Fryte, të mira dhe të këqija
«Zoti më tregoi dy kosha me fiq . . . Një nga koshat përmbante fiq shumë të mirë, fiq të dorës së parë, ndërsa koshi tjetër përmbante fiq shumë të këqij, aq të këqij sa nuk mund të haheshin.»—JEREMIA 24:1, 2.
1. Si tregoi Jehovai dhembshuri për popullin e tij, Izraelin, por si u përgjigjën ata?
ISHTE viti 617 p.e.s., pikërisht dhjetë vjet para se gjykimi i Jehovait të binte me të drejtë mbi Jeruzalemin dhe banorët e tij. Jeremia kishte predikuar tashmë me forcë për 30 vjet. Shiko me vëmendje përshkrimin e gjallë të situatës nga Ezdra, siç gjendet në 2. Kronikat 36:15: «Zoti, Perëndia i etërve të tyre, u dërgoi atyre, që në fillim dhe me këmbëngulje, paralajmërime me anë të lajmëtarëve të tij, sepse donte ta shpëtonte popullin e tij dhe banesën e tij.» Cili qe rezultati i gjithë kësaj përpjekjeje? Mjerisht, Ezdra vazhdon të raportojë në vargun 16: «Por ata u tallën me lajmëtarët e Perëndisë, përçmuan fjalët e tij dhe vunë në lojë profetët e tij, deri sa zemërimi i Zotit kundër popullit të tij arriti një pikë në të cilën nuk kishte rrugëdalje.»
2, 3. Përshkruaj vizionin mahnitës që Jehovai i tregoi Jeremisë.
2 A do të thotë kjo se kombi i Judës do të zhdukej plotësisht? Për të gjetur përgjigjen, le të konsiderojmë një vizion të rëndësishëm që iu dha tani Jeremisë dhe që gjendet në kreun 24 të librit që mban emrin e tij. Perëndia përdori dy kosha me fiq në këtë vizion për të simbolizuar zhvillimet që do të ndodhnin midis popullit me të cilin ai kishte bërë besëlidhjen. Këto do të përfaqësonin dy lloje të ndryshme frytesh, të mira dhe të këqija.
3 Jeremia kreu 24, vargjet 1 dhe 2, përshkruan çfarë tha profeti i Perëndisë: «Zoti më tregoi dy kosha me fiq të vendosur përpara tempullit të Zotit, mbas çuarjes në robëri prej Jeruzalemit nga Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, të Jekoniahut, birit të Jehojakimit, mbret i Judës, të princave të Judës së bashku me artizanët dhe kovaçët dhe i kishte çuar në Babiloni. Një nga koshat përmbante fiq shumë të mirë, fiq të dorës së parë, ndërsa koshi tjetër përmbante fiq shumë të këqij, aq të këqij sa nuk mund të haheshin.»
Fiqtë e mirë të vizionit
4. Çfarë mesazhi ngushëllues përmbante vizioni i fiqve për izraelitët besnikë?
4 Pasi e pyeti Jereminë mbi atë që pa, Jehovai vazhdoi të thoshte në vargjet 5 deri 7: «Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit. Ashtu si këta fiq janë të mirë, kështu do të kujdesem për ata të Judës që u çuan në robëri, që unë i përzura nga ky vend në vendin e Kaldeasve për të mirën e tyre. Unë do t’i hedh me dashamirësi sytë e mi mbi ta dhe do t’i sjell përsëri në këtë vend, do të bëj të begatohen dhe nuk do t’i shkatërroj më, do t’i mbjell dhe nuk do t’i çrrënjos më. Do t’u jap një zemër për të më njohur mua që jam Zoti; ata do të jenë populli im dhe unë Perëndia i tyre, sepse do të kthehen tek unë me gjithë zemër.»
5, 6. (a) Në ç’mënyrë disa izraelitë ‘u përzunë për të mirën e tyre’ në Kaldejë? (b) Në ç’mënyrë Jehovai ‘me dhembshuri i hodhi sytë’ mbi izraelitët besnikë në robëri?
5 Pra, nga ajo që tha Jehovai, dukej se përpara kishte kohë më të mira, se kombi i Judës nuk do të zhdukej plotësisht. Por cila është domethënia e këtij koshi me fiq të mirë?
