Dashuria mposht xhelozinë e gabuar
«Dashuria nuk është xheloze.»—1. KORINTASVE 13:4, BR.
1, 2. (a) Çfarë u tha Jezui dishepujve të tij në lidhje me dashurinë? (b) A është e mundur që të jemi njëkohësisht të dashur e xhelozë dhe përse përgjigjeni në këtë mënyrë?
DASHURIA është një shenjë dalluese e krishterimit të vërtetë. Jezu Krishti tha: «Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.» (Gjoni 13:35) Apostulli Pavël u frymëzua të shpjegonte se si duhet të ndikojë dashuria mbi marrëdhëniet e krishtere. Midis gjërave të tjera, ai shkroi: «Dashuria nuk është xheloze.»—1. Korintasve 13:4, BR.
2 Kur Pavli shkroi këto fjalë, ai i referohej xhelozisë së gabuar. Përndryshe ai nuk mund t’i thoshte po të njëjtit kongregacion: «Jam xheloz për ju me xhelozinë e Perëndisë.» (2. Korintasve 11:2) Kjo «xhelozi e Perëndisë», në të, ishte nxitur për shkak të disa njerëzve të cilët ishin një ndikim korruptues në kongregacion. Kjo e shtyu Pavlin t’u shkruante të krishterëve të Korintit një letër të dytë të frymëzuar, e cila përmbante shumë këshilla të dashura.—2. Korintasve 11:3-5.
Xhelozia midis të krishterëve
3. Si u trajtua një problem që përfshinte xhelozinë midis të krishterëve të Korintit?
3 Në letrën e tij të parë drejtuar korintasve, Pavli duhej të trajtonte një problem që po i pengonte këta të krishterë të rinj që të shkonin mirë me njëri-tjetrin. Ata kishin ngritur lart disa burra, që ‘krekoseshin njëri kundër tjetrit’. Kjo kishte çuar në ndarje brenda kongregacionit, ndërkohë që persona të ndryshëm thonin: «‘Unë jam i Palit’, ‘unë i Apolit’, ‘unë i Kefës’.» (1. Korintasve 1:12; 4:6) Nën udhëheqjen e frymës së shenjtë, apostulli Pavël ishte në gjendje ta kuptonte problemin që në rrënjë. Korintasit po vepronin si njerëz me mendje mishore, jo si «njerëz frymorë». Kështu pra, Pavli shkroi: «Jeni akoma të mishit; në fakt sepse midis jush ka smirë [xhelozi, BR], grindje dhe përçarje a nuk jeni të mishit dhe a nuk ecni sipas mënyrës së njerëzve?»—1. Korintasve 3:1-3.
4. Çfarë ilustrimi përdori Pavli për të ndihmuar vëllezërit e tij që të arrinin pikëpamjen e drejtë ndaj njëri-tjetrit dhe çfarë mësimi nxjerrim nga kjo?
4 Pavli i ndihmoi korintasit që të vlerësonin pikëpamjen e drejtë mbi talentin dhe aftësinë e personave të ndryshëm në kongregacion. Ai pyeti: «Kush ta jep ty përparësinë? Çka ke që nuk e ke marrë? E, nëse e ke marrë prej tjetërkujt, pse krenohesh kinse s’e ke marrë?» (1. Korintasve 4:7, DSF) Në 1. Korintasve kapitulli 12, Pavli shpjegoi se ata që ishin pjesë e kongregacionit, ishin tamam gjymtyrët e ndryshme të trupit të njeriut, të tilla si dora, syri dhe veshi. Ai theksoi që Perëndia i bën gjymtyrët e trupit në një mënyrë të tillë që të kujdesen për njëra-tjetrën. Pavli, gjithashtu, shkroi: «Po të nderohet një gjymtyrë, të gjitha gjymtyrët gëzohen bashkë me të.» (1. Korintasve 12:26) Të gjithë shërbëtorët e Perëndisë sot duhet të zbatojnë këtë parim në marrëdhënien e tyre me të tjerët. Në vend që të jemi xhelozë për një person, për shkak të caktimeve ose arritjeve në shërbimin e Perëndisë, ne duhet të gëzohemi bashkë me të.
5. Çfarë tregohet tek Jakovi 4:5 dhe si e theksojnë Shkrimet vërtetësinë e këtyre fjalëve?
