SHIHORI
[nga gjuha egjipt., që do të thotë «pellgu i Horusit»].
Nga ç’duket, dega më në lindje e lumit Nil në zonën e deltës. Në të katër rastet kur shfaqet në tekstin hebraik, Shihori lidhet gjithmonë me Egjiptin. (Js 13:3, «degëzimi i Nilit», 1Kr 13:5, «lumi»; Is 23:3; Jr 2:18) Disa studiues mendojnë se Shihori ishte ‘lugina e përroit të Egjiptit’ (Nu 34:5), të cilën e lidhin zakonisht me Vadi-el-ʽArishin në jugperëndim të Gazës. Mirëpo, nga Jeremia 2:18 dhe Isaia 23:3 duket që Shihori ka lidhje më shumë me Egjiptin dhe Nilin, sesa lugina ose vadi i mësipërm. Sidomos te shkrimi i Isaisë, ku flitet për ‘farën e Shihorit’, duket se bëhet fjalë më tepër për një rrjedhë uji të vazhdueshme (nahár ), se për një rrjedhë stinore (náħal). Për këto arsye, Shihori, të paktën në këto dy vargje, lidhet më shumë me degën më në lindje të Nilit (pasi lumi degëzohet, kur arrin zonën e deltës). Kjo vendndodhje mund të shpjegojë pse te Josiu 13:3 për të thuhet se ishte «përballë [d.m.th. në lindje të] Egjiptit».
Megjithatë, shkrimi i Josiut është pjesë e përshkrimit të vendit që izraelitët ende duhej të shtinin në dorë pas fushatave të para të drejtuara nga Josiu. Ky vend shtrihej në veri, deri «në hyrje të Hamathit». (Js 13:1-6) Ata që përpiqen ta lidhin Shihorin me Vadi-el-ʽArishin tregojnë se në pjesë të tjera të Biblës kufijtë e trashëgimisë së Izraelit fillojnë nga ‘lugina e përroit të Egjiptit’ deri «në hyrje të Hamathit». (Nu 34:2, 5, 7, 8) Gjithsesi, te Josiu 13:3 disa përkthime (RS, BR) e konsiderojnë përmendjen e Shihorit («degëzimi i Nilit», BR) si pjesë të një informacioni sqarues që tregon nga pikëpamja historike se deri ku shtrihej në jugperëndim vendi i Kanaanit njëherë e një kohë. Nga ky këndvështrim, në vend që të përshkruajë territorin që duhej pushtuar, shkrimi mund të tregojë thjesht se dikur kananitët banonin deri në kufirin më lindor të Egjiptit.
Në mënyrë të ngjashme, vërehet një përputhje mes tregimit kur Davidi mblodhi Izraelin nga Shihori («lumi i Egjiptit», BR) deri në Hamath (tek përpiqej të ngjiste arkën e besëlidhjes në Jerusalem) dhe atij kur populli u mblodh në ditët e Solomonit, «nga hyrja e Hamathit deri në luginën e përroit të Egjiptit». (1Kr 13:5; 1Mb 8:65) Shpjegimi mund të jetë se në rastin e dytë (në kohën e Solomonit) tregohet se deri ku banonin faktikisht izraelitët. Rajoni mes Vadi-el-ʽArishit dhe degëzimit lindor të Nilit është kryesisht një vend i shkretë dhe shkurrishtë. Pra, ky vadi apo luginë e përroit, në mënyrë të përshtatshme shënon kufirin e territorit të banueshëm për izraelitët, kurse në rastin e parë (të Davidit) përshkrimi mund të përfshijë gjithë zonën ku vepronin izraelitët, rajonin ku sundonte faktikisht Davidi, i cili shtrihej deri në kufi me Egjiptin.
Edhe para kohës së Davidit, mbreti Saul i kishte ndjekur amalekitët deri në Shur, «që gjendet përballë Egjiptit» (1Sa 15:7), dhe për zotërimet që Solomoni trashëgoi nga Davidi thuhet se shtriheshin «deri në kufirin e Egjiptit». (1Mb 4:21) Pra, ndonëse territori që iu nda fiseve të Izraelit nuk shtrihej përtej ‘luginës së përroit të Egjiptit’, kjo nuk duket se kundërshton identifikimin e Shihorit me një ‘degëzim të Nilit’ te Josiu 13:3 apo me ‘lumin e Egjiptit» te 1 Kronikave 13:5.
Fjala «Shihor» nuk shfaqet te Zanafilla 15:18, ku Jehovai i premtoi Abrahamit se do t’i jepte vendin «nga lumi i Egjiptit deri në lumin e madh, lumin Eufrat». Pra, edhe këtu shtrohet pyetja nëse termi «lumi [formë e nahár] i Egjiptit» i referohet një pjese të Nilit apo ‘luginës së përroit [náħal] të Egjiptit’ (Vadi-el-ʽArishi). Përgjigjja varet nëse Jehovai po përshkruante zonën që do t’u jepej si trashëgimi fiseve apo po i referohej gjithë rajonit ku do të sundonte mbretëria e Izraelit në kulmin e zgjerimit të saj. Në rastin e parë, vargu do t’i referohej Vadi-el-ʽArishit, kurse në rastin e dytë, Shihorit.—Shih LUGINA E PËRROIT TË EGJIPTIT.