6 Jekonia, apo Joahini, kishte qenë mbret mbi Judën vetëm tre muaj e dhjetë ditë, para se t’ia dorëzonte vullnetarisht Jeruzalemin mbretit Nabukodonosor. Midis atyre që u çuan në robëri bashkë me të ishte edhe Danieli me shokët e tij Hananiahu, Mishaeli dhe Azaria, si edhe Ezekieli. Mbreti i Babilonisë ua kurseu jetën atyre, kështu që mund të thuhet se Jehovai pa mbi të gjithë ata robër, sikur t’i kishte dërguar për të mirë në tokën e kaldeasve. A ke vënë re se Jehovai kishte premtuar, gjithashtu, se ‘do t’i hidhte me dashamirësi sytë mbi ta’? Si është plotësuar kjo? Në vitin 537 p.e.s., 80 vjet më vonë, Jehovai bëri që mbreti Kir të nxirrte një dekret që i lejonte një mbetjeje të pasardhësve të tyre të kthehej në tokën e Judës. Këta hebrenj besnikë rindërtuan qytetin e Jeruzalemit; ngritën një tempull të ri për të adhuruar Perëndinë e tyre, Jehovain; dhe u kthyen tek ai me gjithë zemrën e tyre. Pra, në të gjitha këto aspekte, këta robër dhe pasardhësit e tyre ishin për Jehovain si fiq shumë të mirë të dorës së parë.
7. Kur dhe në ç’mënyrë syri i Jehovait ishte ‘me dashamirësi’ mbi klasën e sotme të Jeremisë?
7 Ti mund të kujtosh se në artikullin e mëparshëm, në lidhje me fjalët profetike të Jeremisë, mësuam se ato kishin një domethënie edhe për shekullin tonë të njëzet. Dhe kreu 24 nuk bën përjashtim. Gjatë viteve të errëta të Luftës I Botërore, shumë nga shërbëtorët e dedikuar të Jehovait ranë nën ndikimin e Babilonisë së Madhe, në një mënyrë apo në tjetrën. Por syri vigjilent i Jehovait ishte ‘me dashamirësi mbi ta’. Në këtë mënyrë, nëpërmjet Kirit më të Madh, Krishtit Jezu, Jehovai e theu peshën e Babilonisë së Madhe që rëndonte mbi ta dhe gradualisht i solli në një parajsë frymore. Këta izraelitë frymorë u përgjigjën dhe u kthyen tek Jehovai me gjithë zemër. Pastaj, në 1931-shin, pranuan me gëzim emrin Dëshmitarë të Jehovait. Tani mund të thuhej me të vërtetë se ata ishin bërë si një kosh me fiq shumë të mirë në sytë e Jehovait.
8. Në ç’mënyrë Dëshmitarët e Jehovait e kanë përhapur kudo ëmbëlsinë e mesazhit të Mbretërisë, që i ngjan asaj të fiqve?
8 Dëshmitarët e Jehovait nuk kanë dështuar në qëllimin për të cilin dashamirësia e pamerituar e Jehovait i liroi nga Babilonia e Madhe. Ata nuk e kanë mbajtur për vete mesazhin e lajmit të mirë të Mbretërisë, ëmbëlsia e të cilit ngjan me atë të fiqve, por e kanë shpallur kudo, në përputhje me fjalët e Jezuit në Mateun 24:14: «Dhe ky lajm i mirë i mbretërisë do të predikohet në gjithë tokën e banuar për dëshmi në të gjitha kombet.» (BR) Dhe rezultati? Më shumë se 4.700.000 persona ngjashëm deleve, që nuk janë izraelitë frymorë, janë çliruar prej Babilonisë së Madhe!
