Ndiqni dritën e botës
«Kush vjen pas meje . . . do ta ketë dritën e jetës.»—GJONI 8:12.
1. Sa e çmueshme është drita?
ÇFARË do të bënim pa dritë? Merre me mend sikur çdo ditë të zgjohesh dhe të të presin 24 orë errësirë. Merre me mend një botë pa ngjyra, sepse pa dritë nuk ka ngjyra. Në fakt, po të mos qe drita, nuk do të ishim as ne! Përse? Sepse, në procesin e fotosintezës bimët e gjelbëra përdorin dritë për të prodhuar ushqimin që ne hamë: drithërat, perimet dhe frutat. Është e vërtetë që herë pas here hamë edhe mish. Por kafshët që na japin këtë mish ushqehen me bimë apo me kafshë të tjera barëngrënëse. Prandaj, në kuptimin fizik, jeta jonë varet plotësisht nga drita.
2. Cilat burime të fuqishme të dritës ekzistojnë dhe ç’na tregon kjo për Jehovain?
2 Drita jonë vjen prej diellit që është një yll. Edhe pse dielli ynë jep një sasi mjaft të madhe drite, ai prapë mbetet një yll mesatar. Ekzistojnë yje mjaft më të mëdhenj. Dhe grumbullimi i yjeve në të cilin ne jetojmë, galaktika Udha e Qumështit, përmban më shumë se një qind miliard yje. Veç kësaj, në univers ka me miliarda galaktika. Çfarë radhitjeje madhështore yjesh! Dhe sa sasi të madhe drite që nxjerrin! Sa burim i fuqishëm drite është Jehovai, që i krijoi të gjitha këto! Isaia 40:26 deklaron: «Ngrini sytë lart dhe shikoni. Kush i ka krijuar këto gjëra? Është Ai që nxjerr ushtrinë e tyre edhe me numër, madje, që i thërret të gjitha edhe në emër, madje. Falë bollëkut të energjisë dinamike, pasi ai është edhe i fortë në fuqi, nuk mungon asnjë prej tyre.»
Një tjetër lloj drite
3. Sa e rëndësishme është drita frymore prej Jehovait?
3 Jehovai është, gjithashtu, Burim i një tjetër lloj drite, e cila na lejon të kemi një pamje frymore, një ndriçim frymor. Një fjalor e përkufizon fjalën «ndriçoj» në këtë mënyrë: «Përhap dije dhe jap arsim për të dalë nga padija.» Ndërsa «i ndriçuar»: «Që ka dijeni për diçka që nuk dihet, i sqaruar.» Ndriçimi frymor nga Jehovai kërkohet nëpërmjet njohurisë së saktë për Fjalën e tij, Biblën. Ajo na lejon të njohim se kush është Perëndia dhe cilat janë qëllimet e tij. «Sepse Perëndia tha: ‘Le të shkëlqejë drita nga errësira’ dhe ai i ndriti zemrat tona që t’i ndriçojë ato me njohurinë e lavdishme të Perëndisë me anë të fytyrës së Krishtit.» (2. Korintasve 4:6, NW) Prandaj, të vërtetat e Fjalës së Perëndisë na lirojnë nga padija dhe na sqarojnë. Jezui tha: «Do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë njerëz të lirë.»—Gjoni 8:32.
4, 5. Në ç’mënyrë njohuria që vjen prej Jehovait shërben si dritë në jetën tonë?
4 Jehovai, Burimi i ndriçimit frymor, është «i përsosur në njohuri». (Jobi 37:16) Gjithashtu, Psalmi 119:105 deklaron për Perëndinë: «Fjala jote është llamp në këmbën time dhe dritë në udhën time.» Pra, ai mund të na ndriçojë frymësisht jo vetëm hapin vijues që do të bëjmë në jetë, por edhe udhën që na pret. Pa këtë dritë, jeta do të ishte sikur t’i jepnim një makine në një rrugë gjarpëruese malore, në një natë të errët, pa drita në makinë apo ndokund tjetër. Drita frymore që vjen prej Perëndisë mund të krahasohet me atë që bëjnë dritat e para të makinës. Drita ndriçon udhën, kështu që ne mund të shohim saktësisht se ku po shkojmë.
5 Profecia e Isaisë 2:2-5, tregon se në kohën tonë Perëndia po mbledh nga të gjitha kombet njerëz që duan ndriçim frymor, që të mund të mësojnë dhe zbatojnë adhurimin e vërtetë. Vargu i 3-të thotë: «Ai do të na mësojë nëpër rrugët e tij dhe ne do të ecim nëpër shtigjet e tij.» Vargu i 5-të i fton kërkuesit e vërtetë të dritës: «Ejani dhe le të ecim në dritën e Jehovait.»
