Kini besim se Jehovai do të plotësojë qëllimin e tij
«Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë gjithnjë mbi të.»—PSALMI 37:29.
1. Cili është qëllimi i Jehovait për njerëzit dhe për tokën?
KUR Jehovai krijoi prindërit tanë të parë, Adamin dhe Evën, i bëri ata të përsosur. Ai i krijoi ata në mënyrë që të jetonin përgjithmonë në tokë, nëse do t’u bindeshin ligjeve të tij. (Zanafilla 1:26, 27; 2:17) Përveç kësaj, i vendosi ata në një mjedis parajsor. (Zanafilla 2:8, 9) Jehovai u tha: «Të jeni të frytshëm dhe shumëzohuni, mbushni tokën e nënshtrojeni.» (Zanafilla 1:28) Kështu, përfundimisht pasardhësit e tyre do të përhapeshin në mbarë tokën dhe ky planet do të bëhej një parajsë e populluar nga një racë njerëzore e përsosur dhe e lumtur. Ç’fillim të shkëlqyeshëm pati familja njerëzore! «Atëherë Perëndia shikoi të gjitha ato që kishte bërë, dhe ja, ishte shumë mirë.»—Zanafilla 1:31.
2. Cilat pyetje ngriti gjendja e çështjeve njerëzore?
2 Megjithatë, gjendja e çështjeve njerëzore për këto mijëra vjet, nuk i ngjan aspak qëllimit fillestar të Perëndisë. Njerëzimi është larguar shumë nga përsosmëria dhe lumturia. Kushtet botërore kanë qenë të mjera dhe siç është profetizuar, në kohën tonë ato janë keqësuar në mënyrë dramatike. (2. Timoteut 3:1-5, 13) Atëherë si mund të kemi besim se qëllimi i Perëndisë për njerëzit do të realizohet në të ardhmen e afërt? A do të kalojnë akoma periudha të gjata kohore me kushte vazhdimisht të mjera?
Çfarë nuk shkoi mirë?
3. Përse Jehovai nuk i dha fund menjëherë rebelimit të njerëzimit?
3 Ata që kanë fituar njohuri të saktë nga Fjala e frymëzuar e Perëndisë e dinë se përse Jehovai i ka lejuar këto kushte të këqija në tokë. Gjithashtu, ata e dinë se çfarë do të bëjë ai në lidhje me këtë. Nga tregimi biblik, ata kanë mësuar se prindërit tanë të parë e keqpërdorën dhuratën e mrekullueshme të vullnetit të lirë që Perëndia u kishte dhënë njerëzve. (Krahaso 1. Pjetrit 2:16.) Në mënyrë të gabuar ata zgjodhën drejtimin e pavarësisë nga Perëndia. (Zanafilla, kapitujt 2 dhe 3) Rebelimi i tyre ngriti pyetje të një rëndësie të madhe, si: A ka të drejtë të sundojë mbi njerëzit Sovrani Universal? A është sundimi i tij më i miri për ta? A mund të ketë sukses sundimi njerëzor pa kujdesin e Perëndisë? Mënyra më e sigurt për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve ishte që t’i lejonte njerëzit të sundonin për disa shekuj. Rezultatet do të tregonin përtej çdo dyshimi, nëse njerëzit do t’ia dilnin mbanë pa Krijuesin e tyre.
4, 5. (a) Cili ishte rezultati i refuzimit të sundimit të Perëndisë prej njerëzve? (b) Çfarë është treguar përtej çdo dyshimi me kalimin e kohës?
4 Kur Adami dhe Eva e braktisën Perëndinë, ai nuk i mbajti më në përsosmëri. Pa mbështetjen e tij ata u keqësuan. Rezultati ishte papërsosmëria, plakja dhe përfundimisht vdekja. Sipas ligjeve të trashëgimisë, prindërit tanë të parë ia transmetuan këto karakteristika negative të gjithë pasardhësve, duke përfshirë edhe ne. (Romakëve 5:12) E ç’mund të themi për rezultatet e mijëra viteve të sundimit njerëzor? Ashtu siç deklaron me vërtetësi Eklisiastiu 8:9, ato kanë qenë katastrofale: «Një njeri sundon mbi një tjetër për ta dëmtuar.»
