Së pari duhet predikuar ky lajm i mirë
«Në të gjitha kombet së pari duhet të predikohet lajmi i mirë.»—MARKU 13:10, BR.
1, 2. Cila është një shenjë dalluese e Dëshmitarëve dhe përse?
PËRSE predikojnë me kaq këmbëngulje Dëshmitarët e Jehovait? Sigurisht që jemi të njohur kudo për shërbimin tonë publik, sido që të jetë: shtëpi më shtëpi, nëpër rrugë apo edhe gjatë kontakteve joformale. Në çdo rast të volitshëm, ne e identifikojmë veten si Dëshmitarë dhe me takt përpiqemi të transmetojmë lajmin e mirë, të cilin e çmojmë shumë. Në fakt, mund të themi se ky shërbim është shenja jonë dalluese.—Kolosianëve 4:6.
2 Mendo pak mbi këtë: sa herë që njerëzit shohin në lagjen e tyre një grup burrash, grash dhe fëmijësh, të veshur mirë dhe me çanta, cili është zakonisht mendimi i tyre i parë? A është vallë: «Bobo, prapë na erdhën katolikët (ose ortodoksët)!» Apo: «Ja, erdhën pentekostalët (ose baptistët)!» Jo. Njerëzit e dinë se fe të tilla nuk kanë familje të plota si këto që kryejnë shërbimin shtëpi më shtëpi. Ndoshta, disa grupe fetare dërgojnë ca «misionarë» për dy vjet në disa zona, por anëtarët e tyre të thjeshtë nuk marrin pjesë në ndonjë shërbim të tillë. Vetëm Dëshmitarët e Jehovait janë të njohur në mbarë botën për zellin e tyre kur u transmetojnë të tjerëve lajmin në çdo rast të volitshëm. Janë të njohur edhe për revistat e tyre, Kulla e Rojës dhe Zgjohuni!—Isaia 43:10-12; Veprat 1:8.
Kontrast me klerin e të ashtuquajturit krishterim
3, 4. Si është përshkruar shpesh në mjetet e informacionit kleri i të ashtuquajturit krishterim?
3 Në kontrast të plotë, mjetet e informacionit herë pas here kanë zbuluar se shumë klerikë në disa vende janë pedofilë, mashtrues dhe gënjeshtarë imoralë. Veprat e tyre të mishit dhe stili i tyre i jetesës tejet luksoz, janë të shfaqura para syve të të gjithëve. Një autor i njohur e shprehu mirë këtë gjë, në një këngë të titulluar «A do të mbante Jezui në dorë një Rolex [orë mjaft e shtrenjtë prej floriri] gjatë programit të tij televiziv?» (Would Jesus Wear a Rolex on His Television Show?) Ai shtroi pyetjen: «A do të bëhej politikan Jezui po të kthehej prapë mbi tokë? A do të kishte një shtëpi të dytë në Palm Springs [një bashkësi mjaft luksoze në Kaliforni] dhe a do të mundohej ta fshihte pasurinë e Tij?» Sa me vend janë fjalët e Jakovit: «Jetuat mbi tokë ndër qejfe dhe shkapërderdhje; i ushqyet zemrat tuaja si për ditë të të therurit.»—Jakovit 5:5; Galatasve 5:19-21.
4 Miqësitë e klerikëve me politikanët, madje edhe pjesëmarrja në zgjedhje si kandidatë politikë, i kanë bërë ata skribë dhe farisenj të sotëm modernë. Në të njëjtën kohë, në vende të tilla si Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja, grupe fetare po shterojnë për shkak të kostos së lartë të ankesave dhe çështjeve gjyqësore ndaj klerikëve, që kanë ardhur si rezultat i sjelljes së tyre të shthurur me fëmijë e të rritur.—Mateu 23:1-3.