5 Duhet të pranojmë që kjo është më e lehtë të thuhet se sa të bëhet. Shkrimtari biblik Jakovi na rikujton që «një prirje zilie» banon në çdo njeri mëkatar. (Jakovi 4:5, BR) Vdekja e njeriut të parë erdhi për shkak se Kaini i hapi rrugë xhelozisë së tij të gabuar. Filistejtë e përndoqën Isakun për shkak se ata patën zili mirëqenien e tij në rritje. Rakela ishte xheloze për frytshmërinë e motrës së saj në lindjen e fëmijëve. Bijtë e Jakobit ishin xhelozë për favorin që tregohej ndaj vëllait të tyre më të vogël Jozefit. Miriami me sa duket ishte xheloze për kunatën e saj jo izraelite. Kora, Datani dhe Abirami me zili formuan një komplot kundër Moisiut dhe Aaronit. Mbreti Saul u bë xheloz për fitoret ushtarake të Davidit. Pa dyshim që xhelozia ishte, gjithashtu, faktori që shkaktoi grindjen midis dishepujve të Jezuit, mbi çështjen e përsëritur, se kush ishte më i madhi midis tyre. Është fakt që asnjë njeri i papërsosur nuk është plotësisht i çliruar nga gjendja mëkatare e «prirjes së zilisë».—Zanafilla 4:4-8; 26:14; 30:1; 37:11; Numrat 12:1, 2; 16:1-3; Psalmi 106:16; 1. Samuelit 18:7-9; Mateu 20:21, 24; Marku 9:33, 34; Luka 22:24.
Në kongregacion
6. Si mund ta kontrollojnë pleqtë prirjen për zili?
6 Të gjithë të krishterët duhet të ruhen nga zilia dhe nga xhelozia e gabuar. Kjo përfshin trupin e pleqve të emëruar për t’u kujdesur për kongregacionin e popullit të Perëndisë. Nëse një plak ka përulësi mendjeje, ai nuk do të përpiqet me ambicje të errësojë të tjerët. Nga ana tjetër, nëse një plak i caktuar ka aftësi të jashtëzakonshme si një organizator ose si një orator publik, të tjerët duhet të gëzohen mbi këtë fakt, duke e parë atë si një bekim për kongregacionin. (Romakëve 12:15, 16) Një vëlla mund të jetë duke bërë një përparim të shkëlqyer, duke dhënë prova se shfaq frytet e frymës së Perëndisë në jetën e tij. Në shqyrtimin e kualifikimit të tij, pleqtë duhet të jenë të kujdesshëm që të mos zmadhojnë disa gabime të vogla për të justifikuar mosaprovimin e tyre për të si shërbëtor ndihmës ose si një plak. Kjo mund të nxjerrë në pah mungesën e dashurisë dhe të arsyetueshmërisë.
7. Çfarë problemi mund të zhvillohet kur një i krishterë merr disa caktime teokratike?
7 Në qoftë se disa marrin një caktim teokratik ose një bekim frymor, të tjerët në kongregacion duhet të ruhen nga zilia. Për shembull, një motër e zonja mund të përdoret më shpesh se sa një tjetër për të bërë demonstrime në mbledhjet e krishtere. Kjo mund t’i japë shtytje xhelozisë nga ana e disa motrave. Një problem i ngjashëm mund të ketë ekzistuar midis Evodisë dhe Sintikisë në kongregacionin e Filipisë. Gra të tilla në ditët e sotme, mund të kenë nevojë për një inkurajim dashamirës nga pleqtë për të qenë të përulura dhe për të qenë «në një mendje në Zotin».—Filipianëve 2:2, 3; 4:2, 3.
8. Në cilat veprime mëkatare mund të çojë xhelozia?
8 Një i krishterë, mund të dijë ndonjë gabim të shkuar të dikujt, i cili tani është bekuar me privilegje në kongregacion. (Jakovi 3:2) I shtyrë nga xhelozia, mund të ketë një prirje për t’u folur të tjerëve mbi këtë çështje dhe për të vënë në dyshim caktimin e atij vëllai në kongregacion. Kjo do të ishte në kundërshtim me dashurinë, e cila «mbulon një shumicë mëkatesh». (1. Pjetrit 4:8) E folura xheloze mund të prishë paqen në kongregacion. «Në qoftë se në zemrën tuaj keni smirë [xhelozi, BR] të hidhur dhe grindje,— paralajmëroi dishepulli Jakov,—mos u mbani me të madh dhe mos gënjeni kundër së vërtetës. Kjo nuk është dituri që zbret nga lart, por është tokësore, shtazore, djallëzore.»—Jakovit 3:14, 15.