5 Me kalimin e kohës është treguar përtej çdo dyshimi se nuk është në fuqinë e njerëzve për të drejtuar me sukses çështjet e tyre të pavarur nga Krijuesi. Shkrimtari i frymëzuar biblik, Jeremia, deklaroi: «Unë mirë e di, O Jehova, se njeriut tokësor nuk i përket udha e vet. Nuk i përket njeriut që ecën as ta drejtojë hapin e vet.»—Jeremia 10:23, BR; Ligji i përtërirë 32:4, 5; Eklisiastiu 7:29.
Qëllimi i Perëndisë nuk ka ndryshuar
6, 7. (a) Kalimi i këtyre mijëra viteve a e ka ndryshuar qëllimin e Jehovait? (b) Çfarë përfshihet në qëllimin e Jehovait?
6 Kalimi i mijëra viteve të historisë njerëzore—me kaq shumë ligësi dhe vuajtje—mos vallë e ka ndryshuar qëllimin e Perëndisë? Fjala tij deklaron: «Sepse kështu thotë Zoti që ka krijuar qiejtë, ai, Perëndia që e ka vendosur, nuk e ka krijuar pa trajtë, por e ka formuar që të banohej.» (Isaia 45:18) Kështu, Perëndia e formoi tokën që të banohej nga njerëzit dhe ky është akoma qëllimi i tij.
7 Jehovai nuk e krijoi tokën vetëm që të banohej, por gjithashtu kishte për qëllim që ajo të bëhej një parajsë e populluar nga njerëz të përsosur e të lumtur. Për këtë arsye Bibla paratha se do të ishte «një tokë e re», një shoqëri e re njerëzore në të cilën «do të banojë drejtësia». (2. Pjetrit 3:13, BR) Dhe në Zbulesën 21:4, Fjala e Perëndisë na thotë se në botën e tij të re, «ai do të fshijë çdo lot nga sytë [e njerëzimit], dhe vdekja nuk do të jetë më, as vaj, as britmë dhe as dhimbje nuk do të ketë më». (BR) Për këtë arsye Jezui mundi ta quajë atë botë të re të ardhshme «Parajsë».—Luka 23:43.
8. Përse mund të jemi të sigurt se Jehovai do ta plotësojë qëllimin e tij?
8 Pasi Jehovai është Krijuesi i gjithëfuqishëm dhe i gjithëditur i universit, askush nuk mund ta pengojë plotësimin e qëllimit të tij. «Zoti ushtrive është betuar duke thënë: ‘Në të vërtetë ashtu siç e kam menduar ashtu do të jetë, dhe ashtu si kam vendosur, kështu ka për të ndodhur.’» (Isaia 14:24) Prandaj, nëse Perëndia ka thënë se do ta bëjë tokën një parajsë të banuar nga njerëz të përsosur, ashtu do të bëhet. Jezui tha: «Lum ata që janë zemërbutë, sepse ata do ta trashëgojnë tokën.» (Mateu 5:5; krahaso Psalmi 37:29.) Mund të kemi besim në plotësimin e këtij premtimi. Në fakt, mund të vëmë gjithçka mbi të, madje deri në atë pikë sa të rrezikojmë jetën për të.
Ata besuan tek Jehovai
9. Çfarë bëri Abrahami që tregoi besimin e tij tek Jehovai?
9 Gjatë gjithë historisë, shumë njerëz me frikë Perëndie vunë në rrezik gjithçka, madje edhe jetën e tyre për qëllimin e Perëndisë mbi tokën, sepse ishin të bindur se ai do ta plotësonte atë. Edhe pse ndoshta njohuria e tyre mund të ketë qenë e kufizuar, ata kishin besim tek Perëndia dhe jetuan duke kryer vullnetin e tij. Për shembull, Abrahami, i cili jetoi 2.000 vjet para se Jezui të vinte në tokë dhe shumë kohë më parë se të fillonte të shkruhej Bibla. Ai pati besim se Jehovai do t’i plotësonte premtimet e Tij. Ndoshta Abrahami mësoi për Krijuesin e tij nga stërgjyshi i tij besnik, Semi, i cili ishte mësuar nga Noeja. Kështu, kur Perëndia i tha Abrahamit të largohej nga Uri pjellor i kaldeasve për në tokën e panjohur dhe të rrezikshme të Kanaanit, patriarku Abraham e dinte se mund të kishte besim tek Jehovai, prandaj shkoi. (Hebrenjve 11:8) Në kohën e caktuar, Jehovai i tha: «Prej teje do të bëj një komb të madh.»—Zanafilla 12:2.