5. Përse kleri i të ashtuquajturit krishterim ka provuar se nuk është «skllavi besnik dhe i matur»?
5 Me të drejtë, Jezui u tha klerikëve të ditëve të tij: «Mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse u ngjani varreve të zbardhura (me gëlqere), që nga jashtë duken të bukur, por brenda janë plot eshtra të vdekurish dhe gjithfarë papastërtish. Kështu edhe ju nga jashtë u paraqiteni njerëzve si të drejtë; por përbrenda jeni plot hipokrizi dhe paudhësi.» Për këtë arsye, Perëndia nuk i ka dhënë klerit të të ashtuquajturit krishterim, qoftë katolik, protestant, ortodoks apo të ndonjë grupi të pavarur, urdhrin për të predikuar lajmin e mirë. Ata kanë provuar se nuk janë «skllavi besnik dhe i matur» i parathënë.—Mateu 23:27, 28; 24:45-47, BR.
Përse së pari duhet predikuar lajmi i mirë
6. Cilat ngjarje do të ndodhin së shpejti?
6 Në versionin e tij të përmbledhur të urdhrit të Jezuit për të predikuar lajmin e mirë në të gjitha kombet, vetëm Marku përdor fjalën «së pari». (Marku 13:10; krahaso Mateun 24:14.) Në versionin sipas J. B. Filips lexojmë: «Sepse para se të vijë fundi ungjilli duhet të shpallet në të gjitha kombet.» Përdorimi ndajfoljor i fjalës «së pari» nënkupton se veprën ndërkombëtare të ungjillëzimit do ta pasonin ngjarje të tjera. Këto ngjarje do të përfshinin mjerimin e madh të premtuar dhe sundimin e drejtë të Krishtit mbi botën e re.—Mateu 24:21-31; Zbulesa 16:14-16; 21:1-4.
7. Përse Perëndia dëshiron që së pari të predikohet lajmi i mirë?
7 Përse, pra, Perëndia dëshiron që së pari të predikohet lajmi i mirë? Një arsye është sepse ai është Perëndi i dashurisë, i drejtësisë, i mençurisë dhe i fuqisë. Në përmbushje të deklaratës së Jezuit në Mateun 24:14 dhe në Markun 13:10, ne mund të gjejmë një shfaqje të dallueshme të këtyre atributeve të Jehovait. Le t’i shqyrtojmë ato shkurtimisht një nga një dhe të shohim se si lidhen me predikimin e lajmit të mirë.
Lajmi i mirë dhe dashuria e Jehovait
8. Në ç’mënyrë predikimi i lajmit të mirë është një shfaqje e dashurisë së Perëndisë? (1. Gjonit 4:7-16)
8 Si e pasqyron predikimi i lajmit të mirë dashurinë e Perëndisë? Para së gjithash, sepse ai nuk është një mesazh absolutisht vetëm për një racë apo grup. Është lajmi i mirë për «të gjitha kombet». Perëndia e do kaq shumë familjen njerëzore, saqë dërgoi Birin e tij të vetëmlindur mbi tokë, për të qenë një sakrificë shpërblerëse për mëkatet e gjithë njerëzimit, jo vetëm të një race. Apostulli Gjon shkroi: «Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme. Sepse Perëndia nuk e dërgoi Birin e vet në botë që ta dënojë botën, por që bota të shpëtohet prej tij.» (Gjoni 3:16, 17) Sigurisht që lajmi i mirë, një mesazh që premton një botë të re me paqe, me harmoni dhe me drejtësi, është një dëshmi e dashurisë së Perëndisë.—2. Pjetrit 3:13.
Lajmi i mirë dhe fuqia e Jehovait
9. Përse Jehovai nuk ka përdorur fetë e fuqishme të të ashtuquajturit krishterim për të predikuar lajmin e mirë?
9 Si shfaqet fuqia e Jehovait në predikimin e lajmit të mirë? Mendo pak: kë ka përdorur ai për të përmbushur këtë urdhër? A kanë qenë vallë organizatat fetare më të fuqishme të të ashtuquajturit krishterim, të tilla si Kisha Katolike e Romës apo grupet kryesore fetare protestante? Jo, përfshirja në politikë i skualifikon ato nga ky caktim. (Gjoni 15:19; 17:14; Jakovit 4:4) Pasuria e tyre relative, si dhe lidhjet e ndikimi që kanë ato mbi elitën sunduese, nuk i bëjnë përshtypje Perëndisë Jehova. Nuk e prek atë as edhe teologjia e tyre e mbështetur fort pas traditës. Kryerja e vullnetit të Perëndisë nuk ka pasur nevojë për fuqinë njerëzore.—Zakaria 4:6.
