Dhuna mbaron përfundimisht: Si?
PËR të kufizuar rritjen e dhunës, disa qytete në Shtetet e Bashkuara eksperimentuan një ide të re: t’u jepnin para dhe të mira materiale atyre që dorëzonin armët. Rezultati? Për një shumë prej 341.000 dollarësh, për shembull, qyteti Seint Luis grumbulloi 8.500 armë zjarri. Një program i ngjashëm në Nju Jork fitoi më shumë se një mijë armë.
Ç’ndikim pati e gjithë kjo mbi krimin? Mjerisht, një ndikim shumë të vogël. Një vit më pas, vrasjet me armë zjarri arritën një maksimum të paparë deri atëherë në Seint Luis. Në Nju Jork, nëpër rrugë qarkullojnë akoma dy milionë armë. Në Shtetet e Bashkuara ka rreth 200 milionë armë që janë pronë private, pothuajse një për çdo burrë, grua e fëmijë. Në vende të tjera, dhuna me armët po rritet me një shpejtësi alarmuese. Në Britani «mes viteve 1983 deri 1993, numri i shkeljeve të regjistruara nga policia, në të cilat përfshihen armët e zjarrit, afërsisht është dyfishuar në 14.000»,—thotë gazeta The Economist. Edhe pse përqindja e vrasjeve është relativisht e ulët, në atë vend gjenden rreth një milion armë të jashtëligjshme.
Sigurisht, çdo ulje e këtyre shifrave të frikshme është një hap përpara. Megjithatë, masa të tilla si ato të përshkruara më lart, zor se mund të shkojnë deri në rrënjët e shkaqeve të dhunës. Cilat janë këto shkaqe? Është folur për shumë faktorë, por disa prej tyre janë kryesorët. Mungesa e qëndrueshmërisë së familjes dhe e mësimve morale, ka bërë që shumë të rinj të bashkohen me bandat të nxitur nga ndjenja për një lidhje të afërt e të ngushtë. Joshja për fitime të mëdha i nxit shumë veta t’i drejtohen dhunës. Padrejtësitë i detyrojnë të tjerët që t’i zgjidhin çështjet me mjete të dhunshme. Krenaria kombëtare, raca apo niveli i jetesës, bëjnë që njerëzit të mos përfillin vuajtjet e të tjerëve. Këta janë faktorë me rrënjë të thella dhe zgjidhja e tyre nuk është e lehtë.
Ç’mund të bëhet?
Shtimi i numrit të policëve, afate të rënda burgimi, kontroll armësh, dënimi me vdekje, janë të gjitha disa mjete të propozuara e të përdorura për frenimin e krimeve dhe të dhunës. Ato kanë sjellë njëfarë suksesi, por fakti i trishtueshëm është se dhuna ende gjendet me shumicë. Përse? Sepse këto mjete trajtojnë vetëm simptomat.
Nga ana tjetër, shumë ekspertë mendojnë se çelësi për t’i dhënë fund dhunës është arsimimi. Edhe pse kjo është një ide e mirë, duhet të vërejmë se dhuna nuk kufizohet vetëm në vendet ku mundësitë për arsimim janë të kufizuara. Në të vërtetë, duket se kombet me më shumë dhunë janë ndër ato me normat më të larta të arsimimit. Nuk është e vështirë të kuptojmë se ajo që duhet nuk është vetëm arsimimi, por lloji i duhur i arsimimit. Ç’lloj të jetë ai? A ekziston dikush që është në gjendje t’i mësojë njerëzit të jenë paqedashës dhe të drejtë?
«Unë jam Zoti [Jehovai, BR], Perëndia yt, që të mëson për të mirën tënde, që të udhëheq nëpër rrugën që duhet të ndjekësh. Ah, sikur t’u kishe kushtuar kujdes urdhërimeve të mia! Paqja jote do të ishte si një lumë dhe drejtësia jote si valët e detit.» (Isaia 48:17, 18) Si i mëson Perëndia Jehova njerëzit që të jenë paqedashës e të drejtë? Kryesisht nëpërmjet Fjalës së tij, Biblës.
