Ai pranoi drejtimin hyjnor
MENDO sikur një fëmijë i përsosur t’i besohet kujdesit tënd dhe të pritet nga ty që ta rritësh në mënyrë të përshtatshme. Një sfidë vërtet e vështirë! Si mund t’ia dalë mbanë një njeri i papërsosur? Vetëm duke pranuar drejtimin hyjnor dhe duke e zbatuar atë në jetën e përditshme.
Këtë e bëri Jozefi, babai i adoptuar i Jezuit. Në ndryshim me traditat e hollësishme apokrife mbi Jozefin, Bibla nuk thotë shumë lidhur me rolin e tij të përulur në vitet e para të jetës së Jezuit. E dimë se Jozefi dhe gruaja e tij, Marija, rritën Jezuin, katër djem të tjerë dhe vajza.—Marku 6:3.
Jozefi ishte pasardhës i Davidit, mbretit të Izraelit, përmes linjës së Solomonit. Ai ishte bir i Jakobit dhe dhëndër i Heliut. (Mateu 1:16; Luka 3:23) Jozefi ishte marangoz në qytetin e Nazaretit, në Galile dhe burimet e tij financiare ishin të kufizuara. (Mateu 13:55; Luka 2:4, 24; krahaso Levitikun 12:8.) Por ama ishte i pasur frymësisht. (Proverbat 10:22) Me siguri kjo ishte, sepse ai pranoi drejtimin hyjnor.
Pa dyshim, Jozefi ishte një hebre zemërbutë dhe i përulur që besonte në Perëndinë dhe dëshironte të bënte atë që ishte e drejtë. Episodet e pakta të jetës së tij të regjistruara në Shkrime, tregojnë se i bindej gjithmonë urdhrave të Jehovait. Bënte kështu qoftë me ato që përfshiheshin në Ligj, ashtu edhe me ato që merrte drejtpërdrejt përmes engjëjve.
Një njeri i drejtë që kishte probleme
Çfarë do të bënte një njeri me frikë Perëndie, po të gjendej përballë një problemi të madh? Do ‘të hidhte mbi Zotin barrën e tij’ dhe do të ndiqte drejtimin hyjnor! (Psalmi 55:22) Këtë bëri edhe Jozefi. Gjatë kohës që ishte i fejuar me Marijen, «para se të fillonin të rrinin bashkë, [ajo] mbeti shtatzënë nga Fryma e Shenjtë». Duke qenë se Jozefi «ishte njeri i drejtë dhe nuk donte ta poshtëronte botërisht, vendosi ta linte fshehtas». Pasi e mendoi mirë e mirë çështjen, engjëlli i Jehovait iu shfaq Jozefit në një ëndërr dhe i tha: «Jozef, bir i Davidit, mos ki frikë ta marrësh me vete Marinë si gruan tënde, sepse ç’është ngjizur në të është vepër e Frymës së Shenjtë. Ajo do të lindë një djalë dhe ti do t’i vësh emrin Jezus, sepse ai do të shpëtojë popullin e tij nga mëkatet.» Kur u zgjua, Jozefi «veproi ashtu siç e kishte urdhëruar engjëlli i Zotit dhe e mori pranë vetes gruan e tij; por ai nuk e njohu, derisa ajo lindi djalin e saj të parëlindur, të cilit ia vuri emrin Jezus». (Mateu 1:18-25) Jozefi pranoi drejtimin hyjnor.
Çesar Augusti dekretoi që populli të regjistrohej në qytetet e tyre. Në bindje të këtij dekreti, Jozefi dhe Marija shkuan në Bethlehem, në Jude. Atje Marija lindi Jezuin dhe e shtroi në një koritë bagëtish, sepse nuk kishte gjëra të tjera në dispozicion. Atë natë, barinjtë që kishin dëgjuar lajmërimin engjëllor të kësaj lindjeje të veçantë, erdhën për të parë foshnjën. Rreth 40 ditë më vonë, Jozefi dhe Marija përmbushën Ligjin, duke e paraqitur Jezuin në tempullin në Jeruzalem bashkë me një flijim. Të dy u mrekulluan kur dëgjuan fjalët profetike të Simeonit të moshuar mbi gjërat e mëdha që do të bënte Jezui.—Luka 2:1-33; krahaso Levitikun 12:2-4, 6-8.