Në familjen tuaj
9. Si mund të kontrollojnë bashkëshortët ndjenjat e tyre të xhelozisë?
9 Shumë martesa dështojnë për shkak të xhelozisë së gabuar. Shfaqja e mungesës së besimit ndaj bashkëshortit nuk është shenjë dashurie. (1. Korintasve 13:7) Nga ana tjetër, një bashkëshort mund të jetë i pandjeshëm ndaj ndjenjave të xhelozisë nga ana e tjetrit. Për shembull, një grua mund të jetë xheloze për shkak të vëmendjes që i kushton burri i saj dikujt tjetër nga seksi i kundërt. Ose një burrë, mund të bëhet xheloz për shkak të kohës së madhe që gruaja e tij harxhon për t’u kujdesur për një të afërm nevojtar. Të zënë ngushtë nga ndjenja të tilla, bashkëshortët mund të heshtin dhe ta shfaqin zhgënjimin e tyre në rrugë të tjera që e vështirësojnë problemin. Në vend të kësaj një bashkëshort xheloz duhet të komunikojë dhe të jetë i ndershëm në lidhje me ndjenjat e tij ose të saj. Nga ana tjetër, bashkëshorti tjetër duhet të tregojë mirëkuptim dhe ta sigurojë për dashurinë e tij ose të saj. (Efesianëve 5:28, 29) Të dy së bashku mund t’i zbusin ndjenjat e xhelozisë duke shmangur situata që i japin shtytje atyre. Ndonjëherë një mbikëqyrës i krishterë mund të ketë nevojë për të ndihmuar gruan e tij të kuptojë që ai po i kushton një vëmendje të duhur dhe të kufizuar personave të seksit tjetër me qëllim që të përmbushë përgjegjësinë e tij si një bari i tufës së Perëndisë. (Isaia 32:2) Natyrisht, një plak duhet të jetë i kujdesshëm që asnjëherë të mos japë ndonjë shkak të vlefshëm për xhelozi. Kjo kërkon ekuilibër, duke siguruar bindje se ai po përpiqet për forcimin e lidhjes së tij martesore.—1. Timoteut 3:5; 5:1, 2.
10. Si mund t’i ndihmojnë prindërit fëmijët e tyre për të përballuar ndjenjat e xhelozisë?
10 Prindërit, duhet gjithashtu, t’i ndihmojnë fëmijët e tyre të kuptojnë konceptin e xhelozisë së gabuar. Fëmijët shpesh përfshihen në zënka për gjëra të vogla të cilat kthehen në përleshje. Zakonisht shkaku bazë është xhelozia. Duke qenë se nevojat e fëmijëve janë të veçanta, ata nuk mund të trajtohen në mënyrë identike. Për më tepër, fëmijët duhet të kuptojnë që secili prej tyre ka cilësi të mira dhe dobësi të ndryshme. Në qoftë se një fëmijë është inkurajuar gjithmonë të bëjë një gjë po aq mirë sa edhe një tjetër, kjo mund të kultivojë zilinë tek njëri dhe krenarinë tek tjetri. Prandaj, prindërit duhet t’i mësojnë fëmijët e tyre që ta masin progresin e tyre duke konsideruar shembujt në Fjalën e Perëndisë, jo duke konkurruar me njëri-tjetrin. Bibla thotë: «Të mos jemi egoistë, duke bërë garë me njëri-tjetrin, duke pasur zili njëri-tjetrin.» Por, «secili të analizojë veprën e tij dhe atëherë do të ketë arsye të ngazëllehet vetëm për veten e tij dhe jo në krahasim me tjetrin». (Galatasve 5:26, BR; Gal. 6:4) Më e rëndësishmja është se, prindërit e krishterë duhet t’i ndihmojnë fëmijët e tyre me anë të një studimi të rregullt biblik, duke nënvizuar shembujt e mirë dhe shembujt e këqij që përmbahen në Fjalën e Perëndisë.—2. Timoteut 3:15.
Shembuj të mbajtjes nën kontroll të xhelozisë
11. Në ç’mënyrë ishte Moisiu një shembull i shkëlqyer në trajtimin e xhelozisë?
11 Ndryshëm nga udhëheqësit e etur për pushtet të kësaj bote, «Moisiu ishte një njeri shumë zemërbutë, më tepër se kushdo mbi faqen e dheut». (Numrat 12:3) Kur për Moisiun, udhëheqja e izraelitëve u bë e rëndë që ta mbante i vetëm, Jehovai bëri që fryma e Tij të vepronte mbi 70 izraelitë të tjerë, duke i fuqizuar ata për ta ndihmuar Moisiun. Kur dy prej këtyre burrave filluan të vepronin si profetë, Josiu e ndjeu që kjo gjë në mënyrë të papërshtatshme zvogëlonte udhëheqjen e Moisiut. Josiu dëshironte t’i pengonte burrat, por Moisiu në mënyrë të përulur arsyetoi: «Ndofta je xheloz për mua? Ah, le të ishin të gjithë profetë në popullin e Zotit dhe dhëntë Zoti që Fryma e tij të vihet mbi ta!» (Numrat 11:29) Po, Moisiu ishte i lumtur kur të tjerët merrnin privilegje shërbimi. Ai nuk dëshironte në mënyrë xheloze të merrte lavdi për vete.