6. Ku do të na çojë përfundimisht drita e Jehovait?
6 Jehovai, pra, është burimi i dy lloj dritave thelbësore për jetën: fizike dhe frymore. Drita fizike ndihmon trupat tanë që të jetojnë tani, ndoshta 70 apo 80 vjet pak a shumë. Por drita frymore na udhëheq për në jetën e përjetshme në një tokë parajsore. Është ashtu si Jezui i tha në lutje Perëndisë: «Kjo do të thotë jeta e përhershme, që të fitojnë njohuri mbi ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe mbi atë që ti dërgove, Jezu Krishtin.»—Gjoni 17:3, NW.
Bota është në errësirë frymore
7. Përse ndriçimi frymor na nevojitet tani më tepër se kurrë?
7 Sot, ne kemi nevojë për dritë frymore më shumë se kurrë. Profeci të tilla si Mateu kapitulli 24 apo 2. Timoteut kapitulli 3, tregojnë se jemi afër fundit të këtij sistemi gjërash. Këto dhe profeci të tjera kanë parathënë gjërat e tmerrshme që kanë ndodhur në kohën tonë, duke na bërë të ditur se jemi në «ditët e fundit». Për të vërtetuar këto profeci ky shekull është karakterizuar nga gjëma të njëpasnjëshme. Kriminaliteti dhe dhuna janë rritur në përmasa të frikshme. Luftërat kanë rrëmbyer më shumë se një qind milion jetë njerëzore. Sëmundjet, si SIDA e frikshme, gjurmojnë miliona veta, vetëm në SH.B.A. kanë vdekur tashmë më shumë se 160.000 njerëz. Familjet janë shpërbërë dhe morali seksual shihet si i vjetëruar.
8. Me çfarë situate ballafaqohet njerëzimi tani dhe përse?
8 Ish-sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Javier Pérez de Cuéllar, tha: «Situata botërore ofron dëshmi të qarta se varfëria [po dobëson] kohezionin e shoqërisë.» Ai vërejti se «më tepër se një miliard njerëz tani jetojnë në varfëri absolute» dhe se «kjo ushqen forcat që çojnë në luftëra të ashpra». Këto «hidhërime të mëdha,—tha ai,—i sfidojnë të gjitha mjetet e shpëtimit që disponojnë qeveritë.» Dhe kryetari i një organizate të njohur pohoi: «Problemi qendror që përballon shoqëria është se ajo nuk mund të qeveriset më.» Sa të vërteta janë fjalët e Psalmit 146:3: «Mos besoni tek fisnikët, as edhe tek biri i njeriut tokësor, të cilit nuk i përket asnjë shpëtim.»
9. Cilët janë përgjegjësit më të mëdhenj të errësirës që mbështjell njerëzimin dhe kush mund të na lirojë prej këtij ndikimi?
9 Sot, gjendja është ashtu siç përshkruhet tek Isaia 60:2: «Ja, errësira vetë do të mbulojë tokën dhe terri i dendur grupet e kombeve.» Kjo errësirë që mbulon pjesën më të madhe të banorëve të tokës, i detyrohet faktit se ata nuk e thithin dritën frymore që jep Jehovai. Dhe shkaku themelor i errësirës frymore është Satana Djalli dhe demonët e tij, armiqtë kryesorë të Perëndisë së dritës. Ata janë «qeveritarët botërorë të kësaj errësire». (Efesianëve 6:12, NW) Siç thuhet tek 2. Korintasve 4:4, Djalli është «perëndia i këtij sistemi gjërash» që «i ka verbuar mendjet e pabesimtarëve, me qëllim që drita e lajmit të mirë të lavdishëm mbi Krishtin, që është shëmbëlltyra e Perëndisë, të mos i shkëlqejë ata.» (NW) Asnjë qeveri njerëzore nuk mund ta lirojë njerëzimin nga ndikimi i Satanait. Këtë mund ta bëjë vetëm Perëndia.