10. Cilët ka zgjedhur Perëndia për të predikuar?
10 Është ashtu siç i tha apostulli Pavël kongregacionit të Korintit në letrën e tij: «Shikoni në fakt thirrjen tuaj, vëllezër, sepse ndër ju ka jo shumë të ditur sipas mishit, jo shumë të fuqishëm, jo shumë fisnikë, por Perëndia ka zgjedhur gjërat e marra të botës për të turpëruar të urtët; dhe Perëndia ka zgjedhur gjërat e dobëta të botës për të turpëruar të fortët; dhe Perëndia ka zgjedhur gjërat jo fisnike të botës dhe gjërat e përçmuara, edhe gjërat që nuk janë, për të asgjësuar ato që janë, që asnjë mish të mos mburret përpara tij.»—1. Korintasve 1:26-29.
11. Cilat fakte mbi Dëshmitarët i kanë bërë ata unik?
11 Dëshmitarët e Jehovait kanë shumë pak individë të pasur në radhët e tyre dhe sigurisht që nuk kanë asnjë që të ketë fuqi nga ana politike. Asnjanësia e tyre e rreptë në çështjet politike do të thotë se ata nuk mund të ushtrojnë asnjë ndikim politik. Në të kundërtën, ata kanë qenë shpesh viktima të persekutimit të ndyrë, të nxitur nga krerë fetarë dhe politikë gjatë këtij shekulli të 20-të. Megjithatë, pavarësisht nga persekutimi i egër që u kanë bërë dishepujt e nazizmit, fashizmit, komunizmit, nacionalizmit dhe fesë së rreme, Dëshmitarët jo vetëm që po predikojnë lajmin e mirë në të gjithë botën, por janë shtuar edhe në numër në një mënyrë të jashtëzakonshme.—Isaia 60:22.
12. Përse kanë pasur sukses Dëshmitarët?
12 Kujt ia japin Dëshmitarët meritën për suksesin e tyre? Jezui u premtoi dishepujve të tij: «Ju do të merrni fuqi kur Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ju dhe do të bëheni dëshmitarët e mi në Jeruzalem dhe në gjithë Judenë, në Samari dhe deri në skajin e dheut.» Pra, cili do të ishte saktësisht burimi i suksesit të tyre? Jezui tha: «Ju do të merrni fuqi kur Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ju.» Po kështu edhe sot, fuqia e Perëndisë e jo aftësia njerëzore, ka qenë çelësi i suksesit të Dëshmitarëve në shërbimin e tyre anembanë botës. Duke përdorur ata që ngjajnë si njerëzit më të dobët, Perëndia po kryen veprën më të madhe të edukimit në histori.—Veprat 1:8; Isaia 54:13.
Lajmi i mirë dhe mençuria e Jehovait
13. (a) Përse Dëshmitarët shërbejnë vullnetarisht dhe pa pagesë? (b) Si i është përgjigjur Jehovai përqeshjes së Satanait?
13 Lajmi i mirë predikohet nga vullnetarë. Jezui tha: «Falas morët, falas jepni.» (Mateu 10:8) Për këtë arsye, asnjë nga Dëshmitarët e Jehovait nuk merr pagë për shërbimin që i bën Perëndisë, as që e kërkojnë një gjë të tillë. Në fakt, nëpër mbledhjet e tyre ata nuk bëjnë mbledhje parash. Ata janë të lumtur që me anë të shërbimit të tyre të devotshëm altruist, t’i japin Perëndisë një përgjigje për akuzuesin e tij, Satana Djallin. Në të vërtetë, ky kundërshtar frymor i Perëndisë ka thënë se njerëzit do t’i shërbejnë Perëndisë vetëm për motive egoiste. Me mençurinë e tij, Jehovai ka siguruar një përgjigje dërrmuese ndaj përqeshjes së Satanait: miliona Dëshmitarë të krishterë besnikë predikojnë lajmin e mirë nga shtëpia në shtëpi, nëpër rrugë dhe në mënyrë joformale.—Jobi 1:8-11; 2:3-5; Proverbat 27:11.