10, 11. Përse Abrahami ishte i gatshëm të ofronte birin e tij të vetëmlindur, Isakun?
10 Çfarë ndodhi kur Abrahamit i lindi Isaku? Jehovai i tregoi Abrahamit se përmes Isakut, pasardhësit e tij do të bëheshin një komb i madh. (Zanafilla 21:12) Prandaj, mund të jetë dukur një kontradiktë e qartë, kur Jehovai i tha Abrahamit të sakrifikonte birin e tij, Isakun, si provë për besimin e tij. (Zanafilla 22:2) Megjithatë, duke pasur besim të plotë tek Jehovai, Abrahami ndërmori hapa për ta kryer, deri në atë pikë sa ngriti thikën për të sakrifikuar Isakun. Në momentin e fundit, Perëndia dërgoi një engjëll për ta ndaluar Abrahamin.—Zanafilla 22:9-14.
11 Përse Abrahami ishte kaq i bindur? Hebrenjve 11:17-19, shpjegon: «Me anë të besimit Abrahami, pasi u vu në provë, ofroi Isakun dhe ai që kishte pritur premtimet ofroi birin e tij të vetëm, ndonëse Perëndia i pati thënë: ‘Te Isaku do të quhet pasardhja jote (që do të mbajë emrin tënd)’, sepse Abrahami mendonte se Perëndia ishte i fuqishëm sa ta ringjallte edhe prej së vdekurish; prej të cilëve edhe e mori atë përsëri si një lloj figure.» Romakëve 4:20, 21, ngjashëm pohon: «[Abrahami] as nuk dyshoi nga mosbesimi në lidhje me premtimin e Perëndisë . . . plotësisht i bindur se atë që ai [Perëndia] kishte premtuar ishte edhe i fuqishëm ta bënte.»
12. Si u shpërblye Abrahami për besimin e tij?
12 Abrahami u shpërblye për besimin e tij jo vetëm në atë kuptim se iu kursye Isaku dhe se përmes tij do të vinte një «komb i madh», por edhe në një kuptim tjetër. Perëndia i tha Abrahamit: «Dhe tërë kombet e tokës do të bekohen te pasardhësit e tu, sepse ti iu binde zërit tim.» (Zanafilla 22:18) Në ç’mënyrë? Mbreti i Mbretërisë qiellore të Perëndisë do të vinte nga pasardhësit e Abrahamit. Kjo Mbretëri do të shkatërronte përgjithmonë këtë botë të ligë të sunduar nga Satanai. (Danieli 2:44; Romakëve 16:20; Zbulesa 19:11-21) Kështu, Parajsa do të shtrihej në nivel botëror, në një tokë të pastruar nën sundimin e Mbretërisë dhe njerëz që bëjnë vullnetin e Perëndisë nga «të gjitha kombet» do të gëzonin shëndet të përsosur dhe jetë të përhershme. (1. Gjonit 2:15-17) Edhe pse Abrahami zotëronte një njohuri të kufizuar mbi Mbretërinë, ai kishte besim tek Jehovai dhe shikonte përpara drejt vendosjes së saj.—Hebrenjve 11:10.
13, 14. Përse Jobi kishte besim tek Perëndia?
13 Disa qindra vite më pas, ndërmjet shekullit të 17-të dhe 16-të p.e.s., aty ku sot ndodhet Arabia, jetoi Jobi. Edhe ai jetoi para se të fillonte të shkruhej Bibla. Jobi «ishte i ndershëm dhe i drejtë, kishte frikë nga Perëndia dhe i largohej së keqes». (Jobi 1:1) Kur Satanai i shkaktoi Jobit një sëmundje të neveritshme dhe të dhimbshme, ky burrë besnik «nuk mëkatoi me buzët e tij» gjatë gjithë kësaj prove të tmerrshme. (Jobi 2:10) Jobi kishte besim tek Perëndia. Edhe pse nuk e dinte me hollësi shkakun e vuajtjeve të tij të mëdha, ishte gati të varte gjithçka, madje edhe jetën tek Perëndia dhe premtimet e Tij.
