Jehovai: Dashurues i së drejtës dhe i drejtësisë
NJË vajzë e re në Sarajevë pyet veten përse fëmijët e qytetit të saj duhet të vuajnë kaq shumë. «Ne s’kemi bërë asgjë. Ne jemi të pafajshëm»,—thotë ajo. Për rreth 15 vjet, nënat e shqetësuara argjentinase kanë dalë në një shesh publik në Buenos Aires, në protestë për zhdukjen e bijve të tyre. Një afrikan me emrin Emanuel, nëna dhe tri motrat e të cilit u vranë brutalisht gjatë një vërshimi të dhunës etnike, pohon: «Gjithkush duhet të marrë shpërblimin e merituar . . . Ne duam drejtësi.»
Drejtësia është një nga atributet kryesore të Perëndisë Jehova. «Të gjitha rrugët e tij janë drejtësi»,—thotë Bibla. Vërtet, Jehovai është «dashurues i së drejtës dhe i drejtësisë». (Ligji i përtërirë 32:4, BR; Psalmi 33:5) Për ta njohur mirë Perëndinë, ne duhet të kuptojmë ndjenjën e tij të drejtësisë dhe të mësojmë ta imitojmë atë.—Hozea 2:19, 20; Efesianëve 5:1.
Koncepti ynë i drejtësisë është ndikuar ndoshta nga mënyra se si e konsiderojnë njerëzit këtë cilësi. Në disa pjesë të botës, shpesh drejtësia portretizohet si një grua me sy të lidhur që mban një shpatë dhe një palë shkallë. Drejtësia njerëzore supozohet se është e paanshme, d.m.th. e verbër ndaj pasurisë apo ndikimit. Ajo duhet të vlerësojë dhe të gjykojë me kujdes fajin ose pafajësinë e të akuzuarit. Me shpatën e saj, drejtësia duhet të mbrojë të pafajshmin dhe të ndëshkojë shkelësin.
Një libër thotë se «drejtësia lidhet me ligjin, detyrimin, të drejtat, dhe detyrat dhe nxjerr vendime sipas paanshmërisë dhe meritës». (Right and Reason—Ethics in Theory and Practice) Por drejtësia e Jehovait shkon shumë përtej këtij përcaktimi. Mund ta shohim këtë gjë, duke konsideruar veprat dhe cilësitë e Jezu Krishtit, i cili është shumë i ngjashëm me Atin e tij qiellor.—Hebrenjve 1:3.
Fjalët e Isaisë 42:3 iu aplikuan Jezuit nga shkrimtari i Ungjillit, Mateu, i cili deklaroi: «Nuk do ta copëtojë kallamin e thyer dhe nuk do ta shuajë kandilin që bën tym; do ta paraqesë drejtësinë sipas së vërtetës.» Jezui u shpalli një mesazh ngushëllues njerëzve që ishin si një kallam i thyer i përkulur dhe madje i shkelur. Ata ishin si kandili që bën tym, sikur shkëndija e fundit e jetës ishte gati në të shuar. Jezui nuk i copëtoi në mënyrë figurative kallamat e thyer, por mëshiroi të përvuajturit, i mësoi dhe i shëroi ata, u bëri të qartë atyre drejtësinë e Perëndisë Jehova. (Mateu 12:10-21) Siç paratha profecia e Isaisë, kjo lloj drejtësie jepte shpresë.
Mëshira dhe drejtësia e Jehovait
Mëshira është një pjesë e qenësishme e drejtësisë së Perëndisë. Kjo gjë u bë shumë e dukshme, kur Jezui ishte në tokë. Ai i paraqiti në mënyrë të përsosur normat e Perëndisë mbi drejtësinë dhe të drejtën. Megjithatë, skribët dhe farisenjtë hebrenj u përpoqën të arrinin të drejtën, duke ndjekur një kod të ashpër ligjesh, shumica e të cilave ishin vendosur prej vetë atyre. Drejtësia e tyre ligjore e eliminonte zakonisht mëshirën. Shumë mospajtime ndërmjet Jezuit dhe farisenjve ishin për këtë çështje: Çfarë është e drejta dhe drejtësia e vërtetë?—Mateu 9:10-13; Marku 3:1-5; Luka 7:36-47.
