«Dhiata e Vjetër» apo «Shkrimet Hebreje»?
SOT, në të ashtuquajturin krishterim, është e zakonshme të përdoren termat «Dhiata e Vjetër» dhe «Dhiata e Re» për të përshkruar pjesët e Biblës në gjuhët hebreje, aramaike dhe greke. Por, a ka ndonjë bazë biblike për të përdorur këto terma? Dhe për çfarë arsyesh, Dëshmitarët e Jehovait nuk i përdorin në përgjithësi këto terma në botimet e tyre?
Është e vërtetë që 2. Korintasve 3:14, sipas parafrazimi BIBLA (ECM) si edhe të disa përkthimeve të vjetra, si psh. përkthimit të parë të Martin Lutherit në gjermanisht të Septembertestament (1522), mund të ofrojë një mbështetje të dukshme për këtë zakon. Në parafrazimin BIBLA, ky varg lexohet: «Por izraelitët janë të verbër. Kur ata e lexojnë Dhiatën e vjetër, mbi fjalë u rri e njëjta mbulesë; sepse mbulesa hiqet vetëm me anë të besimit te Mesia.»
Por, a është duke folur këtu apostulli Pavël për 39 librat që zakonisht quhen «Dhiata e Vjetër»? Fjala greke e përkthyer këtu «dhiatë» është di·a·theʹke. Enciklopedia e famshme teologjike gjermane Theologische Realenzyklopädie, duke komentuar 2. Korintasve 3:14, thotë se ‘leximi i fjalës së vjetër di·a·theʹke’ në këtë varg korrespondon me «leximin e Moisiut» në vargun pasues. Prandaj, thotë ajo, ‘fjala e vjetër di·a·theʹke’ qëndron për Ligjin e Moisiut, apo e shumta për Pentateukun. Ajo sigurisht, nuk tregon trupin e plotë të Shkrimeve të frymëzuara të parakrishtere.
Apostulli i referohet vetëm një pjese të Shkrimeve Hebreje, besëlidhjes së vjetër të Ligjit, e cila u shkruajt nga Moisiu në Pentateuk; ai nuk i referohet Shkrimeve Hebreje dhe Aramaike në tërësinë e tyre. Për më tepër, ai nuk do të thotë se shkrimet e frymëzuara të krishtere të shekullit të parë të e.s formojnë «një dhiatë të re», pasi ky term nuk ndeshet asgjëkundi në Bibël.
Gjithashtu, është për t’u vërejtur se fjala greke dia·theʹke që e përdor këtu Pavli, në fakt do të thotë «besëlidhje». (Për informacione të mëtejshme shiko Përkthimi Bota e Re i Shkrimeve të Shenjta, me referime [angl.], Shtojcën 7E, faqe 1585, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc., 1984.) Prandaj, shumë përkthime moderne me të drejtë lexojnë «besëlidhja e vjetër» në vend se «dhiata e vjetër».
Në lidhje me këtë, një revistë katolike, pohon: «Termi ‘Dhiata e Vjetër’, në mënyrë të pashmangshme krijon një atmosferë inferioriteti dhe bën që të duket sikur i ka kaluar koha.» (National Catholic Reporter) Por në fakt, Bibla është një vepër e vetme dhe asnjë pjese nuk i ka kaluar koha apo të jetë «vjetëruar». Mesazhi i saj është koherent nga libri i parë i pjesës hebreje deri në librin e fundit të pjesës greke. (Romakëve 15:4; 2. Timoteut 3:16, 17) Pra, ne kemi arsye të vlefshme për të shmangur këto terma që janë bazuar mbi supozime të gabuara dhe preferojmë të përdorim ato që janë më korrekte, «Shkrimet Hebreje» dhe «Shkrimet e Krishtere Greke».