Fiqtë e këqij të vizionit
9. Cilët përfaqësoheshin nga fiqtë e këqij të vizionit të Jeremisë dhe çfarë do t’u ndodhte atyre?
9 Por ç’mund të themi për koshin me fiq të këqij në vizionin e Jeremisë? Jeremia e përqendron tani vëmendjen mbi fjalët e Jehovait që gjenden në kreun 24 të Jeremisë, vargjet 8 deri 10: «Ashtu si këta fiq të këqij, madje aq të këqij sa nuk mund të hahen,-kështu thotë Zoti,-në të njëjtën mënyrë do të braktis Sedekian, mbretin e Judës, princat e tij dhe kusurin e Jeruzalemit që do të mbetet në këtë vend dhe ata që banojnë në vendin e Egjiptit. Do t’i braktis me qëllim që t’i trajtojnë keq dhe t’i mundojnë në të gjitha mbretëritë e tokës, dhe do të bëhen turpi, gazi, sarkazmi dhe mallkim në të gjitha vendet ku do t’i shpërndaj. Do të dërgoj kundër tyre shpatën, urinë dhe murtajën, deri sa të shkatërrohen plotësisht në tokën që u kisha dhënë atyre dhe etërve të tyre.»
10. Përse Jehovai e konsideroi Sedekian si një «fik të keq»?
10 Kështu Sedekia doli se ishte me të vërtetë një ‘fik i keq’ në sytë e Jehovait. Ai jo vetëm që u rebelua kundër mbretit Nabukodonosor, duke thyer betimin e besnikërisë që i kishte dhënë atij mbreti në emër të Jehovait, por hodhi plotësisht edhe dhembshurinë që Jehovai i kishte shtrirë nëpërmjet Jeremisë. Në fakt, ai shkoi aq larg, sa e futi Jereminë në burg! Nuk habitemi, pra, që Ezdra e përmbledh qëndrimin e mbretit me këto fjalë nga 2. Kronikat 36:12: «Edhe ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit, Perëndisë së tij, dhe nuk u përul.» Në sytë e Jehovait, Sedekia dhe ata që mbetën në Jeruzalem ishin si një kosh me fiq të këqij e të kalbur!
Fiq të kalbur figurativë në ditët tona
11, 12. Cilët janë identifikuar sot si fiq të këqij dhe çfarë do të ndodhë me ta?
11 Tani, shiko përreth botën e sotme. A mendon se mund të gjejmë një kosh figurativ me fiq të këqij? Le të shqyrtojmë faktet, duke i krahasuar ditët tona me ato të Jeremisë. Në këtë shekull të njëzetë, Jehovai e ka përdorur klasën e Jeremisë, mbetjen e mirosur, për të paralajmëruar vazhdimisht kombet mbi zemërimin e tij që po vjen me mjerimin e madh. I ka nxitur grupet kombëtare që t’i japin atij lavdinë që i takon emrit të tij, të adhurojnë atë me frymë dhe të vërtetë dhe të njohin Birin e tij që mbretëron, Krishtin Jezu, si Sunduesin e drejtë të tokës. Cili ka qenë reagimi? Tamam si në ditët e Jeremisë. Kombet vazhdojnë të bëjnë atë që është e keqe në sytë e Jehovait.
12 Cilët janë ata që nxitin këtë qëndrim rebel? Cilët vazhdojnë të tallen me lajmëtarët e Perëndisë ngjashëm Jeremisë, duke vënë në dyshim autoritetin e tyre për të vepruar si shërbëtorë të Perëndisë? Cilët vazhdojnë ta përbuzin Fjalën e Perëndisë? Cilët janë fshehur sot prapa pjesës më të madhe të persekutimeve që kanë vuajtur Dëshmitarët e Jehovait? Përgjigjja është e qartë për t’u parë nga gjithkush: i ashtuquajturi krishterim dhe veçanërisht kleri! Hidhu vetëm një sy të gjitha fryteve të kalbura dhe të këqija të të ashtuquajturit krishterim, për të cilat është folur në artikullin paraprak. Po, sigurisht që sot mbi tokë gjendet një kosh simbolik me fiq të këqij. Në fakt, Jehovai tha se ata ishin «aq të këqij», sa «nuk mund të haheshin». Fjala e Jehovait, nëpërmjet Jeremisë, ushton deri në ditët tona: «Ata do të shkatërrohen!» Zemërimi i Jehovait kundër të ashtuquajturit krishterim nuk do të zbutet.
