Lajmëtarët e Mbretërisë raportojnë
Jehovai është më i fortë se armiqtë e tij
PREJ shumë kohësh, djalli dhe demonët e tij përpiqen të pengojnë predikimin e lajmit të mirë nëpërmjet fesë së rreme dhe spiritizmit. Bibla flet për qëllimin e lig të Satanait tek 2. Korintasve 4:4 ku thotë se «perëndia i këtij sistemi gjërash i ka verbuar mendjet e pabesimtarëve, me qëllim që drita e lajmit të mirë të lavdishëm mbi Krishtin, që është shëmbëlltyra e Perëndisë, të mos i ndriçojë ata».—BR.
Por Perëndia Jehova është më i fortë se Satanai. Nuk ka asgjë që armiqtë e Jehovait mund të bëjnë për të ndaluar përmbushjen e vullnetit të tij hyjnor, i cili është që «të gjithë njerëzit të shpëtohen dhe t’ia arrijnë njohjes së të vërtetës». (1. Timoteut 2:4) Raporti vijues nga Lajmëtarët e Mbretërisë në Australi e bën të qartë këtë.
◻ Pas 20 vjet shkëputjeje nga feja, një grua filloi ta lexojë përsëri Biblën. Ky interes i përsëritur për Biblën bëri që asaj t’i lindin shumë pyetje, kështu që iu lut Perëndisë ta ndihmonte për të gjetur përgjigjet. Ajo donte të kërkonte të vërtetën, por e dinte se kthimi në fenë ku kishte qenë nuk do ta zgjidhte problemin. Kështu, ajo e filloi kërkimin në një dyqan librash të përdorur duke pyetur nëse kishin ndonjë libër fetar.
Pronari u kujtua se e kishte një libër fetar, por jo në librari, por në shtëpi. Titulli i librit ishte, Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi Tokë, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait. Gruaja e lexoi me dëshirë të madhe librin dhe aty gjeti përgjigjet e pyetjeve të saj të shumta biblike. Pasi i kërkoi Dëshmitarët e Jehovait në numërator, arriti përfundimisht t’i takonte ata dhe filloi një studim të rregullt biblik.
◻ Një vajzë vendosi një lajmërim në gazetë për të shitur një hajmali. Lajmërimi e përshkruante atë si një ‘hajmali mesjetare shumë të fuqishme’. Një Dëshmitare e Jehovait e vuri re lajmërimin. Ajo vendosi ta telefononte me numrin që ishte dhënë në gazetë dhe bisedoi me vajzën duke i shpjeguar se cili ishte burimi i fuqisë së supozuar të hajmalisë. Pastaj pasoi një diskutim mbi pikëpamjen e Biblës për aktivitetin demonik. Vajza u kujtua se vetëm një ditë më parë, i ishte lutur Perëndisë që ta ndihmonte në lidhje me problemet që kishte me demonët. Dëshmitarja u mor vesh për një tjetër diskutim në telefon.
Kur i telefonoi, vajza nuk ishte në shtëpi. Iu përgjigj e ëma e cila i tha: «Unë nuk e di se çfarë i ke treguar sime bije, por ajo që ka ndodhur është një mrekulli!» I tregoi se si pas telefonatës së parë, vajza e saj kishte hedhur të gjitha pikturat dhe librat satanike dhe kishte filluar të lexonte Biblën.
Shpejt pas kësaj, u rregullua që të mund t’i bëhej një vizitë personale kësaj vajze. Ajo menjëherë pranoi një studim të rregullt biblik me Dëshmitarët e Jehovait. Gjithashtu, filloi të shoqërohej me Dëshmitarët duke ndjekur mbledhjet e tyre të krishtere. Edhe një herë, Jehovai i mundi demonët duke bërë që të ndriçojë njohuria e saktë e së vërtetës biblike.