Jezui ilustroi si t’i trajtojmë të tjerët në një mënyrë që bazohet në drejtësinë dhe në të drejtën. Një burrë me përvojë në Ligj, e pyeti njëherë Jezuin se çfarë duhej për të trashëguar jetën e përhershme. Në përgjigje, Jezui i bëri atij një pyetje dhe e lavdëroi kur ai u përgjigj se dy ligjet më të rëndësishme ishin: të duash Perëndinë me gjithë zemrën, shpirtin, mendjen e forcën dhe të duash të afërmin si vetveten. Atëherë, burri pyeti: «Po kush është i afërmi im?» Jezui u përgjigj duke bërë ilustrimin e samaritanit miqësor.—Luka 10:25-37.
Në ilustrimin e Jezuit për samaritanin u ilustrua me shembull e drejta dhe drejtësia e mëshirshme nga pikëpamja e Jehovait. Duke ndihmuar pa egoizëm një njeri të plagosur, të cilin nuk e njihte, samaritani bëri diçka të ndershme, të drejtë dhe të mëshirshme. Vetë Jezui tregoi të njëjtën frymë kur ishte në tokë. Ai ishte i drejtë dhe veproi me drejtësi. Për më tepër, ai dha jetën e tij për njerëzit në nevojë, për njerëzimin mëkatar dhe të papërsosur, që u ishte nënshtruar vuajtjeve, sëmundjeve dhe vdekjes. Apostulli Pavël e lidhi drejtësinë me sigurimin shpërblerës. Ai shkroi: «Ashtu si për një shkelje të vetme dënimi u shtri mbi të gjithë njerëzit, ashtu edhe me një akt të vetëm drejtësie, hiri u shtri mbi të gjithë njerëzit për shfajësimin e jetës.» (Romakëve 5:18) Ky ‘akt i vetëm drejtësie’ ishte një mënyrë që përdori Perëndia për të shpëtuar njerëzimin e bindur nga pasojat shkatërrimtare të mëkatit të Adamit, për të cilin ata nuk ishin drejtpërdrejt përgjegjës.
Drejtësia e Perëndisë u mundua që në të njëjtën kohë të riblente njerëzit mëkatarë dhe të mbante parimet e drejta. Po të mos përfillte mëkatin, do të kishte qenë i padrejtë dhe i padashur, sepse një gjë e tillë do të kishte inkurajuar paligjshmërinë. Nga ana tjetër, nëse drejtësia e Perëndisë do të ishte kufizuar në dhënien e një shpërblimi apo ndëshkimi, gjendja e njerëzimit do të kishte qenë e pashpresë. Sipas Biblës, «paga e mëkatit është vdekja» dhe «nuk ka asnjeri të drejtë, as edhe një». (Romakëve 3:10; 6:23) Jehovai siguroi një sakrificë shpërblerëse për mëkatet, edhe pse kjo gjë i kushtoi shumë atij vetë dhe Birit të tij të dashur.—1. Gjonit 2:1, 2.
Shpërblerja tregon se drejtësia hyjnore gërshetohet me dashurinë e bazuar në parime (greqisht, a·gaʹpe). Vërtet, drejtësia e Perëndisë është zbatimi i parimeve të tij të drejta, një pasqyrim i normave të Perëndisë për moralin. Prandaj, kur ushtrohet nga Perëndia, a·gaʹpe është dashuria mbi të cilën bazohet drejtësia hyjnore. (Mateu 5:43-48) Në këtë mënyrë, nëse e kuptojmë me të vërtetë drejtësinë e Jehovait, do të kemi besim absolut në vendimet e tij gjyqësore. Si «Gjykatësi i tërë tokës», ai gjithmonë bën atë që është e drejtë.—Zanafilla 18:25; Psalmi 119:75.
Të imitojmë drejtësinë e Jehovait!
Bibla na këshillon të bëhemi «imitues të Perëndisë». (Efesianëve 5:1) Kjo do të thotë të imitojmë drejtësinë dhe dashurinë e tij. Por, meqenëse jemi të papërsosur, rrugët tona nuk janë aq të larta sa ato të Perëndisë Jehova. (Isaia 55:8, 9; Ezekieli 18:25) Si mund të tregojmë atëherë se jemi dashurues të së drejtës dhe të drejtësisë? Duke veshur «personalitetin e ri, i cili u krijua sipas vullnetit të Perëndisë në drejtësi të vërtetë dhe besnikëri». (Efesianëve 4:24, BR) Atëherë do të duam atë që Perëndia do dhe do të urrejmë atë që ai urren. ‘Drejtësia e vërtetë’ shmang dhunën, imoralitetin, papastërtinë dhe apostazinë, sepse ato dhunojnë atë që është e shenjtë. (Psalmi 11:5; Efesianëve 5:3-5; 2. Timoteut 2:16, 17) Gjithashtu, drejtësia hyjnore na nxit të tregojmë interes të sinqertë për të tjerët.—Psalmi 37:21; Romakëve 15:1-3.
