaka.—Ve 16:16-24.
Por, në mesnatë, teksa ata po luteshin e po lëvdonin Perëndinë me këngë dhe të burgosurit i dëgjonin, ndodhi një mrekulli. Një tërmet ua zgjidhi vargonjtë të burgosurve dhe hapi dyert. Roja i burgut donte të vriste veten, pasi e dinte se do ta dënonin me vdekje ngaqë humbi të burgosurit nën kujdesin e tij, por Pavli i thirri: «Mos i bëj keq vetes, se ne jemi të gjithë këtu!» Më pas, roja i burgut dhe ata të shtëpisë së tij dëgjuan Pavlin e Silën, u kujdesën për plagët e tyre dhe u bënë besimtarë të pagëzuar.—Ve 16:25-34; FIGURA, vëll. 2, f. 749 në botimin anglisht.
Mëngjesin tjetër, ndoshta kur dëgjuan për ngjarjen e mrekullueshme, administruesit e qytetit e urdhëruan rojën ta lironte Pavlin. Por Pavlit i interesonte më shumë mbrojtja dhe themelimi ligjërisht i lajmit të mirë, sesa lirimi i menjëhershëm. Ai nuk do të ikte tinëz që administruesit të dilnin pa u lagur. Pavli tërhoqi vëmendjen ndaj qytetarisë së tij romake dhe ndaj faktit që atë dhe Silën i kishin rrahur publikisht, ndonëse të padënuar. Në fakt, duhej ta pranonin hapur se ligjin e kishin shkelur ata, jo të krishterët. Kur dëgjuan se Pavli dhe Sila ishin romakë, administruesit i zuri frika dhe shkuan vetë, «iu përgjëruan», i nxorën nga burgu dhe u kërkuan të iknin nga qyteti.—Ve 16:35-40.
Megjithatë, Pavli themeloi një kongregacion të shkëlqyer në Filipi, që gjithmonë e kishte për zemër. Ata dashurinë për Pavlin e treguan me kujdesin e madh dhe me gjërat që i siguronin, edhe kur ishte në vende të tjera. (Fi 4:16) Pavli e vizitoi sërish Filipinë gjatë udhëtimit të tretë misionar dhe, mbase për herë të tretë kur u lirua nga burgimi i parë në Romë.—Ve 20:1, 2, 6; Fi 1:19; 2:24.