Fuqia e Fjalës së Perëndisë
Bibla nuk është aspak vetëm një përmbledhje me përralla dhe tregime të vjetra, të dala jashtë modës e të parëndësishme. Ajo përmban parime dhe ide nga Krijuesi i njerëzimit, i cili, nga pikëpamja e tij supreme, e njeh natyrën njerëzore më mirë se kushdo tjetër. «Ashtu si qiejt janë më të lartë se toka, kështu edhe rrugët e mia janë më të larta se rrugët tuaja dhe mendimet e mia janë më të larta se mendimet tuaja»,—thotë Perëndia Jehova.—Isaia 55:9.
Për këtë arsye, apostulli Pavël dëshmon se «fjala e Perëndisë është e gjallë dhe vepruese, më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe dhe depërton deri në ndarjen e shpirtit dhe të frymës, të nyjeve dhe të palcave dhe është në gjendje të gjykojë [të shquajë, BR] mendimet dhe dëshirat e zemrës». (Hebrenjve 4:12) Po, Fjala e Perëndisë ka fuqinë të arrijë zemrën e një individi dhe të ndryshojë mendimet dhe sjelljen e tij. A s’nevojitet kjo për të ndryshuar rrugët e dhunshme të njerëzve sot?
Dëshmitarët e Jehovait, që tani numërojnë mbi pesë milionë në më se 230 vende, janë një provë e gjallë se Fjala e Perëndisë ka me të vërtetë fuqinë të transformojë jetën për më mirë. Mes tyre ka njerëz nga çdo kombësi, gjuhë dhe racë. Vijnë, gjithashtu, nga të gjitha shtresat e jetës dhe prejardhjet shoqërore. Disa prej tyre, më parë kanë bërë një jetë të dhunshme e të shqetësuar. Por, në vend se të lejojnë që faktorë të tillë të nxisin armiqësi, rivalitet, diskriminim dhe urrejtje mes tyre, ata kanë mësuar t’i kapërcejnë këto pengesa dhe janë bërë një popull ndërkombëtar paqedashës dhe i bashkuar. Si është bërë e mundur kjo?
Një fushatë që i jep fund dhunës
Dëshmitarët e Jehovait kanë urdhrin të ndihmojnë të tjerët për të marrë njohurinë e saktë të qëllimit të Perëndisë, siç zbulohet në Fjalën e tij, Biblën. Në çdo cep të tokës, ata po kërkojnë njerëzit që dëshirojnë të mësojnë rrugët e Jehovait e të mësohen prej tij. Përpjekjet e tyre po sjellin fryte. Rezultat i kësaj fushate arsimimi është edhe përmbushja e një profecie të mrekullueshme.
Pothuajse 2.700 vjet më parë, profeti Isaia u frymëzua të shkruante: «Në ditët e fundit do të vijë [do të ndodhë, BR] që . . . shumë popuj do të vijnë duke thënë: ‘Ejani, të ngjitemi në malin e Zotit, në shtëpinë e Perëndisë të Jakobit; ai do të na mësojë rrugët e tij dhe ne do të ecim në shtigjet e tij.»—Isaia 2:2, 3.
Mësimi nga Jehovai dhe ecja nëpër shtigjet e tij, mund të prodhojnë ndryshime të mrekullueshme në jetën e njerëzve. Një nga këto është parathënë në të njëjtën profeci: «Do t’i farkëtojnë shpatat e tyre, duke i kthyer në plugje dhe heshtat e tyre në drapinj; një komb nuk ka për të ngritur shpatën kundër një kombi tjetër dhe nuk do të mësojnë më luftën.» (Isaia 2:4) Shumë njerëz e kanë lexuar këtë shkrim. Në fakt, ky tekst është gdhendur mbi një mur në sheshin e Kombeve të Bashkuara në qytetin e Nju Jorkut. Është një përkujtues i asaj që Kombet e Bashkuara aspirojnë, por që kanë dështuar ta realizojnë. Zhdukja e luftës dhe e dhunës nuk ka për t’u arritur nga asnjë organizatë politike e formuar nga njerëzit. Është diçka që vetëm Perëndia Jehova është në gjendje ta bëjë. Si do ta realizojë këtë?