Mësim paralajmërues për ne
13. Si duhet ta kuptojmë vizionin e dy koshave me fiq, duke parë edhe fjalët e Pavlit në 1. Korintasve 10:11?
13 Ndërsa shqyrtojmë domethënien e mesazhit paralajmërues dhe të frymëzuar të Jeremisë, në veshët tanë tingëllojnë fjalët e apostullit Pavël në 1. Korintasve 10:11: «Tani, këto gjëra ndodhën mbi ta si shembuj, dhe u shkruan si paralajmërim për ne, mbi të cilët ka mbërritur fundi i sistemit të gjërave.» (BR) Personalisht, a e kemi marrë për zemër paralajmërimin që na u transmetua nga vizioni i dy koshave me fiq? Kjo që kemi diskutuar është një pjesë thelbësore e gjërave që ranë mbi Izraelin, si një shembull paralajmërues për ne.
14. Si iu përgjigj Izraeli kujdesit të dashur të Jehovait?
14 Së fundi, le të sjellim ndër mend fjalët që Jehovai i tha mbretit David në lidhje me Izraelin, në 2. Samuelit 7:10: «Do t’i caktoj një vend Izraelit, popullit tim, dhe do ta ngulit.» Jehovai u kujdes me dashuri për popullin e tij, Izraelin, në çdo aspekt. Ata vetëm duhej të dëgjonin mësimin hyjnor të Jehovait dhe të mbanin urdhërimet e tij. Megjithatë, vetëm pak prej tyre vepruan kështu. Pjesa më e madhe ishin aq kokëfortë dhe të pabindur, saqë dhanë fryte të këqija dhe të kalbura.
15. Si i është përgjigjur Izraeli frymor sot dhe shokët e tyre ngjashëm deleve dhembshurisë së Jehovait?
15 Ç’mund të themi, pra, për ditët tona? Jehovai ka treguar shumë dhembshuri ndaj mbetjes së Izraelit të tij frymor dhe shokëve të tyre ngjashëm deleve. Syri i tij ka qenë vazhdimisht mbi ta, që nga lirimi frymor në 1919-ën. Ashtu siç paratha nëpërmjet Isaisë, ata marrin çdo ditë udhëzime hyjnore nga Mësuesi më i madh i universit, Perëndia Jehova. (Isaia 54:13) Ky mësim hyjnor, i drejtuar nga Biri i tij i dashur, Jezu Krishti, ka sjellë si rezultat një paqe të bollshme midis tyre dhe i ka çuar vazhdimisht në një marrëdhënie më të ngushtë me Jehovain. Çfarë ambienti të shkëlqyer frymor siguron kjo për ne të gjithë që të njohim Jehovain, ta dëgjojmë atë dhe të vazhdojmë të prodhojmë fryte të mira në jetën tonë; fryte që i sjellin lavdi Jehovait! Kjo nënkupton jetën tonë!
16. Çfarë zbatimi personal mund t’i bëjë secili prej nesh vizionit të të dy koshave me fiq?
16 Por me gjithë dashamirësinë e pamerituar të Perëndisë, ka ende disa që rebelohen dhe i ngurtësojnë zemrat, ashtu siç bënë shumë veta në Judenë e lashtë dhe prodhojnë fryte të kalbura e të këqija në jetën e tyre. Sa tragjike është kjo! Qoftë e mundur që askush prej nesh të mos humbë nga pamja mësimin paralajmërues që na dhanë dy koshat me fiq dhe frytet e tyre: të mira dhe të këqija. Ndërsa gjykimi i merituar i Jehovait po afrohet me shpejtësi mbi të ashtuquajturin krishterim apostat, le ta marrim për zemër nxitjen e apostullit Pavël: «Ecni në mënyrë të denjë për Zotin, që t’i pëlqeni atij në çdo gjë, duke sjellë fryt në çdo vepër të mirë.»—Kolosianëve 1:10.
Rishikim «Fryte, të mira dhe të këqija» dhe paragrafët 1-4 të «Mosmarrëveshja e Jehovait me kombet»
◻ Çfarë përfaqëson koshi me fiq të mirë?
◻ Si u bë i dukshëm koshi me fiq të këqij i vizionit?
◻ Çfarë mësimi paralajmërues na siguron mesazhi i Jeremisë?
◻ Ç’gjë ishte domethënëse mbi vitin 607 p.e.s. dhe 1914 e.s.?
[Figura në faqen 15]
Si fiq të mirë, shërbëtorët e Jehovait kanë sjellë fryte të ëmbla të Mbretërisë
[Figura në faqen 15]
I ashtuquajturi krishtërim ka treguar se është si një kosh me fiq të këqij