14 Jobi e dinte se edhe nëse do të vdiste, një ditë Perëndia do ta kthente në jetë, me anë të ringjalljes. Ai e tregoi këtë shpresë, kur i tha Jehova Perëndisë: «Ah sikur të doje të më fshihje në Sheol, . . . të më caktoje një afat dhe të më kujtoje! Në qoftë se njeriu vdes, a mund të kthehet përsëri në jetë? . . . Do të më thërrisje dhe unë do të të përgjigjesha.» (Jobi 14:13-15) Megjithëse në agoni, Jobi tregoi besim në sovranitetin e Jehovait, duke deklaruar: «Deri në regëtimat e fundit nuk do të heq dorë nga ndershmëria ime.»—Jobi 27:5.
15. Si e shprehu Davidi besimin e tij në qëllimin e Perëndisë?
15 Rreth gjashtë shekuj pas Jobit dhe një mijë vjet para se Jezui të vinte në tokë, Davidi tregoi besimin e tij në një botë të re. Tek Psalmet ai tha: «Ata që shpresojnë tek Zoti do të bëhen zotër të tokës. Edhe pak dhe i pabesi nuk do të jetë më . . . Por zemërbutët do të zotërojnë tokën dhe do të gëzojnë një paqe të madhe. Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë gjithnjë mbi të.» Për shkak të shpresës së tij të palëkundur, Davidi nxiti: «Ki besim tek Zoti . . . Gjej kënaqësinë tënde në Zotin dhe ai do të plotësojë dëshirat e zemrës sate.»—Psalmet 37:3, 4, 9-11, 29.
16. Cilën shpresë ka «një re e madhe dëshmitarësh»?
16 Me kalimin e shekujve, burra e gra besnike kanë pasur po këtë shpresë për jetën e përhershme në tokë. Në fakt, ata formuan «një re të madhe dëshmitarësh», të cilët në kuptimin e vërtetë të fjalës varën gjithçka, duke përfshirë edhe jetën e tyre në premtimet e Jehovait. Shumë prej këtyre dëshmitarëve të lashtë të Jehovait u torturuan dhe u vranë për shkak të besimit të tyre, «për të marrë një ringjallje më të mirë». Në ç’mënyrë? Në botën e re Perëndia do t’i shpërblejë ata me një ringjallje më të mirë dhe me perspektivën e jetës së përhershme.—Gjoni 5:28, 29; Hebrenjve 11:35; 12:1.
Dëshmitarë të krishterë besojnë tek Jehovai
17. Deri në ç’pikë besonin tek Jehovai të krishterët e shekullit të parë?
17 Në shekullin e parë e.s., Jehovai i zbuloi më shumë hollësi mbi Mbretërinë dhe sundimin e saj mbi tokë kongregacionit të sapoformuar të krishterë. Për shembull, fryma e tij frymëzoi apostullin Gjon që të shkruante se numri i atyre që do të merrnin pjesë bashkë me Krishtin në Mbretërinë qiellore, do të ishte 144.000. Këta duhej të ishin shërbëtorë besnikë të Perëndisë që do të «bliheshin nga njerëzimi». (Zbulesa 7:4; 14:1-4) Ata do të sundonin mbi tokën «si mbretër» bashkë me Krishtin në qiell. (Zbulesa 20:4-6) Kështu, këta të krishterë të shekullit të parë kishin besim të patundur se Jehovai do ta plotësonte qëllimin e tij për Mbretërinë qiellore dhe atë tokësore, aq sa ishin gati të jepnin edhe jetën për besimin e tyre. Shumë prej tyre e bënë një gjë të tillë.