12. Ç’gjë e aftësoi Xhonatanin të shmangte ndjenjat e xhelozisë?
12 Një shembull i shkëlqyer i mbizotërimit të dashurisë mbi ndjenjat e mundshme të gabuara të xhelozisë u dha nga Xhonatani, biri i mbretit izraelit Saulit. Xhonatani ishte, sipas radhës, ai që duhej të trashëgonte fronin e të atit, por Jehovai kishte zgjedhur Davidin, birin e Jeseut, për të qenë mbreti i ardhshëm. Shumë veta, në pozitën e Xhonatanit, do të kishin qenë xhelozë për Davidin, duke e parë atë si një rival. Sidoqoftë, dashuria e Xhonatanit për Davidin e parandaloi të pushtohej nga një ndjenjë e tillë. Në vdekjen e Xhonatanit, Davidi mundi të thoshte: «Unë jam në ankth për ty, o vëllai im Jonatan; ti ishe shumë i dashur për mua, dashuria jote për mua ishte më e mrekullueshme se dashuria e grave.»—2. Samuelit 1:26.
Shembujt më të shquar
13. Kush është shembulli më i mirë në çështjen e xhelozisë dhe pse?
13 Perëndia Jehova është shembulli më i shquar i atij që di të përmbahet, madje edhe mbi xhelozinë e drejtë. Ai i mban ndjenja të tilla nën një kontroll të përsosur. Çdo shfaqje e fuqishme e xhelozisë hyjnore është gjithmonë në harmoni me dashurinë, drejtësinë dhe mençurinë e Perëndisë.—Isaia 42:13, 14.
14. Çfarë shembulli dha Jezui në dallim me Satanain?
14 Shembulli i dytë i shquar në shfaqjen e të përmbajturit ndaj xhelozisë është Biri i dashur i Perëndisë, Jezu Krishti. «Edhe pse ishte në trajtë Perëndie,—Jezui—nuk e çmoi si një gjë ku të mbahej fort për të qenë barabar me Perëndinë.» (Filipianëve 2:6) Çfarë kontrasti i qartë me rrugën e ndërmarrë nga engjëlli ambicioz i cili u bë Satana Djall! Në mënyrë të ngjashme «mbreti i Babilonisë», Satanai me xhelozi dëshiroi «të jetë i ngjashëm me Shumë të Lartin», duke e ngritur veten e tij si një perëndi rival kundër Jehovait. (Isaia 14:4, 14; 2. Korintasve 4:4) Satanai, madje, u përpoq ta bënte Jezuin të ‘binte përmbys para tij dhe ta adhuronte’ atë. (Mateu 4:9) Por asgjë s’mundi ta shmangte Jezuin nga rruga e tij e përulur e nënshtrimit ndaj sovranitetit të Jehovait. Në dallim me Satanain, Jezui «e zbrazi veten e tij, duke marrë trajtë shërbëtori e u bë i ngjashëm me njerëzit; dhe duke u gjetur nga pamja e jashtme posi njeri, e përuli vetveten duke u bërë i bindur deri në vdekje, deri në vdekje të kryqit». Jezui e mbajti lart drejtësinë e sundimit të Atit të tij, duke hedhur poshtë krejtësisht rrugën krenare dhe xheloze të Djallit. Për besnikërinë e Jezuit, «Perëndia e lartësoi madhërisht dhe i dha një emër që është përmbi çdo emër, që në emër të Jezusit të përkulet çdo gju i krijesave qiellore, tokësore dhe nëntokësore dhe çdo gjuhë të rrëfejë se Jezu Krishti është Zot, për lavdi të Perëndisë Atë».—Filipianëve 2:7-11.
Përmbani xhelozinë tuaj
15. Pse duhet të jemi të kujdesshëm për t’u vënë fre ndjenjave të xhelozisë?
15 Në dallim me Perëndinë dhe Krishtin, të krishterët janë të papërsosur. Duke qenë mëkatarë, herë pas here ata mund të veprojnë të shtyrë nga xhelozia mëkatare. Në vend se të lejojmë xhelozinë të na shtyjë për të kritikuar një bashkëbesimtar mbi disa faje të vogla apo gabime të imagjinuara, është e rëndësishme që ne të meditojmë mbi këto fjalë të frymëzuara: «Mos ji tepër i drejtë as i urtë jashtë mase. Pse kërkon të shkatërrohesh?»—Predikuesi 7:16.