«Një dritë e madhe»
10. Në ç’mënyrë Isaia paratha se në ditët tona drita do të përhapej mbi njerëzimin?
10 Por, edhe pse errësira e thellë ka mbuluar shumicën e njerëzimit, Fjala e Perëndisë ka profetizuar, gjithashtu, tek Isaia 60:2, 3: «Por mbi ty do shkëlqejë Jehovai dhe mbi ty do të shihet vetë lavdia e tij. Dhe kombet me siguri do të vijnë në dritën tënde.» Kjo përputhet me kapitullin e dytë të Isaisë, që kish premtuar se ndriçimi, adhurimi i vërtetë i Jehovait, do të vendosej në këto ditë të fundit. Vargjet 2 dhe 3 thonë: «Tek ai do të vlojnë gjithë kombet. Dhe shumë veta do të shkojnë sigurisht dhe do të thonë: ‘Ejani, o njerëz dhe le të ngjitemi në malin e Jehovait’ », që do të thotë në adhurimin e tij të vërtetë dhe të lartësuar. Pra, edhe pse bota kontrollohet prej Satanait, drita e Perëndisë po përhapet dhe po liron nga errësira shumë njerëz.
11. Kush do ta pasqyronte më shumë se kushdo tjetër dritën e Jehovait dhe si e identifikoi Simoni atë?
11 Profecia e Isaisë 9:2, parathoshte se Perëndia do të dërgonte dikë në botë, për të pasqyruar dritën e tij. Aty thuhet: «Njerëzit që po ecnin në errësirë panë një dritë të madhe. Sa për ata që banonin në vendin e hijes së thellë, vetë drita shkëlqeu mbi ta.» Kjo «dritë e madhe» është Zëdhënësi i Jehovait, Jezu Krishti. Jezui tha: «Unë jam drita e botës. Kush vjen pas meje, nuk do të ecë në errësirë, por do ta ketë dritën e jetës.» (Gjoni 8:12) Disa e dinin këtë, madje qysh kur Jezui ishte një fëmijë. Luka 2:25 thotë se një burrë i quajtur Simon ishte «i drejtë dhe me frikë Perëndie» dhe se «fryma e shenjtë ishte mbi të». Kur Simoni pa fëmijën e vogël Jezu, i tha Perëndisë në lutje: «Sytë e mi panë mjetin tënd të shpëtimit, që ti e përgatite përpara gjithë popujve, një dritë për të hequr vellon prej kombeve.»—Luka 2:30-32, NW.
12. Kur dhe si filloi Jezui të hiqte vellon e errësirës që mbulonte njerëzit?
12 Jezui filloi të hiqte vellon prej kombeve pak pas pagëzimit të tij. Mateu 4:12-16, na thotë se kjo plotësonte Isaian 9:1, 2, që fliste mbi «dritën e madhe», e cila do të fillonte të shkëlqente mbi njerëzit që ecnin në errësirë frymore. Mateu 4:17 thotë: «Prej asaj kohe Jezui filloi të predikonte, duke thënë: ‘Pendohuni, njerëz, sepse mbretëria e qiejve është afër.» (NW) Duke predikuar lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë, Jezui i ndriçoi njerëzit mbi qëllimet e Perëndisë. Ai «hodhi dritë mbi jetën dhe pavdekshmërinë me anë të lajmit të mirë».—2. Timoteut 1:10, NW.
13. Si e përshkroi Jezui vetveten dhe përse mund ta bënte këtë me kaq siguri?
13 Jezui pasqyroi me besnikëri dritën e Perëndisë. Ai tha: «Unë—drita—erdha në botë, që, secili që beson në mua, të mos mbetet në terr. . . . Sepse unë nuk fola prej vetvetes, porse ai që më dërgoi—Ati—Ai më urdhëroi çka të them, çka të flas. Dhe e di: urdhëri i tij është Jetë e pasosur.»—Gjoni 12:44-50.
«Me anë të tij ishte jeta»
14. Si tregohet Jezui në Gjoni 1:1, 2?
14 Po, Jehovai e dërgoi Birin e tij mbi tokë për të qenë një dritë që do t’i tregonte njerëzve udhën për në jetën e përjetshme. Vër re se si është nxjerrë në pah kjo tek Gjoni 1:1-16. Në vargjet 1 dhe 2 lexojmë: «Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte me Perëndinë dhe fjala ishte një perëndi. Ky ishte në fillim me Perëndinë.» (NW) Këtu, Gjoni e quan Jezuin paranjerëzor me titullin «Fjala». Kjo tregon rolin që ai luante si Zëdhënës i Perëndisë Jehova. Dhe deklarata e Gjonit «në fillim ishte Fjala», do të thotë se Fjala ishte fillimi i punëve krijuese të Jehovait, «Fillimi i krijesës së Hyut [Perëndisë, NW].» Pozita e tij e shquar midis krijesave të Perëndisë, përbën një bazë të vërtetë për ta quajtur «një perëndi», një të fuqishëm. Isaia 9:6 e quan atë «Perëndi të fuqishëm», edhe pse nuk e quan Perëndia i Gjithëfuqishëm.