14. Çfarë është «mençuria e fshehur», së cilës i referohet Pavli?
14 Një tjetër dëshmi e mençurisë së Perëndisë në predikimin e lajmit të mirë është se edhe vetë premtimi i Mbretërisë përbën një shfaqje të mençurisë së Perëndisë. Apostulli Pavël shkroi: «Dhe ne flasim dituri [mençuri, BR] në mes njerëzish të pjekur, por jo diturinë e kësaj kohe dhe as të pushtetarëve të kësaj kohe, që nuk arrin asgjë, por flasim diturinë e Perëndisë të fshehur në mister, që Perëndia e kishte paracaktuar përpara kohërash për lavdinë tonë.» Kjo «mençuri e fshehur» i referohet mjeteve të mençura të Perëndisë për t’i dhënë fund rebelimit që nisi në Eden. Mençuria e këtij sekreti të shenjtë u zbulua në Jezu Krishtin, i cili është boshti i lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë.a—1. Korintasve 2:6, 7; Kolosianëve 1:26-28.
Lajmi i mirë dhe drejtësia e Perëndisë
15. Si e dimë që Jehovai është një Perëndi i drejtësisë? (Ligji i përtërirë 32:4; Psalmi 33:5)
15 Veçanërisht në lidhje me drejtësinë shohim rëndësinë e fjalës «së pari» në Markun 13:10. Jehovai është një Perëndi, drejtësia e të cilit është zbutur me dashamirësinë e dashur. Me anë të profetit të tij, Jeremisë, ai tha: «Por kush të lavdërohet të lavdërohet me këtë: të ketë gjykim dhe të më njohë mua, që jam Zoti, që bëj mirësinë, ushtroj të drejtën dhe drejtësinë mbi tokë; sepse kënaqem me këto gjëra,—thotë Zoti.»—Jeremia 9:24.
16. Si mund të ilustrohet se drejtësia kërkon që së pari të jepet një paralajmërim?
16 Si është shfaqur drejtësia e Jehovait në lidhje me predikimin e lajmit të mirë? Le ta ilustrojmë këtë me një nënë që ka bërë një kek të shijshëm me çokollatë, i cili duhet ngrënë më vonë, kur miqtë të kenë ardhur. Nëse ajo e lë kekun mbi tryezën e kuzhinës pa u thënë asnjë fjalë fëmijëve mbi kohën se kur duhet ngrënë, cila do të jetë prirja e natyrshme e të vegjëlve? Të gjithë kemi qenë fëmijë njëherë e një kohë! Disa gishta të vegjël do të donin ta provonin atë kek! Tani, nëse nuk do ta kishte bërë paralajmërimin e duhur, nëna nuk do të kishte një bazë të fortë për t’i disiplinuar. Përkundrazi, nëse do ta kishte thënë hapur se keku do të hahej më vonë, kur të kishin ardhur vizitorët, prandaj edhe nuk duhej prekur, atëherë ky do të kishte qenë nga ana e saj një paralajmërim i qartë. Nëse nuk do të ishin bindur, ajo do të kishte të drejtë për të ndërmarrë një veprim të vendosur.—Proverbat 29:15.
17. Si e ka shfaqur Jehovai drejtësinë në një mënyrë të veçantë që prej 1919-ës?
17 Me drejtësinë e tij, Jehovai nuk do të ndërmarrë veprime gjyqësore kundër këtij sistemi të lig gjërash, pa dhënë më parë paralajmërimin e duhur. Për këtë arsye, veçanërisht qysh prej 1919-ës, pasi Lufta e Parë Botërore solli «dhembjet e mjerimit», Jehovai ka dërguar Dëshmitarët e tij anembanë tokës, duke shpallur me zell lajmin e mirë. (Mateu 24:7, 8, 14, BR) Kombet nuk mund të kenë të drejtë nëse hiqen sikur nuk e kanë dëgjuar këtë paralajmërim unik.
Deri në ç’masë është predikuar lajmi i mirë?
18. (a) Çfarë dëshmie ekziston mbi aktivitetin e Dëshmitarëve në zona të largëta? (b) Çfarë shembujsh të tjerë di mbi këtë?