16. Ç’këshillë e shkëlqyer në lidhje me xhelozinë u dha në të kaluarën në një artikull të kësaj reviste?
16 Mbi temën e xhelozisë, Kulla e Rojës e 15 marsit 1911, këshillonte: «Ndërsa duhet të jemi shumë të zellshëm, shumë xhelozë në çështjen e Zotërisë, duhet të jemi shumë të sigurt që dobësia e një të krishteri tjetër nuk është një çështje personale në të cilën dikush tjetër nuk duhet të ndërhyjë; dhe duhet të konsiderojmë veten nëse jemi apo jo ‘ngatërrestarë’. Ne, gjithashtu, duhet të konsiderojmë nëse mund të jetë e përshtatshme që pleqtë të merren me të dhe nëse duhet të jetë detyra jonë të shkojmë tek pleqtë apo jo. Ne të gjithë duhet të kemi shumë xhelozi për çështjen e Zotërisë dhe për veprën e Zotërisë, por jini të kujdesshëm që ajo të mos jetë e një natyre të hidhur . . . me fjalë të tjera, ne duhet të jemi të sigurt që të mos jetë xhelozi kundër tjetrit, por xhelozi për tjetrin, për interesat e tij dhe mirëqenien më të mirë.»—1. Pjetrit 4:15.
17. Si mund të shmangim veprimet mëkatare të xhelozisë?
17 Si mund t’i shmangim ne, si të krishterë, krenarinë, xhelozinë dhe zilinë? Zgjidhja gjendet në lejimin e një vërshimi të lirë të frymës së shenjtë të Perëndisë në jetën tonë. Për shembull, ne duhet të lutemi për frymën e Perëndisë dhe për ndihmë në shfaqjen e fryteve të saj të mira. (Luka 11:13) Ne duhet të marrim pjesë në mbledhjet e krishtera, të cilat hapen me një lutje dhe kanë frymën e bekimet e Perëndisë. Përveç kësaj, ne duhet të studiojmë Biblën, e cila është e frymëzuar nga Perëndia. (2. Timoteut 3:16) Dhe ne duhet të marrim pjesë edhe në veprën e predikimit të Mbretërisë që kryhet me fuqinë e frymës së shenjtë të Jehovait. (Veprat 1:8) Ndihma për bashkë të krishterët, të cilët kanë qenë nën shtypjen e ndonjë përvoje të keqe, është një tjetër mënyrë e nënshtrimit ndaj ndikimit të frymës së Perëndisë. (Isaia 57:15; 1. Gjonit 3:15-17) Duke përmbushur me zell të gjitha këto detyrime të krishtere do të ndihmohemi për t’u mbrojtur nga praktikat mëkatare të xhelozisë, pasi Fjala e Perëndisë thotë: «Ecni sipas Frymës dhe nuk do të përmbushni dëshirat e mishit.»—Galatasve 5:16.
18. Pse nuk kemi për të luftuar gjithmonë kundër ndjenjave të gabuara të xhelozisë?
18 Dashuria radhitet e para midis fryteve të frymës së shenjtë të Perëndisë. (Galatasve 5:22, 23) Ushtrimi i dashurisë do të na ndihmojë të kontrollojmë prirjet mëkatare që kemi tani. Por çfarë mund të themi për të ardhmen? Miliona shërbëtorë të Jehovait kanë shpresën e jetës në parajsën e ardhshme tokësore, ku ata mund të shikojnë përpara për të arritur në përsosmërinë njerëzore. Në atë botë të re, dashuria do të mbizotërojë dhe askush nuk do t’u dorëzohet ndjenjave të gabuara të xhelozisë, pasi «krijesa do të çlirohet nga skllavëria e prishjes për të hyrë në lirinë e lavdisë së bijve të Perëndisë».—Romakëve 8:21.
Pika për meditim
◻ Çfarë ilustrimi përdori Pavli për të ndihmuar kundërvënien ndaj xhelozisë?
◻ Si mund të prishë xhelozia paqen në kongregacion?
◻ Si mund t’i stërvisin prindërit fëmijët e tyre të përballojnë xhelozinë?
◻ Si mund të shmangim veprimet mëkatare të xhelozisë?
[Figura në faqen 11]
Mos lejo që xhelozia të prishë paqen në kongregacion
[Figura në faqen 12]
Prindërit mund t’i stërvisin fëmijët që t’i mposhtin ndjenjat e xhelozisë