FINEHASI
1. Djali i Eleazarit dhe nipi i Aaronit. Nëna e tij ishte e bija e Putielit; i biri quhej Abishua. (Da 6:25; 1Kr 6:4) Pasi 24.000 izraelitë gjetën vdekjen në rrafshinat e Moabit për shkak se kishin kryer kurvëri dhe ishin bashkuar me Baalin e Peorit, ndërhyrja e shpejtë e Finehasit, asokohe i ri, ndali plagën që kishte sjellë Jehovai. Kur pa Zimrin të çonte në tendën e tij midianiten Kozbi, ai i shpoi tejpërtej të dy me një heshtë, «gruan, në organet gjinore». Zelli i tij, ‘për të mos lejuar asgjë të matej’ me Jehovain, «iu llogarit si drejtësi» dhe Perëndia bëri me të një besëlidhje që priftëria të mbetej «brez pas brezi» në linjën e tij.—Nu 25:1-3, 6-15; Ps 106:30, 31.
Finehasi përmbushi funksione të ndryshme gjatë jetës së tij. Ai përfaqësoi priftërinë në ushtrinë që ekzekutoi hakmarrjen e Jehovait mbi Midianin. (Nu 31:3, 6) Kur mendohej se tri fise kishin braktisur adhurimin e Jehovait, ai kryesoi grupin që u mor me hetimin e kësaj çështjeje. (Js 22:9-33) Ai ishte kreu i derëtarëve të tabernakullit. (1Kr 9:20) Pasi varrosi të atin në Kodrën e Finehasit, ai shërbeu si kryeprift. (Js 24:33; Gjy 20:27, 28) Emri i tij bie në sy në disa gjenealogji të regjistruara pas mërgimit.—1Kr 6:4, 50; Ezd 7:5; 8:2.
2. Më i vogli nga dy bijtë e priftit Eli, që ishin njerëz «pa pikë vlere». (1Sa 1:3; 2:12) Gjatë kohës që shërbenin si priftërinj, ai dhe vëllai i tij, Hofni, bashkëjetonin me gra në shenjtërore dhe «e përbuznin blatimin e Jehovait». (1Sa 2:13-17, 22) I ati i qortonte, edhe pse tepër butë, por ata nuk donin ta dëgjonin. Për shkak të ligësisë që tregonin, Perëndia shpalli një gjykim kundër tyre, i cili u përmbush kur u vranë që të dy në të njëjtën ditë gjatë një beteje kundër filistinëve. (1Sa 2:23-25, 34; 3:13; 4:11) Lajmi për marrjen e Arkës dhe për vdekjen e vjehrrit e të burrit ishte tepër për gruan e Finehasit. Shumë e traumatizuar, ajo vdiq duke sjellë në jetë Ikabodin.—1Sa 4:17-21.
3. Një levit; i biri, Eleazari, ndihmoi për të bërë inventarin e thesarit të tempullit në kohën e Ezdrës, në vitin 468 p.e.s.—Ezd 8:33, 34.