Amonitët: një popull që e shpërbleu dashamirësinë me armiqësi
QYTETI modern i quajtur Aman, kryeqyteti i mbretërisë Hashemite të Jordanit, ruan kujtimin e një populli që është zhdukur nga skena tokësore. Ata quheshin amonitë. Cilët ishin ata dhe çfarë mësimi mund të nxjerrim nga shkatërrimi i tyre.
Amonitët ishin pasardhës të njeriut të drejtë Lot. (Zanafilla 19:35-38) Pasi Loti ishte nipi i Abrahamit, mund të mendosh se amonitët ishin kushërinjtë e izraelitëve. Por, pasardhësit e Lotit u kthyen në adhurimin e perëndive të rreme. Megjithatë, Perëndia Jehova e kishte ende një interes ndaj tyre. Ndërsa kombi i izraelit i afrohej Tokës së Premtuar, Perëndia i paralajmëroi: «Mos i sulmo [amonitët] dhe mos u shpall luftë, sepse unë nuk do të jap asnjë pjesë të vendit të bijve të Amonit si trashëgimi, sepse ua kam dhënë bijve të Lotit si pronë të tyre.»—Ligji i përtërirë 2:18.
A e çmuan amonitët një dashamirësi të tillë? Përkundrazi, ata refuzuan të pranonin faktin se Jehovai u kishte dhënë diçka. Interesat dashamirëse të Perëndisë ndaj tyre, i shpërblyen me një armiqësi të egër ndaj popullit të Perëndisë, izraelitëve. Megjthëse izraelitët e respektuan urdhrin e Jehovait dhe nuk bënë asnjë tentativë sulmuese kundër tyre, amonitët dhe vëllezërit e tyre moabitë u ndienë të kërcënuar. Vërtet, amonitët nuk ndërmorën asnjë sulm ushtarak, por paguan një profet të quajtur Balam për të mallkuar Izraelin!—Numrat 22:1-6; Ligji i përtërirë 23:3-6.
Atëherë ndodhi diçka e çuditshme. Bibla tregon se Balami nuk qe i zoti ta shqiptonte mallkimin e tij. Ai mundi të shqiptonte vetëm bekime mbi ta duke thënë: «Qoftë i bekuar ai që të bekon dhe qoftë i mallkuar ai që të mallkon.» (Numrat 24:9) Ata që përfshiheshin këtu, duke llogaritur edhe amonitët duhet të kenë nxjerrë një mësim të fuqishëm nga kjo: Kur ishte fjala për popullin e Perëndisë, ai ishte mjaft i gatshëm për të ndërhyrë në dobi të tyre!
Megjithatë, amonitët vazhduan të kërkonin mënyra për t’iu kundërvënë Izraelit. Në kohën e Gjykatësve, Amoni bashkëpunoi me Moabin dhe Amalekun dhe pushtuan Tokën e Premtuar, duke përparuar deri në Jeriko. Por, fitorja ishte jetëshkurtër, pasi gjykatësi izraelit Ehud i ktheu prapa pushtuesit. (Gjykatësit 3:12-15, 27-30) Një qetësi e turbullt zgjati deri në ditët e gjykatësit Jeftai. Nga ajo kohë, kombi i Izraelit u zhyt në idhujtari, kështu Jehovai e tërhoqi mbrojtjen e tij. Për gati 18 vjet, Perëndia «i dorëzoi . . . në duart e bijve të Amonit». (Gjykatësit 10:6-9) Kur izraelitët e braktisën idhujtarinë dhe u bashkuan nën udhëheqjen e Jeftait, amonitët pësuan përsëri një disfatë të rëndë.—Gjykatësit 10:16–11:33.
Koha e sundimit të Izraelit nga gjykatësit përfundoi me kurorëzimin e mbretit të tij të parë, Saulit. Pak kohë pasi Sauli kishte filluar të mbretëronte, armiqësia amonite shpërtheu përsëri. Mbreti Nahash sulmoi në mënyrë të papritur qytetin e Izraelit, Jabeshin e Galaadit. Kur njerëzit e qytetit u lutën për paqe, amoniti Nahash bëri këtë kërkesë të tërbuar: «Unë do të bëj aleancë me ju me këtë kusht: T’ju nxjerr syrin e djathtë të gjithëve.» Historiani Jozef Flavio pohon se kjo ishte pjesërisht si një masë mbrojtëse, në mënyrë që «kur syri i tyre i majtë të mbulohej nga mburoja, ata të mund të bëheshin të gjithë të pavlefshëm për luftë». Megjithatë, qëllimi i vërtetë i këtij ultimatumi të pashpirt, ishte që t’i bënte një shembull poshtërimi këta izraelitë.—1. Samuelit 11:1, 2.
Përsëri amonitët ia shpërblyen dashamirësinë Jehovait me armiqësi. Jehovai nuk e injoroi këtë kërcënim të egër. «Me të dëgjuar këto fjalë [të Nahashit], Fryma e Perëndisë përfshiu Saulin, zemërimi i të cilit u rrit me të madhe.» Nën udhëheqjen e Frymës së Perëndisë, Sauli grumbulloi një forcë prej 330.000 luftëtarësh, që kështu të shpartallonte krejtësisht amonitët të cilët «u shpërndanë dhe nuk mbetën as dy veta bashkë».—1. Samuelit 11:6, 11.
Preokupimi egoist me interesat e tyre personale, mungesa e mëshirës dhe lakmia, i çuan së fundi amonitët në shkatërrimin e tyre të plotë. Siç paratha profeti i Jehovait Sofonia, ata u bënë «si Gomorra . . . një shkreti përjetë . . . sepse kanë fyer dhe trajtuar me arrogancë popullin e Zotit të ushtrive».—Sofonia 2:9, 10.
Udhëheqësit e botës sot duhet të kenë dëgjuar për atë që i ndodhi Amonit. Në mënyrë të ngjashme, Perëndia u ka treguar kombeve një masë dashamirësie, duke i lejuar të jetojnë mbi stolin e këmbëve të tij, tokën. Por në vend se të kujdesen për tokën, kombet egoiste po e shkatërrojnë atë, madje duke e kërcënuar planetin me shkatërrim bërthamor. Në vend se të tregojnë dashamirësi ndaj adhuruesve të Jehovait mbi tokë, shpesh kombet tregojnë armiqësi, duke i bërë ata objekt të persekutimit të ashpër. Si rrjedhim, mësimi i nxjerrë nga amonitët është se Jehovai nuk e konsideron si jo domethënës veprimin e shpërblimit të dashamirësisë së tij me armiqësi. Dhe në kohën e duhur të tij, ai do të veprojë, pikërisht siç bëri në kohët e lashta.—Krahaso Psalmin 2:6-12.
[Figura në faqen 9]
Gërmadhë romake në Aman, vendi i Rabahut, kryeqyteti i amonitëve
[Burimi]
Pictorial Archive (Near Eastern History) Est.
[Figura në faqen 10]
Amonitët jetonin në këtë zonë
[Burimi]
Pictorial Archive (Near Eastern History) Est.
[Burimi i figurës në faqen 8]
Pictorial Archive (Near Eastern History) Est.