Një botë më e mirë—Vetëm një ëndërr?
NËSE do të kishe qenë ithtar i mazdaizmit të predikuar nga profeti iranian Zoroaster, do të prisje ditën në të cilën toka do të kthehej në bukurinë e saj fillestare. Nëse do të kishe jetuar në Greqi, ndoshta do të ëndërroje të arrije Ishujt fatlumë ose të shikoje rikthimin e Epokës së artë të përshkruar nga poeti Hesiod në shekullin e tetë p.e.s. Një guaran indian në Amerikën e Jugut, ndoshta akoma është në kërkim të Tokës pa të ligën. Duke jetuar në kohën tonë, ndoshta shpreson se bota do të përmirësohet falë disa ideologjive politike ose si rezultat i angazhimit aktual të ekologjistëve të sotëm.
Epoka e artë, Ishujt fatlumë, Toka pa të ligën—këto janë midis shumë emrave të tjerë që janë përdorur për të përshkruar të njëjtën dëshirë të zjarrtë, shpresën për një botë më të mirë.
Kjo botë, bota jonë, sigurisht që nuk është një vend ideal. Krime gjithnjë në rritje, luftëra vëllavrasëse, dhunë e pashembullt, gjenocid, indiferencë ndaj vuajtjeve të të tjerëve, varfëri dhe uri, papunësi, mungesë solidariteti, probleme ekologjike, sëmundje të pashërueshme që u shkaktojnë vuajtje miliona njerëzve—lista e brengave të sotme duket e pafundme. Duke menduar rreth luftërave që vazhdojnë të bëhen, një gazetar italian tha: «Vjen natyrshëm pyetja nëse është armiqësia ndjenja më e fortë e kohës sonë.» Duke parë një situatë të tillë, a është realiste të aspirosh për diçka të ndryshme, për diçka më të mirë? Apo është utopi, një ëndërr që nuk do të realizohet kurrë? A jetojmë në më të mirën e botëve të mundshme?
Këto nuk janë çështje të reja. Për shekuj njeriu ka ëndërruar një botë ku të mbretërojë harmonia, drejtësia, mirëqenia dhe dashuria. Me kalimin e kohës, filozofë të ndryshëm i përpunojnë konceptet e tyre për shtetet ideale, për botët më të mira. Por mjerisht, ata kurrë nuk kanë qenë në gjendje të shpjegojnë se si mund të realizohen ato.
A mund të na mësojë diçka kjo listë shekullore ëndrrash, utopish dhe aspiratash të njerëzve për një shoqëri më të mirë?
[Figura në faqen 3]
A është kjo më e mira e botëve të mundshme?