15. Çfarë informacionesh të mëtejshme na jep mbi Jezuin Gjoni 1:3-5?
15 Gjoni 1:3 deklaron: «Të gjitha gjërat erdhën në jetë me anë të tij dhe pa të asnjë gjë nuk erdhi në jetë.» (NW) Kolosianëve 1:16 thotë se «me anë të tij u krijua çdo gjë tjetër në qiej dhe mbi tokë.» (NW) Gjoni 1:4 thotë se «me anë të tij ishte jeta dhe jeta ishte drita e njerëzve.» (NW) Kështu, pra, me anë të Fjalës u krijua çdo formë tjetër e jetës; gjithashtu, me anë të Birit të tij, Perëndia i jep njerëzimit mëkatar dhe të vdekshëm, mundësinë për të marrë jetën e përhershme. Sigurisht, Jezui është i fuqishmi që Isaia e quajti «një dritë të madhe». Dhe Gjoni 1:5 thotë: «Drita shkëlqen në errësirë, por errësira nuk e mundi dot atë.» (NW) Drita përfaqëson të vërtetën dhe drejtësinë, në kontrast me errësirën, që përfaqëson gabimin dhe padrejtësinë. Prandaj, Gjoni tregon se errësira nuk do të fitojë mbi dritën.
16. Si e tregoi Gjon Pagëzuesi fushën e veprimtarisë së Jezuit?
16 Tani, Gjoni shpjegon në vargjet 6 deri 9: «U ngrit një njeri që u dërgua si përfaqësues i Perëndisë: emri i tij ishte Gjon [Pagëzuesi]. Ky njeri erdhi për të dëshmuar, për të dhënë dëshmi mbi dritën, me qëllim që njerëz të çdo lloji të besonin nëpërmjet tij. Ai [Gjoni] nuk ishte drita, por duhej të jepte dëshmi mbi atë dritë [Jezuin]. Drita e vërtetë që ndriçon çdo lloj njeriu ishte duke ardhur në botë.» (NW) Gjoni tregoi për Mesinë që po vinte dhe i drejtoi ithtarët e vet për tek Ai. Me kohë, të gjithë njerëzve iu dha mundësia për të pranuar dritën. Jezui, pra, nuk erdhi vetëm për të mirën e hebrenjve, por për të mirën e mbarë njerëzimit, të pasur dhe të varfër, të çdo race.
17. Çfarë na thotë Gjoni 1:10, 11 mbi gjendjen frymore të hebrenjve në kohën e Jezuit?
17 Vargjet 10 dhe 11 vazhdojnë: «Ai ishte në botë dhe bota erdhi në jetë nëpërmjet tij, por bota nuk e njohu atë. Ai erdhi në shtëpinë e vet, por njerëzit e tij nuk e pritën.» (NW) Jezui, në ekzistencën e tij paranjerëzore, ishte ai nëpërmjet të cilit u krijua bota e njerëzimit. Por kur erdhi në tokë, pjesa më e madhe e popullit të tij, hebrenjtë, nuk e pranoi atë. Ata nuk dëshironin që ligësia dhe hipokrizia e tyre të dilte në shesh. Ata preferuan më mirë errësirën, sesa dritën.
18. Në ç’mënyrë Gjoni 1:12, 13 tregon se disa do të bëheshin bij të Perëndisë me një trashëgimi të veçantë?
18 Në vargjet 12 dhe 13 Gjoni thotë: «Megjithatë, atyre që e pranuan, ai u dha autoritetin për t’u bërë bij të Perëndisë, sepse ata ushtruan besim në emrin e tij; dhe ata lindën jo prej gjaku apo dëshire trupore apo prej dëshirës së njeriut, por prej Perëndisë.» (NW) Këto vargje tregojnë se fillimisht ithtarët e Jezuit nuk ishin bij të Perëndisë. Para ardhjes së Jezuit mbi tokë, njerëzve nuk u ishte dhënë mundësia për të pasur këtë lidhje si bij dhe as ndonjë shpresë qiellore. Por, falë flijimit shpërblerës të Krishtit, në të cilin ata besuan, disa njerëz u adoptuan si bij dhe mund të kishin shpresën e jetës si mbretër në Mbretërinë qiellore të Perëndisë bashkë me Krishtin.