Megjithëse Luka 2:39 mund të të bëjë të mendosh se Jozefi dhe Marija shkuan në Nazaret menjëherë pasi e paraqitën Jezuin në tempull, ky varg është pjesë e një tregimi të përmbledhur. Me sa duket, pak kohë pas paraqitjes në tempull, astrologët lindorë (magjistarët) vizituan Marijen dhe Jezuin në një shtëpi në Bethlehem. Ndërhyrja hyjnore nuk lejoi që kjo vizitë t’i shkaktonte vdekjen Jezuit. Pasi magjistarët ikën, Jozefit iu shfaq engjëlli i Jehovait në një ëndërr dhe i tha: «Herodi do ta kërkojë fëmijën për ta vrarë.» Si gjithmonë, Jozefi ndoqi drejtimin hyjnor dhe e çoi familjen në Egjipt.—Mateu 2:1-14.
Pas vdekjes së Herodit, kur ishte në Egjipt, Jozefit iu shfaq në ëndërr një engjëll që i tha: «Çohu merr fëmijën dhe nënën e tij dhe shko në vendin e Izraelit.» Pasi dëgjoi që i biri i Herodit, Arkelausi, mbretëronte në vend të të atit, Jozefi kishte frikë të kthehej në Jude. Duke i kushtuar rëndësi paralajmërimit hyjnor që i ishte dhënë në ëndërr, ai shkoi në Galile dhe u vendos në qytetin e Nazaretit.—Mateu 2:15-23.
Një njeri frymor
Jozefi veproi në atë mënyrë, që familja e tij t’i bindej ligjit hyjnor dhe të ushqehej frymësisht. Çdo vit ai e merrte gjithë familjen me vete në festimin e Pashkëve në Jeruzalem. Në një nga këto raste, Jozefi dhe Marija u kthyen në Nazaret dhe kishin udhëtuar një ditë të tërë nga Jeruzalemi, kur kuptuan se Jezui 12-vjeçar nuk ishte me ta. U kthyen në Jeruzalem, kërkuan e kërkuan dhe më në fund e gjetën në tempull, duke dëgjuar e duke u bërë pyetje mësuesve të atjeshëm.—Luka 2:41-50.
Siç duket, Jozefi lejonte që e shoqja të merrte iniciativën në disa gjëra. Për shembull, kur u kthyen në Jeruzalem dhe e gjetën Jezuin në tempull, ishte Marija që i foli të birit për atë që kishte ndodhur. (Luka 2:48, 49) Ndërkohë që rritej si «i biri i marangozit», Jezui merrte edhe mësim frymor. Jozefi i mësoi atij edhe zanatin e marangozit, sepse Jezui quhej «zdrukthëtar i biri i Marisë». (Mateu 13:55; Marku 6:3) Prindërit e sotëm me frikë Perëndie duhet t’i përdorin plotësisht raste të ngjashme për t’i mësuar fëmijët e tyre, veçanërisht duke i stërvitur frymësisht.—Efesianëve 6:4; 2. Timoteut 1:5; 3:14-16.
Perspektivat e Jozefit
Shkrimet nuk flasin për vdekjen e Jozefit. Por është interesante se Marku 3:6 e quan Jezuin «biri i Marisë» e jo i Jozefit. Kjo tregon se në atë kohë Jozefi kishte vdekur. Përveç kësaj, nëse Jozefi do të kishte qenë akoma gjallë në shekullin 33 të e.s., është e pamundur që kur ishte në shtyllë, Jezui t’ia besonte Marijen kujdesit të apostullit Gjon.—Gjoni 19: 26, 27.
Prandaj, Jozefi do të jetë mes të vdekurve që do të dëgjojnë zërin e Birit të njeriut dhe do të vijnë në jetë përmes ringjalljes. (Gjoni 5:28, 29) Kur të mësojë mbi sigurimet e Jehovait për jetën e përhershme, pa dyshim Jozefi do t’i përdorë ato me gëzim dhe do të jetë një nënshtetas i bindur i Mbretit të madh qiellor, Jezu Krishtit, pikërisht siç ndoqi drejtimin hyjnor rreth 1.900 vjet më parë.
[Figura në faqen 31]
Jozefi i dha Jezuit mësim frymor dhe i mësoi, gjithashtu, zanatin e marangozit