18 Një tregues të efektshmërisë së kësaj vepre ndërkombëtare edukimi, mund ta shohim nga një libër. (Last Places—A Journey in the North) Shkrimtari tregon se kur po shikonte hartat detare të ishullit të largët të Foullës, në Shetland (në veri të Skocisë), ato tregonin «kudo përreth ishullit WKS (mbeturina), RKS (shkëmbinj), LDGS (shkëmbinj të nënujshëm) dhe OBS (pengesa)». Këta tregues «paralajmëronin lundërtarët e mundshëm që të qëndronin sa më larg. Ujërat e Foullës ishin me të vërtetë një kamp i minuar që nuk e bënin ishullin aspak mikpritës për varkat sportive, për marinarët e së dielës, madje edhe për brigadën e xhenios civile të Madhërisë së Saj, por (dhe këtë e zbulova brenda pak ditëve) jo për Dëshmitarët e Jehovait». Dhe shton: «Ashtu siç përshkonin me imtësi lagjet e varfëra të qyteteve të mëdha dhe të Botës së Tretë, në kërkim të të kthyerve në fe, po kështu kërkonin të bënin prozelitizëm për besimin e tyre edhe mbi ishullin e humbur të Foullës.» Pasi ka përmendur se disa muaj më parë një banor vendas, Andrea, kishte gjetur në prag të shtëpisë një kopje të Kullës së Rojës, ai thotë: «Një javë më vonë do të shikoja një kopje të [Awake! në danisht] në Faroe [ishuj në Detin e Veriut] dhe dy muaj më vonë një kopje të [Kullës së Rojës në danisht] në Nuk të Groenlandës.» Sa dëshmi kuptimplotë për aktivitetin e zellshëm të Dëshmitarëve të Jehovait në ato rajone veriore!
Çfarë i shtyn Dëshmitarët që të vazhdojnë predikimin?
19, 20. (a) Çfarë i shtyn Dëshmitarët e Jehovait që të vazhdojnë predikimin? (b) Cilave pyetje do t’u përgjigjemi në vazhdim?
19 Natyrisht, t’u predikosh të huajve nga shtëpia në shtëpi nuk është një punë e lehtë, pavarësisht se sa vjet ke që je një Dëshmitar. Çfarë i shtyn, pra, këta të krishterë që të vazhdojnë? Dedikimi i tyre i krishterë dhe ndjenja e përgjegjësisë. Pavli shkroi: «Sepse, në qoftë se unë predikoj ungjillin, s’ka asgjë që unë të mburrem, sepse kjo është një nevojë që më është ngarkuar; edhe mjerë unë, po nuk predikova ungjillin!» Të krishterët e vërtetë kanë një mesazh që do të thotë jetë. Si mund, pra, ata ta mbajnë atë vetëm për vete? Një tjetër arsye nxitëse për të predikuar lajmin e mirë është parimi i fajit të gjakut, në të cilin bie kushdo që nuk lajmëron të afërmin në rast rreziku.—1. Korintasve 9:16; Ezekieli 3:17-21.
20 Në ç’mënyrë predikohet, pra, lajmi i mirë? Cili është kyçi i suksesit të Dëshmitarëve? Cilat aspekte të shërbimit dhe të organizimit të tyre na ndihmojnë për t’i identifikuar si feja e vërtetë? Artikulli ynë vijues do t’u përgjigjet këtyre pyetjeve.
[Shënimi]
a Për një shpjegim të mëtejshëm të mençurisë së Perëndisë dhe të «sekretit të shenjtë», shiko Insight on the Scriptures, vëll. 2, fq. 1190, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
A të kujtohet?
◻ Çfarë i dallon Dëshmitarët e Jehovait nga kleri?
◻ Si e pasqyron predikimi dashurinë, fuqinë dhe mençurinë e Perëndisë?
◻ Si e pasqyron predikimi i lajmit të mirë drejtësinë e Perëndisë?
◻ Çfarë i shtyn Dëshmitarët e Jehovait të vazhdojnë në shërbimin e tyre?
[Figurat në faqen 15]
Sado të izoluar të jenë njerëzit, Dëshmitarët e Jehovait dëshirojnë të shkojnë tek ata