19. Përse Jezui është në pozitën më të mirë për të pasqyruar dritën e Perëndisë, siç tregon edhe Gjoni 1:14?
19 Vargu 14 deklaron: «Pastaj, Fjala u bë mish dhe banoi mes nesh dhe ne pamë lavdinë e tij, një lavdi të tillë që e ka një bir i vetëmlindur prej atit.» (NW) Mbi tokë, Jezui e pasqyroi lavdinë e Perëndisë ashtu siç mund ta bëjë vetëm Biri i parëlindur i Perëndisë. Prandaj, ai ishte më i afti për t’u zbuluar njerëzve Perëndinë dhe qëllimet e Tij.
20. Siç tregon edhe Gjoni 1:15, çfarë thotë Gjon Pagëzuesi për Jezuin?
20 Pastaj, në vargun 15 apostulli Gjon shkruan: «Gjoni [Pagëzuesi] dha dëshmi mbi të, po, në fakt ai bërtiti—ai vetë e tha këtë—duke thënë: ‘Ai që vjen pas meje ka shkuar përpara meje, sepse ai ekzistonte para meje.» (NW) Gjon Pagëzuesi lindi gati gjashtë muaj para lindjes së Jezuit si njeri. Por Jezui bëri shumë më tepër gjëra se Gjoni, kështu që ai shkoi përpara Gjonit në çdo aspekt. Dhe Gjoni e dinte se Jezui ekzistonte para tij, pasi Jezui kishte një ekzistencë paranjerëzore.
Dhurata prej Jehovait
21. Përse Gjoni 1:16 thotë se ne kemi marrë «dashamirësi të pamerituar mbi dashamirësi të pamerituar»?
21 Gjoni 1:16 pohon: «Të gjithë ne morëm prej plotësisë së tij, madje dashamirësi të pamerituar mbi dashamirësi të pamerituar.» (NW) Edhe pse njerëzit kanë lindur në mëkat, pasi e kanë trashëguar prej Adamit, Jehovai ka si qëllim shkatërrimin e këtij sistemi të lig, të mundësojë mbijetesën e miliona njerëzve për në botën e re, ringjalljen e të vdekurve dhe asgjësimin e mëkatit dhe vdekjes, që do të sjellë si rezultat jetën e përhershme në një tokë parajsore. Të gjitha këto bekime nuk i meritojmë, sepse njerëzit mëkatarë nuk i kanë fituar. Ato janë dhurata prej Jehovait nëpërmjet Krishtit.
22. (a) Çfarë ka bërë të mundur dhurata më e madhe e Perëndisë? (b) Cila ftesë na është drejtuar në librin e fundit të Biblës?
22 Cila ishte dhurata më e madhe që i bëri të mundura gjithë këto gjëra? «Perëndia e deshi botën [e njerëzimit] kaq shumë, saqë dha Birin e tij të vetëmlindur, me qëllim që kushdo që ushtron besim në të, të mos shkatërrohet, por të ketë jetën e përhershme.» (Gjoni 3:16, NW) Për këtë arsye, njohja e saktë e Perëndisë dhe e Birit të tij, «Agjentit Kryesor të jetës», është thelbësore për ata që dëshirojnë dritën frymore dhe jetën e përhershme. (Veprat 3:15) Prandaj edhe libri i fundit i Biblës jep këtë ftesë për të gjithë ata që e duan jetën: « ‘Eja!’ Dhe kushdo që ka etje le të vijë; kushdo që dëshiron, le të marrë falas ujin e jetës.»—Zbulesa 22:17, NW.
23. Çfarë bëjnë njerëzit që u ngjajnë deleve, kur vijnë në dritë?
23 Njerëzit e përulur, ngjashëm deleve, jo vetëm do të vijnë në dritën e jetës, por edhe do ta ndjekin atë dritë: «Delet e ndjekin atë, sepse ato e njohin [tingullin e së vërtetës në] zërin e tij.» (Gjoni 10:4, NW) Në fakt, ato gëzohen që «të ndjekin nga afër gjurmët e tij», sepse e dinë se duke vepruar kështu do të kenë jetën e përhershme.—1. Pjetrit 2:21.
Pyetjet për përsëritje
◻ Cilat janë dy llojet e dritës që vijnë prej Jehovait?
◻ Përse ndriçimi frymor është kaq i rëndësishëm sot?
◻ Në ç’mënyrë Jezui ishte «një dritë e madhe»?
◻ Çfarë na thotë kapitulli I i Gjonit mbi Jezuin?
◻ Çfarë dhuratash marrin ata që ndjekin dritën e botës?
[Figura në faqe 10]
Simoni e quajti Jezuin «një dritë për të hequr vellon prej kombeve»