18. Në ç’mënyrë Dëshmitarët e Jehovait i imitojnë sot vëllezërit e tyre të lashtësisë?
18 Sot, rreth pesë milionë Dëshmitarë të Jehovait kanë po atë besim tek Perëndia si edhe vëllezërit e tyre që jetuan shekuj para tyre. Edhe këta Dëshmitarë të sotëm kanë varur gjithçka, duke përfshirë edhe jetën në premtimet e Perëndisë. Ata ia kanë dedikuar jetën atij dhe kanë Biblën e plotë për të përforcuar besimin e tyre. (2. Timoteut 3:14-17) Dëshmitarët e Jehovait në ditët moderne imitojnë ithtarët e Jezuit që jetuan në shekullin e parë, të cilët deklaruan se do t’i «bindeshin Perëndisë si sundimtar në vend se njerëzve». (Veprat 5:29, BR) Shumë nga këta Dëshmitarë të krishterë në këtë shekull, janë persekutuar mizorisht. Disa edhe janë vrarë për besimin e tyre. Të tjerë kanë vdekur nga sëmundjet, aksidentet apo plakja. Megjithatë, si dëshmitarët besnikë të kohërave të kaluara, ata kanë pasur besim tek Jehovai, sepse e dinin se ai do t’i rikthente ata në jetë me anë të ringjalljes në botën e tij të re.—Gjoni 5:28, 29; Veprat 24:15; Zbulesa 20:12, 13,
19, 20. Çfarë kuptojmë në lidhje me profecinë biblike për ditët tona?
19 Dëshmitarët e Jehovait e dinë se shumë kohë më parë profecia biblike e kishte parathënë se do të merreshin nga të gjitha kombet për të formuar një vëllazëri ndërkombëtare. (Isaia 2:2-4; Zbulesa 7:4, 9-17) Dhe Jehovai po bën që ata të kryejnë veprën mbarëbotërore të predikimit për të mbledhur akoma njerëz të tjerë të sinqertë në favorin dhe mbrojtjen e tij. (Proverbat 18:10; Mateu 24:14; Romakëve 10:13) Të gjithë ata kanë besim të plotë tek Jehovai, duke ditur se së shpejti ai do t’i futë në botën e tij të re e të mrekullueshme.—Krahaso 1. Korintasve 15:58; Hebrenjve 6:10.
20 Profecitë biblike tregojnë se bota e Satanait është në ditët e fundit të saj tashmë që prej 80 vjetësh, që nga viti 1914 që ndryshoi rrjedhën e ngjarjeve. Kjo botë i është afruar fundit të saj. (Romakëve 16:20; 2. Korintasve 4:4; 2. Timoteut 3:1-5) Prandaj, Dëshmitarët e Jehovait marrin zemër, sepse ata e kuptojnë se së shpejti Mbretëria e Perëndisë do të ketë kontroll të plotë mbi të gjitha çështjet e tokës. Duke i dhënë fund botës së tanishme të ligë dhe duke i hapur rrugë botës së re e të drejtë të tij, Perëndia do të zhdukë plotësisht kushtet e këqija që kanë ekzistuar në tokë për kaq shumë shekuj.—Proverbat 2:21, 22.
21. Përse mund të gëzohemi pa marrë parasysh shqetësimet e tanishme?
21 Kështu, gjatë përjetësisë, Perëndia do të na tregojë kujdesin e tij të madh, duke derdhur për ne bekime që do të kompensojnë me bollëk çdo plagë të së kaluarës. Në botën e re do të kemi kaq shumë gjëra të mira, saqë shqetësimet e mëparshme do të fshihen nga kujtesa. Sa ngushëlluese është që të dimë se atëherë Jehovai do të «hapë dorën e tij dhe do të plotësojë dëshirat çdo gjëje të gjallë».—Psalmi 145:16, BR; Isaia 65:17, 18.
22. Përse duhet të kemi besim tek Jehovai?
22 Në botën e re, njerëzimi besnik do të shohë plotësimin e Romakëve 8:21: «Vetë krijesa të çlirohet nga skllavëria e prishjes për të hyrë në lirinë e lavdisë së bijve të Perëndisë.» Ata do të shohin të plotësohet lutja që Jezui u mësoi ithtarëve të tij: «Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt në tokë si në qiell.» (Mateu 6:10) Prandaj, ki besim të plotë tek Jehovai, sepse premtimi i tij i padështueshëm është: «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë gjithnjë mbi të.»—Psalmi 37:29.
Si do të përgjigjeshe?
◻ Cili është qëllimi i Jehovait për njerëzit dhe tokën?
◻ Përse Perëndia i lejoi kushtet e këqija në tokë?
◻ Në ç’mënyrë e treguan besimin e tyre tek Jehovai njerëzit besnikë të lashtësisë?
◻ Përse shërbëtorët e Perëndisë sot kanë besim tek Jehovai?
[Figura në faqen 16]
Perëndia i krijoi njerëzit që të jetonin përgjithmonë të lumtur në një tokë parajsore
[Figura në faqen 18]
Abrahami kishte besim tek aftësitë e Jehovait për të ringjallur të vdekurit