Përveç kësaj, nëse çmojmë natyrën e mëshirshme të drejtësisë së Perëndisë, nuk do të jemi të prirë të gjykojmë vëllezërit apo motrat frymore. Si t’ia bëjmë për t’i kuptuar ata ashtu siç i kupton Jehovai? A nuk do t’i gjykonim ata nga pikëpamja jonë e njëanshme? Për këtë, Jezui paralajmëroi: «Mos gjykoni, që të mos gjykoheni. Sepse ju do të gjykoheni sipas gjykimit me të cilin ju gjykoni; dhe me masën me të cilën ju masni, do t’ju masin të tjerët. Pse shikon lëmishten që është në syrin e vëllait tënd dhe nuk shikon trarin që është në syrin tënd? Ose, si mund t’i thuash vëllait tënd: ‘Dale të të heq lëmishten nga syri’, kur ke një tra në syrin tënd? O hipokrit, hiqe më parë trarin nga syri yt dhe pastaj shiko qartë për të nxjerrë lëmishten nga syri i vëllait tënd.» (Mateu 7:1-5) Një vlerësim i ndershëm i papërsosmërive tona, na parandalon të bëjmë gjykime, gjë që Jehovai do ta konsideronte të padrejtë.
Pleqtë e caktuar të kongregacionit janë të detyruar të gjykojnë në raste shkeljesh të rënda. (1. Korintasve 5:12, 13) Kur veprojnë kështu, ata kujtojnë se drejtësia e Perëndisë përpiqet ta zgjerojë mëshirën aty ku është e mundur. Nëse nuk ka bazë për këtë, si në rastin e një mëkatari të papenduar, mëshira nuk mund të zgjerohet. Megjithatë, pleqtë nuk e përjashtojnë këtë shkelës nga kongregacioni për t’u hakmarrë. Ata shpresojnë se vetë përjashtimi do ta sjellë atë në vete. (Krahaso Ezekielin 18:23.) Nën drejtimin e Krishtit, pleqtë shërbejnë në interes të drejtësisë dhe kjo përfshin të qenët si «një mbrojtje nga era». (Isaia 32:1, 2) Për këtë arsye, ata duhet të tregojnë paanshmëri dhe arsyetueshmëri.—Ligji i përtërirë 1:16, 17.
Të mbjellim fara në drejtësi!
Ndërsa presim botën e re të drejtë të Perëndisë, ne «duhet të kërkojmë drejtësi» për të gëzuar favorin hyjnor. (Sofonia 2:3; 2. Pjetrit 3:13) Kjo ide shprehet shumë bukur në fjalët që gjejmë në Hozenë 10:12: «Mbillni për vete fara në drejtësi; korrni sipas dashamirësisë. Lëroni për vete tokë të punueshme, kur është koha për të kërkuar Perëndinë, derisa ai të vijë e t’ju japë udhëzime në drejtësi.»—BR.
Në jetën tonë të përditshme, ne kemi shumë raste ‘për të mbjellë fara në drejtësi’, siç e ilustroi Jezui në shëmbëlltyrën e samaritanit miqësor. Jehovai do të sigurojë që ne ‘të korrim sipas dashamirësisë’. Nëse vazhdojmë të ecim në «shtegun e drejtësisë», do të vazhdojmë të marrim udhëzime në drejtësi nën sundimin Mbretëror. (Isaia 40:14) Ndërsa koha kalon, ne pa dyshim do të arrijmë ta çmojmë gjithnjë e më shumë faktin që Jehovai është një dashurues i së drejtës dhe i drejtësisë.—Psalmi 33:4, 5.
[Figura në faqen 23]
Samaritani miqësor ilustronte drejtësinë e Jehovait
[Figura në faqen 23]
Jezui kishte mëshirë për njerëzit e përvuajtur, që ishin si kallama të thyer