TOFETI
Vend jashtë Jerusalemit ku izraelitë apostatë, përfshirë Akazin dhe Manaseun, praktikuan flijimin e fëmijëve për një periudhë mjaft të gjatë. Në fund, mbreti Josia e bëri të papërshtatshëm për adhurim këtë vend. (2Mb 23:10; 2Kr 28:3; 33:6; Jr 7:31-33; 19:3-14; 32:35) Ka të ngjarë që Tofeti ndodhej në anën lindore të luginës së Hinomit, afër Portës së Copave të Poçeve.—Jr 19:2, 6, 14; shih LUGINA E HINOMIT.
Në një koment për 2 Mbretërve 23:10, komentuesi jude David Kimhi (1160?-1235?) jep këtë shpjegim hipotetik për Tofetin: «Emri i vendit ku kalonin [në zjarr] bijtë e tyre për Molekun. Vendi quhej Tofet dhe thoshin se mbante atë emër ngaqë gjatë adhurimit kërcenin e u binin dajreve [heb., tuppím ], që babai të mos i dëgjonte klithmat e të birit kur e kalonin në zjarr dhe që të mos i dridhej zemra për të e t’ua hiqte nga duart. Ky vend ishte një luginë që i përkiste një burri të quajtur Hinom e quhej ‘lugina e Hinomit’ dhe ‘lugina e birit të Hinomit’ . . . . Josia e ndoti atë vend duke e katandisur në një vend të papastër, ku hidheshin kufoma e gjithfarë ndyrësish, që kurrë më të mos i lindte në zemër njeriu të kalonte në zjarr për Molekun birin a bijën e vet.»—Biblia Rabbinica, Jerusalem, 1972.
Ja ç’thuhet tek Isaia 30:32, 33 për ndëshkimin që do të sillte Jehovai kundër Asirisë: «Do të shoqërohet me dajre [heb., bethuppím ] e me harpa . . . . Sepse tashmë Tofeti është bërë gati për të . . . . Zjarri bubulon dhe drutë janë me shumicë. Fryma e Jehovait, ashtu si një përrua squfuri, po e ndez atë.» Këtu Tofeti përdoret në kuptim të figurshëm si një vend që digjej me zjarr, për të simbolizuar shkatërrimin që e priste Asirinë.