Natyrisht, jo të gjithë do t’i përgjigjen ftesës për ‘t’u ngjitur në malin e Zotit’ dhe për ‘t’u mësuar në rrugët e tij’ e ‘të ecin në shtigjet e tij’; gjithashtu, jo të gjithë do të jenë të gatshëm të «farkëtojnë shpatat e tyre, duke i kthyer në plugje dhe heshtat e tyre në drapinj». Ç’do të bëjë Jehovai për njerëz të tillë? Ai nuk do ta mbajë përgjithmonë të hapur derën e mundësive dhe s’do të presë që ata të ndryshojnë. Për t’i dhënë fund dhunës, Jehovai do t’u japë fund edhe atyre që këmbëngulin në rrugën e tyre të dhunshme.
Një mësim jetësor
Ajo që bëri Perëndia në ditët e Noes, siguron një mësim paralajmërues për ne sot. Tregimi biblik tregon se ç’botë ekzistonte në ato kohë: «Toka ishte e korruptuar para Perëndisë dhe plot e përplot me dhunë.» Në lidhje me këtë, Perëndia lajmëroi Noen: «Kam vendosur t’i jap fund çdo mishi, sepse toka për shkak të njerëzve është plot me dhunë; ja, unë do t’i zhduk bashkë me tokën.»—Zanafilla 6:11, 13.
Duhet të vërejmë një pikë të rëndësishme. Kur solli Përmbytjen mbi atë brez, Perëndia ruajti në jetë Noen dhe familjen e tij. Përse? Bibla përgjigjet: «Noeu ishte një njeri i drejtë dhe i patëmetë midis bashkëkohësve të tij, Noeu eci me Perëndinë.» (Zanafilla 6:9; 7:1) Edhe pse jo të gjithë banorët e atëhershëm ishin patjetër të dhunshëm, vetëm Noeja dhe familja e tij ‘ecën me Perëndinë’. Për shkak të kësaj ata mbijetuan kur ajo botë e dhunshme mori fund.
Ndërsa vërejmë përsëri tokën tek mbushet «plot e përplot me dhunë», mund të jemi të sigurt se kjo gjë nuk po kalon pa u vërejtur nga Perëndia. Ashtu siç bëri në ditët e Noes, kështu së shpejti do të hidhet në veprim për t’i dhënë fund dhunës, përgjithmonë. Por, gjithashtu, do të sigurojë një rrugë shpëtimi për ata që tani po mësojnë ‘të ecin me Perëndinë’, për ata që po i përgjigjen fushatës së tij të madhe të arsimimit për paqe.
Nëpërmjet psalmistit, Jehovai jep këtë siguri: «Edhe pak dhe i pabesi nuk do të jetë më; po, ti do të kërkosh me kujdes vendin e tij dhe ai nuk do të jetë më. Por zemërbutët do të zotërojnë tokën dhe do të gëzojnë një paqe të madhe.»—Psalmi 37:10, 11.
Dëshmitarët e Jehovait do të jenë të lumtur të studiojnë bashkë me ty Biblën, kështu që edhe ti të mund të bashkohesh me ata që thonë: «Ejani, të ngjitemi në malin e Zotit, në shtëpinë e Perëndisë të Jakobit; ai do të na mësojë rrugët e tij dhe ne do të ecim në shtigjet e tij.» (Isaia 2:3) Duke bërë kështu, ti mund të jesh mes atyre që do të shohin fundin e gjithë ligësisë dhe dhunës. Do të mund ‘të gëzosh një paqe të madhe’.
[Burimi i figurës në faqen 5]
Reuters/Bettmann